Kulturë
Ndue Shabaku: Beqir Cikaqi - Il Mio Amore Infinito
E marte, 06.02.2018, 08:16 PM
Disa konsidrata mbi vëllimin poetik
"Il Mio Amore Infinito" e autorit Beqir Cikaqi
Nga Ndue Shabaku
Shkrimtari Beqir Cikaqi lindi në Suharekë, më 1962. Vazhdoi rregullisht studimet, derisa mbaroi Universitetin e Prishtinës në degën Gjuhë Shqipe. Pas disa vite pune në arsim në Kosovë, merr rugën e mërgimit dhe vendoset në Treviso ku jeton prej vitesh me familjen. E rëndësishme është të theksojmë se me pasion e përkushtim, jo pa kapërcyer vështirësi, punoi për shumë vite për mësimin e gjuhës sonë fëmijëve që jetojnë këtu.
Dashuria për profesionin, dashuria për vendlindjen, përmallimi e ndjenja e përgjegjësisë ndaj kombit, e shtyjnë të lëvrojë gjuhën tonë të bukur, veç në publicistikë, edhe në pesë librat e tij; "Dashuria ime e pafund", "Atdheu, vendi më i bukur", "Heshtja e nënëlokes", "Shkolla shqipe e Basanos", "Gjyshi im ishte ky" , ku gjejmë të shprehur kredon e tij atdhetare dhe artistike.
"Il mio amore infinito" është titulli i vëllimit të shkurtër poetik, i cili është përkthyer në gjuhën italiane me zotësi e me kompetencë nga zj. Hedie Xhyheri dhe e paraprirë nga parathënia e prof, Vittorio Andolfato. Qëllimi i poetit është që të kontribuojë t'i hiqet ndryshku historisë e dalë në dukje galvanizimi i vezullueshëm i saj, përmes vlerave kulturore, përmes trimërisë, heroizmit e sakrificave deri në flijim.
Përgjithësisht, poesia e këtij vëllimi është lirike. E para që dallon e pikturuar me vargje nga autori, është trajektorja e mallit për vendlindjen, në përgjithësi, dhe për Kosovën martire, në veçanti. Me tonalitet të përmabjtur autori përcjell zhuritjen e shpirtit të emigrantit në vendin ku fati e ka çuar, dhe është i dënuar të jetojë larg vendlindjes. I vijnë në mendje me radhë pejsazhet e bukura të natyrës, grugullima e lumenjve, xhevahiret e riverës shqiptare, qytetet, njerëzit e atyre viseve, jeta e atjeshme ... Tepër shqetësues për autorin është fakti i ndarjes arbitrarisht të kombit tonë në gjashtë shtete. Fatkeqësisht, ka sjellë ndarjen mes njerëzve vëlla me vëlla, ka dëmtuar rëndë rrjedhën historike natyrshëm të zhvillimit të kombit tonë krah kombeve të tjera. Është mëkat, të mos vizitosh Prizrenin, bukuritë e tij, të mos njohësh ngjarjet kulmore të historisë së këtij qyteti. Luan bukur me fjalën dhe me faktin historik autori, kur drejton pyetjen cili qytet të jetë kryeqyetet i Albanisë. Tirana? Vlora? Shkodra? ... Jo. Kryeqyeti ynë, i Shqipërisë Etnike, është Prizreni, duke pasur parasysh mesazhin e bashkimit që përcolli Lidhja e Prizrenit, kryesuar nga Ymer Prizreni e Abdyl Frashëri. Me bukuri artistike autori vë në dukje se është e pakuptimtë historia e Kosovës pa rezistencën heroike kundër egërsisë e represionit që ushtroi për vite Serbia ndaj popullit tonë, popullit të Kosovës, për ta nënshtruar. Në këtë kontekst, autori vë në dukje disa vlera të shoqërisë sonë, si nderimi për të rënët, krenaria për historinë e vlerat tona. /Dëshmia e lapidarit ndrin /bashkë me rrezet e diellit, /me hënën, me yjet ... - shprehet autori në shenjë nderimi për heronjtë e pavdekshëm, që janë motiv krenarie kombëtare.
Autori ka aftësi që të vëzhgojë me kujdes gjithçka që na rrethon, të cilat i shohim, i kontaktojmë dhe nuk kujtohemi se ç'vlera kanë. Aty gjen motivet për të krijuar poezitë dhe me fjalë e vargje me tonalitete të buta, të qarta e të kuptueshme për të gjithë. Kryesisht, në këtë terren udhëtojnë me tematikë shoqërore. Autroi shkruan me zemëratë për kontrastet e mëdha në shoqëri e lëshohet kundër bishave që synojnë përherë mundimin e gjakun e të tjerëve. Po me përçmin, autori godet edhe premtimet e bujshme elektorale, të cilat nuk materializohen kurrë për popullin. Në këtë temë, poeti evokon me shumë përkujdesje e dashuri disa nga vlerat më të mira shoqërore të trashëguara me shekuj e të ruajtura me fanatizëm. Një ndër to është,pa dyshim, besa. Kjo i bënte njerëzit më të kuptueshëm, më tolerantë, më të vlefshëm, më të përkushtuar për njëri-tjetrin e për shoqërinë. Tek besa, tek mirëkuptimi, tek dashuria për njëri-tjetrin, në emër të jetës që është një disenjo ku nuk mund të përdorim gomë, do të kthehemi përsëri. Ndaj shumë e rëndësishme është që të dimë mirë, sipas autorit, se /më shumë se dielli, ngroh njeriu,/ mbyll e shëron çdo plagë/. Ekzaltohet autori për gëzimin e fëmijëve të vendlindjes, për vlerat edukative që kanë, sinqeritetin e disponibilitetin, të cilët i kujtojnë vlerat e njeriut dikur, që karakterizohej nga dashuria e mirëkuptimi me shokun, mikun, fqinjin, udhëtrain, punëtorin, luftëtarin ...
Të
veçanta në stil janë lirikat e
dashurisë që na sjell autori në këtë vëllim poetik. Gjithnjë synon tek dashuria
e matur, ku në thelb duhet të ketë, domosdo, sinqeritetin dhe jo partnerët të pështjellohen
nga hovet e ndjenjave të pakontrolluara, të veprimeve çmendurake e, për
rrjedhim, do të kemi një dashuri të
pakuptimtë. Nuk shfaqet e përjetohet tek të gjithë njerëzit njëlloj, dhe po
u referohemi vargjeve: /si shijet e
profumit,/ si ngjyrat e ylberit,/ si njerëzit e kësaj toke/. Me ngarkesë
emotive e bukuri artistike autori shpreh zjarrin e ndezur kur për herë të parë
sheh sorkadhen e bukur e lozonjare duke ecur, takimin e një nate studentore, etj. Për autorin, nuk ka sens të fshihet
dashuria. Ndaj e fton partnerin /hape
zemrën,/ më trego torturën ..., me qëllim që të jetë gjithçka e hapur, për
të mos vuajtur. sepse /të dashuroh, është
nobiliteti i shpirtit, ndaj sakrificat për të janë të shenjta.
Disa lirika meditative shprehin e zbullojnë vetitë e autorit. Pjesë e jetës së
tij janë ëndrrat, të cilat vijnë si film
me metrazh të shkurtër. Sa herë mbetet vetëm, nën peshën e kujtimeve, vijnë
frymëzime për të shkruar, që, për poetin është shoqëria e preferuar. Kësisoj,
autori është vëzhgues i mprehtë i natyrës, qyteteve në trojet tona e në Europë
ku ka shkelur, i ngrohtësisë së masivit malor të Sharrit, lulet e profumuara,
stina e preferuar ... /Kudo shkova,
askund nuk gjeta një tokë timen/ mediton poeti atdhetar që përherë ka në
gji një copë Arbëri. Në të përmblidhet gjithë dashuria e madhe e pafund, e cila
rritet në progresion gjeometrik, sa më shumë kalojnë vitet.
Lexuesi e ka të lehtë të dallojë zemrën e butë të poetit, shpirtin e brishtë të kosovarit, përkushtimin e profesorit, vlerat më të mira njerëzore që plotësojnë portretin fisnik të Beqir Cikaqit. Kjo ka tregues besimin që ka, optimizmin që shpreh se një ditë do të ndërtojmë një botë ndryshe. Një botë ku do të mbretërojë dashuria, ajo dashuri puro, siç dinë të përcjellin vetëm nënat tona. Këtë dashuri puro do të dimë edhe ne, bijtë e tyre, t'ia dedikojmë mëmë sonë të madhe, Arbërisë.
4 shkurt 2018, Treviso