Editorial
Ndue Dedaj: Mesha e parë e erës së re
E premte, 06.11.2015, 10:00 PM
MESHA
E PARË E ERËS SË RE
NGA NDUE DEDAJ
Nuk është fjala për meshët e para të Erës së Re, dy mijë vjet më parë, por për “erën e re” shqiptare që nis me rikthimin e institucioneve fetare në Shqipëri, në vigjilje të mijëvjeçarit të tretë, kur duheshin dhe dhjetë vjet të fillonte shekulli XXI. Nuk mund të merrej ndryshe, veçse si një “ngjarje në tokë”, siç do të thoshin prelatët e martirizuar, ndaj kisha katolike i kishte nisur prej kohësh përgatitjet për përkujtimin e meshës së parë, të mbajtur me 4 nëntor të vitit 1990 në Shkodër, nga kleriku i njohur dom Simon Jubani, një meshë që shënoi edhe fillimin e lirive fetare dhe proceseve demokratike në vend. Ngjarja e lumnueshme ndodhi njëzet e pesë vjet më parë, në Varret e Rrmajit, restauruar kohët e fundit. Ishte si një apostullim i ri në tokën e mbetur djerr nga besimi, dhe pse në këto troje iliriane pati predikuar vetë Shën Pali Apostull.
Ishte Dom Simoni i pari, por do të ishte patjetër një meshtar që do ta riniste meshën e dhunuar e ndaluar. Mund të kishte qenë Dom Shtjefën Kurti, famullitari i mirënjohur i Tiranës, që ishte arrestur e ekzekutuar në fillim të viteve ’70 vetëm pse kishte pagëzuar një fëmijë. Shqiptarët, pos të rinjve, e mbajnë mend se si ishte ngritur në këmbë i madh e i vogël kundër “zakoneve prapanike” e “mbeturinave fetare”, por dhe “shfaqjeve të huaja borgjezo-revizioniste”, ku do të kishte shumë të salvuar nga radhet e artit e kulturës, por dhe të klerit që kishte mundur të mbijetonte deri atëherë. Mjafton që lexuesi i ri ta verë pak mendjen në punë se cilat ishin ato që quheshin zakone prapanike, as më pak e as më shumë se traditat më të vyera të të parëve tanë: doket, paria, prija, kulla, kuvendet, ritualet, festat, veshjet, besa, e cila tash e mbrapa i duhej dhënë vetëm Partisë. Kurse “mbeturinat fetare” ishin: besimi në Zotin, që për njeriun ishte shpirtëror dhe i shenjtë e tash duhej zëvendësuar më parullat leniniste (“Feja është opium për popullin”), famullia, teqja, xhamia, Bajrami, Pashkët, shkollat e vjetra, arkivat kishtare, ku ishin të dhënat familjare, krahinore dhe kombëtare. Mund të kishte qenë çuesi i meshës së parë cilido meshtar tjetër i martirizuar nga regjimi komunist, klerikët e përfshirë në procesin e kanonizimit nga Selia e Shenjtë, nëse do të ishin gjallë, portretet e të cilave u varën në qiellin e Tiranës për herë të parë shtatorin e kaluar në pritje të Papa Françeskut.
Por a ua kemi bërë sa duhet nderimin? Ende jo. Historia e Shqipërisë moderne është mungestare pa polifoton e tyre, ashtu si ajo gjendet në veprën “Rrno vetëm për me tregue” të At Zef Pllumit, që është dhe bestselleri i shkrimtarisë së kujtimeve në këto njëzet e pesë vjet. Ndërgjegja jonë do të ishte e mangët pa këtë dëshmi madhore, ajo do të lëngonte. Por nuk është gjithçka një libër, një dokumentar, një dekoratë e lartë, një përmendore e këtij apo atij të salvuari të fesë. As dhjetëra të tilla, qoftë dhe të arrira. Problemi nuk është thjeshtë i natyrës përkujtimore, jo se kjo nuk do bërë me përkushtim të madh, por kërkohet diçka më sipërane: të endet filli moral i këputur i gjysmëshekullit ateist, për të ndërlidhur ndërgjegjën fetare-kulturore të shqiptarëve në shekuj. E kjo nuk mund të bëhet pa i shkoqitur aktet, ngjarjet, dëshmitë e martirizimit. Janë ca gjera të shënuara që nuk mund të anashkakohen as pa dashje.
Emision për katoliçizmin, pa kardinal Koliqin!...
Në gjithë historinë e katoliçizmit dymijëvjeçar kemi vetëm një kardinal shqiptar, Imzot Mikel Koliqin, që është pritur dhe nga Gjon Pali II në Vatikan, ani pse për shkak të moshës së thyer dhe sëmundjeve nuk mund të vente rregullisht në takimet me kardinalët, aty ku ai kishte “karrigen” e tij. E megjithatë ky prelat i lartë qëllon që harrohet. Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, shtatorin e kaluar, në njërin nga televizionet kombëtare, u dha një emision kushtuar katoliçizmit. Një emision televiziv sigurisht që nuk është një akademi shkencore, ku gjërat shihen me referenca para se të kumtohen, por nuk është dhe një tryezë spontane ku mund të thuash shumë gjera, duke harruar disa me domethënie të veçantë. Në atë emision kardinali i parë shqiptar, Koliqi, duhej të ishte i “pari”. Po kështu në asnjë rast, kur bëhet fjalë për ringjalljen e kishës, nuk mund të lihen mënjanë dhe tre nga ipeshkvijtë e parë që u shuguran nga Papa Gjon Pali II në Katedralën e Shkodrës në prill të vitit 1993, Imzot Frano Illia, Imzot Zef Simoni dhe Imzot Robert Ashta, që tash janë në amshim.
Flitet për martirët e kishës dhe nuk thuhet se një martir i kombit është dhe At Shtjefën Gjeçovi, siç nuk përmendet as At Luigj Paliqi i vrarë në Kosovë me 1911. Kur është fjala për persekutimin e klerit duhen thënë të gjitha ngjarjet e papërsëritshme, pra dhe fakti që prifti deputet Dom Gjon Gazulli u var në litar në Fushën e Druve në Shkodër në vitin 1927, ku ka dhe një foto të këtij ekzekutimi publik, live do të thuhej sot. Mbreti Zog nuk ia kurseu jetën kritikuesit ekselent të regjimit të tij. E vërteta nuk mban me hatër askënd, dhe nëse një akt të tillë e harron një panel televiziv a një tjetër. Ashtu siç duhej thënë se dhe vëllai i këtij meshtari, Dom Nikollë Gazulli, gjuhëtar i formuar, ekzekutohet në rrethana të dyshmta politike në vitin 1946. Ky është problemi, ai i vërtetësisë dhe plotërisë së thënies. Ja që nuk bëhet fjalë për harresa të vogla dhe jo vetëm mediatike.
Shumë nga vuejtësit e dënimeve të rënda e të gjata politike nuk arritën t’i shkruanin kujtimet e tyre, pasi Dom Nikollë Mazreku, që kishte shkruar aq shumë për historinë e shqiptarëve, nuk kishte më fuqi të shkruante kujtimet vetjake ato pak vite që rroi në liri. Bashkëvuajtësi i tij, Nikollë Zef Tuci, ia kishte nxjerrë dorëshkrimet nga burgu aty nga viti 1974, fshehur në një bidon vaji, dhe ato kishin ndenjur në shtëpinë e tij në Orosh deri në 91-in, kur ia kishte dorëzuar të zotit në Shkodër. Këso historish janë të pashembullta edhe në qasjen e disidencës shqiptare, që shpesh padrejtësisht themi se nuk ekzistonte. Çfarë tjetër, përveçse disident i dorës së parë, mund të ishte At Pjetër Meshkalla, një profesor e dijetar klasi, që u përballë me udhëheqjen më të lartë politike të Tiranës për fenë, filozofinë, shkollën, progresin shoqëror e kulturor.
Kardinal Koliqi ishte një legjendë e gjallë e kishës dhe kulturës, famullitar i Shkodrës, muzikant i qytetit të vet, botues i revistës “Kumbona e së Diellës”, një “Mandelë” i burgjeve famëkeqe shqiptare. Mesha e parë është një rast për t’i kthyer sytë nga ai dhe klerikët e tjerë qendrestarë, në të gjitha ditët. Më shumë se për kujtesën ndaj tyre, që ua kemi peng nderimi, puna është ta endim vërtetë atë fillin e këputur prej ateizmit “shkencor”, që arriti të kishte muzeun e parë dhe të vetëm ateist në botë, në Shkodër, njëlloj si t’i bëhej Romës një “dhuratë” e tillë absurde e paimagjinueshme. Për të mos mbetur teorik në këtë që po themi, revista “Hylli i Dritës” është njëra nga kolanat që është përpjekur denjësisht këto vite ta ndërlidhë aksin kulturor shqiptar të ndërprerë, traditën kulturore kishtare me “erën e re” të saj.
Na duhet ende vullnet dhe punë e fisme intelektuale e institucionale për t’i dhënë kujtesës historike dinjitetin e nëpërkëmbur. Dom Gjergj Meta shkruan: “Papa Françeskut, në korrik të këtij viti, Presidenti bolivian Morales, i dhuroi një Krisht të kryqëzuar, në një “drapër e çekan”, që janë shenjat e ideologjisë komuniste. Një simbolikë e gjetur dhe prekse. Në atë mënyrë komunizmi kishte gozhduar të krishterët. Nën atë simbol u shfarosën, burgosën e përndoqën shumë sosh. Ne shqiptarët e dimë mirë këtë gjë, më shumë se kushdo tjetër. Krishti u kryqëzua me ato vegla, që nga mjete pune u kthyen në instrumente dhune dhe vdekjeje. Por edhe nga ky varr të krishterët u ngritën…”
Mesha e parë në Shkodër në nëntor të 90-s ishte rrezja e lirisë së ringritur nga hiri i martirizimit apostolik e bashkëkohor.