E hene, 29.04.2024, 06:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Andrea dhe Helena (9)

E enjte, 16.08.2018, 06:57 PM


ANDREA  DHE HELENA-8

Novelë nga Resmi Osmani

Vijimi

29

Mbreti Robert , pas luftës dhe fitores  në Piemonte,me kërkesën dhe bekimin e papa Benediktit XII, ia lejoi vetes luksin e një pushimi javor me gjueti. Java kaloi dhe mbreti me shpurën e fisnikëve dhe oborrtarëve që e shoqëronin, u kthye në Napoli pas një udhëtimi që zgjati gjithë ditën . i lodhur, por i gjallëruar pas gjuetisë  në pyjet e virgjëra të  Abrucos së Molizes, të pasura me gjah,dha porosi t’i bënin gati banjën.Ngrohtësia e ujit dhe avulli, fërkimi i trupit me shparcë,  ia hoqi lodhjen si me dorë. Sido që i kishte mbushur të gjashtëdhjet e pesat, e ishte rënduar ca nga shëndeti i tepërt, ndjehej mirë. Shërbenjësi personal ia lyeu trupin me vajra erëmira dhe e veshi. Shkoi fill e në kabinet dhe u ul në tryezën e punës. Pas asaj jave, të kaluar mes pyjeve, vrapimeve të çmendura të kuajve në ndjekje të gjahut, lehjes së lukunisë së langonjve,ushtimave të brirëve, uljes rreth zjarrit ku piqej mishi në prush me atë aromën e pashoqe, freskisë së  netëve, kaltërsisë së qiellit stolisur me yje dhe dritës së hënës, niste sërish mërzia e punëve të shtetit. Porositi ti sillnin postën. Gjatë kohës që kishte munguar letrat ishin bërë  pirg.

I tërhoqi vëmendjen njëra që vinte nga Durrësi. E dërgonte i nipi, princi Luigj. E njoftonte për gjendjen e punëve në “Mbretërinë shqiptare”,rrezikun nga kërcënimi serb, pastaj bënte fjalë për kontin Andrea Topia.Pavarësisht se i kishte shpëtuar jetën në betejën e Zetës,nuk mund të mos vinte në dijeni mbretin për shënjat e rebelimit dhe mosbindjes se kontit.Në letër ato përmendeshin rast pas rasti, por ajo që ngjallte më shumë dyshime, ishte ndërtimi i dy porteve  të fortifikuara, në kepin e Rodonit në veri të Durrësit dhe kepin e Melit në jug të tij. Në Rodon ishte edhe një kantier i ndërtimit të  anijeve për flotiljen e principatës së Arbrit.Po të llogaritej edhe prapatoka e Durrësit, qyteti ishte në darën e rrethimit. Pushtimi i qytetit dhe zotërimi i tij ishte një ëndërr e kahershme e arbrorëve. Priste udhëzimet e mbretit se si duhej të vepronte.

Letra e vuri në mendime mbretin. Kishte tridhjet vjet që mbretëronte.Një nga mbretërit më të fuqishëm e të pushtetshëm të Siujdhesës Itlike, që të tjerëve emir i tij u shtinte drithmat! Mbuluar me lavdinë dhe kurorat e dafinave të fitoreve, beniamin i papëve. i vetmi dështim dhe turpërim ishte ai i së bijës.Por përveç lavdisë, famës, pushtetit dhe nderimit, fati ishte rrëfyer mizor dhe rrënues me familjen mbretërore dhe trashëgimin e pritshëm të fronit. Pas vdekjes së mbretëreshës së ndjerë Jolandës, mbetën prej saj dy djemtë. Princi Karlo, duka i kalabrisë, që premtonte aq shumë, u shua  në lule të moshës:  tridhjet e një vjeç. Ai la dy vjzat: Maria di Kalabria ,që vdiq ende çupelinë tetë vjeçe. Jetonte mbesa tjetër Xhovana d’Anzhu, tashmë trembëdhjetë vjeçe, e vetmja shpresë trashëgimtare e mbretërisë. Djali tjetër, Luixhi, vdiq ende pa mbushur dhjetë vjeç. Mbretëresha Sança qëlloi beronjë, nuk lindi fëmijë. Fati dinte edhe të tallej e zgërdhihej. Në bregun lindor të Adriatikut,Helena d’Anzhu, pas martesës së turpshme , kundër dëshirës së atit, kishte lindur dy djem! Të parit, si për ta joshur, por që ai e mori si sfidë, kishin patur paturpësinë t’i vinin emrin e gjyshit të lavdishëm Karl. O ironi e hidhur e jetës! Vdekja rrëmbente fëmijët e tij, në venat e të cilëve rridhte  gjaku mbretëror dinastik i disa brezave dhe rrezikonte vijimësinë e trashëgimisë, teksa në bregun matanë, e bija shtonte meshkujt e një dere  tëpavlerë, plebejase, vasalë të tij, varfanjakë e patrashëgimi, pale që kishte edhe guximin të rebelohej! Të ishte vallë ky një mallkim, që po e paguante ai? E la letrën mënjanë. U ngrit dhe filloi ecejaket në kabinet. I dukej se lëvizjet do t’I kthjellonin mendimet dhe psetë që i përsilleshin qyshkur e papra në mënt si një mjegullimë e muzgët, për të gjetur shtegun e daljes dhe për të dhënë një përgjigje.Edhe pse kishin kaluar shumë vite, dhe dukej se plaga kishte zënë dregëz, në të dy anët e peshores së vetëdijes së tij, ishin vënë turpi dhe nderi, dy të kundërta që s’mund të rrinë bashkë e që s’kishin të njëjtën peshë. Pesha e turpit ishte e rëndë si plumbi. Që nderi mbretëror të vihej në vend, ai turp duhej të ishte larë prej kohësh me gjak!Nuk u bë, por nuk u harrua.

Thirri kancelarin:

-Harto një letër,për bijën tonë, princeshën Helenë dhe bashkjetuesin e saj, kontin Andrea Topia. I shkruaj se na ka pikur malli, na është zbutur zemra,koha ka zbutur helmin e zemërimit, se atë gabim të rinisë ne ja kemi falur. E presim që në rastin më të parë të vijnë në Napoli, me gjithë fëmijët, të pajtohemi e të çmallemi. Shkruaje, ma sill ta firmos e vulos dhe nise për në durrës, që mëkëmbësi ynë t’ua japë dorazi.

-Si të urdhëroni ju madhëri!

30

Polemi buiste plyma-plyma nga rrethinat e anëdetit dhe mblidhej në kepin e Rodonit rreth rrafshit të pjerrët me dërrasa të trasha që mbahej mbi trarë të ngulur në det.Mbi të, veliera dy direkëshe, flakë e re, formëbukur, me bash të ngritur si qafë mjellme dhe kiçin e rrumbullt,që binte era rrëshirë,me velat e kaltra të varura në direkë ishte gati për tu lëshuar në ujë. Në njerin nga direkët, fërgëllonte nga era flamuri me luanin e stemës së topiajve. Kaltersi qiellore, dritë e artë diellore, fllad me njelmësinë e ujit të detit, pasqyra e ndritur e detit  pa fund e anë, gazmend në pamjen e gjindjes. Flotiljes po i shtohej  edhe një anije e re.

Andrea dhe Helena,pamjeqeshur e disi të paduruar në pritje të asaj qe do të nfodhte, ishin në ballë, bashkë me dy djemtë Karlin dhe Gjergjin e në shoqërinë e dinjitarëe e fisnikërisë arbërore. Pas tyre gjindja për sehir e berihaj.Papritur ra heshtja.  Meshtari i Krujës, dom Pashku me pamje të shënjtëruar, si një patriark,  krejt i zbardhur nga thinjat, duke mbajtur me njerën dorë temjanicën, që çlironte tymin aromatik kalterosh,  bëri tri herë kryqin, e sperkati velierën me ujë të bekuar dhe bashkë me të tjerët shqiptoi, me zë të plotë e të ngadaltë lutjen aq të njohur “Ati ynë”., pastaj, me sytë drejt qiellit, ku ishte froni i Zotit, iu lut për mbrothësinë dhe mbarësinë e Arbërisë.Erdhi çasti i shumëpritur.Detarët zgjidhën litarët dhe i vunë krahët e shtynë me gjithë fuqinë kiçin duke thirrur “O,oooo, op, burra”. Veliera nisi të rrëshqasë mbi rulat e dunjtë posht kallumës, sefte ngadalë pastaj më me vrull, bashi hyri në ujë pastaj,  dal e dale, gjithë trupi i anijes u zhyt në det. Në ujë u ngritën stërkala të shkumëzuara.Brohoritje dhe duartrokitje.Hodhën një urë nga dërrasa që lidhi bankinën me fajkën e anijes. Të parët kaluan kapedani dhe detarët ulqinakë, pas tyre Andrea dhe Helena me të dy djemtë dhe fisnikë e pleqësia e Krujës. Detarët ulën velat që sakaq u frynë e gjallëruan nga era e mbarë. Dikush u dha të dy djemve nga një pëllumb të bardhë. Sapo anija nisi rrëshqitjen mbi ujë ata u dhanë liri pëllumbave, që flatruan me vërtik nëkaltërsi drejt bregut për në krujë. Andrea priti urimet, pastaj shëtiti nëpër kuvertë dhe zbriti në hambar, ku shqyrtoj dhomëzën e pajisur me gjithçka duhej për një udhëtim të gjatë. Dolën sërish në kuvertë. Ishte bukur.

Anija kishte marrë drejtimin në det të hapur për nga veriu. O ç’ditë! Diell i zjarrtë, qielli i kaltër, i bruzët, me ca re të rralla si bashkë leshi të çepkatura, anët e të cilave ndrinin nga  drita e flakëruar e rrezeve diellore. Drita derdhej mbi gjoksin madhështor të detit që frymëmerrte me ritmin e dallgëve dhe u jepte shkëlqim  e feksje si mijëra pasqyra që vraponin, thërrmoheshin dhe rilindnin mrekullisht.Prapa anijes, hapej hullia e shkumëzuar që sakaq mbyllej nga turrja  e rrymave anësore të ujrave. Prapa anijes, një trumbë pulëbardhash fluturonin duke ciatur dhe  ndonjera zhytej pingul në kërkim të gjahut të saj. Helena ndjehej mrekullisht mirë në kuvertën e anijes së re. Flladi luante me krelat e arta të flokëve të saj dhe me palat e fustanit të mëndafshtë ngjyrë qumshti. Ndjehej e lumtur. I kishte marrë dorën Andreas në të sajën. Ndjente ngrohtësinë  që i përçohej  në trajtën e një rryme jetdhënëse të magjishme  dhe  bënte t’i gurgullonin në qënien e saj, ato ndjenja dashurore si në ditën e parë kur ishin parë, por tashmë, pas këtij rrugëtimi të përbashkët në vite, më të qeta e të përmbajtura, por njësoj ngazëllyese. E pa drejt e në sy: Andrea, i bukur, i mirë, i dashur, i mënçur dhe trim, që fati bujar ia kishte nxjerrë para në udhkryqin e jetës. Ishte i saj, përjetësisht vetëm i saj, dhe ajo ishte e tij. Kuptoi që ajo rronte vetëm për të. Vitet shkonin , dashuria mbetej, se dashuria nuk ka moshë, ajo buron nga shpirti dhe shpirti është i ri dhe i perjetshëm.

-Andrea,

-Po

-Desha të të them diçka.

-Thuaje.

-Jo, lere fare.

-E di ç’do të më thuash, moj lulja ime.

- Ja fut kot!

-Që më do shumë!

-Ah, ti!-

Ajo iu var në krah dhe iu mbështet në gjoksin e gjerë.Andrea ndjeu të rrahurat e zemrës së saj dhe atë parfumin e lehtë me aromë jasemini përzier me njelmësinë e flladit të detit. E donte me shpirt Helenën, ajo ishte bukuria , lumturia dhe kuptimi i jetës së tij.

Andrea krodhi vështrimin në sytë e dashur. Ishin të thellë si deti, të kthiellët si qielli. Kjo ishte dashuria. Ishte një mrekulli e jetës!Te ajo  edhe çdo vogëlimë, ishte e kujdesëshme dhe e bukur, sepse ajo mendonte që vogëlimat përbëjnë kuptimin e jetës.

Kur bregu humbi nga pamja dhe qielli në horizont u puq me sterenë, Andrea urdhëroi të ktheheshin. Detarët manovruan velat dhe timonieri mori butë kthesën për drejt bregut në kepin e Rodonit.

Kur u kthyen në Krujë,oficeri i paradhomës së kabinetit i bëri me dije se mbi tryezën e punës i kishin lënë një letër që vinte nga mbreti i Napolit.

Andrea hapi tubin e bakrit.Rrotulla e letrës ishte lidhur me gajtan dhe e vulosur me dyllë të kuq. E hapi. Letra ishte e shkurtër dhe e nënshkruar dhe vulosur nga mbreti Robert. Andrea  e lexoi dhe s’u besoj syve. E lexoi përsëdyti, për sëtreti. Të ishte e vërtetë?

Me letrën në dorë shkoi në odën e Helenës dhe pa fjalë,  i dha letrën. Ajo, pa e pyetur nisi ta lexojë. Andrea s’ia shqiste sytë nga fytyra. Në fillim habi, si të mos u besonte syve, pastaj shtangie, ngurtësim pa lëvizur asnjë muskul në fytyrë, më pas hutimi u pasqyrua në sytë dhe buzëqeshjen enigmatike të cepave të buzëve .Me duart që i dridheshin e uli letrën mbi tryezën e ultë të tualetit të saj, pastaj si ti ishin shkrehur gjymtyrët , psherëtiu dhe fuqiprerë u ul në divan.

Andrea s’ja shqiste sytë. Priste një përgjigje.

Letra ishte hartuar me stilin e fryrë të kancelerisë mbretërore, që të  bënte të pranoje madhështinë e dërguesit dhe ti bindeshe kërkesës. “Ne,Robert d’Anzhu me hirin dhe bekimin e Zotit, MBret i Napolit dhe Siçilisë(Vijonin gjithë titujt, pa harruar asnjërin syresh), me ndjenjën atërore të dashurisë prindërore të atit për bijën dhe të  drejtën sovrane e bujare te faljes, kemi vendosur: të ftojmë në oborrin tonë mbretëror, si pjesë të familjes, bijën tonë princeshën Helena D”Anzhu dhe bashkjetuesin e saj vasalin tonë kontin Andrea Tanush Topia, kryezot i principatës së Arbrit,për falje dhe pajtim , që midis nesh të marrë fund mëria, që ka helmuar shpirtërat tanë  dhe paskëtaj të jetojmë në paqe e dashuri. Do t’ju rezervohet një pritje ashtu siç i takon pjestarëve të shquar  të familjes mbretërore, në kthimin e tyre pas një mungese të gjate.

Presim pranimin e kërkesës sonë.Do të na lumturonte shumë që me ju të  vinin edhe dy djemtë, nipërit tanë të dashur Karlo dhe Gjergj.

Si kohë më të përshtatshme për ardhjen tuaj, vlerësojmë gjysmën e dytë të muai qershor.

Mbretëresha Sança u dërgon të fala dhe prêt me gëzim t’u takojë së shpejti në Napoli.

Me hir dhe vullnet Sovran,

Mbreti  Robert D’Anzhu.

Nisur nga kanceleria mbretërore,Napoli më 25 maj të vitit 1340.

Andrea u rrek të lexonte midis rreshtave, te gjente atë që fshihej e nuk thuhej midis fjalëve të zgjedhura me kujdes. Ç’e shtynte mbretin inatçor, krenar e zemërak që pas dhjetë viteve, të falte dhe kërkonte pajtim? Mos vallë ndjeshmëria dhe limontia që vinte nga mosha? Dhimbja e vdekjes së dy djemve, apo koha dhe harresa kishte bërë që gjërat të shiheshin e të dukeshin ndryshe? Apo me këtë afrim shpresonte të zbuste rebelimin e tij dhe të siguronte qetësi në mbretërinë e  Shqipërisë që po i shkiste nga duart? Ku ndahej dashuria prindërore nga politika? Mos vallë ishte edhe ndikimi i këshillave të Axhë Dominikut, si kapelan dhe këshilltar shpirtëror i mbretit?Apo mos prapa mjaltit të fjalëve fshihej helmi i hakmarrjes?  Shumë pyetje, të vështira përgjigjet, po më kryesorja ishte: të shkonin me këmbët e tyre në strofullën e luanit plak, pa menduar për rrezikun?

Helena që e njihte mirë zemërimin ,sedrën, dhe ndjenjën e nderit të atit të saj u habit nga letra. Por tek e fundit, a nuk ishte kjo që kishin pritur vite më parë kur i kishin shkruar disa letra ku i kërkonin falje dhe pajtim, por që s’kishin marrë asnjë përgjigje? Dhe ja, kishte ardhur kur se prisnin. A duhej besuar në sinqeritetin e asaj ftese? Po. Ishte vullneti i një mbreti. Dhe mbreti është i vërtetë dhe Sovran në atë që vendos, ca më shumë kur bëhet fjalë për fëmijët e tij. Kjo letër asaj I ngjalli mallin e vëndlikdjes dhe ju përhit pamja e qytetit të napolit, gjallëria, gëzimi dhe hareja e njerëzve, serenatat,  gjiri i bukur i detit mbushur me anije nga gjith vendet e Mesdheut,kaltërsia e qiellit, vezuvi që lartësohej në lindje….

Biseduan gjatë.Para se ta vendosnin duhet të këshilloheshin, por me cilin? Ishte një vendim që u përkiste vetëm atyre të dyve.

-Sa për mua, i dashur, duhet ta pranojmë ftesën. Por vendimi të takon ty dhe unë , do t’a pranoj sido që të jetë.

Kështu e lanë.

Pas shumë ngurrimesh, hartuan letrën e përgjigjes ku e falnderonin mbretin dhe i bënin me dije se do te mbrinin në Napoli javën e fundit të qershorit.

Vijon

Gusht 2018



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora