Kulturë
Ermira R. Jusufi: Lyra e shpirtit tim
E merkure, 07.02.2018, 07:35 PM
LYRA
E SHPIRTIT TIM
Nga Ermira R. Jusufi
Lyra e shpirtit tim
Ia shtrydh fjalës frymën e fundit,
E gurmazit ia çel kavermat deri në pambarim,
Se këngës i duhet rrugëtim besimplotë,
Andej kah dëgjohen zërat e lashtësisë,
Rrjedhës së gjakut tim.
Nuk ka digë që ia ndalon rrjedhën fjalës!
Vullkan shpërthen nga afshi i mallit
Deri në çmallje të prekjes në kujtesë,
Atje ku priten ecjet zikzake të ditës
Dhe shemben iluzionet e fjetura,
Shtigjeve të ardhmërisë.
Deri në çmallje frymoj me lyrën e shpirtit,
Kavermat më mbushen plot shpresë,
Sa të pëlcas dëshirave të jetës
Dhe të prek ëndrrat e fatit me dorë,
Në Olimpin e synimeve të mia.
Kjo lyrë pellazge,
M’i numron shekujt në ballë
Dhe pafundësisht ia nxjerr fjalëve,
Frymën e fundit,
Rrjedhës së gjakut tim.
TË PUSHTUAR, NË ËNDËRR…
Të pushtuar në krahët e njëri-tjetërit,
Si një trup i vetëm, shkrirë në diell,
Qëndrojmë mes ajrit, që na mbërthen
E ngopem me afshin e buzëve tua të trëndafilta!
Je drita, që sytë e mi e shikojnë,
Je dielli, që botën ma rrezaton,
Engjëll, që mbrojtje për çdo çast më ofron
Dhe në çdo hap të jetës më shoqëron.
Ti, ëndrra e jetës sime,
Që veç në zemrën time jeton!
Gjithnjë të pushtuar, në përqafim
E jeta na shpie tutje, në botën e mrekullive,
Që ta jetojmë lumturinë!
FLAS ME VETËVETEN!
Druaj, të kam humbur taktin,
Ec e ndrojtur e plotë shqetësim,
Si e marrosur bëj rrugë pa pikëtakim,
E hamendsur sillem në rreth vicioz,
Dhe, asessi, ta gjej daljen drejt shtegut tim!
Për nga jam nisur, kurrë nuk e di,
E humbur në mesrrugë,
Si të arrij tek ti?!
Përçartë flas, si në ëndërr,
Torturë kujtimeve, që më pushtojnë;
E shkallmuar deri në palcë përpëlitem,
-Ku më shpiejnë këto shtigje?
Pyeta për të satën herë,
Por çasti u tregua i pamëshirë,
Një përgjigje të vetme Nuk e mësova, asnjëherë!
FRYMA E FJALËS
Çdo trazim i erërave,
Paralajmëron rrebeshe shiu.
A fërfëllizë bore në hapësirë,
Këtu motit besë nuk i zihet!
Erërat kalërojnë,
Stinëve ua puthin krahërorin,
Në gjetjen e shtegut të ri,
U muar vesh!
Po fjalët kur frymojnë mes nesh,
Shpirtërat na i begatojnë,
Pamëdyshje.
Se, për fjale lidhemi
E frymojmë me besa-besë,
Tok, si gjithnjë!
SINOPSIS, PËR VARGJET
Mbrëmë u mejtova gjatë,
Deri në bjerrakohë
Dhe gjeta fillin e vargjeve.
Një tis i hollë kujtese Më përftoi në mendje,
Sa ta prek këtë fillim të ri,
Që më zgjon esëll,
Tej ëndrrave të ikura,
A dhuntisë, që përcëllon ,
Dejve të gjakut plot jetë.
Çuditërisht, me këto vargjet,
Si më rrjedhin në parakalim
Dhe më bëjnë kurreshtar,
Deri në ringjalljen e melankolisë!
Vijnë vërdallë, me frymën e kujtimeve
Dhe dehem me mushtin e tyre,
Deri në pafundësi.
Var në vesh fjalët, mendimet…
Si unazë në gisht i bart gjithandej,
Sinopsis vargjesh,
Qëkur fillimi ishte fjala,
Pambarimisht, ndryrë në kujtesë.
-Per ZemraShqiptare, nga Dardania Ilire, Shkurt 2018-