Kerko: a
Vangjush Saro: Kriza e frikshme e mosndëshkimit…
E enjte, 31.10.2019, 08:22 PM
Kriza e frikshme e mosndëshkimit…
Përndryshe: Dërgoni në
SPAK ndonjë fukara!…
Nga
Vangjush Saro
Po
hyn nëntori dhe perspektiva e termave SPAK, BKH e Gjykatë Kushtetuese, ka
mbetur ende diku përtej mjegullës. Përpara verës që shkoi, kur opozita u bë
dysh për të rrëzuar Kryeministrin, me hir e me pahir, thuhej se ishte ajo që po
e ‘pengonte’ ngritjen e institucioneve në fjalë. Shtatori shpallej muaji i
çudirave, kur edhe shtëpia më e rëndësishme e ligjeve do të ish ngritur dhe,
përveç të tjerave, do të ‘laheshin duart’ edhe me Presidentin.
Shkoi
vera e po shkon edhe vjeshta, po mbyllet madje 2019-ta, opozita ka ndenjur e po
rri urtë, Presidenti vete e vjen me deklarata (shpesh të papranueshme për rolin
që ka) dhe merr medalje; kurse ato të shkreta institucione, me të cilat do të
bëhej kiameti (!) janë ende njëlloj projekti. Kjo është një krizë e vjetër sa
vetë tranzicioni. E vjetër dhe e frikshme. Politikanë të të gjitha ngjyrave,
zyrtarë të lartë të emëruar prej tyre, fanatikët që gjithashtu i ndjekin pas,
mediat në shërbim të tyre (disa janë bërë thuajse fletë-rrufe) i shërbejnë
kësaj krize duke shtrënguar dhëmbët.
Le
të ikim nga pamja e përgjithshme. Drejtuesit kryesorë politikë të Shqipërisë,
të shtetit e të partive, të akuzuar në vazhdimësi për afera dhe mashtrime, për
përvetësime të fondeve publike dhe për shkelje ligjore, janë (së paku në dukje)
të qetë. Madje, ata të japin të kuptosh se institucionet e mësipërme, edhe në
fillofshin nga puna ndonjëherë, nuk do t’i trazojnë aspak. Kështu, Ilir Meta,
aktualisht President i Republikës, mjaft i anatemuar nga kundërshtarët
socialistë, dikur shokë në një ‘llogore’ dhe, gjithashtu, edhe vetë në sulm të
vazhdueshëm ndaj tyre, tha para do kohe se ai i ka kopsitur ‘letrat’, gjithnjë
është kujdesur për t’i rregulluar ato. Kam qenë zyrtari më korrekt, deklaroi ai
pak a shumë. Madje kujtoi kohën kur ishte Kryeministër dhe pikërisht Edi Rama
(Kryeministri i sotëm) në atë kohë Ministër i Kulturës, nuk ishte fort komod
dhe i rregullt me letrat… Dhe përmendi (vazhdon të përmendë) atë punën e
fasadave të Tiranës. (Për autorin e këtyre radhëve, ato janë objekti më qesharak
dhe ai më i fundit i termit korrupsion.)
Nga
ana e tij, edhe z. Sali Berisha, që është më jetëgjati dhe më i diskutueshmi në
politikë dhe në punë aferash, ka dalë jetë e mot i ‘pastër’ dhe është gjithë
kohës në sulm, herë vetë, herë duke yshtur të tjerët; anipse, më e pakta,
ish-badigardi dhe miku i tij, Izet Haxhia, në burg tash sa kohë, ka hedhur
heraherës në publik, tani pritet të hedhë edhe në gjyq, shumë akuza ndaj tij,
ç’po them, histori të përbindshme. Është gjithë në të njëjtin akord edhe Lulëzim
Basha, kreu i demokratëve. (“Të vjetrit vjetëruar keq, të rinjtë edhe më për
dreq.” A. Pushkin) Edhe ky i anatemuar; (Rruga e Kombit, 21 janari,
sponsorizimet nga Rusia, aludimet për transferimin në një vilë të shtrenjtë
tash së fundi, etj.). Kreu demokrat, gjithashtu është shprehur disa herë se nuk
ka asgjë që ta çojë përpara Drejtësisë, përkundrazi, kundërshtarët e tij janë
‘zbuluar’; pra edhe ky i ka ‘kopsitur letrat…
Po
Kryeministri, z. Edi Rama, si i ka punët me kartat? Edhe ai e ka formuluar disa
herë këtë punën e rregullimit të tyre; duke iu betuar publikut se është ‘i
pastër’. Kjo është dëgjuar që herët - kur thoshte pak a shumë se nuk kishte
burrë nëne të fuste duart në xhepat e tij - pastaj edhe kur binesmeni Dine
Fratari e akuzoi drejtpërsëdrejti për ‘gjobë’, më tej në historitë me
ish-Ministrat e Brendshëm, në zhurmën e “Bild” për aferat në fushatë të
zgjedhjeve e, së fundi, edhe pas skandalit me atë foton me z. Obama, për të
cilën tani dikush po bën burg në Amerikë… Kryeministri ka deklaruar se nuk ka
të bëjë me këto gjyqe e me këto sponsorizime.
Siç
shihet, ‘këta’ të gjithë i kanë rregulluar ‘letrat’, i kanë kopsitur gjërat.
Ata shpresojnë të mos i kapë askush në abuzim e në shkelje. (“Nëse një njeri
kupton një gjë, nuk mund të përjashtohet që edhe ta keqkuptojë.” F. Kafka) Në
gjithë këtë histori, vetëm shteti s’diti e s’di të rregullojë letrat; atij ia
fitoi gjyqin dhe paratë vjehrri i Bashës, nuk po i ndahet as Beketi i TV
‘Agon’, por ia kanë hedhur edhe shumë të
tjerë: biznesmënë, kompani të huaja apo edhe të pushuar nga puna për ‘punë
reformash’… Hë! Kush tjetër, përveç shtetit, nuk i ka rregulluar letrat? Mbetet
ndonjë ish-drejtor apo ndonjë doganier, ndonjë inspektor apo ndonjë punonjës i
rëndomtë në administratë. Por ndoshta edhe ndonjë fukara, ndonjë i këputur, që
s’merr vesh fare nga letrat… I bie që vetëm ky i fundit të dërgohet në BKH e
SPAK. Dhe të bëhet shembull për çdo aferë të dyshimtë në Shqipëri dhe për
gjithë të korruptuarit e tjerë… Së paku deri tani, kështu po shkon; koha i kthen
dramat dhe premtimet në skeç. (“Ja fytyra e këtij procesi. Gjithçka është e
vërtetë dhe asgjë s’është e vërtetë.” A. Kamy)
Ambasadori
i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luixhi Soreka, që më 4 tetor, prapë shumë vonë,
bëri thirrje… të mos ketë ‘vonesa të pajustifikuara’ për krijimin e SPAK dhe
BKH. E ndoshta do të pretendohet të vihet nën kontroll kjo krizë e
mosndëshkimit dhe t’i jepet një dorë e fundit procesit të ‘pagëzimit’ të
institucioneve të rëndësishme, edhe me emërimin e Ambasadores amerikane, munguar
kaq kohë... (“Prisni dhe shpresoni.” A. Dyma) Por kriza mbetet e frikshme; dhe
të tillë e bëjnë ca më shumë tri dekadat e shkuara me demagogji e mashtrime.