Kulturë
Thanas Gjika: Përshëndetje zotit Lek Pervizi në 90-vjetorin e lindjes
E marte, 25.06.2019, 09:02 PM
PËRSHËNDETJE
ZOTIT LEK PERVIZI
NË
90-VJETORIN E LINDJES
NGA
THANAS L. GJIKA
Të
arrish të nëntëdhjetat aktiv si Lek Preng Pervizi, është një bekim nga Zoti,
një mbrekulli, një rast i rrallë në jetën njerëzore, jo vetëm të shqiptarëve.
Ai ka jetuar në tre shtete të ndryshme: Shqipëri, Itali dhe Belgjikë ku ka përjetuar
të mirat dhe të këqiat e katër sistemeve shoqërore: të Sistemit Monarkist, të
Sistemit Nazifashist, të Sistemit të Diktaturës Komuniste dhe të Sistemit të
Shoqërisë së Lirë të ekonomisë së tregut. Gjithnjë dhe kudo ka jetuar e jeton
si shqiptar bir shqiptari, që ia ka kushtuar jetën me nder e guxim Shqipërisë
dhe popullit shqiptar.
Jeta
është një proces që ka një fillim dhe një fund, por lum ata që e jetojnë atë si
e ka jetuar dhe e jeton Lek Pervizi. Ky burrë është një shembull i trimave
legjendarë, të cilët me bëmat e tyre kthehen që në gjallje në “Hero i
pavdekshëm”. Ata e meritojnë këtë titull të lartë, që ua jep populli e jo
institucionet qeveritare, sepse ata janë shembull për mosnënshtrimin ndaj së
keqes, për durimin e vuajtjeve fizike e shpirtërore, për talentin e
shumanashëm, energjitë e pashtershme të vëna në shërbim të popullit të cilit i
përkasin dhe për moralin e pastër në të gjitha rrethanat. Të tillë heronj i ka
të rrallë jo vetëm bota shqiptare, por çdo popull i botës.
Kush
nga ne nuk e ka zili, në kuptimin e mirë të fjalës Lek Pervizin, për jetën dhe
arritjet e tij madhore:
1.
Si familje dhe njeri i panënshtrueshëm ndaj përndjekjeve të diktaturës. Familja
e Gjeneral Prengë Pervizit më 1944 përbëhej nga shtatë persona: ai vetë, nëna
dhe bashkëshortja e tij dhe tre djemtë: Valentini me nusen, Genci dhe Leka.
Diktatura komuniste u përpoq ta zhbënte këtë falije elitare: Gjeneralin e dënoi
me vdekje si armik të popullit, pa bërë asnjë krim a tradhëti. Për këtë shkak
ai u detyrua të arratisej më 1946 në Greqi ku vijoi aktivitetin kundër
diktaturës komuniste e vdiq në Bruksel më 1977 pas 31 vjet mërgimi. Valentinin
më 1945 e arrestoi dhe burgosi pa asnjë shkak, kurse nusen e tij e dëboi në
Itali. Valentini bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes përjetuan 456 vjet
burgime dhe internime. Gjatë këtij kalvari humbën jetën tre pjesëtarë të kësaj
familjeje, gjyshja Mrika vdiq më 1950 në kampin e Tepelenës 90-vjeçare; nënë
Ana vdiq më 1977 e internuar në Pluk të Lushnjës 77-vjeçare; dhe djali i dytë
Genci vdiq më 1989 i internuar në Gradishtë 63-vjeçar. Pavarësisht nga
vuajtjet, mungesat dhe presionet, gjatë kësaj jete të vështirë, djemtë e
Gjeneral Pervizit, nuset dhe fëmijët e tyre e ruajtën moralin dhe karakterin e
pastër të shqiptarit të vërtetë.
2.
Si familje dhe njeri që dolën fitimtarë ndaj kalvarit komunist.
Regjimi
komunist burgosi e internoi pesë pjesëtarë të familjes Pervizi me qëllim që t'i
zhdukte, por kur ai regjim kapitulloi, Pervizët dolën nga kampet e internimit
të trefishuar me 14 pjesëtarë, edhe pse në kampet e internimit humbën jetën tre
pjesëtarë të rritur e një foshnjë, kurse gjeneral Pervizi ishte shuar në
mërgim.
Leka
me zonjën Gjyljana dhe tre djemtë e tyre shkuan në Belgjikë më 1990.
Bashkëshortja e Gencit, zonja Albina, me katër djem dhe dy vajza shkuan në
Amerikë më 1991. Ndërsa vëllai i madh, Valentini, pas 47 vjet burgimi e
internimi, pra ky i dënuar i përjetshëm, shkoi në Bolonjë të Italisë, ku e
priste zonja Gorizia Manini, bashkëshortja, Penelopi e kohës sonë, me të cilën
u bashkua më 1991. Ai vdiq më 1999 dhe e shoqja më 2004, pa lenë fëmijë.
3.
Si analist dhe gazetar i talentuar. Leka pa kryer ndonjë shkollë gazetarie ka
shkëlqyer e shkëlqen si gazetar i shtypit të lirë. Ai ka sistemuar dhe
publikuar deri sot 138 numëra të revistës internetike KUQ E ZI, shoqëruar
secili me nga një kryeartikull personal. Kjo punë arrin në 9.000 faqe, volum
pune që nuk ka mundur ta realizojë asnjë gazetar i shtypit shqiptar që nga
Rilindja deri sot. Dhe mos harrojmë, është punë vullnetare pa pagesë që buron
nga pasioni dhe atdhedashuria. Revista shpërndahet në PDF, pa asnjë angazhim,
dhe autori nuk ka vënë copyright, duke lejuar perdorimin e materialeve të saj,
pa kufizim.
4.
Si piktor realist. Leka, ky piktor I kampeve të internimit, ka pasqyruar jetën
e bashkëvuajtësve në ato kampe dhe ka krijuar tablonë kompozicionale “Beteja e
Fushëkuqes” me temë nga luftrat e popullit tonë nën drejtimin e Gjergj
kastriotit Skënderbeut. Kjo krijimtari artistike ka buruar jo thjesht nga
pasioni por edhe nga talenti. Talent, i cili është trashëguar e ngritur në
nivele edhe më të larta prej dajlit të tij Leonard, tashmë i afirmuar e fitues
i disa çmimeve ndërkombëtare.
5.
Si enciklopedist. Leka zotëron njohuri të gjera në fushat e kulturës, artit dhe
të shkencave historike e politike. Formimi i tij enciklopedik bie në sy në
shkrimet dhe ilustrimet e çdo numri të revistës, në krijimtarinë e tij letrare
dhe si përkthyes i veprave historike të Dhimitër Frëngut Dhimitër Frangu,
Veprat e lavdishme të Skënderbeut (2004), të Paulo Jovios Skënderbeu dhe
sulltanët e Turqisë (2011) dhe të Eduard Schneider Pellazgët dhe pasardhësit e
tyre (2008), shoqëruar me shënime shkencore.
6.
Si studiues dhe biograf i jetës dhe veprës së atit dhe i gjyshit të tij.
Jeta
e pararendësve të Lekës është bërë objekt i veprave Gjeneral Preng Pervizi në
shtypin shqiptar dhe Gjin Pjetër Pervizi, luftëtar i shquar i Rilindjes
Kombëtare. Këtu shtojmë dhe dy botime të fundit, Gjenrali, kushtuar të atit
shoqëruar me një vështrim realist mbi historinë shqiptare, vepër e dobishme për
historianë e studiues; dhe, 100 vjet histori (2018) në tre pjesë, kushtuar
familjës si galeri fotografike.
7.
Si poet e rapsod, ku shpaloset aspekti letrar i talentit të tij. Pëveç botimit
të poezive në faqet e revistës, ai i ka botuar poezitë dhe rapsoditë e tij dhe
në vëllime më vete si Ankimi i Zanave (2000), Gjurmë të humbura (2010),
Lahutari shqiptar (2010), Lahutari këndon (2011), Petale de Rose shqip e
frëngjisht (2010, 2011), Psherëtimë e erës (2011), Tingëllima të vona (2014),
Labirinte (2014), Antologji në vargje (2017) dhe Lahutari Shqiptar (2018).
8.
Si krijues skicash e tregimesh të cilat i përmblodhi në vëllimin Në vorbullën e
skëterrës (2014), përkthyer e botuar dhe frëngjisht Dans les Cercles de l'
Enfer (2014).
9.
Si autor memuaresh, ku Leka ka përmbledhur kujtimet nga jeta e vëllait Valentin
Pervizi ndërtuar në formë romani biografik me titull Odiseja e pafajësisë
(2018) dhe kujtimet e veta lidhur me jetën e familjes së tij të ngushtë
Trilogjia e një jete: Lumturia – Ferri – Parajsa, që pret të botohet.
10.
Si i shpronësuar e i pashpërblyer. Familja e Lek Pervizit, si dhe familjet e
vëllezërve të tij, u shpronësuan më 1945-1946 dhe ndonëse kanë fituar të
drejtën e shpërblimit për pronat dhe vitet e burgut e të internimit, ato nuk
janë shpërblyer ende as për pronat e patundshme, toka e shtëpi, dhe as për
vitet e burgut dhe punën në internim.
Ky
i përvojtur i madh, personalitet shumëdimensional i gazetarisë, artit,
letërsisë, shkencës dhe kulturës sonë, ua vret sytë dhe i bën me turp
pushtetarët dhe kalemxhinjtë e Tiranës, të cilët shquhen për vjedhje,
korrupsion e jetë qejfi, gjëra të urryera për Lekën. Pikërisht për këtë
ndryshim të thellë që ka ky bir i shquar i popullit tonë me pushtetarët e
Tiranës, i shtyn këta që ta mbajnë sa më larg dhe të mos e vlerësojnë jetën dhe
veprën e tij. Por shpresojmë që shpejt kjo gjendje të ndryshojë. Njerëz të
talentuar e të përkushtuar me vlera të shquara si Lek Pervizi, duhet t'u
botohet vepra, qoftë dhe e zgjedhur dhe t'u studiohet sa më parë jeta plot
sakrifica dhe arritje. Të tillë Heronj duhet të zenë vendin e merituar në
historinë tonë moderne, në faqet e FESH-it dhe në tekstet mësimore.
Jeta
dhe vepra e Lek Pervizit duhet të studiohet dhe botohet, sepse prej tyre
populli ynë i abuzuar ka për të mësuar shumë të vërteta historike lidhur me
jetën e veprën e tij dhe të shumë personaliteteve të shkelmitur prej
pushtetarëve dhe kalemxhinjve të diktaturës komuniste.