Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Kostandini nuk hyri në ajodhimë
E diele, 18.06.2017, 10:03 AM
Kostandini nuk hyri në ajodhimë…
Sprovë
Nga Timo Mërkuri
Balada Kostandini dhe Doruntina është një ndër baladat shqiptare më magjepëse, sa që edhe me një lexim të shpejtë të mbeten në mëndje vargjet tronditëse të udhëtimit të vëllait të vdekur me motrën mbi të njëjtin kal dhe dialogët e tyre. Madje i parafytyron mbi kalin e zi, me shalë të zezë dhe frerin e argjendtë, me flokët e përbaltura dhe të lagështa të Kostandinit që era ja shpupuris Doruntinës në fytyrë.
Është ky momenti kur Doruntina nuhati që flokët e të vëllait qenë të përziera me baltë dhe nga trupi i vinte një erë e rëndë vdekjeje. Shtoi kësaj edhe faktin që pak më parë kishte ndjerë se dora e të vëllait ishte tepër e ftohtë, përkundër moshës së tij të re, ardhjen e rij të beftë në sheshin e fshatit ku qe martuar, insistimin e tij dhe nisjen e menjëherëshme për rrugë, “sikundër je”, këngën e zogjve për “një zogëz bishtëbardhë/” që shkonin bashkë…“I vdekuri me të gjallë”, pra të gjitha këto ishin si shumë arsye për ti bërë vëllait pyetjet me një shqetësim të brendshëm. Por gëzimi i vizitës të shumëdëshiru- ar te nëna plakë nuk e la të thellohej shumë te përgjigjet dykuptimëshe të vëllait.
Ashtu si edhe ne, magjia që shpërndan kjo baladë nuk na la të shohim se mbi të ka rënë diçka më shumë se pluhuri i shekujve. Porn e le të hyjmë brenda baladës dhe jo ta sodisim nga “dritarja” poetike.
1-Balada fillon me vajtimin e nënës plakë të cilën “një stihi” i helmoi “nëntë djem e nëntë nuse/ të nënta me djep në duar” duke i shkaktuar gjëmën më të madhe për një familje; “nëntë djepe ç’mi përmbyse/nëntë kala mi gremise/ nëntë dyfeqe mi shite”. Më
saktë ajo shtëpi duhej të mbyllej. Por ja që nëna plakë kujton se Kostandini, djali i vogël i paskësh premtuar se do ti sillte kurdoherë që të kishte nevojë motrën Doruntinë, e martuar “shtatë male kaptuar”. Kostandini nuk ja solli motrën edhe pas gjëmës që e gjeti shtëpinë e saj, prandaj ajo pasi i përmënd besën e pambajtur, “besa jote ndënë dhe” e mallëkon të birin“Kostandin të ardhtë gjëma”.
Mallëkim i çuditshëm ky për një të vdekur. Ç’gjëmë mund ti vinte të vdekurit nga bota e të gjallëve?
Ky varg vërtet të rrënqeth shtatin dhe nuk të lë të shikosh më tejë. Sepse është një mallëkim nëne, i një nënë me shpirt të tharë nga lotët që ka derdhur. Mallëkimi i këtyre nënave ka forcën e fjalës së zotit. Të gjen kudo që të jesh, në këtë botë apo në botën tjetër.
1.1-Dhe të mendosh se ky mallëkim gjëmëmadh i adresohet birit të saj më të vogël, kjo e bën më të frikshëm mallëkimin. Djalit më të vogël normalisht i rezervohen fjalët më të ëmbla, përkëdhelitë më të shumta, i falen më lehtë gabimet e fajet. Ai rrallë qortohet dhe asnjëhe -rë nuk mallëkohet. Dhe sidomos nga nëna…
1.2-Por ka dhe një element që duhet patur parasysh. Krishtërimi nuk e pranon mallëkimin Jezu Krishti edhe në kryq nuk mallëkoi shkaktarët e vuajtjeve të tij, përkundrazi ka mbetur fjala e famëshme për torturuesit e tij …Fali o atë se s’dinë se ç’bëjnë”.
1.3- Si i tillë,mallëkimi ishte një ritual pagan. Duke qënë me një forcë të tillë sa që trandet dheu dhe ngrihet i vdekuri nga varri, vargu i mallëkimit të nënës na dëshmon kështu indirekt lashtësinë e baladës edhe në raport me krishtërimin.
1.3.1-Dhe po ti shtosh kësaj edhe lojën me numërologjinë (Gjashtë e gjashtë dymbëdhjetë / Doruntina trembëdhjetë*, motra me nëntë vëllezër) në funksion të idesë, atëherë konkludon se të gjithë elementët aktivë të baladës i përkasin periudhës parailire.
1.4-Duke analizuar mallëkimin e nënës konkludojmë se balada është e periudhës së institucionalizimit të familjes. Shkelja e “besës” nga Kostandini do të thoshte kundërshtim i konsolidimit dhe instutucionalizimit të familjes në shoqërinë e atëherëshme, do të thoshte shpërbërje e familjes, duke nënkuptuar humbjen e identitetit të familjes...
2-…Nëna është në qëndër të baladës.. Është ajo që nis baladën, që vajton ngjarjen, që mallëkon të vdekurin duke shkaktuar ngritjen e tij nga varri. Dhe në fund është po nëna që dialogon me të bijën e kthyer në shtëpi nga vëllai i saj i vdekur. Madje asaj i kërkohet leja për të martuar motrën e vetme dha po asaj i dha besën Konstandini.
2.1-Babai nuk del gjëkundi në skenë. Madje as si kujtim e jo vetëm si personazh. Pra kjo familje drejtohej nga nëna.
Që është një familje e organizuar, kjo duket qysh në fillim të baladës, por që është një familje matriarkate kjo kuptohet nga zhvillimi i ngjarjeve.
2.2-Ne shohim vetëm një familje të organizuar, familje që drejtohej nga gruaja , këtu, nëna. Paraardhësit tanë qysh në hershmëri kanë krijuar institucionin e familjes, institucion që ruajti etnitetin tonë nëpër shekuj. Në periudhën e matriarkatit nuk kishte shtet, prandaj ne nuk shohim gjurmë të institucioneve të shtetit nëpër vargje. Kjo është një dëshmi indirekte e lashtësisë së baladës, me datlindje në kohën e matriarkatit.
2.1-Në qoftë se do pretendohet për një datlindje më të vonëshme se periudha e matriarkatit, pra në kohën e patriarkatit, atëherë drejtimin e familjes do ta kishte marë një mashkull edhe në qoftë se do pretendohej se paskësh vdekur kryefamiljari, babai. Kjo familje kishte nëntë djem në moshë madhore, të martuar dhe me fëmijë “në djepe” dhe do ishte normale që drejtimin e familjes ta kishte një nga vëllezërit, i cili do organizonte edhe dasmën e motrës, Doruntinës. Por fakti që leja për martesën e Doruntinës “larg e larg mërguar/ shtatë male kaptuar ” kërkohej nga nëna, fakti që besa ju dha nënës nga Kostandini, më tejë, mallkimi i nënës tundi varrin dhe ngriti të vdekurin në këmbë” etj etj dëshmojnë rolin drejtues dhe autoritar të nënës në familje, duke i vënë vulën datlindjes në kohën matriarkale të baladës..
3-Po atëherë pse te vargu i parë i baladës datohet fillimi i ngjarjes “Ditën e Pashkës në drekë”, dhe më poshtë ku thuhet “Ditën e Pashkës së Madhe”. Pse në disa vargje citohen objekte fetare si kisha , ajodhima?
Në qoftë se datlindja e baladës është periudha e matriarkatit kujtojmë se Pashkët, si rite fetare i përkasin krishtërimit, institucionalizimi i të cilit daton në vitet 300. Është i vërtetë fakti që populli shqiptar e pranoi krishtërimin ndër të parët në Ballkan, madje qysh në udhëtimin e parë të shën Palit, por deri në institucionalizimin e tij nga perandori Kostandin krishtërimi ishte një fe gati ilegale, pavarësisht masivizimit të saj si fe e shtresave të ulëta. Por gjithsesi distanca mes matriarkatit dhe krishtërimit është jashtëzakonisht e madhe, nuk flitet për diferenca vitesh por për diferenca epokash.
Atëherë si shpjegohet vargu i parë “Ditën e Pashkës në drekë” në këtë baladë të periudhës së matriarkatit?! Po vargjet e tjera me adresë kristiane.
Për të kuptuar këtë le të sqarojmë se çështë Dita e Pashkës?
3.1-Dita e Pashkës është një ditë pranvere që përfaqson ringjalljen e jetës, rilindjen e natyrës manifestuar kjo në gjelbërimin dhe lulëzimin e bimëve dhe pemëve. Kjo ditë në periudhën ilire dhe parailire festohej si ardhje e pranverës. Një festë si dita e verës.. Në një ditë të tillë u ringjall Kostandini.
Sipas krishtërimit, Pashka është dita e ringjalljes së Jezu Krishtit. Jezu Krishti u
kryqëzua ditën e premte dhe u ringjall ditën e diel në mesnatë. Pra kemi konceptin e ringjalljes. Edhe pashkët kristiane bien në pranverë në variacion fund marsi fillim ose mes prilli. Është pikërisht koha e ringjalljes së natyrës. Ngashmëria është tepër e madhe në ringjalljen e të dyve.
3.2-Ndryshimi është se Jezu Krishti është bir perëndie, Kostandini është një bir njeriu. Madje pagan.
Kostandini u ringjall pas tre vjetëve (ç’bën tre vjet pa tretur), Krishti u ringjall pas tre ditëve. Arsyeja e kohës së gjatë e ringjalljes së Kostandinit shpjegohet me faktin se balada e kishte me “tepricë” kohën ndërsa Jezu Krishti kohën e kishte të kufizuar paraprakisht në “shkrimet e shënjta”. Misioni i tij në tokë nuk kishte kohë të tepërt në dispozicion.
3.3-Balada ka lindur në periudhën e matriarkatit dhe u mbart deri në kohën e krishtërimit duke u trasmentuar gojarisht brez pas brezi. Shkruesi i mëvonshëm i kësaj balade, i cili me siguri ka qënë murg*, ka menduar që ta “shënjtërojë” pak këtë baladë pagane.. Mund të vëmë edhe një paralele midis besës dhe besimit. Madje ky do ishte edhe qëllimi kryesor i shkrimit të kësaj balade, “të pagëzonte” në kristianizëm baladën pagane, siç ishte bërë dhe në raste të tjera*. Elementët e këtij “pagëzimi” i kishte qysh nga koha pagane, duheshin ndryshuar pak. Besa duhej bërë besim, ditën e ringjalljes le ta quajmë dita e Pashkës, ringjallja e Kostandinit përqaset me ringjalljen e Jezu Krishtit, koha e ringjalljes është po e njëjtë. Atëherë le ti shënojmë si datlindje kësaj balade pikërisht datë-ringjalljen e Jezu Krishtit, ditën e Pashkës së Madhe.
Veçse kjo është si të shartosh një syth kristian mbi një nënshartesë të ashpër pellazgjike.
3.4- Vlen të theksojmë edhe një “gabim”kalendarik. Në krishtërim, dita e Pashkës është dita e ringjalljes ndërsa në baladë…Ditën e Pashkës në drekë …mi helmoi djemt e mi/ nëntë djem e nëntë nuse. Pra këtu kemi të bëjmë me vdekje, gjë që tregon se datimi i ngjarjes së vdekjes është një lapsus, i cili nuk ndodhet në variantet e tjera. Mosndodhja në variantet e tjera është një dëshmi e një “lapsusi” të paramenduar.
3.5-Kujtojmë se elementët kristianë, te motërzimi më “fetar”i kësaj balade janë pak vargje dhe konkretisht a-Vargu i parë…Ditën e Pashkës në drekë, b-Vargu i 19-Ditën e Pashkës së Madhe, c-Vargu i 29-Të vishem si kallogre, ç-Vargu i 40- Vate gjer në der të qishës dhe vargu 42- Se kam punë në ajodhimë. Siç shihet këto janë vargje jo thelbësore në baladë, madje vargu 19 dhe 40 nuk përmënden as në motërzimet e tjera të përafërta me variantin e cituar. Kështu te varianti arbëresh kënga fillon me vargjet …Ish një nënë shumë e mirë…, dhe objektet fetare përmënden vetëm tri herë, në funksione dytësore.. Te varianti i Halil Garisë balada fillon me vargun…Kur ish ken gruja e ve/dhet jetim zoti ja kish falë…
Pra, konkludojmë se në botën shqiptare elementi kristian nuk depërtoi në thelbin e krijimtarisë popullore. Sythi kristian i shartuar në trungun pellazgjik të balad(ave)ës mbeti anemik, pa u zhvilluar si degë e fortë e “pemës”.
4-Ky anemizëm i “sythit kristian” të shartuar mbi këtë baladë të vjetër pellazge e ka shpjegimin.
4.1-Me gjithë përqasjen e elementëve dytësorë midis baladës së ringjalljes së Kostandinit dhe ringjalljes së Jezu Krishtit përsëri ato mbartin mesazhe të ndryshme. Ringjallja e Jezu Krishtit sjell mesazhin e dashurisë së perëndisë për njeriun ndërsa ringjallja e Kostandinit sjell mesazhin e egzistencës, institucionalizimit dhe forcës së besës së njeriut shqiptar. Krishti flet për besimin, Kostandini flet për besën.
4.2-Jezu Krishti pas ringjalljes u ngrit në qiell, ku vazhdon të mbretërojë si bir perëndie, duke vijuar misionin e tij ndërsa Kostandini pas ringjalljes, mbajti besën e dhënë dhe pastaj hyri përsëri në varr, pasi misioni i tij mbaroi. Pra jo vetëm mesazhet qenë të ndryshme por edhe mënyra e prurjes dhe vënia në jetë e tyre ishte e ndryshme në mënyrë dhe në kohë.
4.3-Ndërsa ndonjë paralelizëm me ringjalljen e Lazarit* nuk mund të bëhet për arsye se fabula e ringjalljes së Lazarit është shumë e thjeshtë: Lazari ishte një mik i Jezu Krishtit i cili vdiq nga një sëmundje. Jezusi nuk ju ndodh pranë ditën e vdekjes sepse ishte me dishepujt e tij. Kur e mori vesh lajmin u nis për te fshati i Lazarit dhe kërkoi ta çonin te varri i tij, ku i thiri tre herë në emër dhe i tha të ngrihej..Megjithëse Lazari kishte katër ditë që kishte vdekur, ai e dëgjoi fjalën e Jezu Krishtit dhe u ngrit nga varri. Mesazhin e kësaj fabule e tha vetë Jezu Krishti kur mori vesh vdekjen ku theksoi :.. Më mirë që nuk isha kur vdiq. Tani ju do shihni madhështinë e atit tim dhe dashurinë e tij për njeriun.
4.4-Populli ynë vërtet e pranoi masivisht krishtërimin por thellë në shpirtin e tij ai mbeti një popull pagan. Akoma dhe sot shqiptarët mbajnë besime pagane, bëjnë betime pagane (për këtë gur, për këtë zjarr, për qiell e për dhe etj). Kështu që “sythi i shartuar” e kishte të vështirë të ritej e të zvëndësonte trungun pelazgjik ku u shartua.
Le të shohim për këtë vargun më të fuqishëm të shartuar, vargun…se kam punë në ajodhimë/ se ati e kam shtëpinë…
4.5-Ajodhima është një pjesë e kishës ortodokse në formë gjysëmrethi e me kube, ku prifti pregatitet për shërbesat fetare si psh pregatit naforën etj. Pra është një vend ku hyn vetëm prifti dhe ndonjë ndihmës i tij. Atëherë lind pyetja, ç’kërkon Kostandini në ajodhimë kur ai nuk ishte as prift dhe as ndihmës i priftit? Sa për “shtëpinë” e tij, ai e kishte në varreza dhe jo në ajodhimë. Dikush do thotë se me këtë varg Kostandini mashtron motrën., me qëllim që ajo të largohet dhe të mos e shohë atë kur të rihyjë në varr. Pra, me këtë varg “mashtrues” mbron motrën nga një tronditje shpirtërore e mundë -shme me qëllim që ajo të shkojë te nëna, duke dëshmuar kështu se Kostandini e mbajti besën. Pra në thelb ky dyvargësh nuk ka asgjë fetare që të “shënjtërojë” baladën.
5-Atëherë na lind e drejta të hipotezojmë se në variantin fillestar, objekti ku hyri Kostand -ini ka qënë çdo gjë tjetër e mundëshme, por jo ajodhima. Pse të mos hipotezojmë se ka hyrë në një objekt kulti parakristian, ku bëheshin ceremoni për të vdekurit, ku i faleshin zotave të lashta ose thjeshtë orakullit të Dodonës pranë Tomorit. Duke qënë se shumë elementë thelbësorë të baladës na çojnë në konkluzionin e datlindjes së baladës në epo- kën e matriarkatit është më llogjike prania në baladë e tempujve të lashtë se sa e ajodhi -mës së kishës.
5.1-Jo më kot e hipotezojmë vendfaljen e Kostandinit duke nënkuptuar edhe vendlindjen e baladës pranë Tomorit. Në rrethinat e Beratit , në zonën e Çamërisë dhe në Bregdet kjo baladë ka një përhapje shumë të gjërë. Mirpo këto zona kishin si vendpelegrinazhi tempullin e Dodonës. Po ashtu në këto zona emri “Kostandin” është shumë i përhapur edhe sot dhe shpjegohet me fjalët kush-ta ndijë (s’do ta besojë këtë ngjarje), ashtu si dhe emri i Doruntinës shpjegohet me fjalët dor-unë-ti dmth të zënë për dore unë dhe ti (Kostandini dhe Doruntina) dhe ka origjinën te momenti që Kostandini kap motrën për dore për ta hypur në kal. Atëherë Doruntina ndjen se dora e të vëllait është shumë e ftohtë. Pra Kostandini e çon motrën deri te vendkulti pagan, ku zakonisht pranë tij ishin varrezat dhe i thotë të shkojë te nëna plakë se ai ka pak punë te… tempulli.
6-Pra si përfundim mund të themi se Kostandini nuk hyri në ajodhimë për arsyen e thjeshtë se kisha ende nuk ishte ndërtuar akoma.
Ajo u ndërtua shumë shekuj më von.
*-Murgjit ndërmorën misionin e dokumentimit të baladave dhe këngëve e përallave të vjetra.
*-Është vërtetuar se shumica e kishave kristiane u ndërtuan nëpër vendkultet pagane. Shumica e xhamive u “krijuan” duke u vendosur minaretë kishave të fshatrave pas ndërimit të besimit. Hipotezohet përqasja e emrit të Jezusit (Je zëri im) me Zeuzin (Zë-ësi), numëri I zotave me numërin e dishepujve të Krishtit etj.
*Në historinë e njerëzimit vetëm tre njerëz janë ringjallur, Kostandini shqiptar, Jezu Krishti dhe Shën Lazari.
*-Sipas numurologjisë, numëri nëntë është numër i durimit dhe meditimit. Si numëri i fundit ndër numërat e thjeshtë është konsideruar i shënjtë. Përfaqson 9 dhuntitë shpirtërore të zotit, cituar nga shën Pali.
Numëri gjashtë është konsideruar si numër mistik dhe tregon pavendosmëri dhe personalitet të dyfishtë.
Numëri trembëdhjetë është numëri ters. Zotat e Olimpit ishin vetëm 12, po kështu dhe dishepujt e Jezu Krishtit. I trembëdhjeti ishte Juda Iskarioti.