E enjte, 01.05.2025, 05:49 PM (GMT+1)

Mendime

Nehat Jahiu: Dëshmorët janë histori më vete

E marte, 24.01.2017, 08:23 PM


DËSHMORËT JANË HISTORI MË VETE

Nga Nehat Jahiu

Aty mbi një lëndinë të bleruar verë e dimër, shihen ca e ca varre të mbuluara me lule. Aty pushojnë eshtrat e bijve dhe bijave më të dashura që ranë për liri. Janë varret e dëshmorëve tanë. Lulet mbi varret e tyre janë të ujitura me gjakun e njomë dhe me lotët e nënave dhe të motrave. Lotët e dhimbjes e të krenarisë. Të gëzimit e të buzëqeshjes. Ata janë të gjallë. Nuk kanë vdekur. Jetojnë në zemrat tona, në zemrat e çdo shqiptari. Janë në çdo gonxhe e lule te këtij kopshti, të kësaj lëndine të bukur me aromë të këndshme.

Ata ranë për t‘i buzëqeshur lirisë, vendlindjes, atdheut, ardhmërisë. Aty në atë lëndinë është një histori e dhembshme, e përgjakur, e lavdishme. Eh, këta dëshmorë rënë nëpër male e fusha të betejës, me trimëri të pashoqe. Dheun e kësaj toke të përgjakur me gjakun e tyre, e puthën, e shtrënguan në grushte, në shpirt, dhe me të mbuluan trupin e tyre. Aty në lëndinë të ngritur në piedestal, eshtrat e tyre përkunden në djep lirie. Buzëqeshin me ninullat e nënave, me këngët e telave të çiftelisë dhe krenohen me historinë e popullit të tyre. Dëshmorët mbeten të pavdekshëm, janë legjendë e një populli. Janë një histori në vete. Ata ia dhanë ngjyrën flamurit dhe me gjakun e tyre e qëndisën shkabën në flamur. Aty, në atë lëndinë të bukur.

Dielli i mëngjesit i lëshon rrezet e para të diellit. Hëna tërë natën mbi varret e tyre bënë dritë. Për çdo mëngjes vesa i lanë lulet dhe buzëqesh vendlindja, atdheu, malet dhe fushat me blerim. Erë borziloku kudo. Flladi i puhisë ndez këngën e bilbilave. Nën lëndinë, oxhaqet tymojnë dhe kullat kanë lëshuar themelet thellë e më thellë në tokën e tyre. Në vendlindjet e tyre, në atdhe, janë bërë kala të pamposhtura ku flasin qartë për një të kaluar trimërie, që kanë krijuar historinë e vërtetë. Ata ranë dëshmorë. Ranë për të mos vdekur. Shumë prej tyre që ranë heroikisht në fushë të betejës ishin shumë të rinj. Shumë të reja. Shumë kishin akoma në buzë qumështin e gjirit të nënave të tyre.

Tani, kur atdheu, fushat e malet, flenë të qetë, ata heronj legjendarë bëjnë roje dhe vendlindjen e atdheun e mbajnë në shuplakë të dorës, e syrin e bëjnë pishë. Për çdo ditë atdheu buzëqesh. Krenohet. Ka dëshmorët e vet. Ka historinë e tij. Me mall e dashuri ata morën nga një grusht dhe. E shtrënguan në shpirt me afsh dashurie e puthën, dhe lanë amanetin e fundit të tyre. Ku është balta më e ëmbël se mjalta? Në atdhe janë fanar drite që nuk do shuhet kurrë. Ata janë histori më vete.

(Fragment nga libri „Opinione“, Amanda Edit, Bukuresht 2017)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx