E premte, 29.03.2024, 07:15 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Festat e njeriut 'pa' vendlindje

E shtune, 10.06.2017, 08:06 PM


Sejdi BERISHA:

Madhështia dhe e bukura e një feste, ndoshta premierë

FESTAT E NJERIUT “PA” VENDLINDJE...!

(Ose, si u shënua 70-vjetori i lindjes dhe 50-vjetori i krijimtarisë sime, i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA)

Sot, ishin mbledhur vargjet e mia dhe më kishin marrë përdore si fëmijën e vogël e më sollën në Teatrin e Qytetit.

Më ngjiten në skenë dhe më ulën në tavolinën përballë sallës, kurse prapa, në perdet e florinjta të skenës, në një sfond të bardhë, i kishin radhitur veprat e mia, dhe secila ishte e lidhur me nga një fjongo prej ari!

Në sallë ishte heshtje shurdhuese. Vetëm ulëset e zbrazëta dukeshin të hidhëruara. Por, përnjëherë dolën vargjet nga librat dhe u sulen drejtë sallës. Çfarë po ndodhte kështu?! Pasi u ulën nëpër ulëse, besa rrinin edhe në këmbë për anësh në sallë, sepse nuk kishte vende më për ulje, secili me radhë ngjitej në foltore e flisnin diçka edhe të gëzuar, edhe të lumtur, edhe të hidhëruar... Më dukej se për mua thoshin diçka...

Shikova sallën. Plotë e përplot salla e teatri me vargje, me të vërtetë nuk kishte njeri ku të ulej.

Po, çfarë po ndodhë kështu, ore Zot!

Te foltorja doli një varg pak si më burrë, edhe një poezi e tërë dhe me plot lumturi të hidhur si pelin, dhe iu drejtuan masës:

“Sot shënojmë e kremtojmë një ditëlindje të veçantë dhe një datë kur filluam të lindnim ne, vargjet... Festojmë 70-vjetorin e lindjes të këtij njeriu që rri këtu ulur pranë tavolinës me shikim kah salla, që në vend të publikut krenarë, ne marrim pjesë në këtë eveniment madhështor...!

Dhe, filloi festa, kurse unë nuk lëvizja nga karrigia ku më kishin ulur. Më dukej se në mua dhe përreth meje defilonin lumturia, krenaria dhe dhembja me hidhërimin, që pritnin t’i shoqëroja në shkrimet e reja. Por, para vetes pashë librin tim të ri, që aty, kisha radhitur plot shkronja, zërin e të cilave e vendosa në skenë, si premierë, kushedi, të ndonjë drame që nuk është shkruar ende dhe as nuk është vënë në skenë ndonjëherë.

 

Sa madhështore është salla e Teatrit të Pejës, e tëra është histori, por sot duket e heshtur, pa njeri brenda... Ndoshta, vetëm me vargjet e mia...!

Dhe, tash, duke m’i uruar këto dy festa, teatri së bashku me vargjet që më kishin rrethuar, m’i fshinin lotët me historinë time dhe të tyren...!

Pas tërë kësaj, u ndalëm në një aheng, ku festuam deri vonë, unë, salla, teatri, skena dhe vargjet, cilat nuk më lëshonin nga përqafimi që të mos mërzitesha...!

Urime 70-vjetori i lindjes dhe 50-vjetori i krijimtarisë, Sejdi BERISHA, Ti njeri “pa” vendlindje, se, vendlindje e ke tokën, e ke atdheun!

Pastaj, dorë për dore dolëm nga salla së bashku me vargjet dhe veprat për të vazhduar rrugëtimin...!

Interesant. Nuk pashë as njeri, përveç vargjeve që m’i puthnin sytë, letrën dhe penën...

 

Sejdi BERISHA: Zemërim, heshtje apo kujtim...?!

Dy nga shumë veprat e mia: Monografia “Zejtarët e Pejës” dhe Monografia “Teatri i Pejës”, në duar mbanin dy buqeta lulesh...

-Ç’janë këto lule i pyeta?!

-Njërën buqetë do ta vëmë pranë derës së Kuvendit Komunal, kurse tjetrën, te dera e Drejtorisë së Kulturës...!

-Jo. -u thash.

-Po pse?!-më pyeten me zemërim.

-Sepse, lulet vihen edhe mbi varre...! -u përgjigja me mallëngjim e jo me zemërim...!

Pastaj, vazhduam dorë për dore ngelëm duke ecur rrugës, se kah, nuk e di...!

Dikur më vonë, u kthyem në shtëpinë time më të dashur dhe më të ngrohtë në botë. Me mua erdhën edhe teatri bashkë me vargjet. Këtu, tash festonim edhe me bashkudhëtaren e jetës sime, me gjashtë fëmijët e mi dhe me tetëmbëdhjetë nipat dhe mbesat, që i dua dhe që më duan sa lirinë, si bukën, si lumturinë, sa kombin dhe si atdheun...!

Më thanë, festa për ty përgjithmonë dhe pandërprerë do vazhdojë.

Sa shumë u kënaqa, sa desh nuk u shoqërova me çmendurinë!?...

Ju faleminderit!

(E shtunë, 10 qershor 2017)



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora