E marte, 08.10.2024, 08:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Nebi Dragoti: Pse çuditeni ju?

E marte, 06.02.2018, 08:28 PM


NEBI DRAGOTI

 

PSE ÇUDITENI JU?

 

Poemë

 

1-

Pse çuditeni ju?

Gjithë pluralizmi i korrupsionit,

gjithë qeveritë e tranzicionit

me lulishten e drogës janë marrë

kush më shumë,

kush më pak.

 

Me marijuana,

kanabis, hashash

të gjithë të përlyera buzët i kanë.

Pse çuditeni ju?

2-

Bizë,

bizë!...

Lojë hajdutshe,

lojë kriminelshe

veshur me pushtet;

dihet fare mirë…

Bërtasin për stafetën:

-Qeverinë ta rrëzojmë,

-Ta marrim ne qeverinë!

-Ligjin ta kemi shkop në dorë!

 

Pse çuditeni ju?

E vërtetuar është kjo

këtu.

3-

Mbajnë peng Shqipërinë

si majtas,

si djathtas.

Në pluralizëm vërshoi droga,

sa droga bëri hatanë

në çdo qeverisje me radhë.

 

Pse çuditeni ju?

Drogë në qeverisjen Rilindja

për të cilën patëm besimin e madh,

qemë besimplotë

sa për këtë fusnim duart në zjarr!

4-

S’ka asgjë për t’u çuditur,

ndërsa çuditeni ju!

Shumë fort e me galop,

le ta marrin vesh të gjithë:

korrupsionin e lulëzoi PD-ja

e të tjera të liga,

zullume, zullume,\

që dihen,

numrohen me gishta.

 

Korrupsionit kuçedër

nuk ia prishi çerdhen

jo, jo, jo

asnjë qeveri!

Akoma s’e keni marrë vesh,

në çdo çerdhe-qeveri

korrupsioni ngrohi vezë,

vezë gjarpërinjsh.

Pse çuditeni ju?

5-

Lojë për ndërrim pushteti

me pisllëqe vazhdon këtu.

Lojë maskash,

karnavalesh

mes llomotitjesh,

çirrjesh,

sharjesh

me bërryla,

me grushta.

 

A nuk e keni parë,

a nuk po e shihni ju?

Pse çuditeni kështu?

 

Lehjen e qenëve në stan

kemi ndëgjuar të gjithë.

Po ndryshe këto

janë lehje qensh në “stanin” Republikë,

kthyer prej politikës

në stan,

stan kakërdhish.

 

Sigurisht,

hum, hum njëri

e tjetri ham, ham

nën flamujtë rozë,

nën flamujtë blu,

flamuj bërë blozë.

 

Ja, kjo është e gjitha.

Ju u çuditkeni kot!

6-

Eh, ç’paskan qënë

këto monstra pushteti në tranzicion,

grykse për të ngrënë

bisht qengji,

gjoks gjeldeti,

kofshë viçi,

thelë përmbi thelë

si mbretër përrallash

sa nuk është çudi

(si në proverb),

çudia më e madhe zgjat tri ditë.

 

Eh, ç’paskan qënë,

eh, ç’paskan qënë!

7-

Gazetat,

mediat

për flamuj e vula

peshkohen lehtë

me grepin e lëmoshës

duke ngjeshur grisin xhepat

nga verdhushkat.

 

Kështu

me verdhushka

politika i fut në thes.

 

Biz atje e biz aty

e ha, hahaa këtu;

të ndershme hiqen,

përdridhen si kurvat.

Për këtë u çuditekeni ju?

 

Oh, merr zjarr vallja

me ‘’ta laga, s’ta laga”,

lojën e kumarxhiut

në lëmin ring

mbushur llumë politik.

 

Gazetat,

mediat

iso, iso politike,

pikë vlimi interesi,

mashtrimi

për të nxjerrë nga “kazani”*

pikë të parë rakie…

 

E nxijnë,

kur nuk duhet nxirë;

e zbardhin,

kur nuk duhet zbardhur;

zile, këmborë partish

në qafë kanë varur.

 

Nuk është pushtet i katërt,

është pushtet rrufjan,

është shkop pushteti,

pushtet brenda pushtetit partiak…

8-

Pse nuk e kuptoni ju?

Shqiptari ikën nga halli

e nuk ka qejf të kthehet këtu.

Harrojnë shqipen,

fëmijtë u flasin gjuhë të tjera.

Shqiptari azilkërkues,

emigrant

e ngrys jetën jashtë,

gjithçka kombëtare harrohet,

gjer identiteti

asimilohet…

 

Asimilohen shqiptarët…

 

Kështu është, kështu.

Edhe për këtë çuditeni ju?

 

Atmosferë politike e mbrapshtë,

tranzicion politik i pjerdhur,

fenomen antisocial;

pra, ishim kështu,

pra, kështu jemi në ditë të zezë.

 

Shurdhët nuk marrin vesh,

nuk shikojnë miopët

që paguhen nga populli

si udhëheqës “timonierë”:

Kanë mbetur vetëm plaka e pleq;

qajnë mëngjes, drekë, darkë,

kur do t’u kthehen fëmijtë?

Qoftë mallkuar i ziu,

kurbeti i shkretë!

 

Plaka e pleq vdesin vetëm;

shoqëria, lagja i çon në varr.

 

Eh e oh, fëmijtë mbetën larg,

larg, larg si zogjtë shpërndarë.

 

Qajnë fëmijët matanë,

qan këtej mosha e tretë.

Ah, ah, medet, medet

si nuk iu gjet këtij populli

një bir nëne

timonier?!...

 

E, kështu mos të jemi më! ,

Jooo, kurrmë,

por komb i bashkuar përpara,

motra e vëllezër.

 

Shqipëria  kurorë ditësh të bardha,

kështu nesër

njëherë e mirë

qofshim përgjithnjë!

Durres, janar 2018.

 

*“kazan”, kështu i quan mediat kryeministri E. Rama.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora