Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Petullat ose ''golgota'' e gjarprit
E hene, 20.06.2016, 07:18 PM
T r e g i m
Sejdi BERISHA:
RRËFIMI PËR PETULLAT OSE “GOLGOTA” E GJARPRIT...!
Gjatë tërë natës nuk kishte fjetur nga gëzimi që nesër do ta vizitonte arën, të cilën e kishte mbjel1ur me misër. Për merak... Ashtu siç din ai. Ishte një tokë që edhe babai i tij ia kishte punuar me berat dhe përherë kishte mbledhur një bereqet të mirë, bile për lakmi që ia kishte i tërë fshati.
Në mëngjes, bashkëshortja ia kishte përgatitur për merakun e tij një sahan petulla, me të cilat ia kishte mbushur janxhikun e leshtë. Aq për merak ia kishte gatuar ato petulla, sa që gjatë tërë rrugës për në arë e ngacmonte era e mirë e petullave, që nganjëherë merr erë edhe e tërë lagjja e tij, kështu që e bënte të mburret burrin e hajthem me mustakë të holla, të cilat i shprehnin një burrëri të mprehtë por edhe sigurinë prej mashkulli në vetveten.
Por, çfarë ndodhi kur arriti në krye të arës, e cila ishte bërë verdh si zhapini, siç thonë fshatarët për arat e azdisura kah kupa e qiellit e drejtë diellit! Në mezhdën e cila ndante arën me livadhin e fqinjit, e që në mes kishin edhe një vijë uji, ishte piprruar si në njeriu në këmbe, një gjarpër tërë lara-lara në shpinë dhe shikonte pingul njeriun me mustakë të hollë. Në atë çast, edhe pse ligsht e tregoi burrërinë dhe qëndrimin prej trimi, sikur mijëra të dridhura e fishkëllima ia përshkuan trupin dhe kokën e kërleshur. Por. me janxhikun plotë me petulla, të cilat provokonin orekshëm me erën e tyre, u nis ngadalë mezhdës teposhtë, kinse duke shikuar arën pa asnjë trazim. Mirëpo, tinëzisht, shikimin nuk e ndante nga gjarpri, i cili si në dy këmbë vështronte, dhe tani edhe me sy të mërdhezur... Sa hapa që bënte ai, po aq ecte edhe gjarpri në anën përballë tij. Pas një kohe, u ndal. Mendoi se çfarë dhe si të veprojë. Lehtë do ta zgjidh këtë problem, tha ndërdhëmbë, edhe pse në kokë kishte “mbledhje” parlamenti me diskutime temperamente dhe pa kontroll. Hapi janxhikun plotë me petulla, dhe sa hapa që bënte mezhdës teposhtë arës, nga një petull e fuste në gojë, e iu afrua gjarprit, dhe nga një petull ia mbërthente në gojushkë edhe gjarprit “krenar”!
Çfarë kënaqësie?! Deri në fund të arës gjarpri nuk ia ndau duke ngrënë edhe ai petulla, bile pip në këmbë... Bile. kur ia vononte petullën, lëshonte fishkëllimë trishtuese, sa që e lemeriste njeriun mustaqehollë. Dhe kështu, në mezhdën e arës së vet, e gjarpri përballë në mezhdën me livadhin e fqinjit, që i ndante vetëm vija për ujitje...! Kështu, deri në fund të arës... Musteqoshi nuk kishte guxim as ta kthente kokën kah bereqeti i vetë, sepse, duhej përcjellë gjarprin, i cili tani ishte “fryrë” e bërë cull nga petullat. Kurse, atij petullat desh nuk ia rrotullonin lukthin, ngase kishte planifikuar që deri në mbrëmje të qëndrojë me to. Gruaja ia kishte gatuar për merak. Në arën e tij... Çfarë tash?! U harxhuan petullat, e dielli kishte kapërthyer kupën e qiellit. Nuk lëviz mustaqeholli, nuk ia çap as gjarpri...! Assesi nuk i shkonte mendja që të ndërmerrte diçka për ta mbytur gjarprin. Ndoshta, tash i dhimbseshin petullat që ia kishte “kukulatur” në gojë me duar të veta. Në gojë...! Hej more djall... Ani, gjarprit që të ha, që ta helmon gjakun, zemrën, shpirtin?! Por, në këtë “golgotë” të pabesueshme, e ngushëlloi vetveten me fjalët: "Gjarpri që nuk më ha mua, rroftë njëqind vjet"!...
Hajt, e në këtë moment, por edhe kur të duash, por edhe në çdo kohë zbërtheje këtë fjali. Fjali e cila në asnjë rrafsh nuk qëndron dhe as nuk është e drejtë.
Në këtë rrëmuje mendimesh: të jesh apo të mos jesh,... Të gjitha këto shpresa ia kishte rrënuar fjala tjetër e popullit, e cila i kishte ardhur mu si rrufe: "Gjarprin, gjithmonë duhet mbytur në koke!".
Luftë marramendëse mendimesh të njeriut me mustaqe të holla, të cilat, tani iu kishin lëvarur pingul teposhtë si akujt në strehët e çative në stinën e dimrit lakadredh, edhe nxehtë edhe ftohtë...
Mesditë, dielli përcëllonte. Ara ishte përcëlluar, ishte djegur për ujë, kurse gjarpri që ishte ngopur me petulla, tash rrezitej kutullaç mbi barkun e njeriut mustaqehollë dhe kokën ia kishte drejtuar kah arza e fytit...!
- Hej, more Zot! Edhe i dhashë petulla: një vetes, një atij dhe tash çfarë më gjeti?!... - kishte folur me vetveten dhe tash vetëm mbante dertin se si të shpëtojë. Çfarë “golgote”?! Ashtu kishte ngelur, derisa gjarpri nuk e kishte bërë qejfin e vetë, deri atëherë kur dielli kishte ikur pas Bjeshkëve të Nemuna!
Prej atëherë, më kurrë nuk kishte pasur guxim ta vizitonte arën e vetë. Por, mustaqet prapë i mbante!
* * *
- Ka pasur raste të tilla. Bile ka edhe sot, shumë?!!
- Çfarë rrene!... Gjarpri han petulla...
- Rrenë, rrenë? Hë,... përrallë e kulluar...!