Kulturë
Blerim Rrecaj: Vijueshmëri jete
E enjte, 20.06.2019, 08:45 PM
Vijueshmëri
jete
Nga
Blerim Rrecaj
Ka
kohë që s'kam lënë asnjë shënim. Dhe tash çfarë të lë e çfarë të heq nga
pothuajse një muaj që shkoi. Muaji pararendës edhe ky (pas)ardhësi si një copë
historize, me festa, me shëngjergj, ramazan e bajram, me kohë të ndryshueshme,
të përzier e me shumë shi, bile pat dhe ndonjë mëngjes me mjegull të shtrirë në
kokërr të shpinës në maj, e edhe sot në këtë ditë të 19 qershorit. Një saksi
lulesh lulemëllagë, lulealle si edhe po i quante dikush, ndërsa lule sardane që
aq shumë i donte e aq fort kujdesej nëna për to, qëndrojnë në parvazin e
jashtëm të dritares së dhomës së fëmijëve, në ballkon, si lloj urimi e bekimi i
vazhdueshëm për të gjithë, pa përjashtuar as festën e fëmijëve 1 qershorin. Më
pas pat dhe ndonjë ngjarje kulturore e mjaft e përfolshme si panairi i sivjetmë
i librit, të vizituar me njërin nga shokët me fëmijët për dore. Edhe një tufë
librash nëpër bibliotekat tona të shtëpive. Përpjekje për t'iu kthyer leximit e
rileximit. Angazhime personale e familjare, biseda, vizita, plot të pritura e
mjaft të papritura. Pështjellim nëpër sistem-status quo-në e (pa) trazuar, të
kështuquajturin tradicionalin tranzicional. Kur mundemi komplikueshëm pse të
thjeshtësojmë gjërat, veten e jetën!? Paj, ta përmendim edhe 20 vjetorin e
çlirimit e lirisë me frymëmarrje që le për të dëshiruar e dëshiruar, e ...uar,
e ..uar, e ...uar... Hedhin valle kritikat e vetëkritikat, censurat e
vetëcensurat. Sidoqoftë vazhdon kjo vijueshmëri jete, vijueshmëri përpjekjesh,
që kushedi a iu dasht ky shënimth ku hyjnë edhe ata që këpusin të gjelbërtat e
të papjekurat xherenika, ku hyjnë trëndafila të shëndetshëm fytyrë rrumbullak
ngjyrash të ndryshme, ky hyn dhe ca pëllumba që zbresin te një copë e
gjelbëruar e pjerrët e një ure me rrethrrotullim ku kanë ngre kokat e tyre këto
lulekuqe...