E premte, 19.04.2024, 07:13 AM (GMT+1)

Mendime

Visar Duriqi: Terrorizmi si ikje nga izolimi

E merkure, 11.11.2015, 08:13 PM


?Terrorizmi si ikje nga izolimi dhe mungesa e shpresës

Nga Visar Duriqi

Edhe xhihadistët tanë në masë janë konsekuencë e keqqeverisjes së këtij vendi për më shumë se 16 vjet nga krahu i dalë nga guerilja e herë nga pacifistët por që kanë një të përbashkët: të dy krahë janë të lidhur me fonde të dyshimta të krijuara dhe zhvilluara në Evropën Perëndimore, por edhe si rezultat i izolimit dhe regjimit të tmerrshëm të vizave nga shtetet e BE’së. Europa i dëbon kosovarët, kurse Ebu Bakar Al-Bagdadi i mirëpret, prandaj dhe ata shkojnë në ISIS. Tek e fundit, ku tjetër mund të shkojnë?!

Është vetëm 20 vjeçar, por, Ardit Ferizi, ka arritur të futet brenda Pentagonit dhe kështu të vjedhë të dhëna të rëndësishme që e futin në rrezik jetën e më shumë se një mijë ushtarëve amerikanë. Këto të dhëna ua ka dorëzuar drejtuesve më të lartë të ashtuquajturit Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit (ISIS). Kështu të paktën pretendon Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve që ka arritur ta ekstradojë Ferizin që u arrestua javë më parë në Malajzi ku po studionte IT-në. Ardit Ferizi është një shtetas i Kosovës, njëri nga qindra të tillë që i janë bashkuar idesë së lëvizjes salafiste të përkrahur financiarisht (dhe jo vetëm) nga Arabia Saudite për ta ringjallur Kalifatin Islamik, që zyrtarisht u shua me sulltanin e fundit në Stamboll.

Këtë vit, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në një intervistë në gazetën “Express”, e pranoi se numri i kosovarëve pjesëmarrës në xhihad në Siri dhe Irak ( në ISIS dhe Xhabhatu Al-Nusra) është mbi 300. Kjo e bën Kosovën shtetin e katërt në botë që eksporton xhihadistë në grupet terroriste në krizën e Sirisë dhe Irakut. Në mesin e këtyre xhihadistëve janë disa nga më të tmerrshmit në ISIS, nga at që vrasin fëmijë e deri tek ata që vrasin njerëz burgosur me armë antitank janë shqiptarë të Kosovës.

Dhe lëvizja salafiste që rekruton xhihadistë, kosovarët që migrojnë në Europë dhe opozita e radikale që përdor edhe gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit janë arsye pse Kosova, një shtet me vetëm 1.8 milionë banorë, që e deklaroi pavarësinë njëanshëm në vitin 2008, vazhdon të ketë vëmendje në botë. Stagnim dhe frikë për përkeqësim të situatës, janë dy ndjenjat që mbizotërojnë në këtë shtet të çliruar nga ndërhyrja ushtarake e NATO’së e vitit 1999, që e shpëtoi një komb nga shfarosja nga ana e regjimit të Sllobodan Milloshevicit.

Por të gjitha këto ndodhi janë vetëm konsekuencë e një keq-qeverisjeje të vendit, ku korrupsioni është bërë “Stil Jete”, korrupsion në të cilin hisen e kanë edhe Komuniteti Ndërkombëtar, ose duke marrë pjesë aktivisht në aferat korruptive ose duke i përkrahur për të mbetur në pushtet njerëzit e krimit të organizuar dhe të dyshuarit për krime lufte. Por edhe kriminelët e dënuar të luftës.

Në fund të javës që shkoi u konfirmua edhe një herë vendimi i Gjyqit për të dënuar për krime lufte dy ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që tash e disa mandate janë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të ish-drejtuesit politikë të UÇK-së, Hashim Thaçit.

Kosova, një shtet në të cilin prezent ishte njëri nga misionet më të mëdha të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe është misioni më i shtrenjtë i Bashkimit Europian (EULEX) vazhdon që të qeveriset për 16 vite nga një klasë e korruptuar politike e dalë ose nga UÇK-ja (e lidhur me fondin e dyshimtë “Vendlindja thërret”, i klasifikuar edhe si reketim publik në Europën Perëndimore) ose nga lëvizja pacifiste, Lidhja Demokratike e Kosovës, e ish-presidentit Ibrahim Rugova (e lidhur me fondin tjetër të dyshimtë i quajtur “Tre për qind”- ose qeveria e Bujar Bukoshit me qendër në Bon të Gjermanisë).

Këto dy misione ndërkombëtare jo vetëm që dështuan të ndëshkonin të korruptuarit, por u bën edhe pjesë skemave të grupeve të interesit. UNMIK-ut do t’i rridhnin edhe dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur të Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi çka do të mundësonte që komandant e UÇK-së të shpallën të pafajshëm dhe të vazhdojnë edhe sot të lypin postin e Kryeministrit, derisa akuzat e fundit brenda EULEX-it janë shumë serioze dhe janë ngritur nga një ish-prokurore speciale nga Anglia. Ajo pretendon që gjyqtarët dhe prokurorët europianë kanë pranuar edhe ryshfete të drejtpërdrejta nga mafia kosovare.

Dhe krejt ky de-konstruktim i vazhdueshëm i shtetit sot e ka sjellë situatën ku krejt Republika e Kosovës qeveriset nga një klasë që e ka humbur legjitimitetin dhe ka për opozitë një seri partish të lidhura ngushtë me krimin e organizuar, ose parti nacionaliste që në modelet qeverisëse të tyre nuk dallojnë asgjë nga klasa aktuale- nepotizëm dhe korrupsion.

Qeveria aktuale është rezultat i zgjedhjeve të fundit në Kosovë (qershor 2014) ku afro 60 % e popullatës i bojkotuan votimet, dhe ku besueshmëria në organet qendrore të qeverisjes është më e ulëta që nga vitit pavarësia: Aktualisht 85 % e kosovarëve nuk janë të kënaqur me punën e Kryeministrit, 87 % me punën në Zyrës së Prokurorit... dhe në përgjithësi vetëm 17 % të qytetarëve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore në Kosovë.

Humbja e besimit madje po ndryshon me hapa të shpejt brenda muajve, si në rastin e Zyrës se Kryeministrit, aktualisht e drejtuar nga një ish-zyrtarë i lartë i Kosovës nga Partia Komuniste e ish-Jugosllavisë, por që pa fije turpi është tash kryetar i një partie demokratike (Isa Mustafa) dhe ku besueshmëria në të në fillim të viti ishte 24 % dhe ra në shtator në 15 %, konstaton një anketë e UNDP dhe USAID.

Krejt kjo situatë, dhe në të njëjtën kohë edhe regjimi i vizave i shteteve të BE’së kundër Kosovës, këtë shtet me mbi 90 % myslimanë, i varfër, me sistem të shkatërruar të edukimit, i izoluar dhe pa shpresë që klasa politike do të ndërrojë, e ka shndërruar në një tokë perfekt për “të mbjellë” xhihadistë. Kosovarët kanë mundësi që pa viza të shkojnë në Turqi, dhe në momentin që je në tokën e Presidentit Erdogan, atëherë rruga drejt ISIS-it është e shtruar me lule. Njerëzit nuk duan më të qëndrojnë në këtë shtet, ku nuk ka siguri për jetë normale dhe ata duan të dalin jashtë. Por, pasi që kjo iu mohohet nga BE-ja, ata do të shkojnë në ISIS. Le të zgjedhë Europa a i do kosovarët në Europë apo tek Ebu Bakar Al-Bagdadi.

Për BE-në Kosova është shtet i sigurt, por statistikat tregojnë ndryshe: Në Kosovë shkalla e varfërisë prek afro 30 % të popullsisë, papunësia në përgjithësi është mbi 35 % në të gjitha grupmoshat, kurse mbi 60 % e të rinjve janë të papunë. Niveli i ndihmës sociale nga shteti për një familje me 5 anëtarë është afro 70 euro në muaj, që i bie që këta persona jetojnë me më pak se 50 centë në ditë. Paga mesare e të punësuarve në Kosovë është 360 euro, derisa çmimi për produktet bazë për ushqim janë më të shtrenjta se në Gjermani, kurse kushtet e punës janë në nivel primitiv në sektorin privat, ku madje as pjesa më e madhe e gazetarëve ose nuk kanë kontrata të punës ose largohen nga puna pa paralajmërim. Pjesa më e madhe e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë punojnë në kushte gati vetëvrasëse, derisa sigurimi shëndetësore për ta pothuajse nuk ekziston.

Edhe xhihadistët tanë në masë janë konsekuencë e këtyre faktorëve, dhe parave të Saudisë përmes imamëve që kanë studiuar në Saudi e që çuditërisht janë të pasur, por as ata vetë nuk e shpjegojnë dot se si!

Studimet e deri tanishme sado që janë të mangëta dhe jo-shkencor kanë treguar se xhihadistetë kryesisht vijnë nga zonat rurale, të pa zhvilluara ekonomikisht, dhe ku arsimi mungon dhe ku investimet e shtetit mungojnë dhe ato tashmë janë zëvendësuar me aktivitetet e imamëve salafistë, të cilët predikojnë haptazi xhihadin. Të rinj pa perspektive që rekrutohen nga grupet e lidhura me xhihadin. Në vitin 2014 në Kosovë u arrestuan 11 imamë për vepra penale që lidhen me terrorizmin dhe për shpëlarje parash.

Madje, shteti i Kosovës filloi të vepronte në drejtim të penalizmit të ligjëratave me gjuhë urrejtjeje vetëm në verën e viti 2014, kur Kosova iu bashkua koalicionit kundër ISIS-it. Dokumentet që kemi siguruar deri tash në hulumtimet tona në lidhjet në mes Bashkësisë Islame të Kosovës, xhamive dhe xhihadit del që së paku që nga viti 2005 madje edhe Kuvendi i Kosovës ishte njoftuar zyrtarisht për fuqinë e lëvizjes selefiste në Kosovë, dhe për planet e tyre për ta bërë këtë shtet funksional sipas modelit të sheriatit.

Tashmë duket që gjërat kanë shkuar aq larg sa në Kosovë është krijuar dhe një parti islamike, themeluesi i së cilës ka deklaruar që do të përdorë shtegun e demokracisë për të sjellë sheriatin, derisa një tjetër parti islamike është pjesë e pushtetit (në koalicion qeveritar) për më shumë se dy mandate dhe synimet e saj të deklaruara janë: të lejohet uniforma fetare (hixhabi) në shkollat publike dhe mësimet e lëndës fetare të bëhen pjesë e kurrikulave në shkollat publike të këtij shteti që me kushtetutë është shtet sekular.

Madje tash lëvizja skafiste për sheriat ka menaxhuar që të ketë në krah të saj edhe një OJQ që me fondet e BE-së bënë thirrje për të njëjtën kauzë: mësime fetare në shkollat publike.

Unë nuk do të flas diçka shumë rreth vetës, përveç që po ju lë të imagjinoni se si është të punosh gazetar në një shtet të tillë.

Shpresoj që gjate sesionit të pyetjeve do të kemi kohë që të flasim edhe për detaje të tjera të historisë më të re të Kosovës, një shtet që po lufton pikë së pari për identitet dhe se a do të arrijmë që të krijomë identitet europian apo do të “mbytemi” nga identiteti fetar- islamik.

Fjalim i mbajtur në “Körber Stiftung”- Hamburg, 10 nëntor 2015



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora