Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Varrin djalit për t'ia gjetur
E premte, 20.04.2018, 07:41 PM
Sejdi BERISHA:
CIKËL POEZISH:
VARRIN DJALIT PËR T’IA GJETUR
NËSE KËNDON, KËNDO BUKUR
Mëso për rrënjët
Se qëndresa e Rrapit
Plleshmëri toke bëhet
E shenjtërohet Liria
Shiko qiellin atëherë
Edhe detin si merr frymë
Bjeshkën e veshur
Me historinë e saj
Erërat çajnë ballin
Shpërndajnë polen lumturie
Këndo për trungun
Se rrënjët marrin lëng dashurie
Kurora rebelohet
Nëse këndon
Këndo bukur
VARRIN DJALIT PËR T’IA GJETUR
Gjaku zbret në fotografi
Si etja për tokën e djegur
Nëpër shekuj kënga valëvit flamurin
Erdhi pranvera
Për të na kujtuar emrin
Ndryshe gufoi bari në këtë stinë
Me aromë lulëkuqesh
Gjyshja bredh me nipa
Varrin djalit për t’ia gjetur
Për t’i rrëfyer atij
Janë këta burrat më të mëdhenj
Që kanë ngelur në shtëpi
Me ëndrrat e tyre përrallore
Kala do ta bëjnë historinë
Nipat marrin krahë
Për varret e humbura
Në lartësi kërkojnë frymën e tokës
ME DHEMBJEN E NËNËS...
Shikoj në pasqyrë
Udhëtim i gjatë
Deri në damarët e dritës
Shikimin kthej prapa
Gjaku s’është therrë që mbin
Kohë që oshtinë
Dielli droçkë mund të bëhet
Për zemrën e tokës
Shtëpia jote, o bir
Ka burra të mëdhenj
Fëmijët e tu i ka
Pra, fli qetë me dhembjen e nënës
Me premtimin e brezave
Në tokën e sertë
Në lulishten e etur
E, MOJ TOKA IME...
Më panë me çekan
Thanë, kullat do t’i rrënojë
Më hetuan me shkallë në duar
Do ta kap qiellin-thanë
Me laps dhe fletore isha
Hafije do bëhet-pëshpëritnin
Edhe do libra e çantë me vete
Mbledh shënime të këqija-kujtuan
Dikur me flokë të thinjura shëtisja
Thanë...
E ka munduar kokën me gjëra të huaja
Më panë të kërrusur
Mëkatet e kanë rënduar-zëshëm menduan
Të shtrirë më ëndërruan
Thanë...
Nuk është i sëmur-shtiret
Fytyrë dyllë e pa frymë
Ruajuni se çohet lugat-s’i besohet
Thanë e ç’nuk thanë
Vulën i dhanë
E, si të zgjidhet ky nyje
Thanë...
Tash s’na intereson
E, moj Toka ime...
MOS E PRIT PRANVERËN
Mos e prit pranverën
Asnjë stinë mos e prit
Se rrugëtimi është madhështi
Mos i ngushto rrugët
Se kënga dhe vargu na çmendin