Kerko: a
Hazir Mehmeti: Fitorja diplomatike e UÇK-së
E enjte, 14.11.2019, 09:23 PM
Fitorja diplomatike e UÇK-së
Nga
Hazir Mehmeti, vështrim
Të nderuar të
pranishëm!
Sonte
ndihem i nderuar që mu dha rasti të paraqes para jush librin e radhës të mikut tonë, ambasadorit të parë të Republikës së Kosovës në Austri, zotit
Sabri Kiçmari, Fitorja Diplomatike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kujtime
nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Libri
“Fitorja Diplomatike e UÇK-së” është një margaritar në mësimin e rrjedhave të
rrugës së vështirë deri në realizimin e idealeve për liri në fundshekullin e
kaluar. I shkruar natyrshëm me gjuhën e fakteve e bënë librin vepër me vlera përtej një vepre kujtimesh apo ditari
personal, kur dihet se autori ishte personazhi i ngjarjeve qe nga vitet e renda
për vendin e pushtuar nga Serbia dhe Jugosllavia.
Akademik
Regjep Qosja në rezymenë e tij rreth librit me tjerash shkruan: “Libri i
diplomatit dhe i studiuesit tonë tashmë
të njohur e të çmuar, Sabri Kiçmari, me titullin domethënës, Fitorja
diplomatike, është libër i rrallë në krijimtarinë tonë letrare e shkencore,
në të cilin janë bashkuar, shumë pajtueshëm, veçanti të kujtimeve dhe të
ditarit”.
Duke
qenë bashkë drejtues të ilegales që nga viti 1989 autori na sjell kujtime nga koha e demonstratave kundër pushtuesve
serb e jugosllav, atëherë kur autori përjeton rëndë vrasjen e bashkëluftëtarëve
të tij të ilegales, heronjtë e kombit: Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazlia,
dhe vdekja e Fadil Vates si pasojë e kushteve torturuese të burgut që kishte
mbajtur. Ishte kohë kur Lëvizja Popullore
për Çlirimin e Kosovës e sheh rrezikun nga arrestimi, dhe merr vendim që Sabri
Kiçmari të vepron jashtë vendit në Evropën Perëndimore. “U gëzova shumë që në
përfundim të Konferencës do të bëja dorëzimin e detyrës së Sekretarit
Organizativ tek heroi ynë Afrim Zhitia, pasi që për mua u vendos të largohesha
jashtë vendit” , shkruan Sabri Kiçmari. Ky veprim ishte i mençur dhe me efekte
pozitive të shumanshme të cilat i dokumenton libri që po promovojmë sonte. Ishte me rëndësi Mbledhja e Katërt e Lëvizës Popullore për Çlirimin
e Kosovës, në gusht të vitit 1993, kur edhe
vendoset për organizimin e luftës
së armatosur, dhe, përcaktohet koncepti
teorike, filozofik e politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo filozofi e drejtë dhe e arsyeshme do të
prezantohet me sukses dhe vendosmëri nga grupi i përfaqësuesve politik të
UÇK-së në Evropë. Në shtatorin e vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak i
UÇK ës emëron zyrtarisht grupin e përfaqësuesve të saj për marrëdhënieve me
jashtë i përberë nga Sabri Kiçmari, Jashar Salihu, Ramadan Avdiu, Rexhë
Ibërdemaj, Agush Buja, Mujë Rugova, Bilall Sherifi dhe drejtuesi i grupit, Bardhyl Mahmuti.
Zonja
e zotërinj!
Diplomacia evropiane
ruante koncepte të vjetra, jo të
drejta, lidhur me shqiptarët, rrjedhat në Jugosllavi dhe veçanërisht vuante nga
paragjykimi ndaj UÇK e cila po rritej çdo ditë, dhe jo pa arsye në çarqe
analitike ushtarake botërore, cilësohej
si ushtria më rritur dhe shkruar në shtypin botëror në fundshekullin e njëzet.
Kjo
rritje u shumëfishua veçanërisht pas Epopesë së UÇK-së me 5,6,7 mars të vitit
1998, në Prekaz, kur bie heroikisht Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe
familja Jashari, pikërisht, atëherë kur
Serbia propagandonte shuarjen e saj. Kjo datë shënon kthesën e madhe veç tjerash,
në interesimin botëror për luftën e drejtë të UÇK-në. Ky moment shënon nisjen e
fazës intensive të aktiviteteve të grupit
përfaqësues me jashtë të UÇK-së në kontaktet me diplomat dhe shtypin
botëror. Rënia heroike e Fehmi Lladrovcit, Xhevë Lladrovcit, Xhemajl Fetahajt
ishte sa humbje e madhe, shumë herë më tepër, ishte krenari e frymëzim në
fuqizimin e luftës për liri. Këto
sakrifica frymëzim kishin idealin për liri të lagur me gjak nga dëshmoret e
kombit mes tyre Zahir Pajaziti që në hapat e parë të formësimit dhe luftës së
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për
nga rrjedha e ngjarjeve në libër mund të vërejmë dy faza aktivitetesh: faza
e ndërtimit të botëkuptimeve dhe
koncepteve për liri brenda faktorit shqiptar dhe faza e ndërtimit dhe
mbështetjes të së drejtës për liri të garantuara me konventat
ndërkombëtare në të cilat ishte e
konceptuar filozofia politike dhe lufta e
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu mësojmë sa e vështirë dhe e
mundimshme ishte të bindet Evropa mbi të drejtën tonë për liri, në rrethanat e kohës, kur dihet se diplomacia e vendeve evropiane dhe vendeve
tjera vuanin nga sindromi i koncepteve
të të ashtuquajturit “shtetit sovran” edhe kur ai shtet është
kolonizator e vrasës masiv i popujve siç
ishte Serbia dhe Jugosllavia. Argumentet
e shtruara në takime me burra shtetesh, diplomat, media e shkruara dhe
elektronike tregojnë për sukses të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e
faktorit të jashtëm mbi nevojën e përkrahjes së luftës për liri të UÇK-së, si
formë e imponuar nga veprimet kriminale të pushtuesit i cili kishte qellim
shfarosjen e shqiptarëve me pasojë
pastrimin etnik, si akt i vazhdueshëm gjenocidi shekujve sipas programeve të memorandumeve të
Akademisë Serbe të Shkencave, Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë serbe si
zbatuese e tyre.
Sabri Kiçmari qe
nga intervista e tij në gazetën “Der Spiegel” (12 tetor 1998) dhe më tutje argumenton luftën e drejtë të
UÇK-së, demanton propagandën serbe dhe argumenton mbështetjen vullnetare nga
mërgimtarët për UÇK-në. Në intervistat dhe takimet me diplomat e zyrtarë do bëhet prezantimin e krimeve serbe kundër
civilëve shqiptarë; argumentimin e shkeljeve nga ana e Serbisë të rezolutave të
ndryshme që ishin në fuqi; në periudhën e pas Marrëveshjes Rambujesë,
përkatësisht në kohën e fushatës ajrore të forcave të NATO-s kundër
Serbisë, si faza vendimtare e epilogut
të luftës në Kosovë. Tani UÇK-ja kishte ndërtuar struktura
komanduese dhe Drejtorinë Politike të drejtuar nga Hashim Thaqi, i cili do jetë
edhe drejtues i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujes, Angazhimi i
Simbolit të Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçit,
si përfaqësues i UÇK-së dhe Akademik Regjep Qosjes i dha fuqi popullaritetit të UÇK-së duke
forcuar pozicionet e saj në planin e brendshëm dhe të jashtëm si faktor pa të
cilën nuk mund të vendoset asgjë për të ardhmen e Kosovës.
Sabri Kiçmari së
bashku me grupin përfaqësues njoftonin vazhdimisht opinioni publik, diplomatik,
politik e ushtarak ndërkombëtar me gjenocidin që po zhvillohej kundër
shqiptarëve në Kosovë si dhe argumentimi i shtruar i humbjes së vlefshmërisë së
Marrëveshjes së Rambujesë në raport me statusin e ardhshëm të Kosovës dhe vetë
UÇK-së, duke e mbrojtur në këtë rast qëndrimin se zgjidhja e statusit duhet
kërkuar përmes referendumit ku do vendoste
populli. Me këmbëngulje u argumentua
mos çarmatosja e UÇK të si nevojë
e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie. Në shtypin gjerman do shkruhet me theks të
veçantë rreth vendimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, duke e
cilësuar një fitore diplomatike të UÇK-së.
Autori
me respekt të matur dhe të një diplomati të arsyeshëm rrëfen mbi realizimin e
takimeve me personalitet të njohura të kohës:
Wolfgang Ischinger, Cem Özdemir,
Pier Churi, Doris Pack, Wolfgan Schüssel, Jozias van Aartsen, Louise
Arbour, Erich Rathfelder, Hans Koschnik,
Tim Judah, Erchard Eppler, Gerhard Jandl, Laszlo Nagy, Jeffrey
Fleishman, Alvaro Guitian Garcia, Larry Rossin, Lawarence G. Rossin, Roland
Schleicher, H.Hunor, Albert Rohan, Wolfgang Petritsch, Wieland Schneider etj
Zonja
e zotërinj!
Vjena
ishte dhe mbetet në përgjithësi qendër
me peshë në historinë tonë
kombëtare dhe veçanërisht qendër diplomatike. Këtu vepruan shumë figura të njohura kombëtare,
mes të cilëve: Hasan Prishtina, Faik Konica, Ismail Qemali, Dom Nikollë
Kaçorri, Eqrem bej Vlora, në përpjekjet e tyre për liri dhe shtet. Këtu veproi edhe Sabri Kiçmari me grupin e
veprimtarëve të devotshëm nga radhët e mërgimtarëve tanë: Xhevat Xhemajli,
Abdullah Abdullahu, Rifat Buzuku, Eset Berani
e shumë tjerë që organizuan demonstrata në përkrahje të gjithanshme për
UÇK-në dhe protesta në gjithë Austrinë
në mbështetjen e luftës për liri të në të gjitha format e nevojshme.
Ushtria
Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri e pa alternativë për mbrojtje të kombit
shqiptarë në Kosovë, Kosovë Lindore dhe Iliridë. Ajo lindi nga populli, u
formësua nga populli, u ushqye nga populli dhe do mbetet gjithmonë emër i
shenjtë për secilin qytetar. Idealet e saja ishin dhe do mbesin liria e barazia
për të gjithë pa dallim etnie, bindje apo gjinie.
Emri i
autorit, Sabri Kiçmari, këtu bashkëjeton
në të gjitha rrethanat që nga ilegalja
e Lëvizjes Popullore për Çlirimin e
Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeverisë së Përkohshme pas Rambujesë, Qeverisë së
Republikës së Kosovës, nga të cilat
Sabri Kiçmari do caktohet në rolin
e tij diplomatik si përfaqësues i
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Evropë, detyrë kjo aspak e lehtë, por e
kurorëzuar me fitore diplomatike e
cila për rrjedhojë solli fitoren
ushtarake dhe lirinë e Kosovës. Në këto rrjedha vendimtare për liri, Sabri
Kiçmari ishte nga ato personalitet që me dinjitet kreu këtë obligim patriotik
kombëtar. Ai me modestin e tij mes
tjerash në emisionin direkt të ARD në Bon, datë, 5 shkurt 1999 deklaron: “Jam
vetëm një përfaqësues i një populli që lufton për liri dhe pavarësi”.
Dhe në
fund më lejoni që në emër tuaj ta përgëzoj mikun tonë të nderuar, Sabri Kiçmari
duke i dëshiruar shëndet e suksese në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij!
Kjo
audiencë dhe ky ambient ju dëshiron dhe fton përsëri!
Faleminderit!
Vjenë, 8 nëntor 2019