Kerko: a
Kadri Tarelli: U shua mjeku humanist Ali Zorba
E merkure, 28.08.2019, 12:10 PM
U SHUA DOKTOR ALI ZORBA
Një
mjek humanist
Nga
Kadri Tarelli
Në
këto dit të nxehta, të Gushtit 2019, pas një sëmundje të shkurtër, ndërroi jetë
durrsaku dr. Ali Safet Zorba, shok, mik, kurues dhe shërues i të gjithë
njerëzve që i drejtoheshin për ndihmë mjekësore.
Si
mjek dhe humanist, nga profesioni dhe shpirti, shërbeu në disa krahina të
vendit, si në Rrethin e Pukës, më pas në zonën e Katundit të Ri, Sukth-Katund,
fshatra pranë Shijakut dhe kohën më të gjatë, deri sa doli në pension, në
qytetin e Durrësit.
Në
rrethin shoqëror dhe mjekësor, njihej si njeri shumë serioz, si në punë ashtu
edhe në marrëdhëniet me të tjerët, kam parasysh pacientët e shumtë, që kërkonin
ndihmë dhe përkujdesje. Ishte shumë korrekt me detyrën, mbase kështu duhet të
jenë të gjithë mjekët. Në ditët e sotme, me ato çka shohim e dëgjojmë, ndoshta
nuk e beson njeri, që ai nuk merrte para për vizitat që kryente, si në
ambulancë ashtu edhe jashtë kohës zyrtare të punës. Ishte i papërtuar sa herë i
kërkohej ndihma, si ndaj miqve, shokëve, të njohurve dhe më shumë ndaj të
panjohurve hallexhinj.
I
pëlqenin shakatë, shpesh përsëriste ndodhi të shkurtra, ku ndjehej delli i
humorit të hollë. Veçse vetë nuk qeshte shumë. Studionte deri vonë, madje edhe
në gjuhë të huaj italisht dhe anglisht, si detyrë e çdo dite, për të qenë në
lidhje me të rejat e shkencës bashkëkohore.
Duket
si çudi që kohët e fundit, pasi kishte dalë në pension, filloi të mësojë
spanjisht. E pyeta: - A nuk është vonë, për moshën tonë, fillimi i mësimit të
një gjuhe të re? – Asnjë herë nuk është vonë! Mua më pëlqen, pasi është edhe
gjuhë e bukur, veç anës mjekësore! – M’ u përgjigj, duke më parë në sy, nëse e
kisha seriozisht.
Këtë
pasion të mësimit dhe studimit, në shërbim të kulturës dhe profesionit u përpoq
t’ua kultivojë edhe fëmijëve të tij, dy prej të cilëve, Anjeza dhe Arditi, vazhduan
studimet e larta po për mjekësi, ndërsa Adela për kimi në SHBA. Kënaqej, kur në
biseda me ta, hapte tema nga fusha e veprimtarisë së mjekut dhe e nxiste
debatin, shpesh duke kundërshtuar qëllimisht. Kujdesej për etikën e sjelljes
ndaj pacientit, ashtu edhe në diagnostikimin, zbulimin e shkaqeve dhe kurimin e
të sëmurëve, duke treguar raste, që i kish kaluar e përjetuar vetë.
Çdo
prind mundohet të bëjë të pamundurën për të nxitur dhe ndjekur suksesin e
fëmijëve të vet, si një investim i madh i çdo familjari të përkushtuar. Por dr.
Aliu ishte i veçantë nga të tjerët. Sakrifikonte për shkollimin e tyre. Bënte
të pamundurën që ata të shkëlqenin mes më të mirëve. Krenohej që edhe ata nuk e
zhgënjyen nëpër shkollat më të mira, këtu në Tiranë, por edhe në Amerikë dhe
Itali, duke u vendosur ndër më të mirët. Ngazëllehej kur tregonte për
pjesëmarrjen në ceremoninë e laurimit të tyre, të Adelës në Amerikë dhe Anjezës
në Itali. I emocionuar nga fjalët që u thanë për doktore Anjezën, nuk duroi
dot, u ngrit dhe shkoi i dha dorën komisionit të vlerësimit. Ishte një rast, që
nuk kishte ndodhur kurrë në ceremoni dhe takime të tilla. Siç thoshte edhe
vetë: - “Profesorëve i erdhi mirë, ju bë qejfi, që një koleg, mjek nga
Shqipëria, i përshëndeti miqësisht në traditën shqiptare”.
Fjalët
nuk e zbehin dhimbjen e shpirtit të Lizës (gruas), Vajzave Adelës dhe Anjezës,
ashtu dhe djalit Arditit. Familjarët, miqtë, shokët dhe të njohurit do ta
kujtojnë gjatë dr. Aliun. Secili në mënyrën e vet, trishtohet dhe njëherazi
ngushëllohet, që puna e këtij mjeku, i shërbeu qytetarëve, duke i shëruar, apo
duke ua lehtësuar dhimbjet dhe vuajtjet.
Jeta
dhe vepra e tij është një model frymëzimi i një bashkëshorti dhe prindi
shembullor në sakrifica, model vullneti, durimi dhe përkushtimi profesional,
model admirimi i njeriut të ndershëm qytetar, model për humanizmin e tij ndaj
njeriut në nevojë.
Ligjet
e natyrës nuk mund t’i ndryshojmë, pavarësisht se në raste të tilla të
dhimbshme, nuk na pëlqejnë. Na mbete veç të shprehim dëshirën, që njerëzit e
mirë si dr. Aliu të shkojnë pranë perëndisë, të prehen në parajsë.
Kadri Tarelli
Durrës
më: 26. 08. 2019