E hene, 29.04.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Mendime

Anton Marku: Muri ishte gjithmonë aty

E merkure, 28.12.2016, 12:12 PM


Muri ishte gjithmonë aty

Shkruan Anton Marku

Edhe këtë herë, si dhe gjithmonë përgjatë historisë, po dëshmohet se luftërat nuk mbarojnë atëherë kur ndalen. Ato vetëm trasformohen në beteja të reja. Ky është rrëfimi për atë se si dështoi tentimi për të bashkuar një shtet duke ndarë një qytet.

Ura (parahistori)

Në fillim, menjëherë pas fjalës, ishin ata. Jetuan shekuj të tërë pranë e pranë pa i besuar njëri-tjetrit asnjëherë gjer në fund. Flisnin gjuhë të ndryshme, nuk lidhnin krushqi mes vete dhe as që ëndërronin njësoj. Vetëm legjendat dhe këngët i kishin të ngjajshme. Shumica të huazuara nga fqinjtë. Megjithatë, i njëjti shi i lagu, i njëjti dielli i poqi, pinë nga të njëjtat burime. Pa arritur asnjëherë të bëhen armiq. Ashtu klasikë.

Që të kuptonin më mirë gjuhën e lumit, dikush u tha se do ishte mirë të ndërtonin një urë. Ai që foli i pari nuk u tregoi se për të duheshin të dy anët. Dhe as që i dha emër. Atë ja dhanë vet ata që e ndërtuan. E quajtën ‘‘Ura Jonë’’.

Dhe erdhi koha kur njëra palë u plak. Tjetra u rrit. Në anën e erës shtoheshin arkivolet. Në atë të detit djepat. Për një moment u bë ngushtë. Edhe pse tokë kishte mjaft, disa nuk mund të ndaheshin aq lehtë nga dheu. Të tjerët filluan të hyjnë në të. Me trup. Tek koka u vinin nga një gur. A kryq.

Këtu e gati njëzet vjet më parë i ishte afruar shpesh vdekjes por ajo nuk e deshi. U tha se ajo kishte të drejtë në jetë por jo dhe në vdekje. E liga i donte të vdekura ëndërrat, jo urën. Dhe pothuajse ja arriti. Ishte kjo koha kur nëpër të kalonin vetëm qentë endacakë, ndonjë nga të çmendurit e zakonshëm të të dyja anëve të qytetit dhe eventualisht ndonjë i huaj. Shpesh me dyftyrësi të paftyrë.

Ajo i mbijetoi luftës së fundit dhe nuk e pati fatin e urës së Mostarit që të hidhet në erë apo një fshati të Srebrenicës që mbeti e shkretë pasi që nuk kishte më njerëz që do kalonin mbi të. Nga asnjëra anë.

Ku ka ura ka dhe mure. Vetëm se ata janë të padukshëm. Ata janë në kokat e njerëzve. Në kokat tona. Dhe të tyre.

Deri tani është besuar se jo gjithçka është e humbur. Ka ardhur dita që të mos besohet më.

Kthimi në realitet

Që nga paslufta, asnjëra palë, as ajo kosovare, as ajo serbe, e aq me pak bashkësia ndërkombëtare, nuk ishin të interesuara që të evitonin konfliktet e mundshme që mund të ndodhnin në të ardhmen, të zgjidhnin mosmarrëveshjet aktuale dhe të gjenin një rrugë të ndërmjetme për pajtim dhe paqe të qëndrueshme. Fjala kompromis nuk egzistonte në fjalorin e tyre edhe ashtu të vobektë negociator. Për më tepër ato ishin më shumë të fokusuara në pozicionim dhe ripozicionim përpara procesve tjera, që si rrjedhojë do të mund të sillnin ndonjë hap më përpara në integrimet evropiane.

Dhe ndodhi ajo që ndodhë gjithmonë pas lojërave të tilla. U krijua një hendek mosbesimi edhe më i madh se më parë. Tani as lutjet as kërcënimet nuk bëjnë më punë.

Përfaqësimi nuk do të thotë automatikisht edhe përfshirje. Integrimi nënkupton inkuzion, jo vetëm sipërfaqësor por dhe përmbajtësor. Një ofertë serioze për serbët e veriut të Kosovës, pos për politikanët e tyre, mungoi për shumë vite. Në disa raste, atyre ju dha zëri por jo dhe mundësia e kontributit, e cili, ç’është e vërteta, do duhej të ishte i sinqertë dhe i pakushtëzuar, në proceset dhe sfidat nëper të cilat po kalonte vendi. Ata disi u lanë jashtë. Po ashtu duhet thënë se edhe nga ana serbe refuzimi ishte fjalë pothuajse e përditshme. Ashtu si dhe injorimi dhe cinizmi nga pala tjetër.

Aktualisht, megjithë nisjen dhe vazhdimin, së paku deklarativ, të dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ajo që është arritur në këtë aspekt është pothuajse baraz me pak më shumë se asgjë. Për më tepër, me apo pa dëshirën e saj, Kosova po shkon drejt jetësimit të njërës prej dy koncepteve: a) krijimin e një shoqërie multietnike (minus serbët) dhe b) krijimin një sistemi monoetnik, i dominuar absolutisht nga populli shumicë, atij shqiptar në këtë rast. Pritjet e bashkësisë ndërkombëtare ishin (dhe mbase ende janë) transformimi i saj në një shoqëri moderne, në të cilën të gjithë qytetarët e saj, të cilët e konsiderojnë atë si atdhe të tyre, të kenë  mundësi dhe shanse të barabarta për jetë të qetë dhe prosperitet individual dhe grupor. Së pari me nënshkrimin e pastaj zvarritjen apo bojkotimin e zbatimit të marrëveshjve të arritura, disa më shumë e disa me pak, të gjithë po dëshmojnë se mbase në teren duhet të ndodhin ndryshime thelbësore, të cilat do njihnin një realitet të ri, i cili tashmë është vetimponuar. Në këtë ekuacion opcioni i tretë duket i largët.

Një kaptull i ri

Ata që ende i kanë të mbathura çizmet e luftës e kanë të vështirë të kthehen anash e të bëjnë një gjysmërreth. Rrotull vetes dhe të tjerëve. Veriu dhe jugu i vendit ka 17 vite që nuk komunikojnë mes vete. E tëra që ata bëjnë është shkëmbimi i informatave. Asgjë më shumë se kaq.

Për të dalë nga ky rreth vicioz duhet dhe pak kokë. Jo vetëm muskuj.

Veriu po vazhdon të përballet me një utopi reale në të cilën protagonistët po përpiqen të parashikojnë se si do të mund të duket e ardhmja. Në anën tjetër politikanët kishin raste të panumërta të dëshmojnë se politika u shërben nevojave të (gjithë) qytetarëve, jo vetëm të tyre. Në vend të kësaj fitohet përshtypja se ata po provojnë të ndryshojnë të kaluarën pasi që të tashmen nuk po kanë sukses. Në të vërtetë ata luajnë bixhoz nën moton ‘‘të fitojmë sa më shumë duke humbur sa më pak’’. E në këtë lojë nuk do ketë fitues. Përkundazi, të gjithë do jenë humbës.

Fakt i cili vështirë se mund të mohet është e dhëna se Kosova kopjoi strategjinë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vendosi stablitetin para demokracisë dhe mirëqenies. Edhe qeveria kosovare, për sa i përket veriut, përdori dhe vazhdon të përdorë këtë kartë. Me shumë se gjithçka tjetër asaj i intereson që atje të mos shënohen incidente ndëretnike. Për të tjerat nuk duket se shpreh ndonjë shqetësim. Rezultat i kësaj politike, nëse vazhdohet me këtë qasje dhe ritëm, në shtigje afagjata, mund të jetë: ashtu siç Serbia e humbi definitivisht Kosovën, edhe Kosova rrezikon të mbetet pa veriun e saj. Në këtë kontekst duhet pranuar se, në një formë apo tjetër, kjo pjesë e territorit që nga paslufta de-fakto është ‘‘shkëputur’’ dhe vendosur nën një protektorat ndërkombëtar, në të cilin as Prishtina e as Beogradi nuk kanë pasur dhe nuk kanë ndikim aq sa do dëshironin.

Akulli është i hollë prandaj duhet shpejtuar hapat. Për paqe asnjë rrugë nuk është e gjatë. Në fund të fundit, është i njohur proverbi se ‘‘udhëtarit nuk i dilet në rrugë’’. Mbase, ata që duan të shkojnë duhet lejuar ta bëjnë këtë.

*****

Tashmë e thënë:

-Ku je?

-Po pres autobusin.

-Ngutu.

-Po provoj të ngutem duke pritur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora