Kerko: a
Adem Zaplluzha: Po ma kafshoni atdheun e etërve
E premte, 30.03.2018, 03:18 PM
ADEM ZAPLLUZHA
PO MA KAFSHONI ATDHEUN E ETËRVE
Nga plaga ime
Këputët një copë mish
Këputët
Për t’i ushqyer qentë e egër
Sa më dhemb shpirti
Sa fortë këlthita kur m’i thyet gjymtyrët
Toka ime
Çfarë mund tu them etërve të mi
Ose gjyshërve
Që ma lënë amanet këtë dhe
E këtë fe
2.
Ky diell i askujt
Mi ngriu eshtrat
Për një ikje nga varret
Latë një copë toke peng
Mi këputët gjymtyrët
Dhe pa mëshirë
Ua dhatë cerberëve për kaftjallë
Kurse për një gisht tokë
Jeni në gjendja të mbysni vëllanë
Nuk jam Zot as klerikë
Të ju mallkoj
Ka kohë
Pritni edhe pak
Do ju mallkoj gjaku i juaj
3.
Po çmendem
Ndoshta edhe jam çmendur
Po kush pyet
Për çmendurin time
Visheni këmishën e bardhë
Të dallohet më mirë
Fytyra e zezë
Ajo ngjyrë fut
E cila do ju përcjellë deri në varr
4.
Diku në maja malesh
Po dënesin rrapet
Nga kush
E mësuat këtë mbrapshti
U bëtë bisht sëpate
Dhe i hytë për së mbrapshti malit
Nuk latë asnjë gjethe
Në degët e gështenjave
5.
Më thuaj diçka toka ime
Më thuaj se jam në ëndërr
Më thuaj se po gënjejë gazetat
Ose vdiq demokracia
Në ekranet televizive
Më duket se është mallkim
Të shkruaj këtë lloj poezie
Por nuk pata çare
Me thyet
Ose më mirë me thënë
Me sëpatën e fjalëve
Më pretë në besë
6.
Diku në një mal të çmendur
Nga rrënjët e tokës
Po kullon gjak
Po kullon një lloj tradhtie të idealeve
Çfarë do ju themi
Përmendoreve të bronzta
Ndoshta asnjë fjalë
Do heshtim
S’mashtrohet dot metali i shkrirë
Nuk di a mund të flini
Mua më ka ikur gjumi
Ndoshta nuk keni kurrfarë problemi
Dhjami ju ka trullosur trutë
Dhe nuk ju mundon
Ngritja e dy gishtave
Do na ikin të rinjtë
Do shndërrohen në shtërgje
Që kurrë më
Nuk do të kthehen në atdhe
7.
Në cilin pleh i braktisët ëndrrat
Më penguat edhe mua
Të mos i ëndërroj si duhet
Sinorët e kafshuar
He ju kafshoftë djalli i zi
Siç ju ka kafshuar
Nuk i besoj asnjë perëndie
Andaj as nuk di të ju mallkoj
I besoja tokës sime
E cila sot mbeti pa gjymtyrë
8.
Mallkimi ju ndjektë deri në lëkurë
Pos paçi dritë në sy
Çfarë ju shtyri ta vrani
Tokën e bekuar të etërve
A thua vallë
Pak është vrarë deri më sot
E ju po e vrani
Kush e di se për të satën herë
Vdiq atdheu im
Vdiqën burrat me kobure në brez
Për ta lëpirë ashtin e braktisur
U dorëzuan lisat
U dorëzuan mu atyre
Që na i këputnin gishtat
Kur kërkonim demokraci
9.
Ra në dy gjunjë demokracia
Secili në emër të atdheut
E shet atdheun
Çfarë do ju them etërve
Kur u dalë përballë
Do ju them se nuk ditëm
T’i mbrojmë sinorët
Si demon i kafshuam gurët e kufijve
Për një copë letër
Shitëm fytyrën
Duke harruar se nesër na pret
Shitja më e madhe
10.
Atdheu vdiq ende pa u lind
Kafshojnë ne veri
Dhëmbët si largojnë nga jugu
E ju po zgërdhesheni
Nëpër sallonet e Evropës së Fishtës
Çfarë t’i temë unë demokracisë
Kjo qenka më e lig se komunizmi
Në të katër anët e sinorëve
Po me kafshojnë cerberët
Ashti im
Dhe zëri im i lënduar
Sot nuk mund t’i ndalin vigmat
Piskasin si foshnja
Kur ja shkulin mushkrit
Sot u dorëzua atdheu im
I cili ngadhënjeu në luftë
Dhe u gjunjëzua
Me dy gishta
U gjunjëzua nga ata
Që ishin të ulur në dy pëllëmbë postiqe.
-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga Prishtina, Mars 2018-