Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Me Migjenin në Pukë
E enjte, 05.04.2018, 07:35 PM
P o e z i
Sejdi BERISHA:
ME MIGJENIN NË PUKË E NË TORE PELIÇE...
(E gjatë, por nëse e lexoni, sa e shkurtër është!)
1.
Lëre biçikletën
Sot po shkojmë këmbë
Edhe në Pukë
Edhe në Tore Peliçe
Kur t’i afrohem shkollës
Kujdes
Se nxënësit nga malli do të djegin
Si sëmundja e mushkërive
2.
Kaluam maleve edhe shkurreve
Edhe në atë rrugën
Që mirë i kujtohej
Kur i mblidhte nxënësit
Si zogjtë në plim
Kujdes o mësues i vargjeve të lira
Se nëse edhe tash ke dhembje
Ato vitet tuaja dëm do të shkaktojnë
E sërish do shkruash vargje të reja
Me zjarr e me hidhërim
Edhe për bukën
Edhe për mësimin
Por edhe për Lulin e Vocërr
Që tash shumë janë bërë
E ai Luli yt i dikurshëm
Tek dera e shkollës do na pres
Me tullumbat e tij-krenari
3.
U nisëm
Secili me kujtimet e veta
Dhe asnjëri më gojë nuk flisnim
Po aq shumë kujtime na përftuan
Sa që qindra libra
Të shkruara e të pashkruara
Dot nuk i kapërthejnë
Kur arritëm në oborrin e shkollës
Morëm pak frymë
Se tash është pranverë
Kurse bukuria e tokës
Çmend me beharin e luleve
Edhe mushkëritë i ngacmon
Me lulet ngjyrë jete
4.
U hamendem
Kush i pari në shkollë do hyn
Migjeni më shtyri
Nuk bëri ballë të hynte i pari
Por as unë dot nuk mora guximin
Nuk bën të hyja para Migjenit
E luta të hynte ai
Posa hymë brenda
Sikur desh u çmend shkolla
U harlisen mësonjëtoret
Nxënësit ishin mjekërbardhë
Por edhe të rinj kishte
Na shikonin na përqafonin
Me nga një gjysmë lapsi
Me nga një fletore të grisur
Nënshkrimin e Migjenit e kërkonin
E ai u ul në një bankë të vjetër
Uli kokën mbi te
E dogjën lotët
Edhe kolla
Edhe ajo sëmundja e vjetër
5.
E lash Migjenin
Të shfryhej mirë e mirë
Apo t’i pëlciste zemra
Pastaj
Si skelet trupi
Apo si lapidar drite
Shndriste si përmendore malli e krenarie
Në të cilën shkronjat e dituria
Ku ishin balsamuar Tullumbat e Lulit
Si mesazh e si qortim
Për këtë kohë e për shqiponjat
6.
Dolëm nga shkolla
Me një thes vepra
Me poezi e tregime të Migjenit
Që tash ishin edhe me më shumë
Hidhërim e zhgënjim
7.
Pse më solle këtu
Nuk u durua pa më thënë Migjeni
Por që kolla e re
Nuk e la ta përfundojë mendimin
8.
U nisëm në kthim
Por tash nuk e dinim
As rrugën as drejtimin
Në këtë amulli
Si për mahi i thash Migjenit:
Tash po shkojmë në Tore Peliçe
U rrëqeth e shtrëngoi gjoksin
Por nuk tha gjë
Sepse kaherë kishte thënë:
Deri në Tore Peliçe
Është rrugë e gjatë
9.
Duke udhëtuar e duke biseduar
Deri atje rrugë e shkurtër doli
Sepse nuk mbaronin kujtimet
Për spitalin e për mushkëritë e tij
Për habi
Gjatë tërë rrugës
Ai bisedonte edhe me nxënësit e vetë
Për shkollën pa dritare
Për Lulin e Vocërr
Fliste edhe për biçikletën e tij
Të gjitha i bëri si libër historie
Më thoshte:
Si thikë në shpinë
Të ngulet mjerimi
Po ç’është kjo edhe sot kështu
Nuk mundëm t’i përgjigjemi njëri-tjetrit
Dhe sa shpejt kështu
Arritëm në Tore Peliçe
10.
Është në Itali më tha
Dhe menjëherë u drejtuam për në spital
Atje ku frymën e fundit Migjeni e kishte lënë
Të gjithë e njihnin
U shtrimë në atë dhomën e tij
Aty
Ku sikur frymën e atdheut e kërkonte
Aty kishte shumë të sëmurë
Si atëherë
Migjeni shikoi e shikoi
Dhe me hidhërim pyeti:
A ka këtu shqiptarë
U lajmëruar njëri me frymë të harxhuar
Po, tha
Po si quhesh
Migjen, tha
Edhe pse kolla nuk e linte të fliste mirë
Po ti, e pyeti një tjetër
Edhe unë jam shqiptar
Po si quhesh
Edhe ky u përgjigj, Migjen tha
Edhe tjetri fliste shqip
Edhe unë quhem Migjen
Brofëm në këmbë ikëm nga spitali
Tash ku të shkonim
Migjeni me kockat dhe kollën e tij
Unë me djegie zemre e mushkërish
11.
U nisëm
Ngelem në kthim duke udhëtuar
Migjeni nxori lapsin dhe letrën
Nisi të shkruante diçka
E luta, Poemën e Mjerimit
Mos ta shkruajë edhe njëherë
E hodhi edhe lapsin edhe letrën
Tash me duar në xhepa
U nisëm për në atdhe
Por uji me kripë
Gjatë tërë kohës na lagte fytyrën
E rrugët e mjegullta ishin
12.
Po kthejmë në Pogradec
Nga zemërplasja i thash Migjenit
Jo se edhe atje i kanë hallet e veta
Të mos e trazojmë Lasgushin
As Mitrush Kutelin
Ma ktheu përgjigjën Migjeni
I cili për një çast
Nuk di se ku më iku
Dhe nuk e pashë më
Athua
Edhe tash rrugë të mjegullta janë...
(E mërkurë 04 prill 2018)