Kulturë
Eshref Ymeri: Bota e Qazim Shehut në vargje
E marte, 14.08.2018, 07:50 PM
Bota
e Qazim D. Shehut në vargjet poetike
Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri
Një figurë e njohur e letrave shqipe, si Qazim D. Shehu, ka kohë që ka hyrë në vaktin e pjekurisë poetike. Ky poet ka një zë origjinal, ndaj dhe ndjek shtigjet e veta të krijimtarisë, duke iu shmangur me elegancë përditshmërisë.
Përmes përjetimeve dhe mbresave personale, ky poet i talentuar arrin të zbërthejë thelbin e kategorive të larta morale të së mirës, të bukurisë, të natyrës dhe të peshës që duhet të ketë njeriu në jetë.
Origjinalitetin e këndvështrimit poetik të Qazim D. Shehut lexuesi mund ta kundrojë me hollësi në nivelin e motiveve kryesore të lirikës së tij. Motivi është një komponent i qëndrueshëm i krijimtarisë së tij artistike. Në poezinë e tij, si motive kryesore janë motivet e romantikës së dashurisë, të bukurisë së natyrës, të marrëdhënieve të njeriut me natyrën dhe, përgjithësisht, motivet qytetare. Në të bie në sy hijeshia realiste e ligjërimit poetik dhe magjia e strukturimit të vargut. Natyrshmëria e rendit të fjalëve përcjell plot delikatesë intonacionin e frymëzimit të tij poetik.
Ligjërimi poetik i Qazim D. Shehut të bën përshtypje për forcën shprehëse, të cilën ia japin mjetet artistike, figurat që ai di t’i organizojë me art.
Njerëzit e letrave, si askush tjetër, janë vëzhgues tepër mendjemprehtë të skenave të jetës së përditshme. Prandaj edhe prapësitë që vihen re në ato skena nuk mund të mos ngjallin brengat e poetit që derdhen në vargje:
Një urë u shemb, një autobus ra,
Sa ura të shembura historia jonë ka?
Historia pak rrugë na la,
Ministra dhe pushtues - njësoj ata.
Gurmaz më të gjatë paskan pasur
Se sonda për te Ferri i Dantes.
Poeti flet me gjuhën e zemrës, ai derdh në vargje fjalët që i burojnë nga honet e shpirtit. Mendimi dhe fjala në ligjërimin e tij janë në unitet artistik.
Jeta urbane mbjell trishtim në shpirtin e poetit. Shqetësimi i tij shkrihet me revoltën qytetare të artistëve të skenës që me kohë kanë marrë në dorë armën e artit dhe janë ngritur në mbrojtje të hapësirave publike, të cilat babëzia pushtetare kërkon t’i pushtojë për interesat e veta dhe të kastës oligarkike.
Ndaj poeti shpërthen me mllef artistik:
Pallate përballë njëri-tjetrit,
Ashensorë që prishen shpesh,
Nga një ballkon te tjetri
Mund të kërcesh…
Njeriu natyrën ka përzënë,
Sikterisur si armike,
Njeriun mendtë e kanë lënë
Në jetën e tij nevrike…
Me thjeshtësinë dhe çiltërsinë e një fëmije, poeti derdh në letër shqetësimet e zemrës. Ai e ka të pamundur të mos e thotë atë që mendon. Prandaj në vargjet e tij nuk kanë vend fjalët me poza dhe me dy kuptime. E tillë është poezia e tij, sepse i tillë është karakteri i tij. Me gjithë larminë e natyrshme të të kuptuarit të së vërtetës, prapëseprapë duhet thënë se poeti njeh dhe pranon vetëm kultin e saj. Kësisoj poeti, me artin e fjalës artistike, i mëson lexuesit të ndjekin vetëm rrugën e së vërtetës, të mësojnë se si ta dallojnë atë dhe se si ta pastrojnë nga ndotjet e njerëzve të pushtetshëm. Poeti Qazim D. Shehu vepron kësisoj, sepse është i bindur se me forcën e fjalës artistike ai mundohet të arrijë pikësynimin kryesor që i ka vënë vetes, si njeri i letrave: ruajtjen e shëndetit moral të njerëzve, në mënyrë që shpirtrat e tyre të mos i prekin të ligat e kohës dhe ndërgjegjja e tyre të mbetet e pastër.
Thjeshtësia e vargjeve
poetike të Qazim D. Shehut mbart në vetvete edhe një tjetër kuptim me një
domethënie tepër të thellë: në vitet 1990-1991, në vendin tonë nuk u përmbys
sistemi totalitar. Përkundrazi. Ai sistem totalitar thjesht u zëvendësua me një
sistem neototalitar, por tashmë në kushtet e ekonomisë së tregut, të cilin e
kemi të pranishëm në vatrat tona edhe sot e gjithë ditën. Por, në dallim nga
sistemi totalitar i vrasjeve, i internimeve, i burgimeve dhe i përndjekjeve
politike, sistemi neototalitar është sistemi i mbjelljes së varfërisë në radhët
e pjesës dërrmuese të popullit shqiptar, një varfëri e pamëshirshme kjo, e cila
ka vite që atij po i imponohet nëpërmjet pushtetit të urisë. Prandaj poeti me
edukatë të shëndoshë qytetare rri e ofshan përmes vargjeve të tij plot
bubullimë:
Historia jonë ndreqet,
Sa herë vjen më i forti,
E njëjta xhaketë mbeti,
U kthye vetëm stofi.
Gjuha e komunikimit të poetit me lexuesin është e thjeshtë, e gjallë, e stilit bisedor. Një gjë e tillë vlen të theksohet edhe më tepër, meqenëse materiali poetik i vargjeve të tij është një shembull mbresëlënës se si duhet të ruhet pastërtia e gjuhës sonë amtare, të cilën po e dyndin ca shtampa gazetareske, ca kancelarizma dhe ca terma të huaj politikanësh që vijnë e shtohen përmes mjeteve të informimit masiv.
Këto mbresa që pata nga krijimtaria e poetit Qazim D. Shehu dhe që i ndava me lexuesit e nderuar të faqeve të internetit, i nxora nga vëllimi i tij i fundit me titull “Krahë përmallimi”, një vëllim ky, të cilin Shtëpia Botuese “Ermal” e ka nxjerrë nga shtypi dhe e ka hedhur në qarkullim këtë vit dhe mua më ra në dorë ca kohë më parë.