Kerko: a
Kastriot Myftaraj: Dom Gjergj Meta falsifikon historinë e komunizmit shqiptar
E premte, 23.08.2019, 08:26 PM
Dom Gjergj Meta falsifikon historinë e komunizmit shqiptar
Nga
Kastriot Myftaraj
Në
Ditën Europiane të Përkujtimit të viktimave të komunizmit, Ipeshkvi i Mirditës,
Dom Gjergj Meta mbajti një fjalim në ish-kampin e internimit në Tepelenë, ku
tha ndër të tjera:
“Kur
njeriu arrin me barbarinë e tij, me zemërimin, urrejtjen e tij të dëmtojë
njerëz të tjerë dhe kështu shkaktojë vuajtje te njerëzit. Është e pabesueshme
kjo që ka ndodhur këtu dhe nuk na e kanë bërë të huajt, nuk na e kanë bërë të
tjerët, ia kemi bërë njëri-tjetrit. Dhunimi brenda familjes që ka ndodhur dhe
kjo është një traumë që populli ynë do ta bartë për shumë kohë.”
Me
dy fjalë, Dom Gjergji falsifikon krejt historinë e komunizmit në Shqipëri, duke
e quajtur atë një ngjarje të brendshme shqiptare. Kur nuk ka qenë aspak e
vërtetë kështu. Kjo është një teori që demonizon kombin shqiptar, i bën
urrejtjet politike ndërshqiptare të sjella e nxitura nga jashtë sikur kanë
gjetur mjedis të pëlqyeshëm për t’ u zhvilluar në natyrën e brendshme të kombit
tonë.
Ardhja
në fuqi e komunizmit në Shqipëri ka qenë pasojë e një agresioni ndaj vendit
tonë të kryer nga Kominterni, Internacionalja Komuniste, me qendër në Moskë,
duke perdorur komunistët jugosllavë, italianë dhe grekë.
Partia
Komuniste e Shqipërisë u krijua dhe u pri gjatë periudhës së luftës botërore
nga komunistët jugosllavë. Deri në vitin 1943, lëvizja e armatosur partizane
komuniste në Shqipëri ishte krejt e parëndësishme. Vetëm pas kapitullimit të
Italisë fashiste kur mijëra ushtarë, nënoficerë por dhe oficerë italianë me
bindje komuniste u bashkuan me partizanët shqiptarë. Rëndësia e këtyre
vullnetarëve italianë rritej sepse ata ishin të aftë në përdorimin e llojeve të
ndryshme të armëve. Kështu ushtria partizanë u bë një forcë e rëndësishme ushtarakë
dhe e ndjeu veten të sigurt sa për të nisur luftën civile në vend dhe për ta
fituar atë, duke mposhtur kundërshtarët politikë, Ballin Kombëtar, Legalitetin,
(monarkistët) si dhe forcat antikomuniste në Mirditë dhe veri të Drinit.
Burimet gjermane por edhe ato amerikane flasin për mijëra ushtarakë italianë të
bashkuar me komunistët. Historia zyrtare komuniste shqiptare duke dashur të
lartësojë meritat e Enver Hoxhës dhe partizanëve të tij e ka mbyllur cështjen e
ndihmës ushtarake italiane duke folur për 1500 ushtarë italianë të bashkuar me
partizanët dhe batalionin “Antonio Gramshi” si bërthama e tyre. Shifrat e dhëna
nga burimet e Enver Hoxhës, kur ai ka pasur interes që t’ i zvogëlojë, duhen
shumëzuar së paku me pesë.
Regjimi
komunist nuk do të kishte mundur të shtypte qëndresën masive kundër tij në vend
në vitet 1945-1949, nëse nuk do të kishte pasur mbështetjen e drejtpërdrejtë të
brigadave partizane jugosllave dhe atyre greke. Veçanërisht forcat partizane
komuniste greke të cilat e kishin bërë Shqipërinë një bazë të tyre gjatë luftës
civile në Greqi, që nga viti 1945 e deri në 1950, kanë pasur një rol të
rëndësishëm në shqypjen e qëndresës antikomuniste në Shqipëri, në këtë
periudhë. Pas vendosjes së regjimit komunist erdhën edhe grupet e këshilltarëve
sovjetikë.
Kjo
është e vërteta e ardhjes Nuk qëndron teoria se në Shqipëri u mblodhën 200
komunistë në 1941, dhe me ndihmën e të dërguarve jugosllavë krijuan Partinë
Komuniste, e cila në tre vite krijoi një ushtri partizane të aftë për të marrë
vendin nën kontroll në fund të vitit 1944, duke marrë kështu pushtetin.
Gjysma
e atyre që krijuan PKSH-në madje nuk ishin shqiptarë të këtej kufirit, ishin
gjakovarë. Si grup i dytë më i madh në numër ndër 200 komunistët e parë, ishin
minoritarët sllavë dhe grekë.
Në
Shqipëri nuk do të kishin ardhur dot në pushtet komunistët nëse nuk do të
kishin pasur ndihmën e drejtpërdrejtë të fuqive ushtarake jugosllave, italiane
dhe greke, por edhe ndihmën e aleatëve perëndimorë britaniko-amerikanë.
Një
enigmë që kërkon ende shpjegim mbetet ndihma e rëndësishme në material
ushtarake, ar, veshje, ushqime e aleatëve perëndimorë britaniko-amerikanë për
komunistët shqiptarë në periudhën e luftës botërore. Argumenti se kjo ndihmë u
shkoi komunistëve shqiptarë për shkak se ata luftonin kundër gjermanëve nuk
qëndron dot. Sepse aleatët perëndimorë nuk ndihmuan lëvizjen shumë më të
fuqishme partizane komuniste në Greqi, pasi nuk donin që komunistët të vinin në
pushtet në këtë vend. Dom Gjergji mund të kishte thënë se 2 mijë mirditorët e internuar
në Tepelenë i transportuan me kamionët amerikanë e ardhur si ndihmë nga UNRRA.
(ndihma perëndimore)
Dhe
në 1949, kur ishte shtypur pothuajse krejt qëndresa e brendshme antikomuniste,
britanikët dhe amerikanët vendosën më në fund të ndërmarrin një operacion për
të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri, duke përdorur si forcë të parë
vullnetarë nga emigracioni politik shqiptar në Perëndim që u hodhën në vend si
desantë. Por këta nuk gjetën pothuajse asgjë nga forcat e armatosura
antikomuniste që kishin luftuar për rreth pesë vjet kundër regjimit komunist.
Kuptohet se ky operacion do të dështonte.
Të
vërtetat historike në Shqipëri janë varrosur thellë. Por një njeri si Dom
Gjergji nuk mund të mos i dijë në vija të përgjithshme, ndonëse nuk njeh detajet
e mësipërme.