E diele, 28.04.2024, 07:39 AM (GMT+1)

Mendime

Ilir Sefaj: 600 milionë!

E marte, 03.11.2015, 09:29 PM


600 milionë!

Nga Ilir Sefaj

Ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me një pjesë të kabinetit të tij qeveritar përuroi 60 kilometërshin e parë të Autostradës Prishtinë - Shkup.

Në këtë “event” nuk ishte i pranishëm asnjë qytetar i rëndomtë i Republikës së Kosovës. Mosprania e qytetarëve në këtë kremte të qeverisë Mustafa, dëshmon më mirë se çdo gjë tjetër se si kjo qeveri (por edhe të tjerat para saj), në mënyrë tejet flagrante keqpërdorë paranë e taksapaguesve kosovarë.

Po përurohej një rrugë, pra ishte “festë” dhe në këtë ngjarje “madhështore” më shumë se qytetarë e njerëz që mbase edhe do ta shfrytëzojnë atë rrugë, kishte policë të Njësisë Speciale të cilët do duhej të kujdeseshin për kryeministrin, në mënyrë që ky i fundit të mos pësonte ndonjë vezë kokës nga aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Paradoks i llojit të vet?! Apo këndellje kolektive?!

Në një vend ku papunësia është më e larta në rajon dhe jo vetëm, pra në një vend ku e ardhmja nuk premton kurrfarë sigurie ekonomike, sociale dhe politike, shpenzimi 10 milionë eurove për kilometër asfalt nuk justifikohet as edhe nga optimistët më të mëdhenj.

Buxhetit të shtetit të Kosovës i cili edhe ashtu është më i vogli në rajon i janë tretur shuma marramendëse për ndërtimin e dy autostradave: atë “Ibrahim Rugova”, një autoudhë kjo afër 80 kilometërshe e cila popullit varfanjak të Kosovës i ka kushtuar mbi 1 miliard euro, dhe autostrada Prishtinë - Shkup e cila vetëm për 60 km e parë asfalt ka “gëlltitur” 600 milionë euro!

Kjo është agjenda e një kryeministri i cili mbanë gradën e akademikut të ekonomisë! Mbase edhe ky detaj tregon se sa të vlefshme janë gradat profesionale në vendin tim ku shitet e blihet çdo gjë, e në këtë “treg të zi” më lirë se gjithçka shitet morali!

Kryeministri Mustafa, sa ishte kryetar i Prishtinës kontribuoi shumë në shkatërrimin e kryeqytetit. Tingëllon paksa paradoksale vetëm se, kujtoj që kam të drejtë kur vetës i jap “luksin” të them se, Prishtina u shkatërruar më shumë sa ishte kryetar i saj (fatkeqësisht për dy mandate) Isa Mustafa, sesa në vitet ’90 ku kryebashkiak i këtij qyteti duhet të ketë qenë ndonjëri me mbiemrin VIÇ!

Krye(min)istër tani, kryebashkiak atëbotë, Mustafa vuante mungesën e ligjit për Prishtinën duke akuzuar një sivëllain e tij Hashim Thaçin për mungesë vullneti që kryeqytetin ta bënte me ligj.

Kanë kaluar më shumë se dhjetë muaj në krye të qeverisë dhe ky demagog i pashoq nuk e ka futur në agjendë ligjin për kryeqytetin, ngase në këtë mënyrë tenton ta pengojë në punën ë tij kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmetin, i cili nga e famshmja “The guardian” cilësohet si kryetari më i guximshmen i kontinentit.

Sidoqoftë, duke u bazuar në këtë që u shtrua këtu, por edhe shumë marifetllëqe të tjera të Isa Mustafës, habitem se si një kryeministër si ky yni ka kurajën që duke u krekosur ta pret shiritin e një autostrade 600 milionëshe për vetëm 60 kilometra asfalt, kur dihet se hiq më larg se ca muaj me parë afër 100 mijë shqiptarë të Kosovës ia mësynë Europës duke kërkuar bukën e gojës.

Dhe cili është arsyetimi i një kryeministri injorant: të ikurit, sipas kryeministrit tonë, paskan Ajfonë. Ky është diskursi i të parit të qeverisë sonë, sinonim i atij serb, maqedon, rumun e bullgar. Ky është diskursi i një kryeministri matrapaz i cili së bashku më dinastinë e tij është i involvuar si aksionar në dhjetëra biznese të ndryshme. Madje në ditën kur shugurohej për kryeministër akademiku sharlatan, njëri nga djemtë e tij përballej me drejtësinë pikërisht për monopolet që kishte ngritur dinastia e Mustafëve!

Në fushata parazgjedhore, Isa Mustafa premtonte shifra marramendëse të të punësuarve për një periudhë të shkurtër nëse ai do të ishte në krye të qeverisë. Ndërkaq, menjëherë pas “kapjes” së këtij posti falë lojëra të pista që njeh vetëm skena politike e Kosovës, pa fije turpi do të shprehej: “Fushata është një ambicie e shprehur që ne e dëshirojmë si LDK ta arrijmë, po edhe PDK-ja ta arrijë. Në programin qeverisës ne nuk do të orientohemi nga numrat, por do të orientohemi nga masat të cilat ne do duhet t’i krijojmë për arritjen e zhvillimit ekonomik”.

Dhe cilat janë këto masa; 600 milionë për 60 km asfalt. Aferim!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora