E shtune, 19.06.2021, 04:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Dibran Demaku: Ai dinte një fjalë prej guri

E diele, 18.06.2017, 09:32 AM


Fjala e mbajtur ne nje takim letraro-artistik ne Diaspore per krijuesin dhe poetin kombertar AZEM SHKRELIN,ne Ennepetal me 27.05.2017

Nga Dibran Demaku

AI DINTE NJE FJALE PREJ GURI

(Azem Shkrelit)

Ai dinte një fjalë prej guri

dhe me të fliste shpesh

se vetë ishte gur i rëndë Rugove

Ai dinte një fjalë praj guri

e shkëmb i fortë ishte zemra e tij

kur fliste me burrat e Shkrelit

Ai dinte një fjalë praj guri

se dhe ëndrrat i kishte të gurta

e rimat e strofat i dilnin të flamurta

Ai dinte një fjalë praj guri

gjoksin e kishte xhamadan guri

edhe ne amshim i qesh nuri

Ai dinte një fjalë praj guri

me lisat e fisit nje plis Rugove

shpresendritur deshirebardhe Kosove...

Azem Shkreli-I lindur në Rugovë atje ku majat e maleve prekin qiellin, ai herët filloi të fliste me diellin. Me diellin e vet poetik…Me diellin e vet krijues…Qe në shkrimet e tij të para, ai tregonte se ishte një krijues jashtë serik, krejt i veçantë. Krijimet e tij, qofshi ati në prozë, në poezi, apo edhe në fushën e dramaturgjisë ishin të lidhura me token e nënëloken; me dheun e atdheun, me gurin, murin e flamurin; me buzëqeshjen e reshjen; me trimërinë e lirinë; me të bukurën e madhështoren; me fitoren e kurorën… Qysh si nxënës në bankat e Normales së Prishtinës do të shkruante e botonte romanin e tij të mirënjohur dhe të jashtëzakonshëm ”Karvani i bardhë” një ndër romanet më të arrira në krejt krijimtarinë letraro-artistike në gjuhën shqipe e më gjerë. Personazhi kryesor I romanit në fjalë është mbase personazhi më i realizuar letrarë-artistik në krejt prozën artistike shqiptare. Më parë se prozë e mirëfillti ”Karvani I bardhë” mbase mund të thuhet se është një prozë e gjatë poetike. Simbolet dhe metaforat e shumta poetike që krijuesi Shkreli i ka shkrirë aq bukur në prozën e tij e bëjnë atë një prozë poetike jashtë serikë apo të jashtëzakonshme…Dhe kur pritej që meteori i krijimtarisë Shkreli do të vazhdonte të shkruante prozën e tij brilante, ai në mënyrë të befasishme para lexuesve dhe kritikës letrare do të paraqitej me vepra të shumta poetike, për të bërë emër në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Poezitë e tij të shkruara me një dell dhe stil poetic të pashoq, të skalitura e të brumosura me simbole e metafora alla shkreliane, u bënë si të thuash buka dhe uji i përditshëm si për lexuesin ashtu edhe për kritikën letrare. Krijimet poetike të Shkrelit sot zënë vend kryesor në krijimet artistike në gjuhën shqipe e më gjerë… Poezitë shkreliane për token e nënëloken; për dheun e atdheun; për gurin, murin e flamurin; për buzëqeshjen e reshjen; për trimërinë e lirinë; për lisin, fisin e plisin; për qiellin e për diellin; për Rugovën e Kosovën…janë ato perlat poetike që kanë zënë vend në memorien e kombit, dhe të cilat do të jetojnë, do të lexohen e shijohen në shekuj, sepse poeti Shkreli me veprën e tij I ka kapërcyer shekujt… Edhe pse poeti Shkreli pjesën më të madhe të jetës së vet do ta kalonte në kryeqytet(për arsye pune),jo rrallëherë do të kthehej në vendlindjen e vet, atje ku i kishte rrënjët, tek rugovasit e tij që i donte dhe i nderonte aq shume…I donte dhe i nderonte dhe I skaliste në poetikën e tij: Rugovë/Po kthehem/ e rrepta e mira/po kthehem. Po kthehem/ e egra, e bukura/ po kthehem. Përsëris/po takohem me ty/ si me nënën… Se poeti Shkreli kishte një lidhje si të thuash gjaku me token si asnjë tjetër, e gjejmë tek poezia e tij Kushtimi ;Toka jonë e mire, toka jonë e pagojë/ Do të shtrydhi fjalën derisa gjak t ‘pikojë. Të të flas nga gjaku, pastaj fjalës sime/ T`i vijë erë e gurit, erë e farës së mbirë. T`hepohem me ty mbi valët e çdo shtrëngate/ T ‘behëm një grusht dhe i mire i arës sate… Dhe kështu do të vazhdojë Shkreli në çdo poezi, prozë apo dramë të tij. Fjalët e zjarrta të dala nga zemra dhe shpirti i tij do t`i skalisë dhe do t`i rendisë si ai mjeshtri I mirë që I skalitë gurët kur bën një mur që do t`u rezistojë shekujve. Edhe fjalët poetike të Shkrelit u ngjajnë atyre gurëve të skalitur ndër shekuj nga mjeshtër në zë, e që në nëpër muranat shekullore…Edhe poetika e Shkrelit e skalitur me aq mjeshtri do të ecën nëpër shekuj ashtu e bukur ashtu e madhërishme… Pas ”Bulëzave” do të vijnë:” Engjëjt e rrugëve”,” E di një fjalë prej guri”, ”Nga bible e heshtjes”, ”Pagëzimi i fjalës”, ”Nata e hutinit”, ”Sytë e Evës”, ”Fosilet”, ”Varri i qyqes”, ”Shtatë nga ata” ,”Lirikë me shi” etj…

NJERI I JASHTËZAKONSHËM-KRIJUES I PASHOQ

Diku dhe dikur për krijuesit kam lexuar edhe këtë: Ka krijues që në jetë janë njerëz të mire, por veprat letrare I kanë të dobëta, e ne ndiejmë dhimbje për veprat e tyre. Ka krijues që në jetë janë paksa problematik, ndërkaq veprat letrare I kanë të mira, e ne ndjejmë urrejtje për veprat e tyre…Ne lexuesit e zakonshëm, por edhe kritika letrare kemi dëshirë që krijuesi të jetë I mire në jetë, por që edhe krijimtarinë letrare ta ketë në nivel. Azem Shkreli në jetë ishte njeri i jashtëzakonshëm, në kuptimin e mire të fjalës, ndërkaq në krijimtari ishte pothuajse i pashoq. Ishte dhe mbeti një meteor ndriçues për gjeneratat… Para së gjithash, Azem Shkreli ishte njeri I kulturës në kuptimin e gjerë të fjalës. Pa praninë e tij kultura kombëtare shqiptare do të ishte e varfër, tmerrësisht e varfër. Azem Shkreli në kulturën kombëtare shqiptare ishte, është dhe do të mbetët I pazëvendësueshëm… Shekulli që iku, pa Azem Shkrelin në rrafshin kulturor, për ne shqiptarët e Kosovës në veçanti, por edhe për shqiptarët kudo që jetojnë, në përgjithësi, do të ishte i errët, ndërkaq me Shkrelin ai ndriçoi sit ë thuash me ngjyra të ylberit…Azem Shkreli në kulturën kombëtare shqiptarë të Kosovës ishte është e do të jetë gur e mur e flamur… Si drejtor I teatrit të Prishtinës në vitet e shtatëdhjeta të shekullit që iku, me angazhimin e tij të pashoq, do të bënte që kultura teatrore shqiptare të arrinte majat. Për ata më të vjetrit, ndër të cilët do të mund të rendisja edhe aktorin e madh, Çun Lajçin, që sot ndodhet në mesin tone, do të mbeten të paharruara dhe monumentale shfaqjet apo dramat e luajtura në teatrin e Prishtinës, sa ishte drejtor Shkreli si: ”Erveheja” e Kyqykut, në regji të të madhit Muharrem Qena; apo “Gjenerali I ushtrisë së vdekur” i Kadaresë në regjinë e të madhit Piro Mani; ”Revizori” i Gogolit” në regjinë e po ashtu të madhit Besim Sahatçiu e shumë e shumë vepra të tjera dramatike kombëtare e ndërkombëtare. Pa Azem Shkrelin si drejtor, vështirë se do të viheshin në skenë ato vepra monumentale… Dhe kur do të themelohej “ Kosova filmi”, kompani për prodhimin e filmave artistike, Azem Shkreli do të jepte maksimumin e vetëdijes, që kompania filmore në fjalë, para së gjithash të kishte karakter kombëtar shqiptar. Edhe aty Azem Shkreli,si njeri i dëshmuar i kulturës do të zgjidhej në postin udhëheqës e që ishte posti I drejtorit, Pa Shkrelin si drejtor të tij, vështirë se” Kosova filmi” do t`i realizonte filmat artistik monumental si: ”Njeriu prej dheu” të Agim Sopit,” Proka” të Isa Qosjes, ”Ethet” po ashtu të Isa Qosjes e shumë projekte tjera filmike shqiptare të Kosovës… Në fund të viteve të shtatëdhjeta dhe në fillim të viteve të tetëdhjeta të shekullit që iku, kur autori i këtij vështrimi ishte student, kujton që gjatë ligjëratave të ndryshme kur ishte bërë fjalë për krijuesit shqiptarë të lerave flitej se andej kufirit ishin tre krijues të njohur si. Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, që do të thotë në Shqipëri ,atëherë pa fajin tone n andante një kufi i pakalueshëm, ndërkaq këtej kufirit, që do të thotë në Kosovë ishte treshja tjetër krijuese me: Azem Shkrelin, Ali Podrimjen dhe Din Mehmetin…Tre andej e tre këndej bënin gjashtë…Që të gjashtë të mëdhenj ,të barabartë dhe të dashur për çdo lexues…

BURRË I MENQUR, POR DHE TRIM

Azem Shkrelin si njeri të jashtëzakonshëm në jetë dhe si krijues të papërsëritshëm në kulturë në përgjithësi si dhe në rrafshin krijues në veçanti, e dallonte edhe burrëria dhe trimëria. Burrëria kur e kërkonte vendi e kuvendi dhe trimëria kur e kërkonte koha e vendi. Sërish më duhet të kthehem tek gjenerata pak më e moshuar dhe tek ata që kanë memorie të zhvillua: Të gjithë ata, por edhe ne që jemi këtu, që mund të lavdërohemi se kemi memorie të zhvilluar, na kujtohen ato vitet dramatike të zhvillimeve politike në Kosovë dhe rreth Kosovës. Ata, që në këtë shkrim nuk dua të ua përmend as emrat, që në Kosovë mundoheshin të shkatërronin gjithçka shqiptare të ndërtuar ndër shekuj, dhe tanët që bënin përpjekje titanike për mbrojtjen e shqiptarizmës në Kosovë dhe në trojet e tjera etnike. Ata, do t`i ftonin krijuesit tanë në çerdhen e tyre ujqërore, duke menduar se do t`i frikësonin dhe nënshtronin. Por, tanët e njëri ndër ta ndër më I zëshmi, me zë burrëror dhe trimëror, e që ishte kush tjetër pos Azem Shkreli do të dilte fitues edhe nga çerdhja ujqërore. Kur ata me lëkurën prej engjëlli, por që në brendi ishin ujqër e shkuar ujqërve, do të kërkonin nga tanët, q ë nën peshën e kërcënimeve të uleshin e të përuleshin, Azem Shkreli edhe në çerdhen e tyre ujqërore do të gjente dije e burrëri, do të gjente force e trimëri që të dilte fitues… “Poeti ynë na shpalli luftë dhe u zhduk .Nuk erdhi as të pimë kafenë te kryetari i bashkisë. Mbase e kuptoj, është në situate të pa lakmueshme: a do t´i pranohet lufta e shpallur?!Unë për shembull, nuk ja pranoj: një pse nuk kam autorizim, e dyta pse e ndiej vetën më të forte-Luftë mund të shpallë edhe një qyqar! Miqësi, vetëm trimat…” Azem Shkreli në vete mbartte mençurinë e fisit, qëndrueshmërinë e lisit, shkëlqimin e plisit. Poezia e tij ashtu si edhe proza e dramatikja, ka në vete aromën e tokës e të nënëlokes; rrezatimin e diellit dhe të hënës; dashurinë e babait dhe të nenës; qëndrueshmërinë e gurit; fluturimin e shqipes e flamurit; buzëqeshjen e motrës e të votrës; krenarinë e Rugovës e të Kosovës; besën e dheut e të Skënderbeut; zërin e ëmbël të këngëtarit e të lahutarit; ëndrrën e shpresës e të besës; vrapin e nipit e te mbeses...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora