E shtune, 20.04.2024, 08:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Kur poezia vjen si shpëtim

E hene, 08.05.2017, 08:39 PM


KUR POEZIA VJEN SI SHPËTIM

LIDHUR ME LIBRIN “MONOLOGU I ASHTIT” TË TAHIR BEZHANIT

NGA QAZIM SHEHU

Tahir Bezhani është një krijues që prej dy dekadash po i çliron energjitë e veta kriuese dhe po na befason me librat e tij , të cilat thuren sa në prozë e poezi, po më shpesh në poezi.Studiues i etnokulturës së Gjakovës e më gjerë, shkrues monografish të bukura,   ai “luhatet”midis prozatorit dhe studiuesit, por duket se poezia,  më së shumti,  nuk e lë të qetë dhe ia përpin kohën më të domosdoshme.Ka një varg arsyesh pse ndodh kjo, gjykuar në hipotekimin e kohës së munguar.Bezhani përjetoi tmerret serbe dhe përndjekjen, u ndodh në erën e lirisë dhe,  kush më tepër se poezia mund ta shtjellojë këtë rrethanë fatlumtur?Pastaj është edhe prirja personale,  afeksioni dhe mundësia e të shprehurit që poezia e sjell konceptualisht e me trandeshencë.Po le të ndalemi tek libri.Atë e shoqëron me një parathënie të thukët Skënder Buçpapaj që është një studiues klasi dhe poet shijehollë.Ashti, bëhet kështu një metonimi,  thotë Skënderi,  një çelës i kuptimeve, ashtu si kjo figurë mbartet në kohra dhe krijon simbiozën e palëkundshmërisë dhe qëndresës ndër mote.

Poezia e Bezhanit i kthehet kohës në dy prerje:në ekzistencën kombëtare  dhe në përjetimet vetanake, kjo,  pa retorikë e patetikë, po e mbartur në shtresa kuptimore që zhdërvillohen dhe marrin konotacione të besueshme përmes çerdheve figurative,  nga mbijnë zogjtë e fjalës dhe hulumtohet shpirti i butë dhe i pastër i poetit  modern.Pra, Bezhani nuk ndalet shumë tek motivi dhe qërimi i tij prej ngjashmërive, po ai është poet i frymës deradiane dhe përcjell gjendje të fuqishme që,  shumë mirë,  hetohen rrugës së frymëzimit dhe thirrmimit kur ai u bën gjërave, sendeve, ndodhive, simboleve e idoleve të zhvlerësuara të përditshmërisë.

Ky përjetim buron nga një Un i thellë lirik, nga një ndjeshmëri e këngëtuar përmes një vargu të çliruar prej ngjasimeve dhe,  këtu ai është tejet origjinal e befasues.Kështu, dalëngadalë, përmes librave të tij poetikë, pa përjashtuar ato në prozë, mund të thuhet pa  ndonjë paramendim se ai po e radhit veten ndër poetët kryesorë të kësaj treve me zërin e vet origjinal, sinqeritetin e ndjenjës, ngrohtësisë së saj, lirizmit dhe mendimit të stërholluar filozofik.Në këtë hulli vjen e dhe Ashti, Kocka,  nga duhet të hiqen lëkurët e erërave, stuhive, murlaneve e tufaneve , reumatizmi i pezmative dhe ai, Ashti,  të çlodhet pak.Ky simbol bëhet një pikë referimi konceptual për këtë libër dhe  e mban gjallë vizionin e poezisë së tij, një farë Levë e Arkimendit e historishkrimit të ndjesisë sonë kombëtare , e, patjetër,  të lidhur me ndjesinë individuale Ajo që shkikohet, , përjetohet dhe mbetet si jehonë paslexuese tek poezia e Bezhanit,  është drama kombëtare e ndërlidhur me atë individuale, individi i ndodhur tani në zgrip të kohës që e mendoi më ndryshe, që përjeton dilemat dhe mospërputhjet këndore të shikimeve,  të cilat vorbullohen nga një realitet i trishtë , befasues dhe intrigues.Janë dilemat e individit në një shoqëri pasrobërorore, ku era dehëse e lirisë vërtet është e bekuar,  po  nga efekti i dehjes,  prej saj mungon orientimi dhe sillet përeherë  mundësia e paktë.

