Kulturë
Meri Lalaj: Liri Belishova
E marte, 24.04.2018, 07:28 PM
Liri
Belishova
Nga Meri Lalaj
Megjithëse e sëmurë, zonja Liri, u përgjigjet pyetjeve të mia. Ajo u lind më 14 tetor 1926, në Belishovë, fshat afër Ballshit në krahinën e Mallakastrës. Liria u rrit nga prindërit dhe mësuesit me shumë dashuri për Atdheun dhe shkollën, që do të ndihmonte përparimin e Shqipërisë
Familja e babait të saj ishte nga paria e fshatit, ata ishin agallarë. Familja ishte shumë e madhe përbëhej prej gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vetësh. Babai i Lirisë kishte mbaruar shkollën turke në Berat dhe punonte si nëpunës. Liria e kreu shkollën fillore në Ballsh, ku i ati qe kryebashkiak dhe e tërhoqi familjen. Në Ballsh kishin fqinjë dy familje, njëra prej të cilave, ajo e Ismail Klosit, pushkatuar nga Haxhi Qamili. Liria ishte fëmija i parë i familjes dhe u rrit me shumë dashuri dhe kujdes prej të gjithëve. Ajo u rrit duke dëgjuar këngë patriotike për Ismail Qemalin, Selam Musain, Rrapo Hekalin, këngë që e mbrujtën me ndjenjën e patriotizmit. Nëna e Lirisë ishte shumë arsimdashëse, ajo mbante mend deri në fund të jetës poezi të rilindasve tanë. Babai i Lirisë ishte caktuar delegat i Mallakastrës në Kongresin e Lushnjës dhe për këtë arsye e shtyu edhe ditën e dasmës së tij, gjithashtu ka qenë komandant çete në Luftën e Vlorës.
Liria kujton mësuesin e saj të parë Vlash Papa, i cili përpiqej shumë që fëmijët të mësonin sa më mirë abetaren. Për vogëlushen Liri, figura e mësuesit mbeti e shenjtë për të gjithë jetën. Ajo do të kishte një mësues tjetër në klasën e pestë, Maksut Milova, që gëzonte autoritet dhe u fliste nxënësve për Naimin, Samiun, Kristoforidhin.
Shkollën fillore (5-vjeçare) e mbaroi në verën e 1937-tës në Ballsh. Dëshira e saj ishte të shkonte në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, që në atë kohë ishte e vetmja shkollë e mesme për vajza dhe me famë shumë të mirë. Liria do të ishte e para vajzë nga Mallakastra, që do të ndiqte mësimet në shkollë të mesme, por familja nuk kish mundësi financiare për ta mbajtur. “Kjo ishte fatkeqësia e parë në jetën time.” Thotë ajo “Vazhdimisht qaja”. U gjet një zgjidhje, prindërit e dërguan në Berat tek daja ku bëri vitin e parë të “Shkollës Qytetëse”. Nga kjo kohë, Liria kujton me hidhërim dy mësuesit e saj më të respektuar: Maksut Milova (Zhiti) në shkollën fillore Ballsh dhe Kostaq Stefa, mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Berat, të cilët vdiqën në burgjet e diktaturës dhe nuk u dihen as varret. Vitin e parë të shkollës së mesme e përfundoi në Berat, kujton mësuesin Kostaq Stefa, i cili porosiste që në radhë të parë: “Të duam Atdheun, të duam përparimin”.
Nga kujtimet më të bukura të atyre kohërave, Liria ruan kremtimin e 25 vjetorit të Pavarësisë, që ishte një festë shumë e madhe dhe e bukur. Delegatë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Tiranë, Liria vajti tok me babain e veshur me rroba kombëtare. Vajzat e ardhura nga rrethet fjetën në konviktin e Institutit “Nana Mbretneshë”.
Në shtator 1938, në Berat u organizua një konkurs, Liria mori pjesë dhe fitoi një bursë për të vazhduar mësimet në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Ëndrra u realizua! Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”, ishte një shkollë me emër të madh. Profesorët, mësonjësit ishin shumë të përgatitur, të zgjedhur edhe si qytetarë fisnikë sepse prindërit duhej të ishin të sigurt se ku po i dorëzonin vajzat e tyre. Nxënëset vinin nga paria e vendit si nëpunës, oficerë, tregtarë, por kishte edhe nga shtresa e mesme dhe e varfër, të cilat kishin siguruar bursë nga shteti. Nxënëset kishin dëshirë për të mësuar dhe konvikti ishte si një shtëpi e dytë, si familje, kishte orar për gjithçka. Mësueset u qëndronin pranë porsi nëna, apo si motra më të mëdha në mënyrë që të mos e ndienin mungesën e prindërve. Lirisë i pëlqente historia dhe letërsia, por edhe fizika e matematika. Ëndërronte të bëhej mësuese ose mjeke.
Hartimet i shkruante shumë bukur merrte notën më të lartë dhe mësuese Liri Gega lexonte para klasës edhe në klasat e tjera hartimet e Liri Belishovës. Kur i nxirrnin shëtitje i shoqëronin kujdestaret dhe shkonin deri lart tek Varri i Nënës Mbretëreshë, të cilin e hodhi në erë Enver Hoxha. Gjatë kohës së pushimit vajzat shëtisnin në oborr duke kënduar këngë të ndryshme dhe duke biseduar për librat, që kishin lexuar. Gjatë verës, në kohën e pushimeve shkollore vajzat këmbenin letra me njëra tjetrën, por fatkeqësisht nuk janë gjetur letra të asaj kohe. Viti shkollor 1939 për fat të keq përfundoi me pushtimin fashist.
Kur u lidh Liri Belishova me komunistët? Në verën e vitit 1937, një kushëri i saj, Besim Belishova, student në Normalen e Elbasanit, i foli për socializmin dhe i dha të lexonte romanin “Nëna” të M. Gorkit. Ndonëse e vogël, Liria u magjeps pas kësaj ëndrre të bukur, por nuk ishte e organizuar. Rinia komuniste në Institut filloi të organizohej në dhjetor të vitit 1941. Të parat ishin Liri Gega, Fiqret Sanxhaktari, Drita Kosturi, më vonë Naxhije Dume dhe Mefaret Dhrami. Përgjegjëset e klasave përbënin bërthamën e shkollës, të cilën e drejtonte Nexhmije Xhuglini, që në atë kohë e kishte mbaruar shkollën.
Në vjeshtën e vitit 1941, Liri Gega, mësuesja e saj e gjuhës dhe letërsisë shqipe, u foli në një grup ku bënin pjesë Drita Malile, Agime Bakiu, Shejnaze Juka e të tjera. Në janar 1942, në Institut u organizua Rinia Komuniste, Liria u zgjodh përgjegjëse e aktivit të klasës dhe bënte pjesë në bërthamën e shkollës. Vajzat u futën nëpër aktive se donin të luftonin pushtuesit fashistë. Të tjerat u vonuan shumë e nënvlerësuan rininë dhe kjo qe një nga arsyet kryesore të humbjes së tyre. Liri Belishovën e caktuan të punonte me rininë e Tiranës. Kjo ishte një detyrë me shumë rëndësi sepse rinia mbajti peshën më të madhe të Luftës Antifashiste. Të rinjtë dhe të rejat u angazhuan për të përhapur kudo shtypin ilegal, për të grumbulluar ndihma për partizanët. Qindra të rinj u futën në njësitet guerile dhe mijëra mbushën radhët e reparteve partizane. Rinia duke sfiduar vdekjen, ishte forca kryesore e demonstratave kundër pushtuesve. Në demonstratën e grave në shtator 1942. Liri Belishova bashkë me shumë vajza të tjera u arrestua, por e liruan po atë ditë. Në demonstratën e 28 korrikut, Liria u plagos dhe humbi njërin sy. Kjo do të ishte një tragjedi për një vajzë 17-vjeçare, por në atë kohë, ajo nuk do ta kursente as jetën për Atdheun. Porsa iu mbyllën plagët ajo e vazhdoi sërish luftën. Në qershor të vitit 1944, një grup xhandarësh rrethuan shtëpinë dhe e arrestuan Lirinë. Me ndihmën e dr. Kristidhit (okulist) dhe të dr. Lekës (ftiziatër) mundi të shtrohet në spital dhe që andej pati mundësi të shpëtojë.
Megjithëse
në moshë të vogël, Lirisë iu ngarkuan përgjegjësi të rëndësishme, gjë që
dëshmon se vlerësohej vendosmëria dhe lufta e saj. Në qershor 1942, ajo u
caktua anëtare e komisionit të propagandës pranë K.Q. të Rinisë. Në shkurt të
vitit 1943, kur ishte 16 vjeç, u caktua anëtare e Komitetit Qarkor të Rinisë
për Tiranën. Në dimrin 1943-44, ajo ishte anëtare e Komitetit Provizor që do të
udhëhiqte organizatat e partisë, të rinisë dhe ato antifashiste për t’i bërë
ballë me sukses reaksionit të egër e terrorit si edhe propagandës së shfrenuar,
që kishin shpërthyer okupatorët e bashkëpunëtorët e tyre në pranverën e
1944-ës. Liria u caktua sekretare e parë e Organizatës së Rinisë të Tiranës,
kurse në Kongresin e Parë të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare u
zgjodh në kryesinë e kësaj organizate. Në nëntor të këtij viti u zgjodh
kandidate e K.Q. të Partisë. Liria ishte udhëheqëse e Organizatës së Rinisë dhe
më 1946 u zgjodh Presidente e kësaj organizate.
Në janar 1946, Liria u martua me Nako Spirun. Ai shquhej për inteligjencën e jashtëzakonshme dhe kulturën e gjerë, ishte udhëheqës i dashur i rinisë dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Luftës Antifashiste, publicisti më i mirë i kësaj lufte, që mbajti barrën kryesore të shtypit antifashist. Nakua ish një idealist i ndershëm, ka kundërshtuar urdhërat e E. Hoxhës për pushkatim pas krahëve dhe në Plenumin e Beratit ka kritikuar ashpër M. Popoviçin dhe E. Hoxhën, ka dënuar me shumë dëshpërim e revoltim pushkatimin mizor të së fejuarës së tij, Ramizesë të mrekullueshme.
Të bashkëpunoje me Nakon ishte sikur të kryeje një shkollë të lartë, njëkohësisht një kënaqësi e veçantë, sepse ai ishte tepër njerëzor, e i dashur sidomos me më të rinjtë, shumë tërheqës në bisedat interesante e me humor. Lumturia e Lirisë nuk vazhdoi as dy vjet. Më 20 nëntor 1947, Nako Spiru u nda tragjikisht nga jeta. Udhëheqja e P.K.J. në bashkëpunim me E. Hoxhën e K. Xoxen e akuzuan si agjent të imperializmit e borgjezisë dhe armik të miqësisë me Jugosllavinë. N. Spiru ishte bërë pengesë për realizimin e planeve të tyre për gllabërimin e Shqipërisë, ai si burrë i vërtetë shteti, patriot i vendosur dhe politikan i mprehtë, mbronte me guxim interesat e shtetit dhe pavarësinë e Shqipërisë. Si mundi Liria 21 vjeçare të përballonte këtë tragjedi! Gjithashtu represionet ndaj saj dhe familjes!
Pas konfliktit Stalin -Tito në Kongresin e I-rë të PKSh (nëntor 1948), E. Hoxha e rehabilitoi N. Spirun dhe Lirinë e zgjodhën në Byronë Politike. Në vitet 1951-1954, ajo kreu në Moskë studimet e larta për shkenca sociale e politike. Kur u kthye nga studimet, Liria u emërua sekretare e K.Q. dhe drejtonte tri drejtori (të propagandës, të kulturës e arsimit dhe të marrëdhënieve me jashtë). Ndryshoi edhe jeta e saj personale, u martua me Maqo Çomon, Ministër i Bujqësisë, i atyre viteve. Jetën e tyre e bënin më të gëzuar të katër fëmijët. Veçse lumturia nuk vazhdoi gjatë. Përsëri ishte diktatori E. Hoxha, ai që shkatërroi jetën e saj dhe të familjes. Më 1960 në Lëvizjen Komuniste Botërore shpërthyen kontradiktat midis rrymës së vjetër konservatore staliniste dhe rrymës së re reformatore liberale e paqësore, që ia lehtësoi jetën popujve të vendeve socialiste dhe evitoi shpërthimin e katastrofës atomike. E. Hoxha i trembur se kursi i ri do të rrezikonte pushtetin e tij diktatorial, rrëmbeu flamurin e mbrotjes së stalinizmit dhe e shpalli veten udhëheqës të revolucionit proletar botëror në luftë me imperializmin me në krye SH.B.A., social-imperializmin sovjetik dhe pastaj tradhtarët kinezë. E. Hoxha e izoloi dhe e armiqësoi Shqipërinë me të gjithë botën. Për 30 vjet populli shqiptar vuajti nga kjo politikë e marrë, aventureske, nga ekstremizmi që ia kaloi edhe stalinizmit, që shpunë në shtimin e varfërisë, e kolapseve ekonomike, me shtypjen brutale të lirive dhe të drejtave, në mijëra të internuar dhe të burgosur, në pushkatime edhe të bashkëpunëtorëve të E. Hoxhës.
Liria dhe Maqo Çomo u dënuan sepse ishin për kursin e ri. Të dyve iu hoqën të gjitha postet dhe u përjashtuan nga partia. Për 30 vite ata të dy, fëmijët e tyre, nënat plaka, të pesë vëllezërit me familjet e tyre u persekutuan egërsisht, vuajtën në internime dhe burgje. Bardhyli, vëllai i Lirisë, u dënua me 25 vite burg, e duke qenë në burg u dënua edhe dy herë me nga 10 vjet, pra 45 vite burg, nga të cilat bëri 26 dhe u lirua, kur erdhi në Shqipëri në maj 1990, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Liri Belishova i përballoi me dinjitet të gjitha. Duroi edhe dhimbjen e papërballueshme, atë që mos e provoftë asnjë nënë, vdekjen e vajzës së saj, Drita, vdekjen e Maqos dhe të dy vëllezërve Fatmirit e Bardhylit. Të gjithë këta viktima të diktaturës enveriste
Kur e pyes zonjën Liri se si ka mundur të durojë gjithë këto mundime gjatë 30 viteve, ajo përgjigjet: “Isha e bindur që kisha të drejtë, isha e pastër, nuk kisha bërë asgjë të dëmshme. Nuk kisha rrugë tjetër duhej të qëndroja më këmbë me dinjitet, në asnjë mënyrë nuk mund të rrëzohesha në baltë, t’i servilosesha politikës kriminale të E. Hoxhës, që po i shkaktonte kaq shumë vuajtje popullit tim. Dhe isha e bindur se një ditë do të zbardhte drita. Vuajtjet e njerëzve më të dashur, për shkak të dënimit tim, ishin shumë të dhimbshme dhe procesi i zhgënjimit shumë i vështirë. Shëndeti im u shkatërrua, por “Hallall! Jam shumë e gëzuar që 100 vjetori i Pavarësisë e gjen Shqipërinë në rrugën e zhvillimit demokratik e të integrimit europian. Kosova kreshnike u çlirua nga zgjedha serbe. Shqiptarët që jetojnë në trojet etnike gëzojnë më shumë liri.”
Shkëputur nga libri “Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”