Kulturë
Alfred Papuçiu: Portreti i kollosit të Artit të shtatë Freddy Buache dhe kineasti shqiptar Bujar Kapexhiu
E shtune, 22.06.2019, 04:36 PM
Portreti
i kollosit të Artit të shtatë Freddy Buache dhe kineasti shqiptar Bujar
Kapexhiu
Nga
Alfred Papuçiu
Lumturia
e plotë dhe pafund është vetëm kurth ose një vegim. Asnjë njeri nuk e gëzon të drejtën e
lumturisë absolute, privilegjin hyjnor. Këtë nuk e gëzoi edhe fisniku Freddy
Buache. Ditët e fundit u largua nga kjo jetë kollosi i Artit të Shtatë, siç e
kanë cilësuar dashamirët e tij të shumtë në botë, kineasti zviceran Freddy
Buache (Fredi Byash), në moshën 94 vjeçare. Ai mbetet një nga figurat më të
shquara të kinematografisë zvicerane dhe botërore dhe që ka folur me simpati
edhe për kinematografinë shqiptare, në rrethet e bashkëpunëtorëve dhe miqve të
tij të shumtë në botë.
Në
Panairin Ndërkombëtar të Librit dhe të Filmit në Gjenevë, rastësisht takova
Freddy Buache, pas shumë vitesh. Me të njëjtën pamje fisnike dhe ekspresive, ai
njeri fisnik dhe tepër modest, më përqafoi dhe biseduam miqësisht, si para
njëzetë e ca vitesh, kur në Lozanë u zhvilluan ditët e filmit shqiptar, nën
patronazhin e Kinematekës Zvicerane dhe personalisht të tij. Ai më pyeti për
mikun e tij të « madh » siç e cilësoi ai, kineastin tonë të shquar Bujar
Kapexhiu dhe për ecurinë e filmit shqiptar. Më dhuroi me autograf edhe një nga
librat e tij të fundit, ku flet për kinematografinë botërore dhe veçanërisht
për atë zvicerane. Freddy Buache më foli, kur e pyeta se me çfarë merret pas
daljes në pension, se vazhdon të japë mësim si profesor për kinematografinë në
Universitetin e Lozanës. Në të njëjtën kohë ai udhëton në shumë vende të botës
ku e thërresin për konsulencën e tij të vyer në fushën e kinematografisë.
Freddy shkruante gjithashtu një rubrikë javore për kinematografinë në gazetën
zvicerane “Le Matin” (Mëngjesi).
U
ndava nga Freddy Buache me urimin që të takoheshim përsëri, pse jo edhe në
shoqërinë e Bujar Kapexhiut dhe kineastëve të tjerë shqiptarë. Por kjo dëshirë
nuk mund të realizohet, pasi ai u largua nga kjo jetë. Sidoqoftë shkurtimisht,
sa na e lejon edhe gazeta, pasi për të mund të shkruhet me dhjetra e dhjetra
faqe, po japim një homazh të shkurtër për të mirin dhe njohësin e zellshëm të
kinematografisë botërore, Freddy Buache.
Krijimi
i Kinematekës zvicerane është një epope e vërtetë, duke marrë si shembull
Kinematekën franceze dhe të tjera. Në këtë botë imazhesh dhe zërash dallohen dy
figura madhore: Henri Langlois dhe Freddy Buache. Njëri është “dragoi i cili
ruan thesaret”, sipas Jean Cocteau, tjetri “njeriu që na drejton në labirinthet
e kinemasë”. Këtë e konfirmojnë miqësisht, Michel Contat, Alain Tanner, Pietro
Sarto, Jean-Luc Godard dhe Jacques Chessex, “satelitë të galaktikës Buache”.
Freddy Buache lindi në Lozanë më 29 dhjetor të vitit 1924 dhe shumë shpejt
tregoi pasionin e tij për artet e bukura dhe teatrin dhe pastaj u drejtua drejt
kinemasë, duke marr në dorë drejtimin e Kinematekës zvicerane qysh në 1951.
Shkrimtar, poet dhe kritik arti, autor i shumë artikujve dhe librave, të cilave
u referohen të gjithë për kinemanë, botues, programues, profesor, mbrojtës i
zjarrtë i kinemasë së re zvicerane dhe i pasurisë artistike, Freddy Buache la
mbresa të përjetshme në historinë e Artit të 7-të të Zvicrës. Ai militon me
përkushtim për Konfederatën Zvicerane dhe në sajë të tij miratohet një ligj për
kinemanë në 1963, apo që Ekspozita madhështore e 1964 në Lozanë të zërë një
vend vend nderi për krijimin kinematografik. Ky njeri fisnik bëri që të njihet
kinemaja e re zvicerane në botë, veçanërisht në sajë të lidhjeve të
privilegjuara me drejtorët e Festivalit të Kanës. Duke qënë pararendës i
Kinematekës zvicerane, e themeluar në 1948, ai kontribuoi duke sjellë me
pasurinë e koleksioneve të tij dhe dinamizmin e programacioneve të tij, duke
pritur shumë kineastë të të gjithë botës, si edhe kineastët shqiptarë, të cilët
shpesh i dhuronin veprat e tyre Kinematekës. Freddy Buache i palodhur shkon
deri në skajet më të largëta të Zvicrës për të paraqitur filmat e koleksionit
të tij tek gjimnazistët, duke favorizuar krijimin e shumë brezave të adhuruesve të kinemasë dhe
kineastëve të rinj. Paralelisht me postin e tij tek Kinemateka zvicerane që e
mbajti deri në 1996, Freddy Buache ka qënë bashkëdrejtor i Festivalit të
Lokarnos nga 1967 deri në 1970. Ai kishte miqësi me personalitete të kinemasë
dhe të kulturës, midis të cilëve me Charles Apothéloz, Henri Langlois, Georges
Franju, Jean Grémillon, Michel Simon, Luis Buñuel, Jacques Chessex, Michel
Soutter, Theo Angelopoulos, Miloš Forman, Daniel Schmid apo akoma me të madhin
Jean-Luc Godard. Ai ishte laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe të një
“Leopardi Nderi” në Lokarno. Në prill të këtij viti ai mori Medaljen e nderit
të FIAF (Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit), përpara më tepër se 300
delegatëve të mbledhur në Lozanë për Kongresin e saj vjetor, të 75-të. Ai ishte
deri në çastet e fundit shumë aktiv dhe jepte akoma një kurs mbi historinë e
kinemasë së Kinematekës zvicerane, në bashkëpunim me UNIL. Midis veprimtarive
të ndryshme, këtë vjeshtë Kinemateka zvicerane do të organizojë një homazh për
kollosin e Artit të Shtatë, Freddy Buache, ku mendoj se do të marrin pjesë dhe
kineastët tanë, si Bujar Kapexhiu që e ka njohur nga afër atë.
Le
të kujtojmë këtu se njerëz të apasionuar pas kinemasë në gjithë botën, të
shqetësuar nga zhdukja e kryeveprave të filmave pa zë, krijuan muze të
kinemasë, apo siç quhen tani “kinematika”, duke u përpjekur të ruajnë një pjesë
të thesareve që kanë një vlerë artistike ose të paktën historike. E para prej tyre
u krijua në Stokolm në 1933. Pastaj vazhduan në Berlin (1934), Londër, Nju
Jork, Romë (1935), Paris (1936) etj. Peter Bachlin, president i Klubit të
Kinemasë “Filmi i mirë” (Le Bon Film), krijoi në Bazel të Zvicrës të parat
“Arkiva Kinematografike Zvicerane” dhe menjëherë këshillohet me drejtorin e
Kinematekës franceze, Henri Langlois. Kinemateka Zvicerane e mirëfilltë u
krijua më 1948 në Lozanë.
Le
të vijmë tani tek historia jonë e bukur dhe e paharruar e shumë viteve përpara.
Më kujtohet se ishim ulur në tarracën e Kinematekës zvicerane, në Lozanë. Ishte
pranverë. Një kohë e bukur dhe nga liqeni vinte një afsh i freskët. Atë natë do
të organizonim “Ditët e filmit shqiptar”, me ndihmën e Kinematekës zvicerane,
një veprimtari që do të pasohej pak më vonë në Gjenevë tek “CAC Volter”, i Rui
Nogerës dhe qytete të tjera të Zvicrës, Zyrih etj. Pranë nesh ishte ulur
kineasti me famë botërore, drejtori i Kinematekës, zvicerani Freddy Buache, i
cili diskutonte me një pasion të veçantë për ecurinë e kinematografisë gjatë
viteve. Një njohës i thellë i kinematografisë botërore dhe që fjala e tij
peshon në vlerësimin e filmave që shfaqen në Zvicër. Ai i inkurajonte kineastët
tanë që të krijonin filma të rinj me tema nga historia e Shqipërisë apo edhe
nga ditët e sotme, kur menjëherë, pa e marrë vesh, artisti, kineasti dhe
piktori ynë Bujar Kapexhiu i cili vizatonte pa pushim, i dha portretin e vet,
të cilin e realizoi për pak çaste. E pashë të madhin Freddy Buache që u ngrit
dhe e përqafoi me shumë dashuri Bujarin. Me ato flokët e gjata prej artisti dhe
me sytë e tij shprehës, portreti ishte realizuar shumë bukur dhe jepte me
nuancë të theksuar tiparet e bukura të njeriut të madh të filmit. Kineasti
zviceran ishte shumë i prekur. Herë pas here ai hidhte sytë nga Bujari dhe nga
ne, me një buzëqeshje të lehtë. U shpreh se nuk kishte dhuratë më të bukur dhe
kuptimplote për të nga ana e një kineasti të talentuar që vinte nga Shqipëria e
vogël. Darka kaloi duke ngritur dolli për miqësinë midis dy popujve, si edhe me
urimin që shkëmbimet midis dy kinematekave të vazhdonin. Atë natë Kinemateka
ishte plot me miq zviceranë dhe shqiptarë, të cilët vlerësuan filmat e shfaqur.
Ato janë shfaqur here pas here edhe për amatorët e filmave të vendeve të
ndryshme të botës. Në fondin e artë të Kinematekës Zvicerane ndodhen edhe
filmat shqiptarë, ndër të tjerë “Tela për violinë”. Herë pas here, kineasti
Bujar Kapexhiu vjen në Gjenevë ku ka shumë miq kineastë që kanë qenë në
Shqipëri dhe së bashku mblidhemi dhe kujtojmë atë darkë të bukur në tarracën e
Kinematekës Zvicerane.
I
përjetshëm qoftë kujtimi për Freddy Buache, mik i kineastëve në botë dhe
kineastëve dhe dashamirëve shqiptarë që e kanë njohur atë.
Gjenevë, më 15 qershor 2019