Kulturë
Skënder Hoxha: Poemë e dhimbjes krenare
E diele, 04.02.2018, 11:23 AM
SKËNDER R. HOXHA
POEMË E DHIMBJES KRENARE
(fragmente…, në kujtim të janarëve të egër- 29 janari i vitit 1999.)
* * *
Ushtarët trima të Jabllanic’s,
Të shpërndarë nëpër vija t’Frontit 305
Ku e kërkonte Ora e Lirisë –
Nëpër Kosovë në flakë t’barotit.
* * *
Erdhi janari i vitit të ri,
Djemtë e luftës shkonin n’Shqipëri
Për stërvitje e armatim, 310
Ndonjëherë edhe për shërim.
Njëzet e nëntë janari ‘nëntëdhjetë e nëntë,
Për Kosovën ditë e rëndë -
Tek po shkonin trimat n’Shqipëri
Kishin rënë në një pusi. 315
E kalojnë disi atë pusi,
Djem të zgjedhur kishte aty
Komandant Agimi – “Çergashi” duke iu pri’,
N’Rogovë t’Hasit atëherë kanë mësy.
Për të qenë afër Shqipërisë 320
Të vazhdohen punët e lirisë,
Por aty dora e tradhtisë
Hije t’zezë i la shqiptarisë.
Athua mos, vallë, atë natë hana
M’i zbuloi këta djem si zana? 325
Athua mos ajo natë me shi
Më bëri hile në këta djemni?
U gjendën trimat të rrethuar
Nga gjakpirësit e tërbuar,
E rreptë bëhej një luftë n’moh 330
Atë ditë janari që n’gjak u ngroh.
Kolaboracionistët e tradhtarët
Ua kishin kurdisur djemve pritën,
N’luftë me shkjaun dhëmb për dhëmb
Ranë si burrat e s’u koritën… 335
Ranë ushtarët nëpër oborre,
Ranë edhe vendës prej Rogove,
Agim Zeneli aty ra,
E prej shkieve s’dihet sa.
Agim Zeneli e Luan Smajli 340
T’Jabllanicës këta dy trima,
Nëpër shumë lufta u dalluan
Keq i mori n’Rogovë tradhtia.
Ishte Agimi luftëtar i mbarë
Komandant i Batalionit të Parë, 345
Me Luanin të pandarë.
Luan Smajli i biri i Avdisë
Ishte student i historisë.
Dëshmorë t’kombit, martirë, viktima
Deri tash dha shumë Kosova, 350
Por aty ku ka dorë tradhtia
Nuk na e falë kurrë historia.
* * *