Kerko: a
Ndue Dedaj: Guri prehistorik i Xhuxhës dhe shteti si ''shpëtimtar''
E hene, 26.08.2019, 12:33 PM
GURI PREHISTORIK I XHUXHËS DHE SHTETI SI “SHPËTIMTAR”
NGA
NDUE DEDAJ
U
zbulua krejt rastësisht dhe, siç ndodh me çdo gjë kur hyn në lojë shteti duke
bërë të “fortin”, u ndez debati publik në rrjetet sociale, që ende nuk ka
përfunduar. Një grup punëtorësh po nxirrnin gur, në fshatin e thellë Xhuxhë të
Mirditës, rrëzë malit mahnitës të Zepës, kur fadroma hasi në një gur të
gdhendur me figura dhe simbolika të lashta. Ata lanë punën, e këqyrën me
vëmendje gurin e “shkruar”, u binden se kanë të bëjnë me një objekt me vlerë
dhe pa vonesë njoftojnë për gjetjen e tyre të rastit mediat e rajonit, të cilat
e përcollën lajmin në gazetat dhe televizionet e vendit, duke u bërë lajm i
ditës. Komuniteti i banorëve të atyshëm, si dhe dashamirës të trashëgimisë
kulturore në Mirditë sensibilizuan pranë institucioneve qëndrore për një
vrojtim profesionist dhe ekspertizë shkencore të gurit prehistorik me
petroglife, siç po thuhej se ishte, ndërkohë që vendasit i gëzoheshin kësaj
gjetjeje, jo se ai ishte një “gur xhevahir” që do t’i bënte ata të pasur me
lekë, por si shenjë e një qytetërimi të lashtë në vendlindjen e tyre. Ata
shkonin vazhdimisht te guri i gjetur, bënin fotografi me të duke e patur si
dekor, kërkuan dhe mbështetjen e ipeshkvit të Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, që
t’i bashkohej zërit dhe ndjeshmërisë së tyre, çka do të thotë se donin ta
ruanin dhe ta kthenin në një atraksion turistik. U dërgua një ekip ekspertësh
nga Tirana që hartoi dhe një raport për institucionet e trashëgimisë, siç
erdhën për ta vizituar dhe xhuxhasit e ikur në rrethet e tjera, por dhe të
tjerë nga Tirana, Kosova etj., veçanërisht gazetarë. Kështu do të reagonin dhe
gjermanët apo anglezët, në një rast të tillë, që vetiu të bën krenar për
rrënjët e tua prehistorike. Dikush e mendonte gurin në vendin e vet e dikush
tjetër kërkonte që të vendosej në një vend më të sigurtë e më të vizitueshëm.
Të dyja ishin të mundshme. Problemi fillon atëherë kur institucionet e
trashëgimisë të kryeqytetit, posaçërisht Instituti i Monumenteve të Kulturës,
Agjensia e Shërbimit Arkeologjik, Qendra Kombëtare e Inventarizmit të Pasurive Kulturore,
vendosin ta mbartin gurin prehistorik për në Muzeun Historik Kombëtar në
Tiranë, me argumentin se atje do të ruhet më mirë, si dhe do të studiohet nga
një grup specialistësh. Një nga shtysat e këtij vendimi të shpejtë duket se
ishte dhe fakti që në këtë muze nuk ka asnjë të tillë, nga dëmtimet që u janë
bërë gurëve si ai, apo të ngjashëm, në terren, si piktogramet e Lepenicës etj.
Askush
nuk thotë që këto institucione të mos merren me pasuri të tilla, për të cilat i
ngarkon ligji, përkundrazi, por ka një ngërç në gjithë këtë histori që zgjati
vetëm dy javë. Nuk u pyetën ata që e kishin “pronë” të veten Gurin, që u
kujdesën për të ditën dhe natën, pa shfaqur asnjë lloj synimi të mbrapshtë për
ta përvetësuar në një mënyrë apo në një tjetër. Nuk kishin thënë se guri do të
qëndronte aty, o s’ka! Ata e dinë fare mirë se çdo zbulim i rëndësishëm është
jo vetëm i një fshati e zone, për i krejt shqiptarëve. Atëherë pse duhej
sjellur në mënyrë urdhërore me ata njerëz, që treguan qytetari në rastin e
gurit monumental? Bile ata pritën që institucionet përkatëse të gërmonin më tej
aty, për të parë se mos ai gur nuk ishte i vetëm, çka nuk ndodhi, por besohet
se është lënë për në ditët që vijnë.
