Mendime
Fran Kamshi: Një nëntëdhjetë e shtatë tjetër?!
E marte, 27.12.2016, 10:00 AM
Një
nëntëdhjetë e shtatë tjetër?!
Nga Fran Kamshi
Askush nuk dyshon më se në Shqipëri “sovrani” është për politikën një “mjet përdorimi” në votime për t’u ngjitur në pushtet parti politike e politikanë amoralë, që sapo ngjiten harrojnë gjithçka dhe mendja iu punon vetëm në një drejtim, për t’u pasuruar shpejt e me të gjitha mënyrat.
Vija ndarëse mes të pasurve dhe të varfërve, midis “sovranit” dhe mashtruesve të tij, që ndryshe quhen politikanë, është thelluar aq shumë, sa është kthyer në një hendek të rrezikshëm. Një hendek ku nuk mund të kalojë gjë tjetër (nëse vazhdohet me këtë psikolgji mashtrimi), përveçse llavës së zemërimit popullor, që kur vjen, përpinë gjithçka që gjen përpara.
Veçanërisht këtë dhjetëvjeçarin e fundit, ndodhi ajo që i kishte dhënë shenjat prej kohësh, që pushteti dhe populli do të ishin dy gjëra krejt të ndara. Edhe pse mes popullit dhe pushtetit të tij ka dete dhe oqeane që i ndajnë, përsëri makineria shtetërore dhe gjithë mjetet propagandistike dhe detyruese, arrijnë dhe ndërhyjnë në çdo kohë dhe sa herë të duan në jetën tonë, duke e vështirësuar atë përditë e më shumë. Edhe pse mendon se hallet e tua një ditë do të marrin fund, përsëri ato sa vijnë e shtohen. Kjo ndodh, se popullit nuk i ka mbetur asnjë mundësi dhe asnjë shans të takohet me pushtetin që nuk është më i tij, por që vjedh e grabit, që bën ligje e vendime në emër të popullit, për interesat e njerëzve të veshur me pushtet.
Pra, shteti si makinë dhune e morsë shtrënguese i gjen rrugët për të shkelur mbi kurrizet tona, ndërsa popullit i ka humbur çdo mundësi komunikimi, sado të flasë e të ulërijë, fjala e tij ngec, siç ndodh gjithnjë kur flet fukaraja. Kjo distancë dhe ndarje drastike tashmë, mes popullit dhe atyre që ushqehen vetëm interesa sundimi e pasurimi, ka bërë imediate edhe ndarjen qartësisht të alternativave, të djathta nga ato të majta.
Këto 26 vjet të çoroditjes tonë politike, realisht nuk ka patur një rreshtim, apo shtresëzim klasik të shoqërisë, sipas kritereve të mirënjohura, në mbështetje të së majtës apo të së djathtës, por mendojmë se kësaj amullie politike duhet t’i jepet fund. Në gjithë këto vite, ky absurditet dhe ngatërrim mes të majtës dhe të djathtës ka ndodhur dhe mbahet më këmbë, sepse vetë partitë, nuk janë ngritur mbi kritere të diferencuara dhe nuk funksionojnë dhe as i respektojnë këto principe programore e morale, pavarësisht si e quajnë veten të majta apo të djathta.
Ky ekuivok do të kapërcehet, vetëm duke luftuar me qartësi politike dhe pa mëdyshje, me ndershmëri e vendosmëri, për zgjidhjen e çështjet madhore që preokupojnë shoqërinë e sotme shqiptare dhe jo me demagogji e përralla Facebook-u. Marrëdhënia virtuale Qeveri - Popull është një katastrofë; dhe ketë e kupton lehtë çdo njeri, kur ka një hall a problem! Ajo që përbën thelbin dallues të këtyre dy alternativave e përbën qëndrimi lidhur me raportin mes të pasurve dhe të varfërve, si dhe zgjidhjet që i japin programet e tyre, krizës së masave popullore, që tashmë ka marrë përmasa globale. Kjo krizë globale, e sjellë nga ajo që një ekonomist i shquar amerikan e quan “kapitalizmi i çrregulluar dhe i babëzitur”, po risjell edhe një herë në vëmendje të ekspertëve raportet mes të pasurve dhe të varfërve, detyrimet që kanë këto shtresa ndaj shoqërisë dhe detyrimet që vetë shoqëria ka ndaj tyre.
Me fjalë të tjera, pabarazia sociale po thellohet në atë shkallë sa po shihet me shqetësim dhe nga vetë përfaqësuesit e oligarkisë politiko-financiare, të cilët do të donin një shoqëri më pak të disniveluar, për t’u ndier më mirë në komoditetin e pasurisë së tyre.
Shoqëria shqiptare ka pësuar tre trauma të rënda sociale dhe ekonomike, si pasojë e një udhëheqjeje mediokre, për të mos thënë dashakeqe të kësaj klase politike, të djathtë e të majtë, që e ka çuar vendin në prag të greminës.
Trauma e parë ishte efekti shkatërrues ekonomik i “terapisë shok”, ideator i së cilës qe i ndjeri Gramoz Pashko dhe që u mbështet fuqishëm nga lidershipi politik blu, duke e kthyer vendin në tokë të zezë, duke prishur e shkatërruar me ngut një pasuri kolosale, ngritur me djersën dhe gjakun e brezave të një populli të tërë.
Trauma e dytë, privatizimi i sektorëve strategjikë të ekonomisë, rrënimi i arsimit, shëndetit dhe shërbimeve publike. Rasti më alarmant i kësaj papërgjegjshmërie është privatizimi absurd i shpërndarjes së energjisë nga kompania ÇEZ dhe falimentimi i saj si rezultat i “gjobave” të vëna nga “kusarët me jaka të bardha”, duke lënë një boshllëk gjigand të zbuluar në bilancin e shifrave ekonomiko- financiare.
Trauma e tretë, por më e rënda, është kjo e “Rilndjes” ku “konçesionet” po grabitin milionat e shqiptarëve të varfër, për të pasuruar një elitë partiake e shtetërore që flet në emër të “sovranit”.
Në kushtet e reja ku gjendet njeriu shqiptar, në krizë dhe dëshpërim, në vend që t’i drejtohet një modeli, shansi a mundësie, të cilat duhet t’i shohë së pari e mbi të gjitha tek nëpunësi i administratës, tek njeriu i shërbimeve qytetare, (por në vend të kësaj sheh korrupsion dhe dallavere) shpesh i drejtohet rrugës më të lehtë e më të rrezikshme, krimit ordiner, vjedhjes, vrasjes, keqbërjes.
Në Shqipëri kriza nuk ka të shkojë më tej, nuk ka ndonjë limit më të egër e më të skajshëm, ku pritet që të degjenerojë, përveçse në trauma kolektive, që larg qoftë, mund të risillnin, në rastin më të keq, nëse do të vijonte manipulimi dhe mashtrimi i politikës bunker, një nëntëdhjetë e shtatë tjetër.