Kulturë
Meri Lalaj: Amik Kasoruho – poeti
E marte, 17.01.2017, 08:04 PM
Meri Lalaj
PARATHËNIE
Amik Kasoruho – poeti
Nuk e dija se një ditë do të ulesha dhe do të merresha me krijimtarinë në poezi të Amik Kasoruhos, aq më shumë kur pothuaj nuk pata parë të botuar ndonjë poezi të tij, madje edhe si përkthyes ai merrej vetëm me prozën.
Ishte një befasi e këndshme kur në pranverë, zonja Xhovana Kasoruho, bashkëshortja e Amikut, pasi patëm biseduar më parë, më solli një dosje të mbushur plot me fletë të shkruara me dorë dhe me makinë shkrimi. Fillova të lexoj dhe të njoh Amikun poet, nuk e prisja që të gjeja poezi aq të fuqishme në mendim dhe në ndjenjë, poezi të shkruara në moshë fare të re 18 apo 19 vjeç.
Poezitë e para zënë fill në burgun e Burrelit në vitin 1953 dhe më tej gjatë viteve deri më 1995. Siç e përmenda, Amiku gjatë tërë jetës nuk ka botuar asnjë poezi, madje ndihet paksa dyshues nëse poezitë e tij mund të vlerësohen. Ne njohim Amik Kasoruhon, përkthyesin e talentuar, vijues i denjë i plejadës së brezit të përkthyesve që e ngritën gjuhën shqipe në lartësinë që e meritonte. Edhe Amiku në mënyrë të mrekullueshme me një vullnet dhe përkushtim të pashoq ka shqipëruar sa e sa autorë. Para viteve ’90 nuk mund të botonte as shqipërimet, siç shkruan në librin e tij autobiografik “Ikje nga trilli i Perëndive”, ndonëse përmend që “Drago Siliqi u bë copë për të”, Ismail Kadare përpiqet që Amiku të botojë një libër të përkthyer nga anglishtja, ndërsa Naum Prifti mundohet për t’i botuar diçka tek revista “Ylli”.
Amiku 17-vjeçar burgoset pa mbaruar shkollën e mesme, po për fatin e tij të madh në burgun e Burrelit takohet dhe bën miq shumë personalitete të kombit shqiptar si: Suad Asllani, Ibrahim Biçaku, At Klement Miraj, Kudret Kokoshi, Arshi Pipa, At Donat Kurti, Pashko Gjeçi, Gaspër Çuni, Andon Frashëri e të tjerë. Në shoqërinë e këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm ai u rrit u burrërua, në këtë shoqëri do mësojë gjuhë të huaja, do thithë nga kultura e tyre dhe kur shkruan poezinë e parë për fluturimin e lirë të shqiponjave dikush e kallzon dhe e dënojnë duke e mbyllur në qeli. Që në atë moshë të re mendimet e tij janë të pjekura të burrëruara para kohe ai shprehet: “Nuk kam pasur fat të jetoj si njeri i lirë do doja të vdes i tillë”. Pasi doli nga burgu kërkoi që të vazhdojë shkollën e ndërprerë, por dënimi ishte “…përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha shkollat…” Dhe Amiku me vullnet të paepur iu përvesh të vetëmësuarit, përveç gjuhëve të huaja iu përkushtua veçanërisht gjuhës shqipe. Në përkthimet e tij gjuha jonë e bukur shqipe tingëllon e përsosur si muzikë.
Po aty në burg kur është vetëm 20 vjeç dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë dasmë e detyrojnë që bashkë me një shok të varrosin një të burgosur që ka ndërruar jetë, kështu për herë të parë merr pjesë në një varrim. Sërish aty në burg detyrohet të tërheqë karrocën e ngarkuar me dru, sepse kali i karrocës është i sëmurë dhe si i burgosur bën punën e kafshës në atë stërmundim të pashoq të njeriut që nuk ka të drejtë as sa një kalë.
Ndërsa lexoja e përzgjidhja poezitë e Amikut vura re se përveç mendimeve filozofike, ndjenjave të holla, figurave artistike, gjuhës së pasur, formës së soneteve me dy strofa katërvargjëshe dhe dy të tjera trevargjëshe më bëri shumë përshtypje që një gjirokastrit si Amiku shkruan në një gegërishte të mirëfilltë duke iu përmbajtur drejtshkrimit të para vitit 1972 dhe më vonë sipas normave të drejtshkrimit standard.
Jetën e Amikut që nga fëmijëria e deri në fund e ka përndritur një miqësi e pashoqe, një miqësi e rrallë si nëpër libra, një miqësi midis zotërinjsh ajo miqësi me përkthyesin tjetër të shquar nga gjermanishtja të madhin Robert Shvarc, ai, Roberti është i madh sepse është Mik dhe Njeri. Kur Amiku lirohet nga burgu dhe nuk ka të drejtën për të qëndruar në Tiranë, Roberti e mban në shtëpinë e vet në një kohë kur secila familje kishte libër shtëpie në të kontrollohej për çdo vizitor që i vinte dhe duhej të raportonte në polici nëse i vinin miq.
Kjo duhet të jetë letër e viteve ’60 drejtuar revistës “Nëndori” të asaj kohe:
“Shokë të nderuem: Në rast se kto vjersha, për nji arsye ose për një tjetër, do të gjykohen të pagoditme për t’u botue në revistën “NËNDORI”, do t’u lutesha fort, përgjigjen, cilado qoftë, të ma nisni n’adresën: AMIK KASORUHO - LAGJA STANE - 15 - LUSHNJË.
Edhe nji dëshirë: kishte me m’u duke nji ndihmë e mire nga ana juej, po qe se përgjigja e juej do t’ishte ma shumë nji kritikë se sa nji përgjigje e thjeshtë. Ju përshëndes A. Kasoruho.”
Ndonëse poezitë e Amikut përshkohen nga zymtësia, ato ndrijnë nga fijet e shpresës, nga dashuria për njerëzit, për jetën, për dashurinë, për të bukurën. Poezitë i ndava në pjesë, kështu pjesa e parë i përket burgut dhe ashtu siç kishte shkruar Amiku tek një fletë i lashë titullin “Shkëndijëzat përmes errësirës”. Në këto poezi ai u drejtohet me vargje shokëve të tij bashkëvuajtës si: Teufik Gabranit, Lorenc Vat Dedës, miqve S. A. dhe K. K. po ashtu edhe “Nji malcueri qi i njof veç zanin”. Në një poezi tjetër ai shkruan:
“…natën, në terr, un hekrat s’i paç shque
e as të zbem’t qi f’tyrat na i mblon;
e tash, o mik, qe tash qi agu u çue
un prap mendoj se jasht përtrihet jeta,
Ai shkruan për njerëzit që ka njohur:
“… i kam dasht aq fort edhe se më kanë ba me vuejtë”.
Tek pjesa e dytë janë renditur poezi për nënën dhe atin e tij. Babai i Amikut, Qemal Kasoruho u pushkatua me të ashtuquajturin incident të bombës në Ambasadën Sovjetike në kohën kur Amiku vetë ishte i burgosur. Në poezinë “Atit tem” ai shkruan: “Ti shkove: larg t’u tret ty hovi i dlirtë;
ndër qiej të tretun pagjën e amshueme,”
Nëna e tij jeton e vetmuar në një dhomë të ftohtë pa zjarr, ai i drejtohet nënës: “Ti qan për dhimba t’mia?
un qeshem, nanë, me jetën,”
Këtu përfshihen edhe poezi për birin e tij dhe Nensin e vogël.
I kam bërë vend edhe poezive të Amikut drejtuar mikut të tij shpirtëror Robert Shvarc, ndihet fare mirë se ata këmbejnë me njëri tjetrin mendime për jetën, për dashurinë, për të ardhmen, ata urojnë njëri tjetrin për gëzimet e pakta, për ditëlindjet dhe janë të pamposhtur nga përleshjet me jetën. “Prehja na është e huej” titullohet kjo pjesë sepse ata të dy nuk mund të rreshtin duke punuar për gjuhën shqipe, nuk mund ta kuptojnë jetën, sado e vështirë të jetë ajo, pa u përpjekur për të dhënë atë që dinë të bëjnë më të mirën e tyre. Dhe ta përfytyrosh në një kohë kur gjithnjë mbi kokë të rrinte rreziku i të nesërmes i burgosjes për një fjalë a një mendim.
“Kur rrokja penën për të shkruar fjalët
që mbenë ndër buzë tharë etjes jetë,
o mik i mirë, më dridhej dora e ndalej
në varg të parë: unë vreja para vetes.”
Në pjesën e katërt kam vendosur poezitë që i këndojnë dashurisë përshkruar me mendime të kthjellëta, të sinqerta për ulje ngritjet sipas rastit duke e rrëfyer veten se është njeri dhe di të dashurojë i kam lënë titullin “Në vjeshtën time erdhe si pranverë” sipas njërës prej poezive. Nga shumë vargje shkruar për këtë ndjenjë kam zgjedhur:
“Kur rrezja e fundit e diellit
t’i lëbyri sytë e etur për dritë,
mendomë.”
Në pjesën e pestë kam vendosur “Kushtime”, poezi kushtuar Migjenit, Qemal Stafës, Skënder Aranitit e të tjerë. Shumë e dhimbshme, shumë e veçantë, porsi shtjellimi i një filmi është poezia për Qemal Stafën:
“Varr rrëmihës shih sa t’qetë
i ka tiparet trimi
është i bukur si agimi
varr rrëmihës deh mos qaj...”
Amik Kasoruho i lindur në vjeshtë, arrestuar dhe burgosur në vjeshtë, liruar në vjeshtë dhe ky libër po përurohet në vjeshtë, vetëm vdekjen e pati në pranverë.