Kerko: a
Jahja Drançolli: Beteja e Kosovës, njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të Europës Mesjetare
E enjte, 17.10.2019, 10:07 PM
Më 16 tetor 1448 është zhvilluar Beteja e Kosovës, njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të Europës Mesjetare...!
Nga
Jahja Drançolli
Derisa,
për Betejën e Kosovës të vitit 1389, historiografia e sotme ende nuk ka mundur
ta dallojë Kosovën historike nga Kosova e mitizuar, në anë tjetër Beteja e
Kosovës së vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet për njërën
ndër betejat më të njohura të ndodhura në Europën Mesjetare. Së këtejmi, nga
mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e inspiruesve të luftërave
kundërosmane në krye me, Janosh Huniadin dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeun.
Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë mejdan midis aleancës së Europës
Juglindore të udhëhequr nga Huniadi dhe ushtrisë osmane në krye me sulltan
Muratin II. Arbrit në krye me Skënderbeun qenë në anën e aleancës europiane.
Në
verë të vitit 1448, pasi që kishte tubuar reparte hungareze, polake, rumune,
çeke, etj., Huniadi kishte kaluar Danubin, doli në Krushevac. Që këtej, arriti
në Kosovë. Në anë tjetër, Murati II, pasi që ishte informuar nga despoti
Brankoviç, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në
Sofje kishte tubuar rreth vetës të gjitha repartet, të cilat numëronin
50.000-60.000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri tyre del i trefishuar.
Repartet e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore arrinte 22-72.000
ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta treditëshe mbaroi me
disfatën e ushtrisë së aleancës.
Premtimet
që i kishte dhënë Skënderbeu për tu angazhuar në anën e aleancës së krishterë,
e kishin trimëruar Huniadin, që të nxitonte për tu ndeshur me osmanët.
Përgatitja e Skënderbeut për ketë përplasje provohet sipas burimeve zyrtare dhe
tregimtare. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të
betejës, burimet e kohës, ofrojnë hollësi për vonimin e arbërve për tu bashkuar
me trupat hungareze. Shkak kryesor i vonimit të Skënderbeut ishin pengesat e
despotit Brankoviç, aleat i dhëndrit Muratit II, që ia mbylli këtij të gjitha
rrugët e shtigjet, nga mund të kalonte. Pjesa e madhe e burimeve, duke
arsyetuar vonesën e Skënderbeut, nxorën në shesh dhe pa shkathtësinë e
Huniadit, i cili nuk është dashur të pranonte betejën para ardhjes së
Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave për epilogun, janë ruajtur hollësi dhe
për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi që kishte
marrë rrugë për në jug jo larg Fushë-Kosovës, u ndesh më Skënderbeun, që ishte
nisur ti bëhej shok lufte Huniadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, në
afërsi të Vushtrrisë, u përpoqë me duk Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër
Bogdanit. Tërheqin vëmendjen sidomos burimet, që dolën pas betejës, të cilat së
bashku me epikën popullore kanë ngatërruar personazhet e Betejë së Parë me ato
të Betejës së Dytë të Kosovës. Si shembull, këtu, duhet shikuar veprën me
përmasa evropiane të humanistit raguzan, Mauro Orbini (1601), e ndonjë tjetër
pas tij...!