Kulturë
Fatmire Duraku: Letra për ty
E merkure, 02.01.2019, 10:36 AM
Fatmire Duraku
Letra për ty
Yll i mëngjesi apo syri alb
Digjte flakë ujin e njelmët
Apo qe zgjuar gjaku i tokës
Në secilin cep mbi vitet e fjetura
E thneglat,e breshkat, e lulet
Lageshin në shiun e madh
Ylberi pinte ujë në dy kroje
Në syrin tim dhe syrin tënd
Zot tash në këtë natë të vdekur
Si ta nis letrën për ty
Kaq vjet të ndarë nga unë
Agimi i syrit
Çdo gjë, me gjakun e vet-timin
Mban gjallë ende rrënjën dhe zgjimin
Se nuk është tharë Mollë e Kuqe,
Se ti ende kalon urën e Artës gjakut tim,
Se ende arrijnë anijet ngarkuar me ty
Se vdekja nuk ka hyrë në Ulqin
Ja nga vjen pulëbardha agimit të syrit
Ndez pafundësinë e qiellit mbi bunë
E ti thërret fëmijën nga guri të vijë të pi
Të të mos pëlcas gjiri nga qumështi
Aty ku ka zall dhe guaca dhe flakë ku ka
Aty je ti gjithnjë ku bën të ftohtë acar
E në të njëjtën kohë të ndizet kurmi im
Me të njëjtën kokë dhe shpirt
Mjegull dhe hi
Pemët lulëzojnë nën fyell
Ta kuptosh se zjarri e djeg ujin
Etja e djeg zjarrin
E dashuria thyen gurin
E gjaku e kthen gurin
Ndërmjet bie mjegull dhe hi
E liria e shkruan qiellin
Lulen e pemës së ndezur
Veçse acari
Mbyt frytin
Ja pse Gjysmë liria
S’është liri,
As gjysmë molla
Nuk do t`i zgjonte etje Evës
Vetja e humbur
Më dhemb ky pranim i dhembjes
Kjo heshtje e përsëritjes së vetmisë
Më dhemb kjo sëmundje
Ky tingëllim në vetvete, i hirtë
Ky pranim pa formë pa kuptim
Ky çast ky copëtim
Më dhemb, më zë frymën
E nuk mund të ik
E nuk mund ta provoj të vras në burim
E nuk mund ta përballoj
ky realitet i verbër i natës
Kjo fushë e mbetur pa frymën e shpresës
Më dhemb, e udhë nuk ka
II
Si ta kuptoj ndryshe fundin
E hutuar me sy në mur
Ndërsa gjaku nuk rrjedh më
Nëpër çdo pjesë timen
Është vetëm dhembja
Vetëm harresa
Vetëm shikimi në dritën e ikur
Që nuk do të ketë të nesërme
Si ta shpjegoj ndryshe fundin
Ndërsa ti s`je e pa ty s` do të ketë nesër
Nuk do të ketë kumbim hapash në shkallë
Nuk do të ketë ardhje
Kot e dëgjoj veten nën lot
Asgjë në mua kaherë s` lëviz
III
Ja vetëm nata e një zë shpendi
Që ta ngrin tërësisht gjakun
Vetëm heshtja e tokës së etur
Vetëm udhët që nuk shpien askund
Dhe vetja e hutuar
Dhe natyrisht vdekja për ujin
Vdekja për pemën për qiellin
Vdekja për t`u kthyer
Ndoshta ti je ai që vjen atje fund udhës
Te lisi i prerë për dërrasa varri
Të kohës që qe kaq e zbrazët
IV
Asgjë nuk lëviz kaherë në mua
E koka është me plot udhë
Me plot shkallë dhe gjurmë
Gjurmë nga i ikin vetvetes fytyrë-dheu
Ja në kolona të gjata nga ikim hije
Nga shkojmë të mos kthehemi kurrë
E pas ngelin krojet lisat etjet
E pas ngelin vadat e gjakut
Mbuloj fytyrën. S`dua të shoh e shoh
Shoh vijën akull të kohës që s` ndalet kurrë
Karvanë në mjegull ikje lehje qensh
Hije gjëmë e dhembje që s` shkëputen
Mbyll sytë e klith, klith,pastaj zë të ik
Të ik të ik të ik pafundësisht
Zot, asgjë kaherë nuk lëviz në mua