Kulturë
Sevdail Hyseni: Agustin Gjinaj - Shokë...
E shtune, 22.06.2019, 10:49 AM
Në
Prishtinë u përurua libri ”Shokë...” i autorit ushtarak Agustin Gjinaj
Nga
Sevdail Hyseni
Të
enjten e 20 qershorit, në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare ”Pjetër Bogdani”,
të organizuar nga Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, nga Lugina e
Preshevës, u mbajt përurimi i librit me ese, skica dhe portrete ”Shokë...”, të
autorit shkodran Agustin Gjinaj.
Këtë
eveniment të lartë kulturor e konsideroi të hapur, moderatorja gazetare Dionesa
Ebibi, në të cilin ishin të pranishëm shkrimtarë, politikanë e ish ushtarakë e luftëtarë të UÇK-së, si dhe
adhurues të fjalës së shkruar artistike nga Tirana, Prishtina e Lugina e
Preshevës.
Fillimisht
fjalën e mori drejtuesi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, nga
Bujanoci Sevdail Hyseni, i cili, mes tjerash, tha se ky libër me ese, skica dhe
portrete, me titull simbolik “Shokë...”,
është një vepër që kalon përmasat e një libri biografik, që sjell një mal me
kujtime për shokët e idealit, për aq vite sa shërbeu autori i librit, Agustin
Gjinaj, në ushtrinë e aviacionit shqiptar.
“Pena
e një shkrimtari ushtarak edhe atë i forcave ajrore shqiptare Agustin Gjinaj,
sjell para lexuesve një libër plot me ngjarje e ndodhi, që vijnë nga shkolla
ushtarake e fluturimit. Ai, është një pjesëtar i denjë i forcave ajrore
shqiptare, i cili në këtë libër shkrirë e derdhur me pasion dhe mjeshtëri
gjurmët e një veprimtarie jetësore përmes eseve, skicave dhe portreteve”, u
shpreh z. Hyseni.
Më
pas fjalën e mori recensenti i librit z. Musa Kame, i cili shpalosi para të
pranishmëve vlerat letrare të këtij librit më të ri të botuar të autorit
Agustin Gjinaj, nga dhjetëra libra të tjerë të botuar nëpër vite.
Recensenti
z. Kame, i cili e ka shkruar edhe parathënien e librit “Shokë...” të autorit
Agustin Gjinaj, tha se brenda kopertonave të librit janë të përmbledhur 8
kapituj, me gjithsej 68 skica, ese dhe portrete shokësh dhe veprimtarësh të
devotshëm të shërbimit ushtarak të aviacionit shqiptar.
Kapitulli
i parë, tha më tej recensenti Musa Kame,
fillon me elementet biografike të autorit Agustin Gjinaj me titull “Të kesh
lindur në Shkodër”, për të vazhduar me kapitujt e radhës: “Të rrish në ushtri,
në aviacion”, “Burra...”, “Shokë...”, “Në ministrinë hijerëndë”, “Zhgënjime”,
“Dashuria, gratë, ushtria, jeta”, për të përfunduar me “Skica, Shënime,
udhëtime”.
Recensenti
z. Kame, duke folur, gjithnjë, rreth rolit dhe rëndësisë që ky libër për
lexuesit, nuk la pa veçuar kapitullin e gjashtë “Zhgënjime”, në të cilin zë
vend meritor shkrimi “Vuajti se hapi Universitetin shqip në Preshevë”, në të
cilin flitet për Luginën e Preshevës, një krahinë shqiptare e cila
administrohet nga Serbia, e që përballet me probleme të shumta në sferën e
arsimit, kulturë, politikës, ekonomisë etj.
Ndërkaq,
në fund, të këtij përurimi, autori i librit “Shokë...”, pasi falënderoi
organizatorin e këtij manifestimi letrar Bashkësinë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”,
nga Bujanoci, pastaj pjesëmarrësit e shumtë nga qendra të ndryshme shqiptare:
Tirana, Prishtina, Presheva, e posaçërisht familjen e nderuar të Gazmend
Arifit, që ia mundësuan paraqitjen e tij para publikut artdashës në Prishtinë.
Duke
folur rreth librit të tij z. Gjinaj dha një përshkrim të orëve të para të
historisë së aviacionit ushtarak në Shqipëri, në të cilën gjendeshin njerëz, që
për t’i shërbyer Atdheut, nuk kursenin jetën. “E për tu quajtur e lavdishme kjo
histori e aviacionit ushtarak shqiptar, përmenden dyzet vetë që dhënë jetën në krye të detyrës,
e ky libër shërben si homazh për shokët, që u treguan një model i mirë se si
duhet shërbyer e dashur Atdheu”, tha, mes tjerash, autori Agustin Gjinaj.
Gjatë
përurimit të librit u lexuan nga Moderatorja Dionesa Ebibi, disa skica e
portrete si: “Burra” dhe “Shokë...”, të cilat u mirëpritën nga të pranishmit,
duke marrë në fund, libra e fotografi të përbashkëta me autorin Agustin Gjinaj,
i cili shprehte hapur miqësinë me dashamirët e librit gjithandej trojeve
shqiptare.