Kulturë
Baki Ymeri: Meditime me vlera të veçanta njerëzore
E diele, 18.02.2018, 10:55 AM
MEDITIME LIRIKE ME VLERA TË VEÇANTA NJERËZORE
(Ahmed Mora, Poezi mbresëlënëse, Offset Print, Kërçovë 2018)
Nga Baki Ymeri
Poeti është kolona shpirtërore që e lidh qiellin me tokën. Pa marrë parasysh faktin në inkorporohet në rradhën e poetëve të famshëm apo mbetet anonim, Poeti është i zgjedhuri i Zotit. Pse? Sepse poeti është njëri nga të sakrifikuarit e mëdhenj që din të depërtojë në botën e hyjnive, sidomos kur është besnik ndaj gjuhës, ndaj vlerave shpirtërore të të parëve të tij, ndaj kombit, atdheut dhe besimit që ia kanë përcaktuar prindërit dhe historia. Njëri nga të zgjedhurit e këtillë të Zotit, është edhe kërçovari i frymëzuar i ditëve tona, zt. Ahmed Mora. Temat që i trajton në spektrin e vlerave lirike, janë të gjithanshme, duke i dhënë prioritet psikologjisë së njeriut, karakterit të tij, parimeve, veseve, sinqeritetit, por edhe aspekteve tjera siç janë universi, dashuria, bota shqiptare, vatra e diturisë, atdhedashuria etj.
Si poet i ndjesive të larta artistike, meditimet lirike të autorit të joshin që në kontakt të parë me tekstet e tij. Poeti sipas tij është faktor i kohës në të cilën ndodhin ngjarje të çuditshme: “Vite me rradhë jeton me energjinë e mbrendshme dhe guximin,/ Me arsyen e valës shpirtërore nxjerr në dritë ndjeshmërinë,/ Rezistenca dhe qëndrimi i forcës së zjarrtë i mundësojnë,/ Që vargjet e tij të vërteta të prezantojnë premtimin e dhënë.” Nga një përkushtim folklorik i Demir Krasniqit, kuptojmë se Ahmed Mora kujton regjimin mizor dhe fshatrat e Kërçovës ku „ka patur vuajtje boll”. Në këngë defilojnë krimet e ushtrisë bullgare dhe varret kërçovare që konsiderohen si varre kosovare. Të jesh Poet don të thotë të jesh Mbret. Kush e ndjen dhe kupton poezinë e vërtetë, nuk ka nevojë të lexojë vetëm Librat e Shenjta të botës, por edhe librat e Poetit.
Në vargjet që burojnë nga shpirti, ai interpreton si askush tjetër, botën sentimentale me një gamë ndjesishë, idealesh dhe aspiratash, kujtimesh dhe botëkuptimesh. Poeti sipas autorit, e shfrytëzon përvojën personale për frymëzim me ide që shprehin ngacmimet kohore: „Maturia i ngjallë shpirtin frytëdhënës porsi gjaku që ngjallë trupin,/ Mësimi i kthjellon mendjen, me përgjegjësi të sqaron të panjohurën”. Poeti është i kryqëzuar mbi destinin personal, duke jetuar e vdekur për çdo fjalë, i çmuar vetëm nga ata që dinë t’i përjetojnë vlerat shpirtërore dhe njerëzore, kombëtare e ndërkombëtare. Ai është i deleguari i Zotit që lindet, vetëtin dhe degdiset si një kometë, jeta e tij duke qenë një kalvar i gjatë mundimesh dhe përjetimesh.
Poeti nuk ka jetë personale. Jeta personale e poetit është hi e pluhur, thekson një poet i famshëm rumun. Duke qenë i zgjedhuri i Zotit, ai ka një mision të shenjtë për të na shpënë nga drita në dritë: „Ai në mendje s’ka as jetë as vdekje, përveçse përgjegjësinë,/ Sinqeritetin, besimin e shpresën pozitive që ta ofron profecinë./ Me zhdërvjelltësi të përshkruajë vuajtjet dhe sprovimet e jetës,/ E nga zjarri kryengritës të zbulojë shkaqet e së vërtetës/ Kur me qartësi e thirrë në ndihmë arsyen dhe gjykimin.” Jo çdokush e din se pasi e ka krijuar botën me vende, qenje e gjëra, Zoti e kompletoi edhe me elemente tjera, duke i dhënë prioritet fjalës për të krijuar vlera letrare, brushës për të krijuar piktura artistike, daltës për të krijuar skulptura, veglave muzikore për lumturimin e shpirtit më këngë. Pas krijimit të qiellit me yje e planeta tjera, Ai krijoi kështusoj një Frymë të Shenjtë në tokë, duke e krijuar Poetin e Vërtetë.
Sinqeriteti sipas poetit është fjalë e rëndë që mund të çajë shkëmbin. Ahmed Mora është njëri nga ata autorë i cili i ka thurrur himn poezisë si përjetim emocionesh të çiltërta dhe mbresëlënëse: “Poetit diturinë ia falë shpirti që e ka në zemrën e guximit,/ Me urtësi nderon tjetrin e gjykimi i tij shmang padrejtësitë,/ N’vende publike flet pa frikë, i hapur n’diskutime të ndezura,/ Fletë me ndërgjegje të pastër e prej goje i del vetëm e vërteta.” Poeti sipas tij, zgjon cekshmërinë e dijes njerëzore për njohuri, me shpresë të ndriçojë errësirën mbisunduese në njerëzi. Plot këshilla jetike të dhuron me urtësi e ecje me modesti. Nuk mungon as ironia në vargun e tij që buron nga zemra: “Poeti të flet me zë të ulët, se me zë të lartë gjëmon telalli në xhami!”.