E diele, 28.04.2024, 09:56 PM (GMT+1)

Mendime

Fran Kamshi: Në darët e një krize pa limite

E enjte, 29.12.2016, 02:51 PM


Në darët e një krize pa limite

Nga Fran KAMSHI

Konçesionet, nën emërtimin e zbutur “parneritet publik-priva”i po kthehet në një lubi që grabit paratë e shqiptarëve ndër shërbime shpesh imagjinare dhe për të cilat ata kanë nevojë ti marrin nga shteti dhe institucionet e jo nëpërmjet “të tretëve”. Gjithçka po privatizohet, ngaqë pushteteti ekzekutiv dhe administrate e këtij vendi nuk është në gjendje të mbajë në këmbë shërbimet ndaj qytetarit të tij.

Kryeministri ynë nuk lë rast pa dalë në mediat televizive të shumta, ditën dhe natën, duke na bërë me dije, për efikasitetin e privatizimeve të tij në stil të gjërë. Prapa kësaj fasade oratorie të ndritshme, ka një realitet të trishtë dhe që iu dhemb në palcë të gjithë shqiptarëve, që nuk janë pjesë e transaksioneve korruptive të qeverisë: borxhi publik në shifra marramendëse, varfëria këmbëkryq në familjet shqiptare, shërbimet publike të anatemuara e të diskriminuara, dështimi i ÇEZ-it me një faturë disaqindramiliardëshe pas…

Në gjithë këtë katrahurë të qëllimshme, zembreku i pronës publike duket se ka ngrirë dhe ekonomia kombëtare po shkon me hapa të shpejtë drejt rrënimit. Që këtej rrjedh dhe alternativa dhe rrënimi i alternativës së të majtës shqiptare, të mbijquajtur “Rilindja”, që mori përsipër, “në duart plebishitare” qeverisjen pas 23 qershorit, në lidhje me pronën publike, raport që është përcaktues në fatin e një qeverisje të pritshme dhe fatin e vetë të ardhmes së demokracisë në një shoqëri të hapur si kjo e jona.

E majta politike shqiptare kishte mundësi që ta ndalte këtë agjendë të frikshme dhe duhet ta ndalonte me çdo kusht, siç mëtonte të bënte në fushatën e bujshme elektorale, sepse pretendonte për një rilindje kombëtare dhe kjo rilindje duhet të niste më së pari nga raporte të reja të shtetsave dhe të politikës me pronën publike.

Deformimi, tjetërsimi, grabitja dhe shkatërrimi i pronës publike ka nisur që në vitin 1992, kur dishepujt e “terapisë shok” u vërsulën me pisha në duar dhe i vunë flakën Shqipërisë, dogjën fabrika, uzina, kombinate, punishte, vreshta, plantacone me mollë e kumbulla, grabitën pasuritë e mbetura më “duar të pastra”, në emër të një lufte absurde kundër komunizmit, nga ish-komunistë fanatikë dhe plangprishës, që duke djegur gjithçka, donin të mbulonin gjurmët e krimit dhe të vjedhjeve galopante, që do të ndërmerrnin më vonë, ditën për diell.

Pas kësaj, nisi ndërtimi i oligarkisë së re politiko-financiare, e përqëndruar te “oborri blu” rreth Doktorit, u cili u bë simbol i babëzisë dhe i qeverisjses për interesa private abuzive dhe korruptive. Energjia diabolike për të renditur një mori suksesesh virtuale, që në fakt ishin dështime dhe manipulime, ishte një mënyrë e dalë boje për të fshehur plaget e shoqërisë shqiptare, shkaktuar nga një qeverisjej mafioze.

Tjetërsimi, përvetësimi me metoda nga më të stërholluarat dhe grabitja e pronës publike është kryemëkati i qeverisë blu, që i ftonte shqiptarët ta votojnë për herë të tretë, që të mund të çelnikoste dhe të bunkerizonte akoma më shumë klanin e tij oligarkik, për të vijuar grabitjen me “duar të pastëra”.

“Rilindasit” erdhën me premtime të bujshme, por siç thotë populli “fjalë të bukura  e gurë në trastë”, nuk bënë asgjë, përveçse e thelluan babëzinë qeveritare dhe lumin e “konçensioneve”, që mund të shpien ujë gjithkund, por jo në mullirin e interesit publik.

Shumëkush sot mund të radhisë pafund pyetje, se përse kemi shkuar ne shqiptarët deri në këtë pikë të ngrirë e të trishtë, ndërsa zoti Rama Kryeministër bën narcistin dhe me tone të larta, pa iu dridhur bebja e syrit, i thotë të zezës, e bardhë?! Të shesësh pronën e shqiptarëve, që është gjaku dhe jeta e tyre, apo t‘a “shkatërrosh” e t’ua “falësh” klientëve dhe klaneve, atyre që të kanë në dorë për shkak të shërbimeve që të kanë ofruar apo ofertave joshëse, kjo nuk e ka emrin reformë, por Pazar dhe kjo nuk quhet më krizë, por është një këmbanë alarmi, që duhet të shkund vetëdijen e topitur të gjithkujt,  që nuk ka interesa të drejtpërdrejta me Oborrin.

I kudondodhuri mediatik zotiRama, ashtu si dikur Berisha të cilin e shan natë e ditë, nuk përton të prononcohet në të gjitha televizionet e vendit, herë babaxhan e i përkorë, herë acarues e ironik, sidomos kur përpiqet që dështimet dhe paudhësitë e tij dhe të të tijëve, të na i shesë për suksese e arritje, që bota duhet t’i marrë për modele, në rrugën e zhvillimit dhe progresit të gjithëanshëm, këmbëngul që ne të gjithë, të majtë e të djtahtë, të jemi të vetëdijshëm për ecurinë e reformave të tij dhe të jemi mirënjohës që kemi në krye një qeveri si ajo e tij. Ndërsa një popull i tërë, i mbetur në udhëkryq, rropatet në tunelin e krizës të gjejë një fjollë drite, Kryeministri rreket të na bind se nuk jemi në tunel, por në stratosferë, në një fluturim kozmik, plot befasime dhe hijeshi.

Mbi të gjitha për këto çështje dhe dilema të mëdha duhet të flasë e majta reale politike shqiptare, e djathta reale politike, opozita e vërtetë, ata parti që ndonëse në embrion nuk kanë me vete barrën e mëkateve njëzet epsëvjeçare.

Në Shqipëri kriza nuk ka të shkojë më tej, nuk ka ndonjë limit më të egër e më të skajshëm, ku pritet që të degjenerojë, përveçse në trauma kolektive, që larg qoftë, mund të risillnin, në rastin më të keq, nëse do të vijonte manipulimi dhe mashtrimi i politikës bunker, një pështjellim dhe anarshi kolektive. Prandaj, jo vetëm për shkak të nevojës së ngutshme të rrotacionit politik, jo vetëm për shkak të konsumimit të trishtë të një pushteti abuziv nga “Rilindja”, por dhe për shkak të gjithë këtij kompleksiteti faktorësh nacionalë e gjeopolitikë globalë, është koha e ndryshimit. Është ora e një politike të pastër që në mos po vjen, shqiptarët e presin me ankth që të vijë sa më parë!…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora