E diele, 06.10.2024, 09:02 AM (GMT+1)

Mendime

Saro: Kasta e të përkëdhelurve të demokracisë

E diele, 22.07.2018, 11:35 AM


Kasta e të përkëdhelurve të demokracisë

Nga Vangjush Saro

Në Shqipëri vazhdojnë spektaklet politike dhe kasta vetëm dikton. Autori i këtyre radhëve nuk ka asnjë frymëzim kundër emrave të përveçëm, në politikë, biznes apo art, po ashtu kundër gjithë të përkëdhelurve a hipokritëve të këtij vendi; në atë kohë dhe në këtë kohë. (Atij, autorit të këtyre radhëve, i pëlqejnë vargjet-lapidar të Eseninit: “Jam gati që kravatën më të mirë, t’ia fal kalit që më parë të dalë...”) Por kjo nuk na pengon të shohim, qartë e më qartë, siç do të shprehej Migjeni, katandinë ku e ka çuar këtë vend kasta e të përkëdhelurve. Gjatë shumë e shume viteve, në atë kastë u mblodhën si me porosi një sërë hipokritë, që ishin dhe janë njësoj në sjellje e në mentalitet. Ata kanë formuar një shtet brenda shtetit, kanë krijuar një territor ku bëhen ligje sipas orekseve të njërit e të tjetrit, kanë krijuar klane. Ato kanë pushtuar politikën, biznesin, gazetat, televizionet, artin, deri edhe jetën mondane të Tiranës… Të duket sikur ata yshtin, bëjnë magji, duke i shastisur të gjithë dhe duke krijuar një botë më vete, që është gjithnjë vetëm për disa.

Në fakt, paraja e bën magjinë. Dhe pastaj, mënyra se si sajohen punët në Shqipëri, është shumë pranë mentalitetit në fjalë. Ja tek u vu gardhi, ja tek u krijua sistemi. Dhe fjala nuk është për pesë, shtatë apo dhjetë individë që ia ndjenë lezetin dhe e volën mirë demokracinë. Fjala pra, është pikërisht për sistemin… Po cili është ky sistem? Hileja; përzgjedhja sipas shijeve mediokre; mbulimi me bujë i gjithçkaje (që s’duam të duket); marrja e komandës gjithë po nga të njëjtët njerëz; blerja e nderimeve dhe çmimeve; paracaktimi i tenderave; mbrojtja me verbëri e rrethit të ngushtë; përdorimi i miqësisë si shkollë abuzimesh e përfitimesh; vendosja e rastësisë përkundër çdo parimi dhe emri tjetër. Dhe, më në fund… mbyllja e qarkut, e rrethit, e përfitimeve, atje ku duam ne.

Këto mund të ishin disa nga termat më të përshtatshme për të vizatuar punwt tona, personazhet tona, gjithashtu, kastën e të përkëdhelurve të demokracisë, vetë sistemin që drejton Shqipërinë; tash tre dekada. Dhe për të përkëdhelurit, gjërat shkojnë vaj. Po qe se ti je brenda gardhit, i përket këtij sistemi, ia del t’u hedhësh të tjerëve trutë e gomarit, atëherë ti bëhesh kryeministër. (Edhe pse, siç thotë Balzaku diku te “Xha Gorio”, “më në fund, ky njeri duhej të kishte qenë një nga gomarët e mullirit tonë të madh shoqëror”. “Mulli” që i pëlqejnë gënjeshtrat; me to, edhe abuzimet, edhe kullat e frikshme.)

Sistemi lidh interesa dhe individë që gjithnjë kanë qenë në tavë. Po qe se ti je pjesë e kastës, i di rregullat e saj, pranon të të pështyjnë, mjaft që të përfitosh, ti bëhesh ministër; bëhesh edhe ambasador dhe mbetesh ambasador sa të jetë jeta, pavarësisht se ndërrohen qeveritë e ndonjëherë edhe parimet. Fundja ç’të duhet ty me parimet!… Këta qeratenj, dinë ta mbajnë dhe ushqejnë e mbrojnë e përkëdhelin njëri-tjetrin. Dhe dalin gjithnjë të fituar; gjithnjë të shpëtuar. Për të tjerët, që i druhen kastave, këtyre lidhjeve e këtyre klaneve, është shumë e vështirë mbijetesa dhe mbajtja gjallë e emrit dhe veprës.

Ka edhe më. Nëse ti je në klan e pranë kastës, ti merr çmime të rëndësishme; edhe pse krijimtaria dhe vepra jote kanë qenë gjithnjë një mesatare e mërzitshme. Nëse ti je i kastës, apo diku pranë gardhit, ti nuk mbetesh pa gjë asnjëherë; edhe në rënç përkohësisht, bie gjithnjë mbi pambuk: si politikan, si shkrues, si drejtues a menaxher, e gjen vendin; edhe pse mund të jesh një dështak i të gjitha fushave në fjalë. Të mbajnë lidhjet për të cilat u bë fjalë më lart.

Por ka prapë edhe më. Po qe se ti je mik me këtë sistem dhe me klanet, po qe se ti apo njerëzit e tu, ia gjeni anën kastës, ti je i nderuar. Emri yt shkon te shkolla më e parë, i vihet sakaq asaj; edhe pse ke qenë një krijues a qytetar mediokër dhe nuk ka asgjë të veçantë e ndryshe në krijimtarinë tënde, pra, pothuaj nuk ke lënë pas asgjë. (Kjo ndodh ndërkohë që emra të mëdhenj, kështu lexova për shembull për Kadri Roshin, përfundojnë te ndonjë rrugicë e harruar.) Po qe se ti ke ndjesinë e gardhit, ti je i pari aty ku privatizohet prona dhe trashëgimia e të gjithëve: frigoriferët, stadiumet, teatri, filmi, projektet. Të tjerët le të ngrohen ne diell. Ky është një sistem i mbyllur, por kështu funksionon.

Po kthehem edhe në një temë që e kam cekur edhe më parë, por besoj jemi brenda “gardhit”. Nëse ti je pjesë e klanit, pra një i përkëdhëlur i demokracisë, ti mund të harrosh se ke qenë Ministër i Brendshëm i shtetit të diktaturës dhe prapë të jesh njësh, madje të udhëheqësh politikën, madje madje edhe përurimin e busteve të atyre që ka përndjekur ai rend; sikundër ndodh me Gramoz Ruçin. Nëse ti je i klanit, i kastës, ti mund ta denigrosh e ta poshtërosh Pjetër Arbnorin dhe pastaj prapë të thirresh për të zbuluar bustin e tij; sikundër ndodh me Sali Berishën.

Kjo ishte. Ky vend, i përfytyruar si një person hipokrit, nuk ka cipë; dhe kështu kanë për të shkuar gjërat edhe më tej. Është kasta e të përkëdhelurve të demokracisë që dikton dhe që i shpërfill zërat e mëvetëm dhe shembujt e mirë; (se posa kanë qenë edhe në shoqërinë e Presidentes së Kroacisë, që përveç të tjerave, është bërë e njohur sepse ka shqyer ca gardhe e ndonjë kastë). Bërtasin kapeni hajdutin dhe vazhdojnë të vjedhin, ulërrasin për shkeljen e ligjeve dhe vetë i shkelin orë e çast. Është kjo kastë e këta të përkëdhelur që, më në fund, na kanë çuar në shifra të tilla të frikshme, si 65 përqindëshi që na zbuloi pamundësinë e shumicës së shqiptarëve për të bërë pushime.

Të gjithë e dimë se të përkëdhelurit, ata të pozitës dhe të opozitës, ata që janë në krye të pushtetit, të klaneve, të horrllëqeve, e kanë mbushur kupën. Nuk dimë si zbrazet… Se jemi edhe në demokraci. (“Liria me limite, është e vetmja gjë që bën të bashkëjetojnë ata që e ushtrojnë dhe ata në favor të të cilëve ushtrohet.” A. Kamy)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora