Kulturë
Kujtim Mateli: Një tufë shqiponjash shkupiane homazh në Varrezat e Çamërisë
E hene, 20.08.2018, 04:40 PM
Një tufë shqiponjash shkupiane homazh në
Varrezat e Çamërisë
(Koment i poezisë “Në Vërvë të Çamërisë” i poetit Sami Sherifi)
Nga Kujtim Mateli
Një grup shkrimtarësh, artistësh dhe atdhetarësh nga Shkupi, bënë në mesin e këtij gushti, një vizitë në Kllogjer të Konispolit ku ngrihen varrezat e të rënëve shqiptarë nga krahina e Çamërisë përgjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar dhe sidomos viktimat e Luftës së Dytë Botërore. Midis atyre pjesëmarrësve është dhe poeti shkupian Sami Sherifi. Poeti e përjeton dhimbjen shumëfish, e përjeton atë shpirtërisht për një kohë më të gjatë. Pastaj dhimbja formësohet artistikisht. Kështu ka ndodhur dhe me poetin shkupian gjatë qëndrimit në Vërvë. Shpirti i tij krijues nxori një nga poezitë më të arrira kushtuar Çamërisë, titulluar “Në Vërvë të Çamërisë”.
1
Poeti e fillon poezinë duke iu drejtuar të pranishmve në atë udhëtim, por dhe
lexuesve që pavarësisht se mund t`i kenë vizituar ato varreza ose jo, e dinë që
në atë hapësirë me emrin Çamëri, toka është e përgjakur deri në ekstrem, madje
dhe majat e maleve. Për të treguar se genocidi grek mbi popullsinë çame nuk ka
lënë pëllëmbë të pa gjakosur të kësaj toke, e fillon me vargjet:
“ I shihni këto male të larta?
Janë male të përgjakura,
Vargmale Çamërie
Të ndara me shpatë ”.
Po pse poeti u drejtohet të pranishmëve në atë udhëtim, por edhe lexuesve, duke
u treguar malet e larta që vijnë nga thellësia e tokës çame? Kjo edhe për arsyen se malet kanë qenë
për shqiptarët vatra e ekzistencës së tij. Në luftë me armiqtë, malet kanë qenë
kështjella e fundit që mund të dorëzohej. Tashmë dhe malet ishin të përgjakura,
që do të thotë se kështjella e fundit e mbrojtjes së tyre kishte rënë dhe të vrarët
prehen në ndonjë shpat mali a në
ndonjë degë lumi që ende vajton vdekjen
e tyre.
Këto male kanë një emër: janë vargmale Çamërie. Këto vargmale fillojnë në thellësi të vendit, në jug të këtyre varrezave, në atë truall që quhet Çamëri. Këtu fillon dhe tragjedia. Ndërsa të zotët e kësaj hapësire që quhet Çamërie janë ose të përzënë, ose të mbetur pa varre, të tjerë janë bërë zotër të saj. Autori na thotë se këto male nuk janë si më parë, në vazhdimësinë e tyre të dikurshme, por janë të ndara me shpatë, çfarë të kujton copëtimin e trojeve shqiptare nga fuqitë evropiane duke filluar që me Kongresin e Berlinit dhe në vazhdim. Kemi në vargjet e mësipërm një tragjedi njerëzore: çdo pëllëmbë e tokës çame është e larë me gjak. Kemi dhe një tragjedi për të mbijetuarit e asaj masakre çnjerëzore: nuk mund të kthehen dot në mënyrë të ligjshme në truallin e tyre
2
Poeti i vështron këto male dhe në aspektin e krijimit të tyre. Janë male që
janë krijuar nga thellësia e kësaj toke në të cilën jetojmë, nga magma që
shpërtheu dikur nga brendësia e planetit:
“Male me gurë magme,
Gur
Që vatra e kështjella ngritëm”.
Malet dhe vetë çami janë të
lidhur pazgjidhshmërisht midis tyre. Ashtu si këto male ruajnë origjinën e tyre
nga magma e tokës dhe që koha nuk ka për t`i tjetërsuar kurrë, ashtu dhe vetë
kjo tokë që lindi nga gjiri i vet çamin, në këtë hapësirë që quhet Çamëri, nuk
mundet kush të ndërrojë identitetin e banorëve që kjo tokë i ka lindur. Kjo
tokë do të quhet Çamëri dhe banori i saj, në jetë të jetëve do të quhet çam. Me
këta gurë, në rrjedhë të historisë, janë ngritur shtëpi çame, të cilat e kanë
zanafillën që në fillimet e jetës njerëzore mbi tokë, u ngritën kështjella, se
armiq të shumtë i lakmuan trojet e saj. Aq sa mund të tjetërsohen këta male të
lartë të Çamërisë, aq mund të tjetërsohet historia e tyre. Janë dhe do të
mbeten male me histori çame. Mjerë ai njeri që hesht, kur dikush guxon të
ndryshojë historinë. Kjo histori do të mbetet e patjetërsuar, se e mbrojnë të
gjallët dhe të rënët e kësaj toke, e mbrojnë bijtë e saj, e mbrojnë shqiptarët
kudo që janë, e mbrojnë dhe këto shqiponja shkupiane që kanë zbritur këto ditë
në tokën e Çamërisë dhe nderojnë kujtimin e të vrarëve.
3
Kjo tokë që quhet Çamëri, është pjesë e pandashme e atdheut tonë. Aq sa mund të
ndahet një pëllëmbë njeriu në dy pjesë dhe të rrojë në dy qënie të ndryshme
njerëzore, aq mund të ndahet dhe të qëndrojë në dy pjesë të ndryshme toka çame:
“E shihni këtë pëllëmbë të përgjakur
atdheu,
Të stërpikur me ofkëllima nënash
E lot fëmijësh?
Kjo është Çamëria,
Plagë
Që ndër vite
Në vargun tim e ndjej”.
Çamëria është pëllëmba e
përgjakur e trojeve shqiptare. Pëllëmbë që mban fort historinë me ofkëllima
nënash për bijtë e vrarë, për bijtë e përzënë me forcë nga toka stërgjyshore.
Kjo pëllëmbë e përgjakur e atdheut mban fort lotët e fëmijve me prindër të
vrarë. Kjo është Çamëria, plagë e pambyllur. E copëtuar nga të huajtë, por jo e
ndarë nga zemrat e shqiptarëve. Ajo rreh fort në çdo zemër si çdo pjesë tjetër
e atdheut.
Pse e kemi ende këtë pjesë të atdheut me
plagë, ndaj edhe zemra rënkon. Pse e kemi këtë pjesë të atdheut me thirrje
nënash që kërkojnë bijtë e vrarë, ndaj dhe pesha e dhimbjes mbartet në poezi
dhe vargje. Pse e kemi këtë pjesë të atdheut
me lotë fëmijësh e klithje foshnjash në krahun e nënës, ndaj dhe ankthi
na zgjon në mugëtirën e mëngjesit. Duhet bërë më shumë që ofkëllimat e nënave
të pushojnë. Duhet bërë më shumë që të pushojnë lotët e fëmijëve. Duhet bërë më
shumë që vargjet të mos e ndiejnë peshën e dhimbjes. Kur çështja çame të shkojë
në kornizat e zgjidhjes, atëherë të gjithë do të jemi më të qetë. Koha i kërkon
secilit prej nesh që asnjë të mos qëndrojë indiferent. Miliona duar të
bashkuara e bëjnë më të lehtë edhe dhimbjen, edhe ZGJIDHJEN.
4
Çamëria endet e mjegullt në kancelaritë evropiane. Ende do të vazhdojë kështu, kjo krahinë e ndarë nga trojet e trungut Amë?! Ende do të vazhdojë të udhëtojë me lotin e patharë të nënave çame?! Pse heshtet e nuk thuhet një fjalë nga institucionet evropiane të kohëve moderne? Ende do të vazhdojnë çamët ta shohin Çamërinë nga larg, nga gjymtyrët e prera padrejtësisht nga kjo pikë e Konispolit? Shumë pyetje e mundojnë poetin dhe shumë ëndrra ecin në kufijtë e fjalës së pathënë:
“Fjalë e pathënë
E betim i ngritur mbi flamur
Këtu në Shtëpinë e Paqes,
Në Vërvë të Konispolit”.
Çamëria nuk është vetëm një fjalë e pathënë për institucionet evropiane. Çamëria është një fjalë e pathënë edhe për vetë shqiptarët. Çamëria është një fjalë e pathënë edhe për vetë poetin. Jemi në kohën kur fjala për Çamërinë duhet të marrë gjithë dimensionin e saj politik e juridik. Kjo do të thotë angazhim i ri, i ngritur në formën më të lartë. Çamëria është betim. Nuk është një betim i çfarëdoshëm. Është betim i ngritur në formën më të lartë, betim i ngritur mbi flamur. Që do të thotë se është betim i bërë nga gjithë shqiptarët e trojeve tona. Është betim nga shqiptarët kudo që ata ndodhen. Është betim dhe i shqiptarëve që jetojnë në Diasporë.
Dy vargjet e parë: “Fjalë e pathënë/ E betim i ngritur mbi flamur”, tregojnë angazhimin qytetar të poetit për zgjidhjen e çështjes çame. Kjo zgjidhje nuk bëhet këtu në Kllogjer të Konispolit. As në Vërvë ku poeti thuri këto vargje të mrekullueshme për të rënët e Çamërisë. Kjo zgjidhje është larg përdorimit të forcës. Dy vargjet e parë shoqërohen nga dy të tjerët që përmbyllin jo vetëm poezinë, por tregojnë edhe se si shqiptarët do ta zgjidhin çështjen çame. Jemi në këtë perlë natyrore në jug të Shqipërisë, por dhe në një perlë tjetër, atë të shpirtit njerëzor. Jemi: “Këtu në Shtëpinë e Paqes/ Në Vërvë të Konispolit”. Pamjes së vargjeve të fillimit ku dhe natyra e ndien dhimbjen çame, ku dhe natyra i pasqyron pamjet e gjakut të derdhur mbi gurët e maleve të Çamërisë, i vihet një tjetër pamje madhështore nga vetë shpirti i shqiptarit. Pavarësisht genocidit çam, pavarësisht gjakderdhjes, këtu, në këtë pjesë Jugore të trojeve shqiptare, ndodhemi në Shtëpinë e Paqes. Kjo tregon maturi të shqiptarit në zgjidhjen e çështjeve thelbësore të kombit të tij, tregon besim në Institucionet e Evropës së Bashkuar që do t`i japin një zgjidhje paqësore Çështjes Çame, si vetë natyra e shqiptarit që rrezaton miqësi dhe dashuri në marrëdhëniet me fqinjët dhe mes popujve të tjerë të Botës.