Kulturë
Fatmir Minguli: Një monografi e dyfishtë
E shtune, 14.04.2018, 05:42 PM
Një
monografi e dyfishtë
-Libri për Herman Bernsteinin i Mal Berishës- model i letërsisë moderne dokumentare-
Nga Fatmir Minguli, Durrës
Më shumë se libër për një personalitet siç është Herman Bernstein vepra e studjuesit Mal Berisha është një monografi e dyfishtë. Për nga volumi ajo konkuron me stilin dhe ndërtimin struktural krejtësisht të veçantë.
Pjesa e parë që trajton qëndrimin e amabsadorit amerikan në mbretërine shqiptare eshte nje thurje komplekse e disa problemeve jo vetëm diplomatike. ‘’Me një gur vret shumë zogj’’ – do ishte shprehja më e saktë për sistemin struktural që përdor Mal Berisha, shprehje që lind dhe nga motivi i tij soft power për trajtimin e çështjeve shqiptare deri para luftës së dytë botërore.
Festat shqiptare dhe ato amerikane festohen në Tiranë me një virtualitet të veçantë, toleranca fetare midis shqiptarëve, aspektet e jetës së mbretit Zog, kuadri i historisë së ebrenjve në Shqipëri, mardhëniet kulturale me figura të shquara shqiptare të asaj kohe si At Gjergj Fishtën, Lef Nosin, Faik Konicën, personalitetet e ‘’Vatrës’’ në Amerikë, studimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit si dhe mjeshtritë diplomatike të Herman Bernsteinit, janë pjesë të mozaikut intelektual ku Mal Berisha i vendos të gjithë gurët e këtij mozaiku në vendin e duhur.
Intersektimi i këtyre aspekteve bëhet me një sistem studimor të mirë menduar, falë dhe vetë veprimtarisë së autorit si diplomat dhe për më tepër si specialist i çështjeve që lidhen me anglezët dhe me amerikanët.
I veçantë është përshkrimi i pelegrinazhit të Herman Bernsteinit në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Shijon të Elbasanit ku jepen të dhëna shkencore dhe të patrajtuara në analizat e sotme shqiptare. E të njejtit nivel është dhe dhënja në këtë libër e fjalimit të ambasdorit amerikan në Shkollën amerikane të Kavajës, për të cilin nuk ka të dhëna.
Pra, parë në këtë vështrim të intersektimit të këtyre çështjeve historike të kohës kur Herman Bernstein jetoi dhe punoi në Shqipëri kjo pjesë e parë ka vlerat e një monografie me vlera shkencore, duhet të theksoj se shqiptarët njihen dhe me jetën e mbretit Zog dhe vetë jetës në mbretërinë shqiptare. Fryma intelektuale e autorit Mal Berisha ka sjellë ‘’pamje filmike’’ të kësaj periudhe që shumë shkruhet po pak kristalizohet në studimet shqipatre për vetë personin e mbretit Zog. Për mendimin tim, kjo pjesë e parë e librit të Mal Berishës vlen për rishikimin e historisë.
Për herë të parë ne shohim një skaner të ri të mardhënieve me Italinë, qoftë mes Italisë dhe mbretërisë shqiptare qoftë dhe me Amerikën.
Pjesa e dytë është monografia tjetër që autori Mal Berisha sjell krejt ndryshe nga pjesa e parë, ndryshe sepse na jep jetën dhe veprimatrinë e Herman Bernsteinit jashtë diplomacisë. S’ kishte si të ndodhte ndryshe që një aktivitet brilant si diplomat i lartë të kryhet pa një sfond lakmues për shumë intelektualë. Bernsteini si poet dhe shkrimtar, studjues krejt ndryshe i fenomeneve në letërsinë ruse, kritik letrar, publicist sjell një panoramë plot kuriozitete të karakterit studimor për shumë autorë, ajkëe e letërsisë ruse.
Nëpërmjet analizave komplekse me Leonid Andrejev, Herman Bernstein sjell portrete studimore për Leon Tostoin, Maksim Gorkin, Anton Çehovin, Ivan Turgenjevin. Janë analiza ndryshe nga sa është paraqitur në Shqipëri deri më tani, në gjuhën shqipe, përfshirë dhe studimet universitare.
Monografia që po e quaj që tani të tillë, trajton dhe autorë të tjerë jashtë botës të letërsisë ruse si për autorët madhorë të kohës George Bernard Shou, Metçenikov, Henri Bergson Auguat Rodin dhe për të kaluar në personalietet si Papa Benedikt XV, Leo Trocki, Albert Ainshtajn etj. Librat e botuara nga ky njeri i jashtëzakonshëm, jepen me skrupulozitet nga autori Mal Berisha.
Si papritur, nga fundi i librit risillet me mjaft elastiçitet kapitulli i ‘’ Njohjes së historisë së hebrenjve në Shqipëri, diçka më gjërë se sa studimi i jetës së Herman Bernsteinit.’’ Kjo për mendimit tim është magma lidhëse e gjithë librit, magmë që shihet pjesë pjesë në gjithë faqet e librit.
Prandaj them se ky libër është një model i mënyrës së të shkruarit thjeshtë me erudicion dhe me përkushtim, gjë që autorin Mal Berisha e çon në nivele shumë të larta të letërsisë dokumentare të shekullit tonë.