Mendime
Lek Dodani: Kundër Babarisë, në emër të Jetës
E merkure, 18.11.2015, 09:31 PM
Kundër
Babarisë, në emër të Jetës
Nga Lek Dodani*
Ngjarjet në Paris të së premtes së zezë, ku mbetën të vrarë e të masakruar dhjetëra persona, ishte një goditje me thikë pas shpine ndaj Francës dhe gjithë qytetërimit perëndimor. Ishte një natë shenbartolomeu, e një qasje tjetër, në mijëvjeçarin e tretë, të epokës së integrimit dhe sfidave të rendit të ri botëror.
Pasi kaloi furia e këtij agresioni të ulët, gjithëkush mendon për pozicionin e tij.
Kur je duke u djegur, shkruan Ben Blushi, është e pamundur të mendosh se çfarë do të bësh kur të mbarojë zjarri. Jam i sigurt se në këtë gjendje janë sot gjithë qytetarët e Francës pas ngjarjeve të djeshme në Paris. Eshtë shpejt për ta, për të vendosur çfarë duhet bërë që terrori të mos përsëritet më. Ata e dinë se pas disa kohësh do të ketë sërish vrasje, masakra, bomba dhe kamikaze që hedhin në erë dyqane, restorante, ura dhe salla plot me njerëz të pafajshëm. Ashtu siç ndodhi edhe pas Charlie Hebdosë, francezët dhe gjithë evropianët e tjerë do t’i kthehen sërish mënyrës së tyre të jetesës. Shkollat do hapen, rrugët do pastrohen, koncertet do vazhdojnë dhe stadiumet do mbushen.
Si emigrant në Francë prej 11 vjetësh, me stausin e azilantit politik, ndihem jo vetëm i tronditur, i shokuar nga kjo barbari, por edhe në dilemë: çfarë duhet të bëjë Franca, kampioni i lirive dhe të drejtave nejrëzore në Europë, për të mos tejkaluar standardin e këtyre lirive të fituara gjatë një shekulli sfida e qëndrese të pashembullt?
Kjo pyetje torturuse i rëndon sot ndërgjegjes sonë, jo vetëm si emigrant në një vend mikpritës, që na ka hapur portat dhe zemrat, por dhe si qytetarë të një bote të lirë, që vijmë nga një vend që e ka të shenjtë lirinë e besimit dhe bashkëjetesën fetare.
Ne shqiptarët nuk e kuptojmë se si mund të ngreshë thikën e përgjakur kundër atij që beson ndryshe nga ti, që mendon ndryshe nga ti, që vjen nga një kulturë dhe mënyrë jetese tjetër nga ajo që ke ti. Në Francë, ne shqiptarët jemi shumë të bashkuar e solidarë me njëri-tjetrin, nuk vështrojmë se a jemi katolikë, ortodksë apo myslimanë, vështrojmë që jemi shqiptarë dhe kemi nevojë për njëri-tjetrin, kemi nevojë ti tregojmë Francës dhe Europës që na ka hapur dyert se ne jemi pasqyrë e një shoqërie ku zotëron kultura e komunikimit human dhe bashkëjetesës humane.
Mendoj që bota islamike mund ta kishte si model sjellje popullin shqiptar, ku shumica janë myslimanë, të paktën në drejtim të kulturës së bashkëjtesës religjioze, të paktën në këtë drejtim ne mund ti japim një leksion jo vetëm islamit por dhe vetë perëndimit.
Fakti që në këtë kasaphanë të trishtë nuk kishte asnjë shqiptar është vetëm pjesërisht ngushëllues, pasi aty mund të kishte shumë shqiptarë, siç mund të kishte alegjerianë, afganë, islamikë e të krishterë, që nuk e dinë se thika e disa njerëzve të sëmurë nga paranojat drejtohet në errësirëne instinkteve më të ulëta kundër tyre.
Islami, katolicizimi, ortodoksizmi, si fe të ndryshme e kanë detyrimin t’i japin paqe botës, t’i mësojnë besimtarët e tyre se dhuna e dobëson botën, e bën më agresive dhe më të dobët moralisht, psikologjikisht, ekonomikisht. Fëmijët që vrasin duke besuar se i shërbejnë Islamit, janë sot armiqtë e tij më të egër jo vetëm të perëndimit, por dhe të vetë islamit, të cilin kërkojnë ta identifikojnë me dhunën e terrorin, duke I rënë ndesh doktrinës së tij që ka në theme paqen dhe lumturinë e njerëzimit. Ata e ndëshkojnë, e përdhosin, e deformojnë dhe e kthejnë fenë e tyre në një egërsi me të cilën nuk bashkëjeton dot.
Ne si emigrantë shqiptarë në një vend me standarde të larta demokratike si Franca, ku liritë dhe të drejtat e njeriut janë mbrujtur me gjak e sakrifica të shumta ka më shumë se një shekull, ndihemi pjesë e të dëmtuarve, pjesë e atyre që iu është trazuar gjumi, iu është prishur qetësia dhe kërkojnë që të mëdhenjtë e kësj bote, jo vetëm në kombin Francez, por kudo, në Lindje e Perëndim, të vënë gishtin mbi plagë, ta kurojnë atë dh eta bëjnë botën më paqësore, më të drejtë e më sigurtë.
Kjo është deviza e çdo qytetari të botës, e çdo njeriu të lirë që jeton me punën dhe djesën e tij, e çdo grupi shoqëror, etnik, fetar kudo në këtë glob, që shpreson për një jetë të qetë e të begatë, pa frikën dhe ankthin e kamikazëve dhe radikalizmit e ekstremizmit, prej ngado që mund të vijnë ata.
*Shoqata Bashkimi Shqiptar, drejtor ekzekutiv Lion France