E hene, 17.05.2021, 09:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Alban Voka: Kontribute shqiptare në kohën e artë

E merkure, 21.06.2017, 07:33 PM


KONTRIBUTE SHQIPTARE NË KOHËN E ARTË

(Faridin Tafallari, Për kohën e artë, Prizren 2015)

Nga Alban Voka (Bukuresht)

Në këtë vepër briliante me 326 faqe dhe mbi 100 fotografi, autori ka përshkruar kontributin e diasporës për Kosovën para, gjatë dhe pas periudhës së saj më të vështirë (1998-99). Pasojnë faqe briliante për shqiptarizmin e sokolave të kombit dhe atdhetarët tanë që u sakrifikuan për të drejtat tona, për lirinë tonë. Qindra letra e proces verbale lidhur me paratë e mërgimtarëve destinuar Kosovës, luftës, ministrive, Qeverisë. Në paskopertinë, autori thekson: „Këtë libër po e botoj ashtu, duke i përshkruar, siç kanë qenë nga origjinalet dhe kopjet e tyre, ashtu si mi kanë dhënë dhe mi kanë dërguar... Dhe po i përshëndes përsëri sot, të gjithë ata bashkatdhetarë mërgimtarë, që në momentet më të vështira, i dolën në krah popullit dhe Ushtrisë së tij, duke filluar që nga vitet e shtatëdhjeta e deri në vitin 1999.”

Koha e artë ta përkujton kohën e tubimeve e demonstratave nëpër qytetet e Gjermanisë, Zvicrës, Belgjikës, Francës, Austrisë, Holandës e nëpër vende tjera të shteteve perëndimore. Ishte koha kur, siç pohon Faridini: „Nxitoj të ngrihem se më bëhet sikur do të marr udhët, rrugët, autostradat, ku nëpër to fluturoja dhe fluturoja...”. Mes qindra ngjarjeve përshkruhen edhe disa histori të dhimbshme, më e dhimbshmja ndër to duke qenë ajo e Zija Shemsiut të ndjerë: „Zijahi ra në duart e milicisë serbe, duke futur shtypin ilegal në ish Jugosllavinë titiste. Kapet në kufi nga milicia së bashku me Sami Kurteshin dhe dënohen me burgim të rëndë për „veprimtari armiqësore”. Këtë dënim do ta vuanin në burgun Qendror të Beogradit, burg nga ku, më 4 maj të vitit 1985 lajmëruan se Zijah Shemsiu kishte vdekur!? Por në të vërtetë ai u mbyt nga torturat e tmerrshme... U torturua për vdekje, sepse nuk u dorëzua para kriminelëve serbosllavë, duke mos tradhëtuar veten, idealin, shokët, Kosovën e tij të dashur” (fq. 62).

Në korpusin e librit, autori thekson me një sinqeritet që i ka hije: „Pra, përse ne mos t’i shkruajmë, mos t’i afrojmë e mos t’i ndihmojmë historianët tanë sot, me qëllimin e mirë për t’u lënë pasardhësve tanë një histori të pasur, reale e të saktë...” (fq.66).  Defilojnë kujtimet e veprimtarisë së Faridinit dhe shokëve të tij, që në moshën e hershme të rinisë, veprimtari atdhetare, e nisur që nga vendlindja dhe duke vazhduar në mërgim, kontaktet me bashkëveprimtarë, korrespondenca e tij me rëndësi të veçantë me të madhin Jusuf Gërvalla dhe të tjerët...

Fragment letërkëmbimesh me karakter miqësor dhe patriotik

Letër nga Suzana Gërvalla. Tiranë 30.V.1983. I dashur vëlla Faredin! U gëzova shumë kur e mora letrën tënde, ato fotografi dhe shiritin e varrimit. Në këtë letër kam me ju shkru për shumë gjëra të reja që kanë ndodhur këtu më së pari po ju shkruaj për festën e 1 Majit. Ajo ka qenë ditë e shënur për të gjithë ne. Për 1 Maj Donika i ka dhënë lulet shokut Enver. Ajo atë ditë e ka përqafuar babain e kombit shqiptar. I ka shtërnguar dorën njeriut më të shtrenjëtë të të gjithë shqiptarëve kudo që janë nëpër botë. Shoku Enver e priti shumë përzemërsisht Donikën. Për një kohë të gjatë ai i foli në vesh për babain dhe migjën e saj. E krahasoj Jusufin me Qemal Stafën, shumë e përkëdheli e lotët e tij pikuan mbi flokët e Donikës me shokun Enver. Ja dhe një lajm të gëzuar, me datën 12 maj Donika ka dalë në koncert si soliste me flaut me një orkestër të madhe. Ajo korri shumë sukses. Shkruan të gjithë gazetat për te. Në “Zërin e popullit” të datës 13 maj ja kanë vënë edhe fotografinë në faqen e parë. Me datën 21 maj ka dalë edhe në koncertin qeveritar ku ishte edhe vetë shoku Enver. Siq po shifni në fotografitë Premtoni për këtë vit që kemi ardhur këtu është zgjatur shumë.

Kur erdhëm këtu ai ishte shumë më i shkurtër se unë tash më ka arritur dhe më ka kaluar. Në shkollë kam vetëm fjalë të mira për te. Ai po mëson shumë dhe i ka aritur shokët këtu me mësime. Dita ditës veq më shumë e më shumë i përngjan babait të vet. Vetëm një gjë më brengos se ai gjithënjë është shumë i menduashëm dhe han shumë pak bukë. Ai po vuan shumë për babin dhe migjën e vet. Është bërë shumë i prekshëm, gjithë kohën e kalon me mësime. Këtu ja kam marun ni qifteli dhe kur i mbaron mësimet e merr qiftelinë dhe i bije. Premtoni ka qenë shumë i lidhur me Jusufin e Bardhoshin. Ju e dini se ata e merrshin gjithnjë me vete shpresoj se me kohë do t’i kalojë kjo mërzi. Ndoshta kam edhe unë faj me gjithëse mbahem e fortë para fëmijve, prap ka aty këtu ndonjë rast kur nuk përmbahem sa duhet. Ergoni sivjet do ta qojëm në shkollë. Ai është shumë i zgjuar dhe këtu të gjithë e dojn shumë, të gjithë i ka bë për vete. Me shëndet i kam mirë fëmijët, edhe vetë tash jam mirë, i dhash të gjitha provimet dhe e mbarova vitin.

Në fotografinë që na dërgove pamë se sa ishin rritur Besimi e Bekimi dhe shoqen e kishe mirë. Kushedi sa vjersha të reja i kanë mësuar ata të dy voglushët. U gëzuam shumë se kishin qenë nëna dhe Tusha tek ju. Bile janë qëmallur pak. Vëlla Faredin nëse ka nevojë për ndonjë gjë me ardhë unë atje më shkruaj se ka mundsi se vi edhe unë, sidomos kur është puna për teshat dhe sendet e tjera të tyre që kanë mbetur në polici si dhe për dokumenta të tjera që duhen nënshkruar. Fole ni herë me advokatin për këtë punë dhe unë vi në se është e domosdoshme. Mua para do kohe më erdhën dore do dokumenta për penzion për të nënshkruar. Mund të mi sqarojësh qka ishin ato dhe a e merni më rogën time apo e kanë ndërprerë dhe kur e kanë ndërprerë.

Unë këtu nuk kam nevoj nëse është mundsia për tu blerë kam nevoj ato që nuk janë këtu për ti bler. Më shkruaj të lutem edhe për shokë të tjerë çka po bëjn ata si janë, cilët kanë mbetur aty e cilët janë larguar. Më shkruaj për Nuhiun si u bë se u largua me gjith se unë ju thash me kohë disa fjalë për te, por prapë nuk besova se ai do të largohet prej jush. Të lutem vëlla më shkruaj më gjërsisht për të gjitha punët atje. Sa për qiftelin dhe sharkinë mbajeni, vetëm rujeni mirë se ato do të na duhen dikur. Sendet e tjera të Jusufit si gjitha shkrimet e tj., që i kan mbetur atje mi qoni se këta këtu po mi kërkojnë të gjitha artikujtë e tij e sa më parë. Shfytëzoje rastin kur vjen ndokush në pushim këtu. Mundohu me ardh edhe ti me familje. Bëje kërkesën në emrin tim e më shkruaj kur e bën se edhe unë këtu do të bëj qmos që ta rregulloj të vini këtu. Sendet si dhe letrat mund të mi dërgosh edhe nëpërmjet shokëve gjerman që po vin këtu, se ata po vin këtu dhe tek unë. Tash ju përshëndes të gjithve me radh ty familjen si dhe gjithë shokët të cilët më kan harrue. Drita Sokoli (Suzana Gërvalla). P.S. Faredin pyete Remziun si dhe Hysenin me Agronin a i kanë marrë letrat prej meje se nuk më kthyen përgjegje fare.

