E enjte, 28.03.2024, 06:58 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Reagim i gazetës 'Dielli' në SHBA për cënimin e lirisë së medias në Shqipëri

E shtune, 20.04.2019, 08:33 AM


- GAZETA "DIELLI" DENONCON CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS, MBRON LIRINË E SHTYPIT DHE TË DREJTËN KUSHTETUESE TË INFORMIMIT DHE APELON PËR TË MOS LEJUAR HAPSIRA KU PERSEKUTORËT TË SULMOJNË TË PERSEKUTUARIT-

DIELLI është i ndërgjegjshëm për rolin e vet në fushën mediale si gazeta që ka nderin të identifikohet me Rilindjen Kombëtare, dhe që në udhën e vet 110 vjeçare, i ka paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë dhe momenteve kyçe të historisë. Qysh  nga fillimi i shekullit të 20 patriotët shqiptarë të Amerikës i kanë prirë lëvizjes së zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të bashkëatdhetarëve të tyre nëpërmjet veprimtarisë së Federatës VATRA të shprehura qartazi tek gazeta DIELLI. Gjatë Diktaturës komuniste ka qenë DIELLI që ka denocuar cënimin e lirive njerëzore, përfshirë dhe atë të informimit. Në ditët e sotme DIELLI konstaton se liria e medias në Shqipëri është e rrezikuar. Përballë akteve të rënda të censurimit të informimit nga elita politike e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, "DIELLI" denoncon shtetin shqiptar për hapat mbrapa në lirinë mediale. DIELLI mbron shprehjen e lirisë si "abetarja" e një vendi demokratik, që synon Demokracinë Europiane.

Raporti i Përvitshëm i "Gazetarëve pa Kufij" e rrëzoi Shqipërinë shtatë shkallë më poshtë se ç'ishte në raportin e vitit të mëparshëm. Organizata Boterore për Lirinë e Shtypit ka dhënë alarmin për gjendjen reale të medias shqiptare dhe presionet mediale nga institucionet qeveritare. Shantazhet, sulmet ndaj gazetarëve dhe shtimi i censurës qeveritare cënon vetë Demokracinë Shqiptare dhe zgjat tranzicionin që po i afrohet dekadës së tretë. Shkelja e së drejtës së shprehjes dhe presionet ndaj lirisë së mjeteve të informimit flasin për përpjekjet agresive të mbetjeve të sistemit totalitar, dhe mendësisë totalitare, të veshura me pushtet ekzekutiv për të kontrolluar demokracinë shqiptare.

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama se në qeverisjen e tij nuk ka media të shantazhuara e liri të mohuara është shprehja tipike e pushtetarit autoritar për të cilin media mbetet thjesht një kazan.

Në të njëjtën kohë, DIELLI i bën apel Medias Shqiptare që të vetëdijësohet për rolin e "pushtetit të katërt", dhe ta ruaj pavarësinë e vet nga politika për të mos u bërë instrument anti-demokratik.

DIELLI e sheh me shqetësim që sulmet e ish persekutorëve të diktaturës komuniste ndaj ish viktimat e pafajshme, gjejnë hapsirë në gazetat dhe portalet e Tiranës. Rasti i sulmeve ndaj shkrimtarit Visar Zhiti prej ish torturuesit të tij, Edmond Caja, përbën një precedent të rrezikshëm. Të tilla akte sulmi ndaj Visar Zhitit tregojnë mosveprimin e demokracisë shqiptare që jo vetëm nuk i ka dënuar ish persekutorët dhe fajtorët për krimet e komunizmit por edhe i lejon të ri-viktimizojnë disidentët e diktaturës.

Visar Zhiti mbetet një ikonë e letërsisë shqiptare të pasburgut dhe demokracisë si edhe model për qendresën në diktaturë, prandaj është detyrë morale e shoqërisë që ta përkrah dhe ta mbrojë atë si të tillë.

Demokracia shqiptare, e ngecur nëpër labirinthet e merimangave të stilit të diktaturës së Ramës, po tregohet e pafuqishme për të kundërvepruar mbi qeverinë që ka hapur frontin e luftës ndaj gazetarëve dhë ka çuar në rrënimin e lirive të shprehjes. Kapja e të gjithë pushteteve nga Kryeministri Edi Rama dhe fronti i hapur i luftës me median po e kthen Shqipërinë në errësirën mediale që minon Demokracinë dhe kultivon tiraninë.

Gazeta DIELLI do ta përcjellë shqetësimin e vet për censurën mediale të ushtruar nga qeveritarët ndaj mjeteve të informimit dhe gazetareve shqiptarë në instancat amerikane dhe ato botërore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora