Mendime
Sami Repishti: Kambanë alarmi
E premte, 30.12.2016, 05:22 PM
Shqiptarët
duan Enverin/ Sami Repishti: Kambanë alarmi, dikur donim lirinë, sot ‘bukë e
punë’
NGA FATMIRA NIKOLLI
Adrian Paci, në një intervistë të një viti më parë
për “GSH”, i pyetur se çfarë do bëjmë me gjithë këtë liri të pakufi, teksa
citonte psikologun e sociologun italian Massimo Ricalcatti, thoshte se e kemi
kapërcyer kompleksin e Edipit e jemi në momentin kur vuajmë kompleksin e
Telemakut- ne nuk e vrasim më babanë për t’i marrë pushtetin e gruan, por rrimë
në shtëpi me nënën dhe presim kthimin e babait.
Sot, një vit më vonë, kur një sondazh i OSBE-së bën me dije se pothuaj gjysma e
shqiptarëve duan Enver Hoxhën, prof. Sami Repishti, në një intervistë për “GSH”
thotë se masa popullore e pazhvilluar ka nevojë për një “prind” që kujdeset; ky
“prind” ofron sigurimin e rendit publik me dhunë dhe punësimin e njerëzve si
robotë të mekanizuar. Duket pra, se askush nuk do më lirinë, por “bukë e punë”.
Profesori, tanimë në të 90-at e tij, në një intervistë të gjatë për “GSH” sjell
një analizë të gjatë e brilante, që është (edhe) një këndvështrim psikologjik;
as hakmarrës, as subjektiv, si dëshmitar i vuajtjeve e dhimbjeve. Ai tregon se:
punësimi ishte skllavëri e detyrim, se torturat qenë ndër më makabret, se sa u
vranë, pushkatuan a internuan, e se në fund, kjo amnezi kolektive duhet të
mbarojë. “Jemi në fazën e ‘kohës së pastrimeve’, një nevojë e domosdoshme për
korrigjime ‘mitesh’ e zbulime ‘faktesh’ që akoma rëndojnë me peshën e tyre
negative”. Më poshtë intervista e profesorit, ish-i dënuar i komunizmit.
-Ka një raport të OSBE që tregon se më shumë se 50%
e shqiptarëve e duan Enver Hoxhën. A është shqetësues ky raport?
Para së gjithash, më duhet të rrëfej se nuk kam
lexue Raportin e OSBE të plotë. Kam lexue pjesë të tij dhe komentet.
Asht shqetësues raporti? Po dhe jo!
Asht shqetësues sepse “normalisht” nji popullsi, si ajo e Shqipërisë, që ka
përjetue 50 vjet diktaturë fashiste, naziste dhe komuniste dhe shtypjet e tyne
të paevitueshme për vetë natyrën e çdo diktature, duhej të kishte arrijtë në
përfundimin se çdo diktaturë asht e dënueshme apriori nga nji shoqni civile e
lirë dhe e edukueme. Në rastin e kundërt, nji shoqni civile që nuk dënon
diktaturën asht ose e frikësueme nga persekutimi ose e paedukueme. Këto janë
masa popullore të pazhvillueme që nuk kanë aftësi me sigurue nji jetë për vete
dhe për familjen, masa që kanë nevojë për nji “prind” që kujdesohet; në rastin
tonë nji “pushtet” që i zhvesh nga çdo nismë e lirë, dhe i mobilizon në sherbim
të nji kauze që ata nuk kuptojnë, po që pranojnë në heshtje. Sepse, “prindi”
ofron sigurimin e rendit publik me dhunë, dhe punësimin e tyne si robotë të
mekanizuem.
Me vdekjen e “prindit” kjo aleancë jo e natyrshme thyehet, pushteti eliminohet bashkë me dhunën dhe me të edhe siguria e rendit e ajo e punësimit si skllav. Të trajtuem si “fëmijë”, këto masa popullore nuk janë në gjendje me u kujdesue për vehte, mbeten si të thuesh “jetimë” dhe të papërgatitun me përballue sfidën e “qytetarit të lirë”, në nji “vend të lirë” e me gjetë kurajon e nevojshme për nisma private që sigurojnë mbijetesën.
“Pushteti” i ri që zëvendson nuk luen rolin e “prindit”
dhe kufizohet me sigurue nji ambient të përshtatshëm në të cilin “qytetarët” e
lirë gjejnë nji zgjidhje të problemit të sigurisë e të rendit, dhe “punësim”
simbas aftësive personale. Kur ky “pushtet” i ri dështon në misionin e vet,
krijohet kaosi social e shgënjimi i qytetarëve. Shumë qytetarë humbin shpresën
për nji jetë ma të mirë. Problemi i bukës së përditëshme merr nji randësi
kryesore, dhe liritë themelore të individit dhe ato të qytetarit humbin peshën
e tyne specifike. “Duam bukë! Duam punë!” bahet slogani i ditës.
Kthimi në botën e “së kaluemes” paraqitet si nji zgjidhje; fatkeqsisht, kjo
zgjidhje asht në esencë imorale sepse aprovon krimet politike të pushtetit të
kaluem, pranon nënshtrimin e plotë të qytetarëve të lirë, pranon jetën e nji roboti
mekanik, pa mend e pa zemër.
Kam përshtypjen që nji zhvillim i këtill politik e social ka ngja në Shqipëri! Për rastin e afër 100.000 ish anëtarëve dhe kandidatëve të ish PKSH/PPSH mund të spjegohet me thanjen e shkrimtarit Georges Sanders: “Kam njohë individë që kanë fillue me idenë ‘me ndreqë botën’, dhe që kanë kuptue se bota nuk ndreqet…Bota refuzon me marrë formën që dëshirojmë, ku ‘unë asht qendra e universit; atëherë unë urrej të gjithë botën”. Kjo asht psikologjia e diktaturës së dështueme dhe diktatorit maniak- që eventualisht përfundojnë në klubin e fundërrinave të historisë. Këto “fundërrina” që kanë humbë gjithçka synojnë krijimin e kaosit që dëshmojmë edhe në Shqipëri.
Asht shqetësues Raporti? Jo!
Ai asht përfundimi i nji sondazhi të kryem nga nji institucion serioz, dhe që
ne shqiptarët duhet të respektojmë, dhe të përfitojmë nga eksperienca që na
ofrohet. Raporti asht nji kumbonë alarmi që duhet të ndigjohet nga të gjithë
ne. Ka ardhë koha të shohim ngjarje, akte, individë në vendin tonë me nji sy
objektiv. Mjaft me folklore, mjafton me nënshtrimin e historiografisë sonë
çapkënllëqeve të sundimtarit. Jemi në fazën e “kohës së pastrimeve”, nji nevojë
e domosdoshme për korrigjime “mitesh” e zbulime “faktesh” që akoma randojnë me
peshën e tyne negative. Natyrisht, kujtesa e jonë asht shpesh herë selektive,
prandej relative dhe e kufizueme, dhe faktet historike, sado kokëforta që të
jenë, mund të kundërshtohen. Shkrimi i historisë ka dy parime themelore: faktet
e rregjistrueme (dokumentacioni) dhe konteksti i aktit historik. E para, na jep
konfirmimin e ekzistencës së “faktit” dhe eliminon “shpifjen”, kaq e shpeshtë
në historinë tonë. E dyta, trajton subjektin (faktin historik) në kohën dhe
hapësinën kur dhe ku “fakti” ka ngjarë. Si shembull:
Në parathanjen e “Historia e Skenderbeut (1947), Imzot Fan S. Noli shkruen se çdo personalitet në histori kalon nepër tri faza: e para, glorifikimi i tij, e dyta, asgjasimi tij, e treta, rivlerësimi i tij. Nji teori e këtill nuk përjashton as edhe diktatorin stalinist të formës ma të keqe, Enver Hoxha. Kam përshtypjen se kjo fazë e tretë po çfaqet sot në Shqipëri. (Rrëfim: kam dënue dhe vazhdoi të dënoj këte diktator, pa asnji hezitim ose rezervë!)
Por ka disa fakte historike paraqitja e të cilëve asht e pa kundërshtueshme. Siç janë: invazioni otoman i shekullit XV ka qenë dhe mbetet nji okupacion i dhunëshëm ushtarak, dhe shërbimi i “pashallarëve” shqiptarë në mbajtjen dhe forcimin e këtij invazioni të dhunshëm janë akte për dënim. Sistemi i latifundistëve, i “bejlerëve” ka qenë shtypës, dhe vorfënia që ai sistem shtypës krijoi, sidomos në fshatin shqiptar asht nji akt që duhet dënue. Krijimi i klikave sunduese, para dhe mbas Pavarësisë sonë të 28 nandorit 1912, janë gjithashtu akte për dënim, sepse në esencën e tyne ata kanë përjetësue privilegjet e fitueme nga “favoret” e të huejit që kërkonte “shërbim”. Dhe në kulmin e këtij fenomeni imoral dhe anti-njerëzor, kemi “diktaturën e proletariatit” nji sllavnim total e brutal i afër katër miljonë shqiptarëve që u detyruen me u gjunjëzue nga frika për 45 vjet të gjata. “Me nderue” kauzën e diktaturës don të thotë me ofendue randë kombin shqiptar, dhe sidomos memorjen e qindëra mijëra viktimave të sakrifikueme nga “gënjeshtra e madhe” sepse luftuen kultin e vdekjes e shtypjes. “Ata që qendruen në kambë pa ulë kokën në vitet që shumica u gjunjëzue, jane herojtë e kohës që kanë jetue” shkruente nji shkrimtare e re shkodrane. Dhe asht nji fakt që ky aspekt i kombit tonë përban edhe kryenaltësinë tonë kombëtare. Me kundërshtue diktaturën e çfarëdo ngjyre qoftë –fashiste, naziste e tjera- asht nji akt sublim që fisnikëron traditën shqiptare për liri. Kjo pjesë rezistuese e kombit tonë përban sot kryenaltësinë tonë kombëtare.
Me folë, me shkrue, dhe me pranue “akte” të këtilla të historisë sonë kombëtare që nuk mund të kontestohen nga asnji qytetar i ndershëm, nga asnji mendje e ndritun, asht nji përpjekje fisnike. Me zbulue “historinë tonë shqetësuese” ashte nji akt çlirimtar, nji ndërmarrje burrënore që demaskon “të keqen” e imponueme mbi ne me dhunën e armëve.
-Sipas Raportit, më shumë shqiptarë mendojnë se
Enveri ka pasur ndikim pozitiv në historinë e vendit (45%) sesa ndikim negativ
(42%). A mund të sillni në vëmendje atë që është harruar nga 45% e shqiptarëve?
Ka shumë shqiptarë që shikojnë terrorin e PKSH/PPSH
si nji vazhdim i natyrshëm i Luftës kundër okupatorëve fashistë e nazistë
(1939-1944)dhe admirimin e tyne të drejtë për atë luftë heroike dhe politikisht
korrekte e gjejnë të vështirë me e ndryshue. Natyrisht, kjo masë populli
krenohet për këtë luftë “çlirimtare” ose për arsye emocionale ose për pa aftësi
me kuptue dallimin rranjësor me rregjimin që solli. Për mue, e ashtuquejtuna
“Luftë Nacional-Çlirimtare” ka qenë nji mashtrim i madh komunist. Ajo luftë, në
esencë ka shfrytëzue frymën patriotike të popullit tonë me sigurue nji fitore
që synonte vendosjen e diktaturës komuniste në vend, pjesë e planeve ma të
mëdha të përgatituna jashtë Shqipërisë. Asnji herë gjatë Luftës… PKSH nuk ka
pranue ndamjen e meritës së rezistencës me nji tjetër forcë jashtë kontrollit
të saj. Qellimi ka qenë i dyfishtë: mos me lejue nji parti, grup, organizatë
tjetër me konkurrue për të drejtën e pjesëmarrjes në Qeveritë e mbasluftës si
rrjedhim i kontributit gjatë “Luftës”. “Të mos lejohet asnji grup i armatosun
me luftue okupatorin pa autorizimin tonë” deklaronte E.Hoxha.
E dyta, vetëm nji parti e fortë dhe e vetme do të merrte përsipër fatin e vendit, pa kontestues, dhe pa qeveri të koalicionit. Që në fillim, PKSH u ba forca e vetme dominuese, dhe qeveria shqiptare nji instrument i thjeshtë në sherbim të PKSH-së. Vetë E.Hoxha ishte sekretar i parë i PKSH, Komandant i Përgjithshëm i FA, Kryministër, Minister i Jashtëm dhe i Mbrojtjes. President u caktue Dr.Omer Nishani ish-anëtar i Këshillit të Naltë Fashist Korporativ gjatë okupacionit fashist, nji vegël e bindun pa asnji autoritet veç ceremonialeve… Ky përqendrim i padiskutueshëm i Shtetit dhe Partisë në duert e E. Hoxhës tregon prirjen e tij me qenë nji diktator i padiskutueshëm. E.Hoxha vendosi dhe preferoi diktaturën personale.
-Vetëm 22% mendojnë që trashëgimia e së shkuarës
komuniste është problemi i madh dhe vetëm 8% janë të interesuar të mësojnë më
shumë për periudhën komuniste, ndërsa 91% mendojnë se shteti komunist ka garantuar
punësim për të gjithë. Çfarë ishte në fakt ky punësim? A respektoheshin të
drejtat e njeriut e të punëtorit në komunizëm?
Mosnjohja e realitetit komunist në Shqipëri rrjedh
nga nji injorancë totale për arsye të izolimit të plotë në vendbanime –sidomos
fshati, ose nji amnezi e plotë dhe vullnetare.
Po t’i shtojmë kësaj edhe mungesën e punës edukative mbas vitit 1991, me njohë
ma mirë të kaluemen komuniste me dokumentimin e krimeve komuniste, dënimin e
elementit kriminal komunist, botimin e tregimeve nga viktimet, tekstet
shkollore, filma, radio-televizioni, ekspozita etj. Nga Qeveritë e
“tranzicionit” në demokraci, kuptohet pse asht e mundun që sot popullsia në
përgjithësi, e sidomos brezi i ri post-komunist që nuk ka përjetue jetën në
ferrin komunist, janë akoma sot pa nji interesim për të kaluemen tonë tragjike
(1944-1991). Ma shumë se 7.000 viktima të pafajshëm (450 gra) janë pushkatue me
gjykime tallëse ose pa gjykime fare; afërsisht 30.000 qytetarë janë burgosë
politikisht me dekada të gjata; rreth 50.000 familjarë të anmiqve të rregjimit
janë internue (disa për 47 vjet pa ndërpremje) Ish-historiani komunist, Prof.
Arben Puto shkruente: “…Enver Hoxha përqafoi hap mbas hapi metodat e
ideologjisë komuniste…duke ndjekur verbërisht dogmat staliniste, të ndërmarrë
dhe të zbatojë në shkallë të gjerë nji politikë shtypje të pamëshirëshme…. Të
persekutuarit vit pas viti nuk ishin më nji minoritet. Ata përbënin një
popullsi të tërë…” I dinte populli këto? Sigurisht! Kjo më bie në mendje
thanjen e ish Ministrit të Mbrojtjes, Gjeneral Beqir Balluku, që në seancat e
torturës në Sigurim përsëriste: “Ore, i din Enveri këto që bëni juve?”
Sigurisht i dinte!
Gjenerali Vaskë Gjini, i Shtatmadhorisë, i dënuar
“si puçist”, në Burrel (1982) tregon: “Këtu torturat janë të tmerrshme,
çnjerëzore, por droga e imponuar forcërisht është e padurueshme. Në efektivin e
saj, vdes e rigjallesh orë e çast, Bie pa ndjenja e çohem i dërrmuar here pas
here. Përpara tyre vdekja më duket mjaltë… Filluan të hakërrehen se do të
vrisnin gruan dhe fëmijtë… vetëm e vetëm … të dëshmoja… Hetuesi më thoshte: “Ne
të vrasim dhe për këtë nuk i japim llogari askujt”. Nëse kriminelët e
Sigurimit, bajnë të gjitha këto për ish shokët e luftës dhe anëtarët e PPSH së
përbashkët, çfarë u bajshin kundërshtarëve të tjerë, “armiq të popullit”? Ja lë
imagjinatës së lexuesit.
Punësimi? Ishte i detyrueshëm! Pa punësim nuk mirrej triska e bukës, dhe pa
bukë nuk jetohet! Natyrisht, punët ma të randa ishin për “armiqtë e popullit”.
Sindikatat (Bashkimet Profesionale) që parimisht janë për mbrojtjen e të
drejtave të punëtorëve, kanë qenë “nji levë e Partisë”, që në fakt ishte
kontrolli i Partisë mbi punëtorët. Ky ka qenë punësimi “sui generis” komunist
në Shqipëri!
– 60% mendojnë se ka pasur mundësi të lëvizësh
lirisht brenda vendit gjatë periudhës komuniste. Si ishte liria e lëvizjes në
komunizëm?
Kjo pyetje asht shqetësuese. Kërkohet të mohohet
realiteti. Unë kam udhëtue nga Shkodra në Tiranë për arsye mjeksore. Para së
gjithash duhej “leja” nga Policia.
E dyta: kontrolli gjatë udhëtimit asht krye pesë herë për “pasaportë”. Udhëtimi
jashtë vendit ishte vetëm për zyrtarët dhe familjet e udhëheqjes…
– A krijon frikë ky sondazh? A jemi ne një popull
që harron shpejt? A janë harruar ata që iknin, ata që u vranë në kufi?
Kjo asht nji pyetje që shqetëson! Vështirësitë e
jetës mbas vitit 1991 kanë qenë të atilla sa që popullsia kishte vetëm nji
preokupim: me shpëtue nga frika e komunizmit, dhe me sigurue nji punë me
dinjitet. Zgjidhja ma e preferueme ka qenë largimi nga Shqipëria. Në vitin
2015, rreth 1.1 miljonë shqiptarë rezultojnë të larguem nga vendi në kërkim të
nji jete ma të mirë e ma të sigurtë të shpërndamë nëpër botë. Largimi masiv ka
qenë denimi ma kumbues i sistemit komunist në Shqipëri. Hallet personale e
familjare kanë preokupue të gjithë vëmendjen e fatkeqve. Kujtimi i së kaluemes
dhe vajtimi i viktimave mbetet shqetësimi i madh i familjeve të “prekuna” randë
e që kanë humbë shpresën e nji jete ma të mirë në Shqipëri. Kjo asht tragjedia
që solli komunizmi në Shqipëri. Gjithashtu mungesa e demaskimit të organizuem
të komunizmit ka shkaktue pakësimin e interesimit me njohë të kaluemen që sjell
harresën. Ky asht nji fenomen i përbashkët për të gjithë ish vendet komuniste.
-A keni ju një mesazh për ata që në fakt kanë mall
për atë kohë?
Po! Para së gjithash më dhemb zemra kur mendoj që
ka akoma shqiptarë që nuk janë në gjendje me pranue shnjerëzimin që solli
komunizmi në vendin tonë. Për të gjithë vëllaznit e motrat e mia: Mos e harroni
Nanën tonë të përbashkët! Mos e harroni nevojën e madhe për ndihmë dhe
ngushëllim të nji pjese të popullsisë shqiptare. Sot, nuk mendohet për
hakmarrje. Ish të persekutuemët kanë shkrue nji faqe të artë në historinë e
vendit tonë me përbuzjen e hakmarrjes, megjithëse plagët e tyne kullojnë gjak
akoma. Çdo afrim ma i fortë mund të vij vetëm kur “fajtorët”, kriminelët që
shkaktuen vdekje e shkatërrim të kuptojnë peshen e randë të krimit të tyne të
pajustifikueshëm. Ata duhet t’i kërkojnë falje: viktimës ma parë dhe Krijuesit
ma vonë.
Shqipëria asht atdheu i jonë i përbashkët. Ajo pret nga ne, të gjithë ne, t’i sherbejmë me dashuni e devocion. Shqipëria asht e jona, ajo nuk asht “çiflliku i babajt” për tu nda në mes të grupeve politike, pavarësisht nga emni e ngjyra e tyne. “Pushtetarët” janë në thelb vetëm sherbestarë të Shqipërisë, dhe si të tillë ata gëzojnë besimin tonë. Së bashku mund të “lëvizim malet” për këte vend dhe për këte popull. Të ndamë nuk fitojmë kurrë, e vendi i jonë rrëshqet çdo ditë drejt greminës që e kërcënon. Le të mos lejojmë këte katastrofë të bjerë mbi popullin e pafaj! Shqipëria ka nevojë edhe për nji opozitë europiane e serioze, si sot ashtu edhe nesër. Ajo ka nevojë për nji opozitë të gatëshme me qeverisë, jo me slogane futuriste, por me programe të studjueme mirë e që i përshtaten konditave të vendit tonë, dhe kohës që jetojmë, e gatëshme me fitue disa beteja dhe me pranue humbjen e disa të tjerave, por gjithëherë me pikësynimin e ngritjes së nivelit të jetesës, ekonomik dhe kulturor mbi atë ekzistues, pa nxitim, mburrje, e zemrim, si dhe sigurinë personale të gjithë qytetarëve!
Janë qytetarët e thjeshtë që më frymëzojnë, të gjithë ata që ndihmojnë njeni-tjetrin, të gjithë ata që punojnë me ndershmëni dhe respektojnë ligjin, të gjithë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut në vend dhe në botë. Sepse këta janë individët që më mbushin me krenari dhe që më ushqejnë me nji ndjenjë madhështie hyjnore. Dhe për mue, ky asht patriotizmi i vërtetë shqiptar, dhe universal!
– Çfarë na thotë ky studim në një kohë që ende nuk
janë dënuar krimet e komunizmit, as bashkëpunëtorët e tij?
Studimi i kryem nga OSCE asht nji kumbonë alarmi që
na fton të zgjohemi nga gjumi i randë. Me korrupsion endemik, me krim të
përhapun, dhe me kanabis që dominon ekonominë e vendit nuk ndërtohet as shteti,
as demokracia. Pikësynimi i ynë asht hymja në familjen civile të Bashkimit
Europian. Europa asht shtëpia e jonë! Por kjo hymje duhet të jetë dinjitoze dhe
jo tue trokitë derë në derë sikur jemi lypsarë. Unë refuzoj hymjen në BE pa
dinjitet të merituem; na duhet të shkojmë në Europë si nji komb “europian” që
respekton vlerat morale të besës, burrënisë, nderit, tolerancës fetare,
mikpritjes e tjera vlera tradicionale për shekuj me rradhë; me hye si nji
popull që respekton “shtetin ligjor”, paqën me fqinjtë, demokracinë e
mbrendëshme e drejtësinë, sidomos drejtësinë; si nji popull që fiton bukën me
djersën e ballit e jo me krimin e akte të papranueshme nga bota europiane. Unë
kam besim të plotë se do të vijë dita kur të gjithë do të festojmë ardhjen e ditëve
ma të mira për vendin tuej e timin, për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve pa
dallim, pa përjashtim, nji Shqipëri ku të gjithë ne jetojmë pa frikën e
shtypjes dhe pa frikën e urisë.
(Gazeta Shqiptare)