Si poet transcendental,  i afrohet gjithnjë së vërtetës përmes frymës dhe ndjesisë,  sepse kjo në fund është detyra e poetit që ndërtohet natyrshëm.”Në pirgun e heshtjes/vërej lojën e jetës.” , thotë poeti, dhe i shqetësuar vazhdon:”Sot i bëra protestë gjumit/Mendimet e nervozuara/ngatërruan mendimet”…Vihet re se poeti nuk e do heshtjen, memecërinë e zakonshme të mosfjalës, ai kërkon zgjimin duke i karshikastiguar gjumit, siç thotë edhe vetë.Zgjimi nuk është thjesht një aspekt biologjik, po zgjim i ndërgjegjes dhe i shikimit ndaj mundësive reale që afron jeta dhe liria, zgjimi transgfigurohet substancialisht  si një trokitje e poetit gjer tek dyert e së pamundurës për t`i marrë jetës atë çfarë është më e bukur , më e drejtë , më vazhduese e më e sojme.Po kjo nuk do thotë që të mos ekzistojë pengesa që ngrihet rrugëtimit me gurët e nxirë të urrejtjes, frikës, pabesisë dhe intrigës.Në këtë trase, nënshtresës ideore thuret kontrasti dhe poeti vijon me vargje të çlirta:”Në rënkim hijesh të terrta/avull doli nga thellësia/Vargu pisket idhnueshëm/ka dufin e shpirtit kryeneç…”

Skënder Buçpapaj vë re me të drejtë se Bezhani është një poet lirik- meditativ.Meditacioni,  të përsiaturit e tij , spikatur nga studiuesi, nuk është një rrekje e thatë për të thënë gjëra çuditëse, përkundrazi është një vlim shpirtëror që buron nga frymëzimi hovur shtigjeve të orëve, të çasteve, ditëve, viteve, kohës dhe kombit.Edhe pse poet modern ai nuk e distancon figurën nga ndjenja, përkundrazi ndjenja është e para,  ndërsa figura vjen e gatshme, kur mundet ta veshë me rroben e saj.Lakonik, shprehës, poezia e tij shkulmon gjithë mundësitë e ndjenjave,  për ta nxjerrë në sipërfaqe të leximit çfarë u mor nga thellësitë, po duke ia ruajtur hijeshinë thellësisë.Kështu , poezia është e shkurtër , me varg të dedhur dhe komunikuese,  trokitëse në ndërgjegjen e çdo njeriu që mendon estetikisht për gjithë këto aspekte të jetës dhe të përjetimit të saj.Siç e theksuam,  heshtja bëhet motiv,  po mbartet edhe në lojën duke iu afruar paradigmës bezhaniane.Dhe me heshtjen diku i zgjat konturet hija, pastaj ngujimi i poetit në dhomën e vet, e më pas një rast , një gjest, një lojë dhe qielli,  hapësira, kuijtë  e botës, aeroplani, aterrimi, udhëtimi, inkursioni historik përmes shenjave,  qoftë edhe fjala Asht, qoftë edhe një fjalë e vetme që rri në radhuan e parë të fjalëve kombëtare.Regjistri poetik i poetit nuk rri i ngrirë, përkundrazi shkulmon dhe merr krahë përmes një fantazie të lirë dhe të cytur prej mendimit dhe frymëzimit vargndezës.”Mos guxoni të prekni dhimbjen time/dëgjohet piskamë Ashti…”Ose:”Vijnë rrapëllima të heshtura/asnjë krismë nuk dëgjohet…”

Bezhani vargjet e tij i stolis me brengën  në bukurinë poetike të përjetimit dhe të lojës së figurës.Ato vijnë, ngjajnë si të thjeshta, si poeti të ishte në një monolog me veten, në një dialog me kohën dhe tjetërsimin, i drejtohen një figure të panjohur që duket e zhduket në trupëzimin e idesë dhe konteksteve të gjëra , sa individuale aq kombëtare.Ai është poet i metaforës, po më së shumti i paradoksit dhe mendimit që shkon jo drejt,  po përthyhet përmes së papriturave.Kështu , një varg e kundërshton tjetrin dhe të dy rrinë bashkë gjersa të plotësohet tabloja e mendimit.Si poet eliptik, ai e sjell bukur vargun duke i dhënë mendim, e të çlirohet nga barra e fjalëve të panevojshme që mund të merren me mend.Po kështu,  krahasimet dhe detajet e ndryshme,  vijnë e sillen në masën e duhur të të zënit vend.”Mos fluturo/atje ku nuk të shikoj/Do jesh një pikë, amorfe/”Si poet që pëlqen vetminë ai e sjll atë gjithnjë në kontektste sa personale  edhe në  ato të njeriu të sotëm.Po vetmia tek ai nuk është lëngim, arrati, por rikthim në realitet, dëshirë për më tutje dhe me këtë trajtim që i bën këtij koncepti ai mbetet i veçantë.Dhe ndryemja në të nuk mund të mos sjllë motivin e mallit , dëshirës që kërkon ta braktisë sheshpushimin e vetmisë e të gjendet atje ku thërret shpirti:”Kënga fshikullon gjethnajës, /rroshk malli përcëllues”..Kështu si lirik i peizazhit i këndon Gjakovçs, Smolicës, Tropojës, Valbonës, Shkëlzenit e sa bukurive natyrore të tilla  , duke e shkrirë peizazhin jo vetëm në mahnitjen shpirtërore po edhe në mendim.Natyra,  sa kufizohet në dhomën e tij , aq vërtitet pamjeve të pafundme rrokur nga një varg I brishtë , Brenda diskurit të hollë të kërkimit.Diku ai thotë:”mjerë zemra e pëlcitur…”Një poet që udhëton shumë, sidomos në trevat përreth Gjakovës të cilat ai i njeh mirë, sado indiferent të jetë, s`mund të mos mrekullohet nga ato pamje të zotit , dhuratë për njeriun e atyre anëve..Kështu natyrës ia përthith klorofilin në vargje, po natyra na kujton edhe historinë, sidomos natyra shqiptare e kësaj treve që është një muze natyror dhe ruan në objektet e saj gjurmët e ferskëta të luftës së fundit, trimëritë e sakrificat e popullsisë së kësaj ane.Flasin gurët, kthesat, fushat intime, brigjet dhe  lumenjtë, malet e larta që vështrojnë mbi fushë,  qytetet ndezur  si mangall i prushtë.Edhe kjo ndihet në poezinë e tij  si jehonë idesh më tepër se sa përshkrim i drejpërdrejtë.Diku ai thotë:”Mjerë zemra e pëlcitur/bukurive të huaja/ika me vrapim reje/në bukëkripën time..’Poeti kërkon të mbetet ai që është, poet i Ashtit të të parëve, të Ashtit të vet, të Ashtit historik të kombit të tij, njeriut që nuk u tjetërsua as nga breshërimat dhe keqtrajtimet, as nga bukuritë e huaja që nuk janë përjashtuese, po gjithësesi nuk mund të përfillen kur nga harrimi pas tyre ,  kur na duhet ta humbasin atë që quhet identiteti jonë.Duke lexuar poezinë e Bezhanit na befason ligjërimi i tij poetik me fjalë të thjeshta që kumbojnë nga jehona e një shpirti të ndjeshëm.

Mendoj se poeti shtron nëntekstualisht dy mesazhe themelore.Së pari,  ideshtrirja e qëndresës nëpër mote e njeriut shqiptar;së dyti,  hovi tjetërsues i kohrave moderne me turr rrafshues, kur tradita shpesh lëkundet nga braktisja, ikja ndaj asaj që u shenjtërua në shekuj.Ai sjell dramën edhe të njeriut ballkanik , i ndodhur në një mjedis të paformuar e me mungesa, ku gëlojnë paradokset dhe marritë , dramën e njeriut që kërkon qëndresë në vetvete e,  për ta gjetur atë i duhet të thërrasë mjaft kode të lashta të qëndresë e mbijetesës.Poeti alternon ide dhe i shpall thjesht në kënde të përcaktuara shikimi që,  shpesh mbulohen nga mjegulla e lojës dhe e lodhjes, rrethohen nga gardhet e vetmisë, heshtjes dhe indiferencës.Nuk i shpëton dot shenjës së kombit, madje e ka për zemër, po as nuk i largohet shenjës së jetës së sotme,   në paralele me kontekste filozofike të qëndresës .Kështu titulli, metaforiko- simbolik , mbetet një çelës kuptimor i gjetur, një shpatëz që trazon aq ide të një përmbajtjeje me lëndë të gjallë poetike , gatuar nga një shpirt i ndjeshëm frymëzues  .



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora