Kerko: a
Enver Bytyçi: Ekuacioni pushtet + pasuri = fuqi në qeverisje çon gjithnjë e kudo në kaos!
E premte, 01.11.2019, 10:21 PM
Ekuacioni pushtet + pasuri = fuqi në qeverisje çon gjithnjë e kudo në kaos!
Nga
Enver Bytyçi
Duke
lexuar librin e autorit të mirënjohur Eckhart Tolle “Eine neue Erde”, (Një botë
tjetër), vura re se raporti i njeriut me pronën dhe me pushtetin është një
raport i çuditshëm. Në këtë lidhje dalin në skenë si protagonistë politikanët.
Politikanët e etur për pushtet dhe pasuri u ndërrojnë vendet konceptit për të
pasur me konceptin për të qenë.
Në
fund të fundit çdo njeri vjen në këtë botë me një mision të caktuar. Dhe njeriu
vdes jo për shkak të moshës, por për shkak të realizimit të misionit të jetës
së tij, ose mos motivimit të tij nga një mision i caktuar. Nëse dikush beson se
nuk ka çfarë të bëjë më shumë në jetë, atëherë ai ka shkurtuar vitet e tij të
jetës. Nga ky rregull nuk përjashtohen as politikanët. Por në këtë rast shihen
dy kategori prej tyre: Nga njëra anë politikanët që kanë mision shërbimin ndaj
qytetarëve, pra ndaj atyre që ata qeverisin, dhe nga ana tjetër grupimi i
politikanëve që si mision e qëllim të vetvetes përcaktojnë marrjen e fuqisë
ekzistenciale nga pasuria që u jep pushteti.
Nëse
i referohemi në këtë rast qeverisë shqiptare, deri diku edhe qeverisë së
Kosovës apo qeverisjeve në Ballkan, atëherë lehtësisht dallojmë ushtrimin e
pushtetit në funksion të pasurimit të politikanëve përmes ekuacionit pushtet +
pasuri = fuqi. Fuqia që p.sh Edi Rama apo Hashim Thaçi, por edhe të tjerë
politikanë në rajon e më gjerë kanë grumbulluar e ka burimin te paraja dhe
pushteti që ata kanë uzurpuar nëpërmjet gërshetimit të tyre.
Etja
për pasuri dhe pushtet i politikanëve është shkaku kryesor i konflikteve në
trevat shqiptare. Me këtë lloj egoje lidhen të gjitha zhvillimet negative,
trafiqet, lidhja me krimin e organizuar e madje me bandat kriminale, promovimi
në administratë dhe parlament i “të fortëve”, shpërndarja jo proporcionale e
pasurisë, pabarazia para ligjit dhe rregullit të qeverisjes, pra keqqeverisja!
Në Shqipëri, në Kosovë dhe në Ballkan ka pak ose aspak politikanë që si mision
të kenë forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e mirëqenies ekonomike,
sociale dhe kulturore, ose ndërtimin e raporteve morale me interesin e shtetit,
të vendit e të kombit. Kjo sepse i vetmi qëllim i atyre që kanë zaptuar
karriget e pushtetit është përfitimi i pasurisë përmes pushtetit dhe ruajtjen e
pushtetit përmes përdorimit të kësaj pasurie.
Për
Edi Ramën p.sh, objektet natyrore, kafshët, njerëzit, gjithçka që ekziston në
botë janë thjesht numra rrjeshtorë. Janë objekte pa jetë, pa funksion, pa
koshiencë e aq më pak me subkoshiencë. Si të tillë qytetarët shqiptarë
trajtohen si objekte pa vlerë. Ata mund t’i vjedhësh, mund t’i tretësh, mund
t’u japësh formën e plastelinës, mund t’i fyesh, t’i injorosh, t’i përdorësh e
në fund t’i hedhësh. Ky mentalitet, me të cilin edhe njerëzit shihen si mall
ose si objekte shfrytëzimi e përdorimi nga njëshi në krye të shtetit, buron nga
modeli totalitar i qeverisjes.
Për
këtë kategori politikanësh asnjëherë nuk ka ngopje me pasuri, e nëse ata nuk
kanë asnjëherë mjaftueshëm, konsiderojnë se nuk janë gjithashtu të plotësuar në
fuqinë e tyre mjaftueshëm. Përpjekjet e qeverisë shqiptare për të shtënë në
dorë gjithçka provojnë praktikisht këtë lloj karakteristike të atyre që ne na
qeverisin. Të pasurit, pra pasuria, është shndërruar tek ata në një fiksion i
pandryshueshëm dhe kjo përbën gjithashtu strukturën e vetëdijes në vendimmarrjet
në favor të korrupsionit dhe përvetësimit të pasurisë kombëtare.
Gjithçka
shihet si objekt përfitimi, Unaza e Re, trualli i Teatrit Kombëtar, Parku
Rinia, Parku i Liqenit, Kopshti Botanik e një ditë do të shohim se edhe Kopshti
Zoologjik do të shndërrohet në objekt pasurimi për qeveritarët, sepse fiksioni
i të pasurit është determinant në kosjiencën dhe subkoshiencën e tyre. Vetëm
interesat e qytetarëve dhe ato të vendit nuk bëjnë pjesë në këtë lloj fiksioni.
Sipas kësaj skeme funksionon bashkëpunimi perfekt i qeverisjes dhe politikës me
strukturat e krimit dhe mafies. Sipas kësaj skeme merren vendimet politike në
favor gjithashtu të krimit dhe mafies. Sipas kësaj strukture mentale ndërtohet
raporti i qeverisjes me botën që atë e rrethon.
Dhe
ky lloj raporti i qeverisjes dhe politikës me natyrën dhe shoqërinë njerëzore
duket se është shkaku themelor i kaosit në Shqipëri, Kosovë, rajon e kudo ku
shfaqen konflikte politike e sociale në botë. Ndonëse diktaturat dhe diktatorët
e dinë se çfarë kërkojnë dhe çfarë bëjnë e për këtë evitojnë kaosin,
politikanët autoritarë dhe klanorë të lidhur me strukturat kriminale e nxisin
dhe e stimulojnë kaosin. Ky është ndryshimi p.sh midis diktatorit Hoxha dhe
pseudo-demokratit Rama.
Por
ka dhe një tipar tjetër. Pangopësia me pasurinë e më pas me fuqinë e pushtetit
i bën politikanët e kësaj kategori gjithnjë të pakënaqur, të pa plotësuar,
madje u krijon atyre gjithnjë ankth e për pasojë ata shohin gjithnjë e kudo
armiq. Armik media, armik opozita, armik fqinji, armik i drejti, armik i
vobekti, por asnjëherë nuk është për ta armik hajduti i bankës, trafikanti i
kokainës, vrasësi serial, si dhe ai që shfaqet i gatshëm për t’i bërë partner i
besueshëm në procesin e grabitjes së pasurisë kombëtare!