Kerko: a
Enver Bytyçi: Kriminelët në pushtet nuk i duan njerëzit, duan shfrytëzimin e territorit!
E merkure, 18.09.2019, 07:06 PM
Kriminelët në pushtet nuk i duan njerëzit, duan shfrytëzimin e territorit!
Nga Enver
Bytyçi
‘He
çfarë thuhet ndonjë e re? Më duket se Basha ka ba marrëveshje me Ramën’! Ky
thash e them është përhapur jo vetëm në Tiranë. Më ka qëlluar të shkoj
gjithashtu në rrethe dhe ta dëgjoj jo vetëm nga demokratët. Disa shprehin me
këtë inatosje, dyshim, pse jo edhe frikë, se mos lideri i opozitës do të merret
vesh me Ramën dhe kauza e lirisë dhe demokracisë merr fund në këtë vend. Disa
të tjerë ‘të shkolluar’ e madje që hiqen se dinë gjithçka, flasin me siguri
matematike dhe e marrin të kryer një akord të përbashkët Basha-Rama. Ka nga ata
që përdorin emrat e njerëzve të afërt të kryetarit të PD-së dhe në emër të tyre
flasin gjithë kompetencë, sa herë në ditë na flitka Lulzim Basha në telefon me
Edi Ramën. Një mjegullnajë e e përhapur përmes institucionit të thash e themeve
që institucioni i propagandës së qeverisë ka instaluar në Shqipëri.
Shqipëria
është një vend i vogël dhe thash e themet përhapen lehtë nga njerëzit e paguar
të Edi Ramës. Jo vetëm në këtë rast! Duhet të kemi parasysh faktin se
instrumenti që ka përpunuar e drejtuar institucionin e thash e themeve është
ristrukturuar nga qeveria e rilindjes përmes njerëzve të sigurimit të shtetit.
Këtij shtabi të sprovuar në kohë diktature i shtohen repartet e gatshme të
‘demokratëve’ të pakënaqur dhe të joshur me llokma privilegjesh nga qeveria.
E
gjithë propaganda e thash e themeve të pushtetit nuk flet për marrëveshje
normale midis palëve. Ajo ushqen ndjesinë dhe mendimin e gabuar se midis Bashës
dhe Ramës bëhen negociata të fshehta. Në një vend delesh dhe injorantësh loja
me konspiracionin është shumë dobiprurëse për propaganduesit dhe mashtruesit.
Ndaj dhe gjithë tymnaja e ngritur nuk është se nuk le gjurmë. Por cila është e
vërteta sipas asaj që Immanuel Kant e konsideron si logjizëm?
Lulzim
Basha para një viti e më shumë ka deklaruar në parlamentin shqiptar se Edi Rama
nuk mund ta gënjejë dy herë. Ishte kjo një vetëkritikë e njëkohësisht një
premtim publik, të cilin mediat e përcjellin ende sot.
Fshehtësia
e bisedimeve dhe sidomos e një marrëveshjeje të dytë si ajo e 17 majit 2017 do
ta fundoste kreun e opozitës. Ndërkohë thash e themi i përhapur nga Edi Rama
dhe nga demokratët antidemokratë synon pikërisht që të mbjellë edhe më tej
mosbesim te opozita dhe kreu u saj. Mosbesimi i shoqëruar me aksiomën e propagandistëve
të rilindjes, sipas së cilës ‘të gjithë janë njësoj’ bëjnë të mundur
zhvleftësimin e protestave dhe denoncimeve të opozitës në sytë e opinionit
publik. Kësisoj, kryeministri intrigant i thash e themeve, Edi Rama, arrin
qëllimin e tij në disa mënyra:
Së
pari, ushqen idenë se ‘Ky vend nuk bëhet’. Pse i duhet Edi Ramës kjo psikozë
masive në Shqipëri? Sepse me këtë tezë ai i përcjell shqiptarët si emigrantë
jashtë Shqipërisë. Maskarenjve autoritarë dhe diktatorë nuk u duhen njerëzit, u
duhen territoret. Ata nuk synojnë qeverisjen e njerëzve, por grabitjen e
pasurive të territoreve. Si kategori e tillë Edi Rama nuk ka asnjë ndjenjë
dëshprimi ose hidhërimi pse shqiptarët po ikin nga atdheu i tyre. Ndërkaq
psikoza se ‘Ky vend nuk bëhet’, nxit largimin e njerëzve të ditur të këtij
vendi. Kësisoj këtu do të mbeten ‘delet’ dhe grupimi mafioz i grabitjes dhe
dhunimit të deleve. Këtij grupimi kriminal u duhen delet, sepse ato e shohin si
parajsë 10 mijë lekshin e punës në parcelat e hashashit.
Së
dyti, Përmes idesë se ‘të gjithë politikanët janë njësoj’ Edi Rama ushqen
mosbesim te politika, indiferencën e qytetarëve ndaj politikës, indiferencën
politike e madje edhe urrejtjen për politikën. Indiferentizmi politik favorizon
suksesin e rilindjes për manipulimin, blerjen e shitjen e votave e për pasojë
zhvleftëson çdo proces zgjedhor. Ky lloj mekanizmi bizar e përjetëson pushtetin
e Ramës.
Së
treti, kryeministri i Shqipërisë përmes thash e themeve për gjoja një
marrëveshje tinëzare e të fshehtë midis tij dhe kreut të opozitës, krijon
atmosferën anti-Basha dhe rrit kultin e tij, madje deri në atë masë sa disa të
thonë: ‘Nuk ke çfarë t’i bësh, Edi Rama është i zoti’! Nga ky moment zotësia
ndërron pronar. Pronar i saj bëhet një kryeministër mashtrues, i lidhur me kriminelë
dhe mafiozë.
Përfundimisht
mekanizmi mafioz i Edi Ramës në bashkëpunim me ish- sigurimin e shtetit për
përsëritjen e 17 majit 2017 punon për interesat e kryeministrit në detyrë. Në
këto kushte cili do të ishte përfitimi i Lulzim Bashës? Asgjë. A është e mundur
që një njeri normal të bëjë partneritet me dikë që i merr të gjitha dhe vetë
nuk fiton asgjë? Duhen mendje të sëmura që ta besojnë këtë formulë.
Përveç
kësaj, në këtë rast duhet të besojmë se opozita dhe kreu i saj i dorëzuan
mandatet e deputetit, me qëllim të caktuar: Sipas thash e themeve, që Edi Ramës
t’i japin gjithçka që ai do, pushtet e pasuri pa kufi?! Absurde ta mendosh, jo
më ta thuash një arsyetim të tillë! Opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, nuk
dolën nga parlamenti për ta përjetësuar pushtetin e turpshëm e kriminal të Edi
Ramës! As nuk nxorën nga salla e parlamentit kriminelët e Ramës, me qëllim që
ata të shkojnë në burg dhe kreu i bandës kryeministër të gëzojë
pushtet-para-salltanete!
Ngado
që ta mendosh dhe analizosh thash e themnajën e prodhuar në laboratorin e zyrës
me kosh basketbolli brenda saj, nuk del asnjë lloj llogari se midis rilindjes
dhe opozitës do të ketë një marrëveshje të fshehtë. Megjithatë ajo që ndodhi më
17 maj 2017 ka shërbyer si burim besueshmërie për propagandën denigruese të Edi
Ramës!
Tiranë, më 18.09.2019