Për
ata që nuk janë nga ato anë, po themi se në Domgjon, fshatin kundruall me
Xhuxhën, gjendet një nga monumentet unikale të Shqipërisë, ujësjellësi i
shekullit IV të erës sonë (“Gurra e Domgjonit”), me tunelin dhe pusin
nëntokësor, që është ruajtur nga banorët historikisht pa dëmtimin më të vogël
dhe ku sot ata shoqërojnë turistët vullnetarisht. Ndërkohë në Rubik, në një
guvë shkëmbore janë piktogramet e mirënjohura mijëvjeçare, të cilat gjithashtu
janë ruajtur nga banorët, duke ndërhyrë këta të fundit pranë institucioneve të
specializuara për trajtimin e tyre bashkëkohor. Falë mirditasve kulturëdashës
gjendet sot i ruajtur, në Muzeun Kombëtar, mbishkrimi epigrafik i Gëziqit dhe
Stema e Arbërit, gjithashtu gjetje unikale, zbuluar, më 1967, nga Dhimitër
Shutëriqi, në kishën e Shën Mërisë së Ndërfanës. E njëjta gjë mund të thuhet
dhe për përkrenaren ilire të Perlatit. Ky nuk është një lavdërin i atyre
njerëzve, aq më pak mburrje e tyre, por një realitet që dëshmon qytetarinë dhe
vizionin e tyre, ku mjaft prej të tyre kanë lëvizur si emigreantë nëpër Europë
dhe e dinë si veprohet atje me trashëgiminë.
Që
të jesh i vetëdijshëm për vlerat e kulturës materiale apo shpirtërore të vendit
tënd nuk do të thotë me doemos që të jesh zyrtar në Tiranë, Shkodër apo Vlorë.
Janë lezhianët që e ruajtën vendvarrimin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe
nuk qenë ata që deshën ta privatizonin kalanë e qytetit, duke bërë ndërtime
private në të. Janë matjanët që e ruajtën Urën e Vashës, që tash e nxori në
“dritë” Rruga e Arbërit. Janë durrësakët që kanë ngritur zërin për mosprekjen e
zonës arkeologjike nga ndërtimet e reja. Janë vlonjatët që e ruajtën kalanë e
Janinës e manastirin e Zvërnecit, e kështu me radhë. Kurse institucionet
qëndrore të trashëgimisë, pa e mohuar rolin e tyre, shpesh kanë qenë të
pafuqishme për të vepruar kur qeveritë kanë ndërmarrë aksione ndërtimore të
debatuara, e gjer arbitrare, si rasti i Velierës në Durrës etj. Ndërkohë
historia jo e largët ka qenë dhe më dramatike në këtë mes, ku me orientim të
Partisë do të shembeshin objektet e kultit, kishat e vjetra monumentale të stilit
gotiko-roman, si ajo e Vaut të Dejës, megjithëse pre 20 vitesh e shpallur
monument kulture. Po ashtu, sidomos pas 1967-s, ka pasur një aksion ideologjik
që të mos ruheshin kullat me frengji, kinse simbole të errësirës, përpos disave
sosh, që u morën formalisht në mbrojte nga shteti, thjeshtë duke iu vënë nga
një tabelëz te porta.
Brenda
dhe jashtë këtij konteksti, shteti nuk ka pse të marrë një rol shpëtimtari,
sikur vetën ai është i interesuar për objektet e trashëgimisë kulturore.
Fundja, qeveria ja ku e ka Zgërdheshin (Fushë - Krujë), një vrap pele nga
kryeqyteti, lënë në shkatërrim të plotë prej motesh, rrënojë madhështore e
braktisur, ku lëvrijnë gjarpërinjtë nëpër muret hijerënda të njërit nga
qytet-kalatë ilire më të rëndësishme antike, Albanopolisit. Shteti vërtetë
është përgjegjës për administrimin e visarit arkeologjik kombëtar dhe çdo
pasurie tjetër të trashëgimisë kulturore, por në kohën e sotme ky nuk është një
ekskluzivitet vetëm i tij, po dhe i komunitetit e organeve të qeverisjes vendore,
me të cilat mund dhe duhet të ndërmerren projekte të përbashkëta për t’i
mbrojtur dhe menaxhuar në shërbim të edukimit, turizmit etj.
“Guri
i Xhuxhës”, meqë ishte lëvizur gjatë gërmimit, ashtu siç u vendos në Muzeun
Historik Kombëtar, mund të qëndronte dhe në vendin ku u gjet, siç mund të
mbartej dhe pak kilometra më poshtë, në qendër të zonës (Klos), që përshkohet
nga Udha e Kombit, apo në Rrëshen, duke u ekspozuar në xham etj. Asnjë opsion
nuk ishte i përjashtuar, por, e theksojmë, duhej folur hapur me të “zotët” e
gurit e jo t’iu merrej nga duart si një plaçkë pa i përfillur ata, që tash
duhet të paguajnë biletë për ta parë gurin e tyre në kryeqytet, kur ai mund të
ishte biletë për llogari të turizmit në vendin e tyre.
Nuk
mund të shkohet më me psikologjinë se këto punë i dimë ne të qendrës, i di
qeveria, ju atje mjaft që të na votoni neve për t’iu qeverisur. Dimë ne se
ç’bëjmë me gurët tuaj, me lumenjtë e përrenjtë e bjeshkëve tuaja, me pishat dhe
ahet. Shtetit nuk i lejohet të sillet si feudal me pronat dhe pasuritë publike,
cilatdo qofshin ato, nga guri i “vogël” muzeal i Xhuxhës te minierat e kromit e
bakrit, rrugët e reja, lejet e ndërtimit e shumëçka tjetër.