Letër nga Suzana Gërvalla. Tiranë 15. IX. 1983  I dashur vëlla Faredin!  Gëzohem shumë se Jeni të gjithë shëndosh e mirë dhe se punët po u shkojnë mbarë dhe ne Jemi mirë me shëndet. Tash po shkojmë të katërt në shkoll se sivjet ka hy në shkoll edhe Ergoni jon i vogël. Përgjigjen në letrën tënde të parë e shkrova menjëherë po spati kush me ta pru dhe ajo mbeti këtu që disa muaj. Po ta dërgoj tani edhe se me vones. Së bashku me letrën erdhi dhe kaseta me fotografitë dhe me ato të tjerat që i kishe shti aty. Të falemenderoj shumë. Mirë ke bërë që ma kishe dërguar adresën. Tash e mas do të shkruajmë letrat me postë vetëm që nuk do të përmenden emrat e njerzëve, po shof se ty të brengos shumë dalja e një organi të ri ”Puntorët”.

Unë po të qetsoj sepse atë gazetë nuk e nxjerrin armiqtë por thjesht një organizatë tjetër. Për Nuhiun po quditem shumë. Ai mundet me qen edhe njeri i keq por nuk besoj se mundet me qen edhe njeri i shitur te shkijet. Por ju që jetoni atje me te dini më shumë. Unë këtu nuk kam ndigjuër as mirë e as keq për të dhe po flas vetëm me hamendje. Sa për autorizimin, unë me gjithë qejf ta qoj ty Faredin atë autorizim por ti nuk më shkrove a duhet unë ta vërtetoj atë këtu apo vetëm me e shkruar dhe me e dërgue. Të lutem më shkruaj pa vonim dhe ta mbarojm këtë punën e autorizimit. Autorizimin që e ka Nuhiu të ja merni. Më gëzoj lajmi se do ta botoni dramën e Jusufit. Ajo është një ide shumë e mirë, mos harroni të më dërgoni edhe mua ndonjë kopje. Urime për Kosovaren e vogël. U rit me prindër dhe me shumë vëllezër dhe u bëft tamam Si Kosova jonë dhe si babai i vet. Tash po ju përshëndesim të gjithëve, mi përqafo shoqen dhe fëmit. Të lutem fotografomi tash dhe na dërgo një fotografi se kemi dëshirë ta shofim se sa janë rritur fëmija.. ne na ka marr molli shumë për Besimin dhe Bekimin dhe sidomos për ato vjershat që ata i recitonin aq bukur. Në se nuk priton mi inqizo fëmit duke recitue dhe ma dërgo atë shirit si dhe disa shirita të zbrasta që të inqizoj edhe unë këtu disa gjana për Jusufin dhe ti dërgoj ty se e di se ke dëshir me i ndigjue, gjithashtu te inqizimi shkruajëm pak edhe për Remziun, Namiun, Skënderin (Xhafer Durmishin), Hafizin, Agronin dhe shokët e tjerë.

Letra e Donika Gërvallës. Mirëdita Isha sot këtu për të marrë dokumentet e Babait, mirëpo nuk ju gjeta në shtëpi. Ju lutem m`i dërgoni dokumentet në adresën time:Donika Gërvalla –Bonn. Shpenzimet e transportit kuptohet që i marr përsipër unë. Aty ka dokumente, që janë pjesë e dosjes hetimore rreth vrasjes, prandaj ju lus që për të mos rrezikuar apo ngadalësuar këto hetime të më dërgoni të gjitha dokumentet dhe as të mos botoni diku ndonjë pjesë të tyre dhe as mos t`ia tregoni më askujt. Ato dokumente janë pronë e familjes Gërvalla, dhe i duhen kthyer asaj. Unë erdha miqësisht për të marrë dokumentet dhe për të shkëmbyer dy fjalë. Ju lutem më dërgoni dokumentet brenda 10 ditëve të ardhshme. Shumë të fala edhe familjes. Donika Gërvalla (nënshkrimi) . (Letër e lënë në kutinë e postës, në adresën time, pa emrin e personit, që i drejtohet,pra emrin tim, në Horberstr.37, 72221 Haiterbach,e hapur,pa zarf, në dy letra A5, e shkruar me shkrim dore dhe pa datë, letrën e morra në mëngjesin e të hënës, me datë, 07. 10. 2013. Shënimi im.F.T. ...Nga korrespondenca ime me shokët e atyre viteve te arta, dua të veçoj edhe një letër tepër të dashur për mua, nga i paharruari, Baca Jahë, të shkruar ashtu thjeshtë, me një gjuhë shqipe, që dinte ta shkruante vetëm ai bashkëveprimtari, atdhetari i orëve të para,mëse shqiptari i shqiptarëve Jahir Jahiri!...Edhe sot, shpesh i kthehem leximit të kësaj letre,qeshem e më mbushet shpirti!... Krenohem me këta shokë ideali, me të cilët ecëm të vendosur, pa u lëkundur kurrë, ashtu sikurse u betuam, në gjurmët e të madhit Jusuf Gërvalla në rrugën drejt lirisë e BASHKIMIT KOMBËTAR!

Mërgimtari që e mban gjallë flakën e pashuar të atdhetarizmit shqiptar

Librat e Faredinit dhe letrat e tij private kanë karakter patriotik dhe miqësor. Autorin e kemi mik dhe bashkëveprimtar i idealit kombëtar për realizimin e ëndrrave të rilindësve tanë, duke bashkëvepruar me të që nga vitet e brishta të rinisë (1973), në kohën e Lëvizjes kur vajta për herë të parë në trojet gjermane. Faridini është një bashkatdhetar i respektuar që vazhdimisht e mban gjallë flakën e pashuar të atdhetarizmit shqiptar: „Tungjatjeta Baki i dashur! Të falemenderit shumë për Mirënjohjen o i shtrenjti bashkëluftëtari im i atyre viteve kur shkjau i zi e i pamëshirshëm nuk na kursente ne mëmëdhedashësve që luftonim për liri e pavarësinë e trojeve tona, pa na trembur asnjë stuhi... Mos harro se ne jemi akoma në lëvizje, sepse duhet vazhduar deri në realizimin e plotë të bashkimit mbarëkombëtar, për rikrijimin e atdheut me të gjitha trojet etnike shqiptare! Prandaj ty i shtrejti shok, uroj të shërohesh sa më parë, sepse kombi ka nevojë për ty, se ti nuk je vetëm i vetëvetes tënde por je edhe bir i popullit shqiptar, je i mbarë kombit i dhe akoma i duhesh popullit dhe atdheut! Të përshëndes Shqiptarisht! (15/V/2017, F. T.)”

Letërkëmbimi me këtë njeri duket si një ilaç i mirë për shërimin e shpirtit: „Mirëmbrëma i nderuar! Po ti vetëm gjëra të mira dhe të bukura din të bësh! Revista „Shqiptari” më pëlqeu shumë, o shoku im i idealit! Më prekën shumë konsideratat kritike që shkrove për librin tim, kur më ktheve edhe një herë pas kaq vitesh në ato rrugë e lagje të Struzhës sime të paharruar, kur nga Gjermania fluturova për në vendlindje, por kësaj rradhe isha i shoqëruar edhe me ty, përkatësisht me revistën që e boton atje ku je! Por, pas leximit pata shumë dëshirë që të ta dëgjoja zërin, por ja qe nuk u realizua dhe u mërzita shumë sepse çka nuk mendoja për shëndetin tënd, ndaj letra më gëzoi shumë se paske dalë nga spitali, se je më mirë dhe kështu dua nga zemra që të kesh shëndet të mirë dhe të na rrosh sa malet e Sharrit!.

Nuk di si do të them ndryshe, vetçse të të uroj shëndet dhe suksese! Po ky numër i revistës më pëlqeu edhe më tepër se pas shumë vitesh të gjeta edhe ty si bashkëveprimtar të pandarë me punën tënde për të mirën e atdheut, ashtu si i dua dhe i respektoj gjithë shokët e mi. Sot i pashë te „Shqiptari”  fotografitë e vjetra që vijnë nga faqet e historisë. Shqiptaret janë racë e bukur që kanë respekt ndaj familjes, ndaj atdheut, ndaj gjuhës, traditave dhe  dëshmorëve të kombit. Këto komplimente janë pak për dashamirët e atdheut dhe sokolat e Kosovës që nuk na lanë të tretemi këtu në mërgim!” (15/VI/ 2017, Dini)



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora