Mendime
Ilir Sefaj: Go, EULEX!
E merkure, 11.11.2015, 08:11 PM
Go,
EULEX!
Nga Ilir Sefaj
Kur i përvola mëngët dhe vendosa t’i them dy-tri fjalë për EULEX-in dhe misionin e tij, titullin në anglisht të kësaj përqasjeje ma përktheu një mik imi!
E vërteta është se unë nuk e di (njohë) kënaqshëm gjuhën angleze, por unë kurrsesi edhe ta kuptoj mandatin e këtij misioni Europian të instaluar tash e afër një dekadë në Kosovë.
Mbase nga titulli i kësaj paraqitjeje, ndonjë lexues i supozuar mund ta fitojë përshtypjen se autori i këtyre radhëve na qenka “i rrezikshëm”, ose-ose ky deli burrë po tentuaka të bëjë revolucion në këtë fillim-shekull?!
As njëra e as tjetra. Megjithatë, me ose pa vullnetin e këtij lexuesi të mundshëm, mbase krejt të rastësishëm, autori i këtyre radhëve ka vendosur të shprehet.
Intencë e imja nuk është që për kapriqo të miat ose për hatrin e ndonjë tjetri të vjell vrer mbi këtë mision të pamision, por thjesht si banor permanent i këtij “shteti” të quajtur Kosovë, më intereson të di se çka sillet e pështillet brenda kësaj hapësire gjeografike ku gjalloj unë dhe njerëzit e mi.
Në paragrafin e mësipërm termin shtet e futa në thonjëza dhe kjo ndodh jo rastësisht. E vërteta është se Kosova e shpalli pavarësinë e saj qysh më 17 Shkurt 2008, mirëpo edhe tani kur po i afrohet dekadës së parë të shtetëzimit të saj, ajo kurrsesi të funksionojë si e tillë.
Shpalljen e mëvetësisë së Kosovës sikurse edhe mund të vetëkuptohet e pritëm të ekzaltuar deri në infinit. Megjithatë, kam përshtypjen se një si lloj dyshimi në kapërcimin e shumë sfidave që e prisnin shtetin e ri, e kishim të gjithë, madje edhe optimistët më të mëdhenj.
Shpresat se vendi ynë do t’i tejkalojë më me lehtësi sfidat që koha i kishte shtruar përpara u shtuan kur opinioni vendas e kuptoj se brenda territorit të Kosovës do të instalohej një mision Europian i quajtur EULEX, misioni më i madh civil deri në atë kohë (por edhe tani), i politikës evropiane për siguri dhe mbrojte, synimi kryesor i të cilit do të ishte mbështetja e autoriteteve kosovare në fushën e sundimit të ligjit.
Pra, EULEX u instalua në Kosovë pikërisht më 9 dhjetor 2008, që i bie disa muaj pas shpalljes së pavarësisë. Tash kur kanë kaluar 7 vite të ekzistencës së kësaj “krijese” evropiane në shtetin tonë; njerëzit pyesin: me çka mund të matet suksesi i misionit EULEX?!
Kësaj pyetjeje në dukje të koklavitur, qytetarët e Kosovës i janë përgjigjur disa herë...EULEX, vetëm sa e ka thelluar krizën (edhe ashtu të brishtë) politike në vendin tonë.
Prania e EULEX në Kosovë, jo vetëm që nuk e ka dhënë as edhe më të voglin kontribut në zhvillimin normal të një shteti të ri siç ende mund të konsiderohet vendi ynë, përkundrazi ky mision është karakterizuar me dështime të njëpasnjëshme, madje në disa situata përveçse është shfaqur skandaloz, ka dalë edhe tejet qesharak.
Vetëm ca javë më parë ky mision i ashtuquajtur EULEX, traumatizoi një familje kosovare kur me një “Batalion” policë kishte shkuar për ta arrestuar personin i cili veç ishte në burg duke vuajtur dënimin. Kësaj i thonë: “non sens”!
Zyrtarët e këtij misioni europian ishin zotuar se do ta luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta, dhe sigurisht se prononcimet e tilla kishin rritur besimin se më në fund edhe në Kosovë do të mbisundonte shteti i së drejtës, mirëpo falë neglizhencës së këtij Misioni për të përmbushur detyrat që vetes i kishte shtruar përpara, opinioni i gjerë kishte filluar ta shikojë me skepticizëm këtë “krijesë”, madje kam përshtypjen se secili nga ne kudo dhe sa herë të përballet me emblemën e këtij misioni si nëpër dhëmbë shprehemi: more bash robtë!
Pra, EULEX në vend se të merret me atë për të cilën edhe vet thirret; luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ai në fakt krijon huti te qytetarët me prioritetet e tij që për opinion vendas janë krejt dytësore, madje të parëndësishme.
Kujtoj se ende është i freskët kujtimi ynë kur EULEX hapte procese gjyqësore kundër Albin Kurtit dhe fare pak për të mos thënë hiç i kushtonte rëndësi asaj që për qytetarët e Kosovës është prioritet: lufta kundër njerëzve të inkriminuar, lufta kundër atyre që zhvatin dhe dobësojnë mirëqenien e qytetarit tonë.
Sidoqoftë, konsideroj që jemi të një mendjeje kur themi se, skandalet edhe dështimet e këtij Misioni janë të pambarimta, mirëpo tash kur i ka mbetur më pak se një vit jetëgjatësi, qytetarët e Kosovës luten: EULEX, shkofsh e mos u kthefsh!