E diele, 28.04.2024, 06:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Anton Nikë Berisha: Natyrshmëria dhe lartësimi i poezisë së Xhovani Pistojës

E hene, 31.12.2018, 12:51 PM


NATYRSHMËRIA DHE LARTËSIMI I POEZISË SË XHOVANI PISTOJËS

– Parathënie –

Qenësia dhe fuqia e fjalës poetike

Fjalafjala poetike është ndër krijesat më të qenësishme që ka përftuar dhe e ka përdor njeriu në rrjedhë të kohëve. Për rëndësinë e saj është folur e do të flitet sa herë që do të bëhet fjalë për letërsinë si art e brenda saj dhe për poezinë.

Rëndësia e shumëfishtë e fjalës poetike dëshmohet edhe kur e lexojmë dhe e analizojmë poezinë e Giovanni Pistoia-s (Xhovani Pistoja) nga struktura gjuhësore shprehëse e së cilës dalin mesazhet poetike sa të pasura aq dhe të veçanta që njëherit nxisin e kushtëzojnë një komunikim gjallërik me lexuesin[1].

Siç ngjet me poetët e mirëfilltë, Xhovani Pistoja është i vetëdijshëm se shtjellimi i tekstit poetik është fryt i konceptimit dhe i përkushtimit, i vënies së fjalëve në marrëdhënie të veçanta për të shqiptuar në mënyrë sa më të veçantë e të ndërliqshme dukuritë dhe idetë ose aspekte të ndryshme të tyre, siç dëshmon dhe mendim i Jan Parandovskit se pikërisht përmes fjalës njeriu ka sunduar kohën dhe hapësirën, ka ndarë objektet e veçanta nga kaosi i dukurive, duke i afruar ose larguar, u ka dhënë formën, ngjyrën dhe dimensionet; nëpërmjet fjalës janë përjetësuar dukuritë dhe çastet, orët dhe vitet, koha e tashme, e kaluar dhe e ardhshmja[2].

Në poezinë e deritanishme të Pistojës, edhe në këtë vëllim me poezi të zgjedhura “Era mbeti pa frymëmarrje”[3] ai ka përligjur se është poet që ka çka thotë, di çka thotë dhe atë që e thotë poetikisht e thotë bukur.

Poezia e tij është fryt i botës së brendshme dhe i mendimeve që lindin aty dhe pastaj shprehen përmes tekstit; është shqiptim i këndvështrimeve të mundshme të shfaqjes dhe të ekzistimit të dukurive dhe të gjërave (e jo përshkrim i tyre) që pastaj, si variante, degëzohen dhe më tej nga lexuesi.

Pistoja dëshmohet mjeshtër i madh në përftimin e vargjeve dhe të poezisë si tërësi shprehëse kuptimore; nga teksti që krijon nuk mund të hiqet as të shtohet asgjë e të mos rrënohet tërësia përkatëse shprehës poetike.

Poezia e Pistojës është mendore: Nuk kuptohet misteri dhe ndërliqësia nëse nuk kërkohen thellësitë (e jo ajo që duket); mendimet janë para së gjithash mesazhe poetike, e jo filozofike. Studiuesi i shquar kroat, Zdenko Shkreb (Škreb) thoshte se poezia është më mendore dhe më e vlefshme sesa filozofia[4].

Rrëfimi poetik i Pistojës është i natyrshëm; shprehet përmes vargjeve që shndërrohen në pamje poetike, që i cilëson kryesisht kontrasti dhe antiteza. Kjo mënyrë mundëson shqiptimin më kompleks të gjërave dhe komunikimin me to. Dukuritë që ai i bën objekt trajtimi poetik, na kujtojnë një varg veçantish të tyre që janë brenda nesh dhe pikërisht përmes mesazheve përkatëse ato bëhen aktive.

Në përftimin me mjeshtëri të pamjeve artistike, që janë funksionale dhe cilësohen me forcë të madhe komunikuese dhe ndikuese, për poetin kryesore është fjala, siç shprehet dhe në këtë tekst të tij poetik:

“Qëndronte ( fjala – v. ime) në një skutë, e vetme. Dëgjonte një gumëzhimë përreth vetes, e vështronte me vëmendje botën rreth e rrotull. Ajo mendonte për vetveten, për fuqinë që barte brenda, për misionin e madh që mund e duhet ta përmbushte. Çmohej si një vegël e rëndësishme që shfrytëzohet me maturi, me urti, me vëmendje. Ajo, një urë midis subjekteve të ndryshme, një dritare krejtësisht e hapur në botë, një përqafim miqësor, një roman i dashurisë. Mirëpo, ajo ende çmohej si një përftim i ndieshëm e nëse shfrytëzohet keq, është njëmend e rrezikshme. Mund të plagosë, të ngrehë pengesa, të nxisë një luftë, të shpjerë në vdekje. Mendonte se është diçka si një vegël muzikore e ëmbël dhe e stërholluar, që mund të përdorej me inteligjencë. Vetëm në këtë mënyrë mund të ruante besueshmërinë. Vetëm kështu mund të vazhdonte të kishte një kuptim dhe muzikën e saj edhe pse notat e saj mund të ishin një këngë, harmoni konceptet e saj, idetë e saj; ato ide që e vënë në lëvizje botën e që vdekja nuk ia del ta bartë (ta marrë) me vete[5].

Nëpërmjet strukturës gjuhësore shprehëse, Pistoja i vë dukuritë në marrëdhënie afrimi ose kundërshtimi dhe nxit dialogun me to. Për të fjala është ndër misteret më të veçanta që i është dhënë njeriut[6]. Fjala poetike është ngritja dhe zbritja e tij, kënga dhe vaji; është shpëtimi, vuajtja dhe pësimi. Edhe kur heshtet, fjala e Pistojës flet; asaj, siç thotë vetë ai, i përket fjala e fundit: “E lodhur dhe e poshtëruar fjala flet pa folur; tashmë e zhveshur nga qenësia, i ka humbur krahët, më nuk di të fluturojë; ka rënë poshtë, e plagosur ose e vdekur nga fjalët e zbrazëta. Njëmend, flasim ose e ndjejmë mungesën e saj, po fjalës është e nevojshme t’i jepet fjala e fundit” (Krahët e fjalës) ose Asgjë t’i shtohet kësaj dhembjeje / pos dhembjes në heshtje të fjalës (Dhembja). Poeti fjalën e ka dëshmi dhe mundësi kryesore të veprimit e të gjallimit; ajo është si shiu dhe era, që janë pjesë e pandashme e natyrës dhe e jetës:

Në gojët e përditshmërisë

thërmohet ëndrra.

Më mbetet fjala,

shi që ushqen

erë që thanë.

(Fjala mbetet)

Te Pistoja poezia si art dhe bukuria janë në marrëdhënie të ngushtë; i japin dhe e plotësojnë njëra – tjetrën në mënyra dhe në rrafshe të ndryshme. Të dyjat janë të nevojshme për shpirtin e njeriut dhe si të tilla përjetësohen në strukturën tekstore, në kumtet poetike:

Bukuria do t’i mbijetojë harrimit të fjalës,

po pa fjalë kush do të rrëfejë për Bukurinë?

(Bukuria)

Këtë marrëdhënie të veçantë dhe të rëndësishme të poezisë dhe të bukurisë autori e shpreh edhe nëpërmjet një metafore të rrallë:

Vargu më i bukur është në trëndafil

të cilin (ai) e reciton pa fjalë.

(Vargu dhe trëndafili)

Poeti i jep fjalës rëndësinë e kallinjve, ndërsa poezisë rëndësinë e bukës. Kallinjtë dhe buka simbolizojnë rrafshin fiziologjik, fjala – poezia rrafshin shpirtëror e mendor:

I mbledh fjalët si kallinjtë e grurit,

i bekoj siç veprohet me bukën.

(Buka dhe fjalët)

Pistoja e ndien thellësisht fuqinë e artit të fjalës, të poezisë: nga shpirti i tij merr shkas dhe përftohet gjithçka, ashtu si thoshte poeti ynë i madh, Gjergj Fishta: “Shkrimtari i vërtetë, mendimtar e filozof, riprodhon vedvedin në të shkrueme: pra riprodhon mbresat e perftueme në shpirt dhe jo sendet e perjashtme. E bukura nder sendet t’perjashtme nuk mundet me kenë subjekt i artit t’vertetë, perse artisti tue e riprodhue nuk kishte me krijue, por fjeshtë me kopjue, shká nuk âsht art [...] Prandej shkrimtari do t’riprodhojë shpirtin e vet në të shkrueme, gjâ qi nuk mund bâhet, por tue riprodhue nepermjet mendimesh sendet; jo tashmâ si ato gjinden nder rruzullim të perjetshem, por nj’ashtû siç shfaqen në shpirtin t’onë, kû aty, e askund tjetër, e ká ndêjen bukurija artistike[7]”.

Të shprehurit poetik edhe si heshtje

Poezia e Pistojës cilësohet me një strukturë gjuhësore të ndërtuar me përkushtim nga rrezaton mendime të shumta, herë – herë të paskajshme. Fakti se teksti poetik “[...] është mendim shtjellues i ndërliqshëm” dhe se “Të gjitha elementet e tij janë elemente kuptimore[8]”, përligjet mirëfilli në poezinë e tij: fjalët poetike, “zogj të zjarrtë”, fshehin kuptime të shumta, ashtu siç do të theksonte Andrea Chouraqui kur flet për Këngën e këngëve të “Besëlidhjes së Vjetër: “Edhe përballë kuptimeve të saj përkthyesi, komentuesi ndjehet i paaftë. Është një tekst i gjallë [...] Fjalët në të janë si zogj të zjarrtë (nënvizimi im). A është e mundur t’i vësh në kafaz? Çdo shpjegim i mundshëm rrezikon të përjashtojë një përthellësi më të sakët, më të vërtetë, më të madhe nga ajo që është parathënë. Çfarëdo vendimi që të merret, dashuria, që për natyrën e saj është liri, burgoset në një rrjet të koncepteve të pamjaftueshme (të kufizuara), si prapa shpatëzave të një kafazi[9]”.

Veçantinë dhe rëndësinë e tillë të fjalës e thekson dhe studiuesi i shquar i letërsisë, René Wellek: “Një fjalë bart në vete jo vetëm kuptimin e saj leksikal, po tërë një atmosferë të sinonimeve e të omonimeve, meqenëse fjalët nuk kanë vetëm kuptimin e tyre, po rikujtojnë kuptimin e fjalëve të ngjashme për tingëllim, ndjenjë e prejardhje, e së fundit të fjalëve që kundërvihen dhe përjashtohen[10]”.

Poezia e Pistojës, siç u tha, e përligj qenësinë e vet përmes një të shprehuri figurativ të veçantë e të pasur, ku ndërlidhen dhe gërshetohen bota e brendshme e poetit me dukuritë e jetës dhe të natyrës, po dhe përmes asaj që nuk thuhet, asaj që heshtet “parole non dette”. Kështu, teksti i ndërtuar përmes fjalëve, herë të zhurshme, herë të heshtura, është, siç shprehet ai poetikisht, një shikim i pikëlluar i udhëtimit të ditës dhe i mbrëmjes së pikëlluar kur i dorëzohet natës:

Fjalët e mia, herë – herë të përshpëritura, ose të heshtura,

janë shikim i pikëlluar i udhëtimit të ditës,

siç është e pikëlluar mbrëmja që duke rënë i dorëzohet

natës, në mënyrë që nata ta mbrojë mbrëmjen

nga terri që përhapet pa ditur përse.

(Pa ditur përse)

Poezia është fryt i fjalëve të shtjelluara në tekstin poetik dhe i gërshetimit të kuptimeve që dalin prej tyre; ajo ekziston dhe fshehet brenda tyre, po në vizionin përfytyrues gjallëron dhe në vezullimat e hënës dhe në dhembjen e atij që jeton në dhembje:

fshehet mes vezullimave të hënës,

në butësinë e lulegurit,

në tingëllimën e paqes, në zemërimin

që e sundon një qiell të kthjellët.

Është shkruar e thënë që poezia

është në dhembje të atij që jeton në dhembje

(Poezia nuk shuhet kurrë)

Heshtja në poezinë e Pistojës ka kuptim të gjerë e të thellë: lidhet me natyrën e artit të fjalës, në këtë rast të poezisë, me natyrën e poetit dhe natyrisht edhe me marrësin dhe me mundësitë e komunikimit dhe të ndikimit që ajo mund të bëjë. Pra, teksti poetik i Pistojës është vetëm nismë dhe nxitës i rrjedhës dhe i shumësisë së mendimeve dhe i komunikimit me lexuesin. Kjo gjë na kujton atë që Wofgang Iser e shprehte me sintagmën vende të zbrazëta të tekstit letrar (Die leerstellen eines literarischen Textes).

Në fjalë, po dhe në heshtje, poeti e kërkon dhe e dëshmon zërin e vet dhe të poezisë së tij: Mua më pëlqen të dëgjoj atë që hesht. Ky qëndrim dhe ky përcaktim përballë heshtjes shprehet në mënyrë të veçantë në poezinë me titull “Kërkoja zërin e heshtjes”:

Kërkoja zërin e heshtjes.

Po gjithçka ishte heshtje.

ose

Nuk e dimë sesa fjalë i ngërthen heshtja,

dhe nuk e dimë se heshtja ka fjalë për të heshtur.

(Misteri i heshtjes)

Ndonjëherë ndodh e kundërta: poeti tërhiqet në heshtje për t’i përjetuar dhe për t’i shprehur gjërat në mënyrën më komplekse e më të thellësishme, ashtu siç ndodhin në botën e tij të brendshme, të ndryshme në krahasim me realitetin e përditshëm: Sa herë heshtja ka qenë strehimorja ime ose Edhe heshtja ka mall për një zë (Mëshira).

Për të dëshmuar se ç’kuptim dhe ç’vlerë ka heshtja në poezinë e këtij autori po sjell fjalët e aktorit e regjisorit të shquar, Sacha Guitry (1885 – 1957), të thëna për Mozart-in (Mocartin): “O privilegje e gjeniut! Kur është dëgjuar një pjesë e Mozartit, heshtja që vazhdon është ende e tij’[11]”.

Heshtja në poezinë e Pistojës përkon dhe me atë që Nëna Tereze thoshte për heshtjen në rrafshin e përshpirtshëm dhe hyjnor: “Sa më shumë që marrin (pranojmë) në lutjen tonë në heshtje, aq më tepër mund të japin në punën tonë[12] [...] Heshtja na jep një vizion të ri të gjërave. Kemi nevojë për këtë heshtje për të mbërritur te shpirtrat. E qenësishme nuk është ajo që ne themi, po ajo që na thotë Zoti e që ai u thotë të tjerëve nëpërmjet nesh. Krishti na pret përherë në heshtje. Na dëgjon në heshtje: në heshtje u flet shpirtrave tanë. Në heshtje mund të dëgjohet zëri i tij. Heshtja e brendshme është shumë e vështirë, por duhet t’i shtojmë përpjekjet që të lutemi. Në këtë heshtje (silentium) zbulojmë një energji të re dhe një bashkim të ri[13] [...] Heshtja bën të mundur ta shikojmë jetën me sy të rinj. Në heshtje jemi të mbushur me energji të vetë Zotit, energji që e bën çdo gjë të gëzueshme[14]”.

Heshtja lidhet dhe me vetminë: Vetmia, ajo e akullt, e pa kërkuar, ajo e heshtjeve të zymta dhe të zbrazëta ose Edhe hija e ka droje vetminë (Je vetëm). Për t’u ndjerë sa më shumë i vetvetes, poeti kur krijon ka nevojë për vetminë, e cila është e ashpër dhe e rëndë si ajo e detit:

Pasqyra nuk i nxjerr në pah shëmbëllimet;

në mua vetmia më e egër se e detit;

nuk më vëren, po më ndjek si dallgë.

(Pasqyra)

Duhet thënë se edhe autori ynë e krijon poezinë në heshtje dhe e ndërlidh me heshtjen, ajo shpreh botën dhe zërin e tij, si mospajtim ose si kundërshtim. Ndonjëherë, poezia për të është edhe klithje:

Është çirrja ime

dhe heshtja ime, paqja ime

dhe vuajtja ime, pemë

që më mban kur, si gjeth

ngadhënjyes, vihem në besim të erës [...]

dallgë midis përroskave.

(Balona ime)

Vargje e tablo poetike të pasura e tronditëse

Qenësinë e poezisë si art Pistoja e shpreh në dy mënyra: nëpërmjet mesazheve poetike që dalin nga teksti dhe nëpërmjet mendimeve për artin e fjalës të shprehura në disa tekste poetike. Mënyra e parë është më kryesore; bën qenësinë e poezisë së tij dhe dëshmohet në përftimin e vargjeve e të pamjeve të mëvetësishme dhe të pasura, qoftë kur bëhen objekt trajtimi dukuri të ndryshme të jetës së njeriut (absurdi, vetmia, lufta si vetërrënim), qoftë kur shqiptohen tundimet e brendshme: pakënaqësia, mospajtimi ose kundërshtimi për atë që ndodh në mjedisin shoqëror ku ai vepron ose që ndodh brenda tij.

Poetin e mirëfilltë Pistoja e përligj kur përfton sidomos pamje poetike tronditëse[15], kur shpreh të pazakonshmen brenda të zakonshmes dhe anasjelltas.

Strategjia e rrëfimit poetik, sidomos kur dukuritë dhe idetë ballafaqohen dhe përplasen në skajshmërinë e tyre, dëshmon mirëfilli aftësinë mendore dhe pasurinë shpirtërore të autorit dhe si të tilla të vënë para mundësive kuptimore të pafund, pra nxitin një komunikim gjallërik (intensiv). Ato nuk përftohen në bazë të ndonjë rregulli ose modeli, po përftohen sipas rimit dhe gjendjes shpirtërore të poetit, të vlimeve që ngjasin brenda tij.

Shpesh poeti e krahason shqetësimin e vet shpirtëror me detin, me dallgët dhe me trazimet që e cilësojnë atë. Herë – herë shpreh gjendjen e brendshme në kufij të rrënimit; atë e trazon mendimi se kush është dhe pse është, një çështje e vjetër sa vetë ekzistimi i jetës së njeriut: Më frikëson / mendimi që nuk e di se kush jam dhe pse jam. Kjo dëshmohet mirëfilli në poezinë “Edhe deti e ka gojën e heshtur”, ku shqiptohet thërrmimi i dritës dhe nata e pashpirt:

Kësaj nate edhe deti e ka gojën e heshtur;

nuk i dëgjoj dallgët dhe psherëtimat, qiellin e detin, një

mantel të vetëm të zi dhe shumë të heshtur, të tejthellë,

qetësi e madhe në një hapësirë pa thërrmime

të dritës. Asgjë. S’dëgjoj asgjë. Natë pa shpirt

e pa hije të kujtimeve, të mendimeve të largëta,

të anktheve të fundit. Asgjë. Asgjë s’dëgjoj.

Zëri im s’ka më tingëllimë; s’kam zë më.

(Edhe deti e ka gojën e heshtur)

Ngjashëm ndodh dhe në këtë pamje poetike për shumëçka të pazakonshme të ndërlidhur me detin, që i vjell dhe plagët dhe tundet në dhimbjen e tij të verbër:

Kush i ndal përpëlitjet e detit! Është vetëm në këtë natë pa hënë, pa qiell, pa yje. Është vetëm ky det i asgjësuar nga thellësitë e veta, që i vjell plagët e veta me tërbim dhe dëshpërim. Është vetëm ky det në dhembjen e tij të verbër. Dhembja është përherë vetëm. Të gjithë i shmangën dhimbjes. Të gjithë të vetmuar në dhimbjen e tyre (Dhimbja e detit).

Si konkretizim po përmend poezinë “Muret qëndrojnë”, ku “parakalojnë” muri i verbër, gurët mbi gurë të vëngër; çimentimi në ferr i poetit dhe frymëmarrja e akullit të shuar; ankthi i pafund; ku poeti ndihet i pafat dhe i humbur, mbetur dhe pa ëndrra (i ka rrjepur ëndrrat), një pamje poetike për shumëçka tronditëse.

Gurë mbi gurë të thepisur e të vëngër;

dhe muri lartësohet i qëndrueshëm dhe i verbër;

dhe tani jam frymëmarrje e akullit të shuar.

Kush më ka çimentuar në këtë ferr?

Kush më detyron ta vesh botën?

Askush. Ndoshta është ndërtimi im,

një përmbushje ime e pafat; me duar

i kam vënë gëlqere dhe ankth;

i kam rrjepur ëndrrat, me egërsi e kam shkelur

të kaluarën time që e kam mbyllur brenda gurëve

të përmbytur.

(Muret qëndrojnë)

Një pamje tjetër poetike për shumëçka të papërsërit-shme, poeti e përfton kur bën fjalë për zbrazëtinë e brend-shme; një zbrazëti e shurdhër ose hënë e zbrazur, përmes së cilës ndërlidhen një varg dukurish të rëndësishme të jetës së njeriut pa marrë parasysh moshën, vendin dhe kohën.

Dua ta mbush hapësirën që kam brenda,

një zbrazëti e shurdhër pa shije e dëshira;

ta mbush me pritje e ta bëj më të thellë,

hënë e zbrazur, det i përmbysur. Më pyet

ç’është kjo hapësirë e mbërthyer e futur

brenda, e të mbesë vetëm hapësirë e zbrazët,

dhomë e pa fund, e shkretë. Fjala ime e zbrazët

bredh e ngatërruar.

(Zbrazëti)

Herë – herë këto pamje poetike të pasura dhe tronditëse, që i cilëson arti i madh, Pistoja i përfton në formën e kontrastit dhe të kundërvënies: mendimet vihen përballë njëri – tjetrit, ose janë në mospajtim ose në kundërshtim të plotë mes tyre. Kjo strategji rrëfimi poetik mundëson shpalimin dhe zbulimin e gjërave në mënyrë më komplekse dhe nxit një komunikim më të gjithanshëm me tekstin, siç ngjet në shembujt që po i sjell në vijim.

Dëgjo, e sheh atë të kuq që i ndez detin dhe malet? Është perëndimi i diellit që nuk perëndon (Dëgjo).

²

Heshtja shtrihet ndërmjet atyre gurëve. Mbeta vetëm që të mundohem midis vështrimeve të varrosura të papranishmëve (Një mbrëmje).

²

Po, jeta,

besëlidhëse më e mirë e vdekjes dhe e harrimit.

(Çka dëshiron të mbes!)

²

Monologun tim më të gjatë

e kam bërë me gojë të qepur,

ndërsa sytë ishin të pikëzuar

tek ti; fjalori im i lotëve

nuk i dinte fjalët.

(Monolog)

²

Dhe ra. Rrëshqiti përgjatë rrugës

gjarpëruese dhe të rrezikshme; qe një rënie e hidhur,

e dhembshme; qielli u hap dhe u shfaq asgjëja,

dhe era mbeti pa frymëmarrje,

dhe yjet ranë në errësirë. U kap

për fije ëndrrash,

dhe mblodhi me duar të çara,

cifla të yjeve,

e bëri guaska të qiellit.

Jeta i buzëqeshi jetës.

(Mblodhi cifla të yjeve)

²

I besoj

këtij mëngjesi të ftohtë

e reve të trazuara të vetmisë,

drurëve të rrënuar nga era e pa këngë,

një guaske,

skulpturë e vogël e bardhë vijëzuar me trëndafil,

kapësja ime besnike e heshtur.

(Rrëmujë)

Kjo shumëllojshmëri dhe veçanti e të shprehurit poetik e ka burimin në botën e brendshme të poetit, që e bën atë të ndryshëm nga të tjerët; aty është vatra e gëzimit dhe e pikëllimit, e qetësisë dhe e tundimit, e dhimbjes dhe e fatkeqësisë.

Në vazhdim po sjell disa vargje me cilësi shprehëse poetike të jashtëzakonshme, që bëjnë shpirtin e poezisë së tij.

“Mos e kërkoni zërin tim. Heshtja është zëri im”; “Asgjë që t’i shtohet kësaj dhimbjeje / pos dhimbjes në heshtje të fjalës”; “Dua ta mbush hapësirën që kam brenda, / një zbrazëti e shurdhër pa shije e dëshira”; “fjalori im i lotëve / nuk i dinte fjalët”; “Në këtë mbrëmje / i kam mbledhur heshtjet në duart e mia, heshtjet e rënda / të qiellit të bardhë”; “Më jep, o Hyji im, / durimin e detit”; “Asgjë s’ka një fillim të ri; / gjithçka ka filluar qysh më parë”; “bar i dehur nga vesa / bukë ende e ngrohtë që avullon midis gishtërinjve”; “dua ta pres litarin e së tashmes sime, / të këtij labirinti që më fundos”; “Është një shtegtim, i yni, pa gjurmë, / një shkulm i erës midis rrëpirave të një përroi”; “Në pluhur / ëndrrat të dhunuara”; “Buzëqeshja e tokës u jep dritë yjeve”; (u besoj) “reve të trazuara të vetmisë, / drurëve të rrënuar nga era e pa këngë”; “çka dimë ne për trëndafilat, nëse janë / vuajtje në erë ose puthje në diell të mëngjesit”; “Në sytë e mi ëndrra jote”; Në gjumin tënd më përkundte gjumi”.

Duhet përmendur dhe faktin se në poezinë e Pistojës dukuritë shprehen dhe përmes një përmase të dyshimit, gjë që ka karakter nxitës, motivues: kërkimin e asaj që heq më shumë peshë, asaj që i afrohet më shumë qenësisë, të mundshmes, gjakim i përhershëm i poetit të mirëfilltë. Kjo mënyrë e përftimit të rrëfimit poetik ndërlidhet dhe me të shprehurit kontrastik, që u përmend më parë.

Nga fëmijëria jonë nuk humbet asgjë

edhe pse gjithçka është e humbur.

(Fëmijëria)

²

Të kam parë, vogëlush, duke i zgurdulluar sytë,

duke ndjekur vallen e çmendur të fluturës

që luante me fytyrën tënde në qiell

(Çaste)

²

Janë marrëzuar lulet e saj

për t’i ngjyrosur ditët e mia

(Bima e vogël)

²

Shqiptimi poetik i dukurive paraqet qenësinë e ekzistimit dhe të ndikimit të artit të fjalës (natyrisht dhe komunikimi poetik) dhe ku poeti e mbërrin këtë në shkallë të lartësuar, superiore. Së këndejmi mund të thuhet se me vlerat që e cilësojnë poezinë e tij, të ndriçuar këtu përmes disa përbërësve, Xhovani Pistoja hyn në radhën e poetëve më të mirë italianë të kohës sonë.

Po e mbyll këtë Parathënie me mendimin e nobelistit peruan, Mario Vargas Llosa: “[...] në thellësi të vet një shkrimtar e ndien se të shkruarit është gjëja më e mirë që i ka ndodhur apo mund t’i ndodhë ndonjëherë në jetë, sepse për të, të shkruarit është mënyra më e mirë e të jetuarit[16]”.

Xhovani Pistoja është një shembull i mirëfilltë i këtij veprimi, sa të rëndësishëm aq dhe të mrekullueshëm.

ANTON NIKË BERISHA

Universiteti i Kalabrisë


[1] Në fillim të vëllimit në dorëshkrim “Dhembje në heshtjen e fjalëve” (Dolore nel silenzio delle parole), që së shpejti do të shohë dritën e botimit, Xhovani Pistoja ka vënë tri mendime për fjalën dhe rëndësinë e saj (dy mendime nga veprat e Shekspirit dhe një nga Rose Ausländer), që përligjin mirëfilli qëllimin dhe synimin e tij: fjalët poetike, përmes të cilave përftohet teksti dhe nga dalin mesazhet poetike dhe kushtëzohet komunikimi, janë përcaktueset e vlerës së secilit krijim letrar.

[2] Jan Parandovski, Alhemija re?i. „Kultura“, Beograd 1964, f. 129.

[3] Poezitë për këtë vëllim i zgjodha nga këto përmbledhje: La sfida. Poesie in compagnia. Youcanprint Seft-Publishing, Tricase (LE) 2014; La memoria e la fionda. Parole scritte a bassa voce. Prosa e poesia. Youcanprint Seft-Publishing, Tricase (LE) 2015; Parole d’acqua e di vento. Youcanprint Seft-Publishing, Tricase (LE) 2015; Dolore nel silenzio della parola, 2016. Manoscritto, f. 1 – 159.

[4] Shih Zdenko Škreb, Osnovni pojmovi poetike. (U povijesnom slijedu). Në „Uvod u knjižnosti“. Drugo dop. izdanje. „Znanje“, Zagreb 1969, f. 227.

Të gjitha përkthimet nga italishjta, gjermanishtj, kroatishja dhe serbishtja, nëse nuk përmendet përkthyesi, janë të autorit të punimit.

[5] Shih Giovanni Pistoia, La memoria e la fionda. Parole scritte a bassa voce. Prosa e poesia. Youcanprint Self- Publishing, Tricase, 2015, f. 66.

[6] Në Ungjillin sipas Gjonit thuhet: Në fillim ishte Fjala / e Fjala ishte në Hyjin / e Fjala ishte Hyj…/ Prej saj u bë çdo gjë (Gv 1, 1 – 3).

Librin egjiptian të të vdekurve Toti, prijësi i qiellit, i tokën dhe i nëntokës, krijuesi i jetës dhe i të gjitha kombeve, thotë: “I dhashë frymë (ajër) atij që qe në vendin e fshehtë me anë të fuqisë së fjalëve magjike të ligjërimit tim, dhe Ozirisi ngadhënjeu mbi armiqtë”. Shih Libri egjiptian i të vdekurve. Përktheu Azem Qazimi. Botim Zenit 2011, f. 69.

[7] Letër Atë Pal Dodajt, 1910, dorëshkr. it. Shih Fishta, “Estetikë e kritikë”. Antologji përgatitur nga Persida Asllani. “Hylli i dritës” & Shtëpia e librit. Tiranë 1999, f. 44 – 45.

[8] J. M. Lotman, Struktura umetni?kog teksta. “Nolit”, Beograd 1976, f. 44.

[9] Chouraqui A., Il Cantico dei cantici e introduzione ai Salmi. Prefazioni di A. Neher, R. Voillaume, J. Ellud. Traduzione dal francese di Vittorio Burattini. Città Nuova Editrice, Roma 1980, f. 46.

[10] René Wellek, Austin Warren, Teoria della letteratura. Società editrice il Mulino, Bologna 1999, f. 233.

[11] Gianfranco Ravasi, Il cantico dei Cantici. Commento e attualizzazione. Edizioni Dehoniane Bologna, 2007, f. 863.

[12] Madre Teresa, La mia regola. Fabbri editori. Sulla collana I classici dello spirito. R. C. S. Libri S.p.A., Milano 1997, f. 111.

[13] Cituar sipas Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano, 2003, f. 91. Shih origjinalin: La alegría de darse a los demás, a cura di José Luis Gonzáles Balado, Madrid, 1981, f. 147.

[14] Kathryn Spink, Madre Teresa. Una vita straordinaria. Edizione Piemme, Casale Monferrato, 2003, f. 102.

[15] Pamje tronditëse e cilësojnë dhe poezinë e Martin Camajt. Shih për këtë studimin tim Vepra letrare e Martin Camajt. Monografi. Botimi i tretë. Botimet Princi, Tiranë 2010, sidomos f. 46 – 58.

[16] Mario Vargas Llosa, Letra një shkrimtari të ri. Përktheu: Engjëllushe Shqarri. Onufri, Tiranë 2008, f. 8.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora