Mendime
Adil Fetahu: Letra e Josseph DioGuardit dërguar At Antonio Bellushit
E hene, 09.12.2019, 10:00 PM
LETRA E JOSSEPH DIOGUARDIT DËRGUAR AT ANTONIO BELLUSHIT
Shkruan:
Adil FETAHU
Jam nga ata që rrallë i
përcjell emisionet televizive, sidomos të fytyrave politike dhe debatet bajate
të “analistëve të gjithëdijshëm”. Në televizion shikoj sportin, kryesisht
futball, sepse në sport flitet për rezultate,
ndërsa në fusha tjera kryesisht
për dështime. Ndonjë emision kulturor, që janë të rralla dhe jo kreative. Informacionet për lajmet dhe fusha
të tjera, i marr nga interneti dhe atë nga burime të ndryshme. Këto ditë
rastësisht vërejta në ekran fytyrat e çiftit Josseph e Shirley DioGuardi, dhe
nga kompjuteri u ktheva kah televizori, pas gjysmës së emisiont, për ta përcjellë bisedën me këta njerëz aq
shumë të angazuar për çështjen shqiptare në përgjithësi, e çështjen e Kosovës
në veçanti. Më erdhi mirë që këtij çifti të respektuar, të ftuar si mysafirë specialë në emisionin “Fol
Shqip Show”, iu bë një prezentim dhe
përcjellje e kulturuar, mbresëlënëse.
Ndonëse e kisha të njohur aktivitetin e Xhoe DioGuardit, nga kurreshtja
hulumtova nga biografitë e këtij çifti të vyeshëm, dhe për lexusit të cilët më
pak i njohin, po paraqes këtu një biografi të shkurtër të tyre.
Josseph J.
DioGuardi u lind më 20 shtator 1940,
në Harlem (ShBA), nga prindërit Guisseppe DioGuardi dhe Grace Paparella. Babai
i Jossephit, ishte arbëresh nga fshati Grece (Itali) i cili, si djalosh
15-vjeçar, kishte emigruar në Amerikë,
në vitin 1929. Pasi ishte stabilizuar ekonomikisht, në vitin 1939 ishte martuar
me Grace Paparello-n. Ata patën tre fëmijë:
Josseph-in, të cilin e quanin Joe j.(junior), që u lind në vitin 1940, e
pastaj tij lindën vajza Angela (1942) dhe djali tjetër – Richardi (1945).
Prindët e Jossephit më parë kishin një dyqan me fruta perimesh, e pastaj kishin
arritur të hapnin dy supermarkete. Fëmijët sapo ishin rritur pak, edhe si
nxënës ose studentë, iu ndihmonin prindërve në dyqanet e tyre, gjat ditëve ose
kohës së pushimeve. Jossephi ishte i
zellshëm në punë dhe në shkollë. Kreu me sukses të shkëlqyeshëm Universitetin
Fordham, mori çertifikatën e liçencës për llogaritar (kontabilist), u bë anëtar
dhe partner i firmës ndërkombëtare të llogaritarëve “Arthur Anderson”. Në vitin
1968, Jossephi u martua me Carol Asselta, me të cilën lindën dy fëmijë: Kara
dhe John.
Prej vitit 1985 deri më
1989, Jossephi ishte anëtar i Kongresit Amerikan, përfaqësues i Wescheser-it. Pas
kalimit të mandatit në Kongres, themeloi Ligën dhe Fondacionin Qytetar
Shqiptaro-Amerikan. Në vitin 1997 i vdiq, nga kanceri, grueja e parë, Carol.
Pas një viti Jossephi u martua me botuesen,studjuesen e pavarur dhe aktivisten
për të drejtat e njeriut Shirley
Cloyes, e cila është e njohur për ne kosovarët që nga viti 1995, për
dëshmitë e saja për çështjen e Kosovës në Kongresin Amerikan.
Çifti Josseph dhe Shirley
DioGuardi, tërë kohën janë marrë aktivisht me çështjen e të drejtave të
minoriteteve, me çështjen e Kosovës e të Çamërisë, me ruajtjen dhe kulitivimin
e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe. Për këtë qëllim, ata bëjnë vizita të kohëpaskohëshme në këto vende
dhe në kolonitë arbërshe në Itali, mbajnë korrespodencë me personalitete të
njohura të çështje kombëtare shqiptare. Është mbresëlënëse një letër e DioGuardit, dërguar studjuesit, filozofit,
etnografit dhe atdhetarit të njohur arbëresh nga Frasnita e Kozencës (Iali), At
Antoni Bellushi, në vitin 1988, atëherë kur DioGuardi ishte kongresmen në
Kongresin Amerikan. Nga përmbajtja e letrës shihet se me çfarë ndejnja dashurie
e përkushtimi për çështjen shqiptare dhe për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditave dhe virtyteve shqiptaro-arbëreshe
angazhohej DioGuardi dhe kërkonte edhe nga At Bellushi e të tjerët, të angazhohen
në këtë drejtim, që ato vlera kombëtare të ruhën e kultivohen. Përmbajtjen e letrës së DioGuardit, dërguar
At Antoni Bellushit, po e reprodukojmë këtu pa asnjë ndryshim të tekstit.
February, 24, 1988
I dashuri
At Bellusci,
Më vjen
keq që mu desh kaq kohë e gjatë për t’ju përgjigjur letrës tuaj të 20 nëntorit.
Më duhej që ta përktheja letrën tuaj dhe dokumentet shtesë në anglisht dhe
vetëm tani jam në gjendje të ulem e të shkruaj një përgjigje të menduar për
letrën tuaj të mrekullueshme.
Siç keni
kërkuar, unë po ju bashkangjis një biografi të shkurtër që flet për jetën time
përpara vitit 1984 dhe disa nga gjërat që po bëj tani si kongresmen. Po ju
bashkangjis gjithashtu një shkrim të titulluar “Premtimi i Amerikës – historia
e familjes DioGuardi”, e shkruar nga disa miq. Mund të botoni pjesë të
zgjedhura nga ky shkrim në botimin e muajit prill të revistës “Lidhja”.
Siç edhe e
dini, emri im DioGuardi ka kuptim shpirtëror. Zoti na ka mbrojtur mua dhe
popullin shqiptar. Më 28 Gusht kur unë pata
nderin të takohem me ju në restorantin e vogël në hyrje të Grecit para se të
shkoja për të vizituar kushërijtë e mi Arbëresh, ishte më shumë se një
koincidencë që ju qëlluat të ishit në atë zonë, në të vetmen ditë që unë isha
në Greci (në vend të shumë qyteteve
Arbëreshe që iu përmendi në letrën tuaj).
Ju po bëni
një punë të mrekullueshme për të mbajtur gjallë kulturën shqiptare për të
ardhmën. Unë do të vazhdoj të mbështes përpjekjet tuaja dhe kohëve të fundit
unë kam formuar një oranizatë arsimore në Shtetet e Bashkuara që quhet
“Fondacioni Etnik Kombëtar Shqiptro-Amerikan”, për të rikujtuar dhe kultivuar
kulturën dhe vlerat tona këtu në Amerikë.
Ju
falënderoj për fjalët e mira dhe për krahasimet e vlefshme të karakterit tim që
vjen nga një familje me prindër Arbëreshe. Unë e kuptoj rëndësinë e veçant të
karakteristikave kulturore, pozitive të prejardhjes time Italiane, ashtu
sikurse babai im që do të vazhdonte t’i prezentonte këto vlera këtu në Amerikë.
Me vlerat tona nënkuptoj dashurinë për Zotin dhe familjen, etikën e fortë të
punës si dhe përgjegjësinë financiare
(ne shqiptarët kursejmë përpara se të shpenzojmë – një gjë të tillë që
duhet ta bëjnë më shumë Shtetet e BAshkuara dhe vendet e tjera).
Ju më
kërkuar që unë t’ju jepja një raport nga vizita ime në Greci, atë çfarë ndjeva
në zemër dhe çfarë më bëri të udhëtoj atje. Këto nuk mund të përkruhen lehtë në
një letër të shkurtër, po unë do të përpiqem t’i përshkruaj ndjenjat e bukura
që pata kur udhëtova me makinë në ato male ku kishte lindur babai im dhe ku
shqiptarët kishin ardhur 500 vjet më parë për të qenë të lirë.
Me që
kisha lexuar shumë për atë çfarë u kishte ndodhur vëllezërve dhe motrave tona
në shekullin e 14-të e 15-të dhe më vonë, unë e dija që një vizitë në Greci do
të më sillte më pranë njerëzve që luftuan kaq shumë bashkë me Skënderbeun, shumë shekuj më parë
për të ruajtur lirinë dhe traditat e tyre shqiptare. Është e mrekullueshme që
500 vite në Itali, nuk mundën ta shkatërrojnë kulturën e fortë shqiptare që
është e pranishme sot në Greci dhe që babai im e solli me vete në Shetet e
Bashkuara në vitin 1929, kur u detyrua të largohej nga Greci i varfër
ekonomikisht, në kërkim të kushteve më të mira ekonomike në Amerikë. Kjo flet
qartë për kurajon dhe dashurinë që shqiparët kanë në zemër, në mendje dhe në
shpirt, që për 500 vjet nuk harruan prejardhjen dhe kulturën dhe i trashëguan
këto veti në zemrat dhe mendjet e fëmijëve të tyre kudo që jetojnë nëpër botë.
Unë jam një nga këta fëmijë, më i madhi i fëmijëve në familjen time, i lindur në
një familje emigrantësh këtu në Amerikë, një vend i madh që më dha mundësinë të
përparoj e të jem i suksesshëm,dhe të mund t’u rikthehem gjurmëve të babait dhe
të gjyshit deri në kohën e Skënderbeut, për të kuptuar më mirë se kush jam dhe sakrificat e mëdha që
babai im dhe të parët tanë shqiptarë kanë kaluar, për të më dhënë mundësinë për
të qenë sot në këtë vend të madh, si shqiptari i vetëm etnik në Kongresin
Amerikan.
Kur
filluam t’i ngjiteshim malit të lartë për të shkuar në qytetin e vogël Greci, me
fëmijët e mi Johhn, Kara dhe gruan time Carol, unë ndjeva diçka të çuditshme
dhe të mrekllueshme që po shkoja në hapat e atyre që ishin larguar nga
vendlindja 500 vite më parë për t’u treguar se përpjekjet e tyre nuk kishin
shkuar kot.
Më duket
si drejtësi paksa poetike që pas gjithë këtyre viteve një Kongresmen merikan me
rrënjë shqiptare të luftojë për të drejtat e shqiptarëve etnikë dhe
minoriteteve të tjera të vogla në të gjithë botën, sidomos në Kosovë. Pesëqint
vitet e fundit e kanë ndarë dhe nga një
vend, një fe, një gjuhë dhe një filozofi politike, janë bërë tre fe, të paktën
në pesë shtete dhe disa filozofi politike. Falënderojmë Zotin që akoma kemi një
kulturë me tradita të lashta Ilire që i kanë mbijetuar kohës.
Ajo çfarë
më bënë shumë krenar për prejardhjen time shqiptare, është që jam dëshmitar i
asaj që shqptaro-amerikanët po bëjnë sot në Shtetet e Bashkuara.
Karakteristikat kulturore që i përmenda më sipër janë shumë të rëndësishme për
të gjithë shqiptarët katolikë, shqiptarët ortoodoksë apo myslimanë, shqiptarët
besojnë fort në Zot dhe kanë besim tek vetvetja. Ata kanë familje të mëdha e të
bukura edhe këtu në Amerikë dhe i
respektojnë brezat më të vjetër. Ata e duan punën, janë krenar për punën e tyre
dhe arritjet dhe kontribuojnë që edhe fëmijët e tyre të jenë krenar me ato që
kanë arritur përmes duarve dhe mendjeve të tyre. Së fundi, jam i habitur se si famljet
shqiptare duke përfshirë babain tim, kursejnë për të ardhmen për fëmijët dhe
familjet e tyre. Këto karakteristika unë do të vazhdoj të shpalos si shqiptar
etnik, për t’i bërë me dije botës se shqiptarët kanë shumë për të dhënë si
njerëz të Zotit, punëtor ë, me dashuri për familjen dhe që do të vazhdojnë të
kontribuojnë botës dhe gjithë njerëzimit.
Dhe
shpresoj që këto mendime janë ato çfarë prisnit dhe çfarë ju duhej. Vazhdoni me
punën e shkëlqyer që po bëni për të ruajtur kulturën e parardhësve tanë.
Shpresoj që do të shihemi shumë shpejt përsëri. Unë planifikoj të vij në Romë
me një grup Shqiptaro-Amerikanësh në fillim të Majit dhe do të përpiqemi të
vizitojmë Grecin. Do t’ju jap më shumë të dhëna që edhe ju të mund të na
bashkangjiteni. Shpresoj që ju të vizitoni Amerikën ashtu siç e përmendët në letrën tuaj, që të mund të
organizojmë një event që të mund të takoni vëllezërit dhe motrat tuaja
shqiptarë në këtë vend të madh për shqiptarët dhe njerëz të tjerë të vullnetit
të mirë.
Përshëndejt
të ngrohta,
Joseph J.
DioGuardi