E marte, 08.10.2024, 04:08 PM (GMT+1)

Mendime

Anton Marku: Gjysmëfinalja e dialogut

E hene, 23.07.2018, 07:52 PM


Gjysmëfinalja e dialogut

Nga Anton Marku

Është gabim të mendohet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nën ndëmjetësimin e Brukselit po hyn në fazën përfundimtare. Kjo do të jetë vetëm kapitulli i dytë i këtij procesi. Finalja do të ndodhë pas 5-6 viteve, kur të afrohet koha e aderimit të Serbisë në BE. Deri atëherë do të jemi dëshmitarë të ‘‘mosmarrëveshjeve’’ për ‘‘marrëveshjet’’ tashmë të nëshkruara e asnjëherë të zbatuara, së paku jo tërësisht. Ndërkohë do të ngriten edhe tema të reja, të cilat tashmë u janë bërë të njohura delegacioneve të të dyja shteteve. Në fund, të gjithë do të fitojnë nga diçka e do të humbin nga diçka tjetër. Siç e do zakoni në Ballkan, humbja do të quhet fitore dhe e kunderta.

Premtimi

Partitë politike të shqiptarëve të Kosovës, pa asnjë përjashtim, që nga paslufta, para dhe pas secilave zgjedhje, premtonin se një ndër prioritetet kryesore të programeve të tyre do të jetë bashkimi i qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe integrimi i veriut në pjesën tjetër të vendit. Por, kaluan pothuajse dy dekada që kur veriu është shndërruar në një zemër që rrah jashtë trupit. Jashtë Kosovës.

Aktualisht po flitet për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, i cili po del që të jetë një strukturë shumë më komplekse se sa vetëm një OJQ, siç ishte prezantuar në fillim nga liderët tanë. Tashmë është e qartë se krijimi i saj është pothuajse një fakt i kryer. Po ju dha rasti, atë do e votojnë dhe miratojnë mu ata që fillimisht e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi, bllokuan për tre vite jetën institucionale të vendit dhe në fund u bënë zëdhënësit më të mëdhenj të aprovimit të tij. Për më tepër, ata do të jenë në gjendje që asociacionin ta ‘‘kontrabadonjë’’ në një ligj të posaçëm, e pse jo edhe në kushtetutën e Kosovës po qe se kjo do të vendosej si kusht, si nga Beogradi ashtu dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Po ndodhi kjo, pala kosovare do të duhej që të insistojë që si kundëshpërblim Kosova të hiqet nga preambula e kushtetutës së Serbisë, në të cilën ajo ende figuron si pjesë e saj.

Me duar në xhepa

Një ndër qëllimet e dialogut është që të diskutohet për tema të caktuara me interes të dyanshëm. Por, takimet e deritanishme kanë prodhuar pak rezultate pozitive. Për më tepër, ato janë shdërruar në arena për shkëmbim të akuzave, fyerje, konflikte verbale dhe terren për fitim të pikëve politike në rrafshin e brendshëm.

Në këtë kontekst, fitohet përshtypja se delegacionet e Kosovës, qofshin ato të nivelit teknik apo politik, në bisedime hyjnë të papërgaditura aq sa duhet dhe pa strategji dhe analiza paraprake të hollësishme se çfarë duan të përfitojnë nga këto takime. Vizionet afatgjata mungojnë ndërsa situatat shpesh zgjidhen në baza ‘‘ad-hoc’’.

Viteve, e sidomos muajve të fundit, politikanët kosovarë dolën shpesh me propozimin se në dialog duhet kyqur edhe SHBA-të, çka do të ishte e mirë po të ndodhte. Por, këto sugjerime pavetëdijshëm do të mund të legjitimonin kërkesën eventuale të Serbisë që në negociata të përfshihet edhe Rusia. Ky do të ishte një autogol shumë i rrezikshëm për Kosovën dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Opsionet

Edhe qeveria e Kosovës e edhe ajo e Serbisë morën mandatin nga qytetarët e tyre që të bashkojnë e jo të ndajnë territore. Por, që kontrasti të jetë edhe më i madh, janë po zyrtarët e lartë të këtyre dy qeverive që javëve që lamë pas kanë filluar të promovojnë idenë e lëvizjes së kufinjve. Kjo gjë po proklamohet si ‘‘kompromisi i madh’’, por pa precizuar se çfarë në të vërtetë mendohet me të: autonomi substanciale për komunat serbe në Kosovë, ndarja e veriut dhe vetqeverisje autonome e komunave serbe në pjesët tjera të Kosovës, federatë apo konfederatë me Prishtinën, shkëmbim territoresh (Lugina e Preshevës për veriun) apo dhe shkëmbim i popullsisë, që mbase do të ishte varianti më i pëlqyeshëm për të dy qeveritë, por dhe më pak real, së paku për momentin, pasi që me këtë duket se nuk do të pajtoheshin as shqiptarët e Luginës e as serbët andej Ibrit.

Hapi i dytë

Dialogu ka arritur në një pikë në të cilën palët, edhe po të duan, nuk do të mund të tërhiqen më. Në këtë kohë bojkotimi i tij, nga cila do anë, nuk do të ishte arma më e mirë. Përkundrazi. Tani nga çështjet teknike, e të cilat edhe ashtu deri më tani u zgjidhën vetëm tërthorazi, do të kalohet në ato politike me ndjeshmëri të lartë. Edhe Thaçi edhe Vuçiçi do të detyrohen të dalin nga vetvetja dhe braktisin pozicionet e tyre fillestare për të kërkuar dhe pranuar zgjidhje nga të cilat që të dy këta do të fitonin më shumë se sa do të humbin.

Finalja

Në fazën përmbyllëse të dialogut, me apo pa dashje, do të jetë jo vetëm e nevojshme dhe e domosdoshme, por edhe e paevitueshme përfshirja e Shqipërisë në këtë proces, e mbase edhe e Uashingtonit edhe Moskës, si garantues të marreveshjes eventuale, të cilën shpresoj se do të ketë kush të nënshkruaj.

Kjo dhe për faktin se si për shqiptarët ashtu dhe për serbët, e edhe për bashkësinë ndërkombëtare, momentalisht më e rëndësishme është marrëveshja mes politikanëve të këtyre dy vendeve se sa pajtimi mes dy popujve.

Deri në finalen e madhe kemi edhe shumë kohë. Së paku dhe një tjetër kampionat botëror në futboll.

Vjenë, 22 korrik 2018



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora