E diele, 06.10.2024, 01:47 PM (GMT+1)

Mendime

Zeqiraj: Shfrytëzimi i pozitës nga Hashimi, skandaloz

E marte, 27.10.2015, 09:40 PM


SHPËRDORIMI FATAL I POZITËS NGA HASHIMI, ËSHTË SKANDALOZ

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Përcaktimi strikt kufitar në mes dy shteteve, qofshin ato edhe mike, ka shumë rëndësi për të sotmen dhe brezat e ardhshëm. Kufinjtë, për aq sa i njohim në Ballkan dhe Evropë, ndahen për maje - malesh, bjeshkëve ose edhe lumenjve. Dhe ndarja është e menduar mirë, që shtetet fqinjë të kenë pika strategjike të barazvlershme. Dhe, kjo bëhet për arsye që brezat e ardhshëm të shteteve kufitare, të mos kenë epërsinë në territor ndaj njëri - tjetrit, të mendojnë mirë për të evituar, shmangur  konfliktet, luftërat në mes tyre.

Mendimi se bëjmë një marrëveshje për kullotat dhe stanet bjeshkore me Malin e Zi, është mendjelehtësi dhe jo zgjidhje e problemit. Në çdo kohë fqinji mund ta bllokojë kufirin, kullotën. Këtë pazar me zarar e ilustrojmë me një ndarje pleqërie të trimit mentar Dik Leci, nga Gmica e Dardanës, për një pronë kontestuese: " Si ka mundësi, bytha jote e leshi jem"?! (Paksa pezhorative, por shumë adekuate për temën). Rasti tragjik, në fshatin Shahiç të Dardanës, ku Musli Leci u vra në verën e 2004-ës, në pronat e veta, të blera në ish/Jugosllavi, 500 metra brenda kufirit aktual serb. Serbia e ktheu kufomën pas tri ditesh në Merdare, me arsyetimin cinik se "na sulmoi"! Edhe mendimi ngushëllues, i shprehur nga njëri nga shefat e opozitës se jemi popull i ri në shtim e sipër, dhe do të forcohemi dikur,  relativizohet, kur dihet se Serbia po u jep shtetësinë mijëra kinezëve, por, jo edhe serbëve të ikur nga Kosova!

Vija kufitare aktuale, jashtë standardëve normale, klasike

Në vitet `60-a, për dy javë radhazi, përshkova Kosovën në këmbë, kryesisht, përrreth kufinjve të saj. Në pjesën veriore, me anësoret e saj, pra, nga Drenica deri në bjeshkët e Deçanit, pretendoj se  i njoh mirë çdo bregore e qafë kufitare. Çakorri e Kulla kanë qenë dy pika referuese. Që nga vitet `60-a, një lokal, në të majtë të Çakorrit, shërbente si pushimore dhe kalimi tutje ishte hapësirë e Malit të Zi. Dëshmi e respektimit kufitar, në mes të Republikës të Malit të Zi dhe dhe Krahinës të Kosovës, në ish-Jugosllavi, është se barinjtë e komunës të Deçanit, taksën e kullotës për bjeshkët e Bogiçës, ia paguanin komunës së Plavës. Tani thonë se në dy pikat më të njohura kufitare, prsa, në Çakorr dhe Kullë, ka një zbritje shqetësuese prej 4 apo 5 kilometrash, në brendësi të kufirit tonë. Kjo zbritje është krejt e panatyrshme dhe jashtë standardit klasik, kur kemi parasysh kufirin e vënë përgjatë shpatit përballë Kuçishtës!

Bjeshkët e Nemuna, Presidenti Rugova ngulmonte të thirrën Alpet Shqiptare. Në Luftën e Dytë Botërore ato u bënë strehë e nacionalistëve, kombëtarëve shqiptarë, në luftë  kundër serbo-malazezëzve, për t`i mbrojtur trojet tona, përfshi këtu edhe Sanxhakun shqiptar. Luftëtarët shqiptarë, edhe nëse vritëshin tej kufinjve të Kosovës, shokët i bartnin kufomat, për t`i varrosur brenda kufirit të Kosovës. Përmendim vrasjen e Bardh Isufi Gashit, nga Orrobërda e Istogut, komandant i zonës të Podgurit, trupi i të cilit u varros këtej kufirit, në bjeshkët tona, për t´u rivarrosur në varrezat publike pas tej 60 viteve,

Justifikimi se "kufiri u vu atje ku është përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, është cinizëm dhe tallje e paskrupulltë. Amandamentet e 1974-ës qenë pozitive, por, jo edhe të pranohen kufinjtë e vullnetit të pushtuesit. Pse u dashka besuar pushtuesit në përcaktimin e kufinjve tanë?! A nuk ishte Kosova e pushtuar në vitin 1974?! Perandoria Osmane ishte obskure e rrumpallë, por dokumentacioni i gjetur rezulton të jetë mjaft i saktë, madje për një serë çështjesh, përfshi këtu edhe kadastrimin tokësor. Andaj, është dashur dhe duhet të shfrytëzohen edhe arkivat turke për kufinjtë, kur dihet se edhe Mali i Zi ishte një mbretëri, edhepse e vogël, por mirë e organizuar.

Heshtja e opozitarëve aktualë për batakçillëqet e Hashim kryeministrit

Besoj se edhe Fyhreri gjerman - Hitler, i ka pyetur e përfillur më shumë vartësit, bashkëpunëtorët, se sa Hashimi jonë shqipfolës. Të paktën, në dokumentarët e kohës, e shohim Hitlerin duke u konsultuar me ushtarakët e tij. Ndërsa Hashimi, me veprimet e tij, ka dëshmuar se i di të gjitha vet. Ai i ndau vëllezërit Hamëz dhe Adem Jashari, edhepse i dyti nuk kishte bërë asgjë më shumë se i pari. Edhe në shtatoren e vendosur në Skenderaj i ndau! E gjithë kjo u bë për përfitim politik vetjak dhe gruporë.Turp e dilinxhillëk me fund!

Nxitoi për t`i vënë emrin "Adem Jashari" aeroportit të Prishtinës! Kjo ishte një tallje e vrazhdët me luftëtarin, tashmë, hero. Në gjallje të tij kurrë nuk do të guxonte ta poshtëronte në këtë masë! Kudo në botë aeroportët pagëzohen me emrat e presidentëve, kryeministrave, kancelarëve, si për shembull: Çurçill, Nehru, Aisenhauer, Kenedi, Sharl De Gol, Josef Straus ..., të cilët kanë kaluar shumë kohë të jetës në fluturime zyrtare. Ndërkohë, Ademi ynë nuk e di nëse ka pasur rastin të bëjë ndonjë udhëtim privat me fluturake?! T`i vësh emrin një aeroporti "Adem Jashari", është njësoj sikur ta pagëzosh një fushë sportive me emrin e Ibrahim Rugovës, i cili, ashtu siç e njohim ne, shokët e tij, shkollarë të mesëm, nuk arrinte të plotësonte normat sportive. Shpërdorimi fatal i pozitës nga Hashimi është skandaloz. Dhe, megjithatë, opozitarët aktualë kanë qenë spektatorë të diciplinuar!

Hashimi vendosi të bisedojë me Serbinë, pa konsultuar askënd, madje as Kuvendin. Dibranët  thonë: "Një mendje - asnjë mendje, dy mendje - gjysmë mendje, tri mendje - një mendje". Ai mori nga rruga intrigantën Editë, që e kishte bërë rrotull Kryesinë e LDK-së dhe Dr. Rugova e "sikterisi", e largoi për intriga e destruktivitet. Ajo nuk ishte kurrëfarë specialiste për çfarë do të bisedohej me Serbinë. Mashtroi dhe rrejti krejt pacipshëm, duke u betuar se "bisedimet do të jenë vetëm teknike"! Megjithatë, opozitarët aktualë kanë heshtur!

Pushtetarët peng të krimeve seriale

Është thënë e shkruar, herë tërthorazi, por edhe troç, se Kosova nuk mund të bëjë hapa para me krime nëpër këmbë. Njerëzit me peshën e krimeve në shpinë, nuk janë kurrë të lirë; nuk kanë asfarë guximi qytetar, për t`u përballur me asgjë dhe me askënd; nuk kanë fije integriteti, janë peng të krimit të bërë. Të veprosh krye në vete, për çështje kardinale e jetike për shtetin dhe popillin; të mos përfillish institucionet; të injorosh specialistët, institutet, Akadaminë dhe të marrësh njerëz nga rruga, të cilët nuk përfaqësojnë askënd dhe asgjë, t`i bësh ministra e zëvendëskryeministra, kjo është tallje e lojë në kurriz të shtetit, të popullit.

Të thuash se Kosova nuk humbet asgjë me "Zajednicën", është njësoj siç thonin disa mërcënarë shqipfolës, kur po i hiqej autonomia Kosovës, më 1989. Ja, disa elemente vetëfolëse të së keqes të madhe: Në pikën kufitare në Veri, doganën e vjel dhe menaxhon "Zajednica",! Sipas kësaj logjike idioteske, doganat në pikat kufitare: Bllatë, Vërmicë, Qafë-Morinë, Kullë, duhet menaxhuar dhe përvehtëuar të ardhurat doganore, përkatësisht, nga: Kaçaniku, Prizreni, Gjakova, Peja! "Zajednica" po siguron tri burime financiare, buxhetore: nga Kosova, Serbia dhe dogana në Veri!!! Shto këtu joshjet korruptive, ngaqë tregtarët do ta parapëlqejnë, pikërisht, këtë pikë kufitare, si mundësi përfitimi.

Jeta e pakicës shqiptare do të bëhet edhe më e zymtë, e pasigurtë, diskriminuese. Dhe, të mos flasim për lejet e ndërtimit, të cilat varën ekskluzivisht, nga vullneti i kuadrit komunal. Madje, kthimi i shqiptarëve të larguar dhunshëm, do të vështirësohet, deri në pamundësi. Emërimet në polici dhe një serë veprimesh provokative, me cytjen dhe mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Beogradit, do ta pengojnë funksionimin normal të shteit të brishtë të Kosovës.

Miqtë ndërkombëtarë tërhoqën verëjtjen për rrezikun

Justifikimi, referenca se kinse këto lëshime e privilegje, për serbët, po i kërkojnë dhe imponojnë ndërkombëtarët, është gënjeshtër e kulluar. Ne jemi dëshmitarë të shqetësimeve të miqve tanë, të çlirimtarëve tanë faktikë, kur dialogu degjeneroi, nga bisedime teknike, në ato politike, edhepse Hashim kryeministri, bashkë me lëvriçkën Edita Tahiri, betoheshin se "kurrë nuk do të pranojmë bisedime politike me Serbinë". Për zellin e madh mashtrues, e pispillosura Editë u shpërblye me gradën ministre!!

E vërteta është se miqtë tanë paralajmëruan rrezikun dhe portositën pushtetarët tanë, tashmë, të dyshuar përtej injorancës, të kenë kujdes dhe të mos dalin jashtë planit të Ahtisarit. Nuk ka dyshim se dikush kishte marrë obligime ndaj Beogradit dhe nuk u përfill fare paralajmërimi i miqve tanë çlirues! Pas të gjitha këtyre stratagjëmash e intrigash të tandemit Hashim - Editë, opozitarët aktualë nuk merren me ata, por, i sulën Isa Mustafës, i cili e gjeti dialogun në fazën "fait a copli" (fakt të kryer)!

ORGANIZATA KRIMINALE SHIK, VEGËL E SHISH-IT DHE UDB-SË,

SABOTOI LUFTËN

Është përmendur një mik francez i Hashimit, i cili është zënë mat në intrigime e denoncime ke serbët, në dëm të Kosovës. Edhe ushtrimi në Francë i pjesëstarëve të organizatës kriminale të SHIK-ut, është shumë domëthënëse. Ishte SHIK-u, së bashku me Sigurimin Shqiptar, ata që ekzekutuan ministrin Ahmet Krasniqin, shefin e Emergjencës të LPK-së ose "UÇK-së", Ilir Konushevcin dhe ushtarakët e kuadrot të tjerë, për ta penguar bashkimin e faktorit ushtarak, rrjedhimisht, për ta sabotuar luftën. Për çudi, për asnjërin nga këto veprime, fort të dyshimta, nuk kanë reaguar asnjëherë opozitarët aktualë.

Vendime e veprime individuale e klandestine të Hashim kryeministrit

Asnjë paragjykim për Murat Mehën. Edhe mund të jetë specialist i çështjes, të cilës i doli për zot. Por, si u gjet, pikërisht, ai kaq afër Hashimit?! Për një çështje kaq madhore, siç janë kufinjtë shtetëror, duhej një angazhim më serioz, më kolektiv. Po Akademia e Kosovës përse është? Apo e anatemuan stalinistët e Kosovës, pse nuk arritën ta përdorin si rrezginë të tyre?! Dy specialistët : Dr. Shpejtim Bulliqi dhe Dr. Flori Isufi , të cilët u angazhuan, me nismën e tyre, konstatuan se Kosova po humbet 8.223 hektarë tokë. Ishin fort bindës në metodën e qasjes të problemit dhe po kaq mbushamendës në rezultatin.

Një letër me elemente të reja, me disa të dhëna shtesë, të thëna për herë të parë, e shkruar nga Idriz Blakaj, nga Vrella e Istogut, dërguar kryetarit të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Mehës, duhej të kishte tërhequr vëmendjen  e opozitarëve luftarakë. Një arsye më shumë është se djemtë e Vrellës janë shquar për guximin dhe mençurinë e tyre, kur, në pranverën e vitit të largët 1968, vendosën që kërkesat e kohës si: lirimin e Adem Demaçit me shokë dhe pafajësinë e tyre; lejimin e Flamurit Kombëtar; hapjen e Universitetit të Prishtinës; bërjen e Kosovës Republikë si dhe barazinë politike dhe ekonomike të Kosovës me Republikat tjera jugosllave. Të gjitha këto kërkesa u shpalosën në një mbledhje të komunistëve jugosllavë në Vrellë, për t`i bartur, pastaj, në mbledhjen zgjedhore të rinisë komunale në Istog. Kjo ishte dalja e parë nga ilegaliteti, nga çubat në Kosovë. Megjithatë, opozita aktuale shumë e vonuar edhe për çështjen e Demarkacionit.

Poshtë Tito, rroftë Stalini!!

Ka ndodhur një fenomen sa interesant, aq edhe skandaloz, i çoroditur. Madje tek të gjithë shefat e partive parlamentare të Kosovës. Me justifikimin dhe mburrjen se "nuk jam titist", ata janë hedhur në prehrin e supërkriminelit Stalin. Sepse kjo u jep atë shkopin magjik, për diktaturë të pakufishme, brenda partive të tyre dhe, kur janë në pozitë shtetërore, këtë diktaturë e përdorin edhe mbi popullin. Ushtrojnë pushtetin personal në dëm të Kosovës. Shembulli më flagrant janë marrëveshjet e tanishme, pa përfillur as Kuvendin dhe as popullin.

Tito dhe Stalini nuk ishin njësoj. Stalini mbeti dogmatik i përjetshëm, ndërsa Tito e revizionoi dogmën komuniste, duke ruajtur nga kjo dogmë vetëm aq sa ta gëzoj pushtetin e përjetshëm. Tito ishte president, por, për ta shpërndarë përgjegjësinë, krijoi Presidencën, risi kjo për botën komuniste e më tej, udhëheqjen kolektive me rotacion, tërthorazi, duke mos lejuar askënd të bëhet Zot, të pamundësojë këdo që ta rivalizojë atë. Ndërsa politikanët tanë, shefat mjeranë pë partive parlamentare, të cilët kanë edhe kryesi partiake, por që nuk i pyesin për asgjë, veçsa i përdorin si mburojë të kryetarit. Këtë praktikë staliniste e kanë bartur edhe në drejtim të qeverisë dhe të shtetit.

Pavarësisht tymit e mjegullnajës, ne sfond spikat Gjykata Speciale

Tym e mjegullë në Parlamentin e Kosovës nga kalamajtë e politikës vendore. "Rrafsh Kososva, vetëm ne të mbetemi të paprekshëm, për krimet, tashmë, të bëra. Por, për t`u siguruar nga goditjet e mundshme të Gjykatës Speciale, na duhet pushteti, për t`u bërë pjesë e faktorë të menaxhimit të drejtësisë. Pra, ia hedhim, siç ia hodhëm për 16 vjet radhazi", - mendojnë dhe veprojnë me çuna gaz lotsjellës, kalamajtë e politikës, duke i pasur aleatë besnikë krerët e PDK-së.

Militantja vezë-hedhëse në Parlament, Albulenë Haxhiu, kundërshton me forcë hetimin e vrasjeve makabre të ushtarakëve dhe të partiakëve të Ibrahim Rugovës, pas luftës. Dhe, shtrohet pyetja logjike: "Çfarë e lidh me krimin, këtë zonjë qumshtore?! Për kohën, ajo ishte rinore dhe përjashtohet mundësia e implikimit në këto krime. Atëherë, rezulton se këtë barrë të kundërshtisë, ndaj Gjykatës Speciale, e ka marrë Vetëvendosja, e cila ka më pak mëkate, përgjatë dhe pas luftës. Dhe, këtu, Vetëvendosja më shumë është në rolin e mërcënarës të dy partive banda: PDK-së dhe AAK-së.

Çdo ditë e më shumë begatohet dosja e krimeve me elemente e dëshmi vetëfolëse. Tymi dhe mjegullnaja në Parlamentin e Kosovës, nuk e mbulojnë dot tejdukshmërinë e qëllimeve të opozitës aktuale, për ta penguar ose, të paktën, për ta prolonguar nismën e funksionimit të Gjykatës Speciale. Ndërsa për kundërshtinë e ligjshme të marrëveshjeve, opozita është kujtuar vonë, madje tepër vonë, edhepse ka qenë në dijeni për ogurin e zi të tyre.

Kosovës i duhet mbikëqyrja e një fuqie mike

Në vëtet ` 60-a, me organizimet tona ilegale e, më vonë, gjysmëlegale, njerëzit, sidomos rinia, e këtij vendi, sikur u vetëdijësua se frika nuk sjell asgjë të mirë. Idealet ishin të larta dhe të pastra. Të gjitha ishin një hiç, vetëm liria ishte gjithçka. 33 vjet më vonë, pas kthimit nga mërgimi i gjatë dhe i mundimshëm, gjeta Kosovën me njerëz krejt ndryshe. Pushtimi i gjithëmonshëm kishte futur frikë e terror në shpirtin e këtij populli.

As liria nuk e ndihmoi këtë popull, për ta vrarë frikën, siç e vranë sivëllezërit tanë në Shqipëri. Edhepse Serbia pushtuese u mund dhe u përzu nga pakti ushtarak NATO, ajo la sherrin, krimin prapa, SHIK-un, një organizëm vrastar të shqiptarëve dhe sabotues të luftës. SHIK-u, me instruktimin e drejtëpërdrejtë të shtetit shqiptar, i udhëhequr nga mbeturinat komuniste dhe i lidhur fort me UDB-në serbo-sllave, terrorizoi popullin me vrasjet seriale, gjatë dhe pas luftës.

Kinse u shpërbë SHIK-u dhe sikur u besua se populli i Kosovës do të këtë një frymëmarrje më të lirë. Por, për djall, ngjalljes së frikës i dolën për zot krerët partiakë. Por, një frikë krejt ndryshe: Kërcënimi me papunësi, kërcënimi me uri familjare. Zgjedhjet e viteve të fundit ishin tipike staliniste, madje, pa përjashtim, në të gjitha partitë politike parlamentare. Janë, pikërisht, shefat partiakë, ata që varrosën shpresën për demokracinë e ëndërruar. Dhe, pa demokracinë e nevojshme, nuk mund të këtë liri të mirëfilltë dhe as zhvillim e përparim të Kosovës.

Kur po debatohej për Gjykatën Speciale, eksponentët e krimit kërkuan që një Gjykatë e tillë të krijohet brenda Kosovës, duke premtuar se janë në gjendje të hetojnë e dënojnë të gjithë kriminelët. Po kush i kishte penguar këta kryekriminelë ta formonin këtë Gjykatë dhe t`i dënonin bandat vrastare, të cilat kanë përgjakur Kosovën, me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm?! Përkundrazi, i mbushnin rrugët dhe sheshet e Kosovës, me bandat legale, për të protestuar kundërt UNMIK-ut dhe EULEX-it, me kërkesat absurde: "Lironi çlirimtarët(!)", - edhe faktet dëshmonin se ata ishin kriminelë.

Strukturat e krimit janë konsoliduar fort, kanë kapur kupolën e pushtetit dhe të shtetit, kanë ngulfatur Kosovën dhe popullin e saj. Forca të tjera, për të mposhtur bandat e krimit, nuk arrijnë të organizohen. Për rrjedhojë, zgjidhja e vetme është angazhimi i drejtëpërdrejtë i një fuqie mike, e cila do ta mbikëqyrte Kosovën. Një shtet mik, ligjor dhe i fuqishëm, si: Amerika, Gjermania, Anglia, Austria, do ta përgadiste kuadrin e nevojshëm, për ta bërë Kosovën shtet funksional. 16 vitet e shkuara, ishin kohë e mjaftueshme e një prove, për të krijuar një shtet ligjor dhe demokratik. Por, dështimi është faktik, sepse në gjendjen aktuale, Kosova nuk pëtmbushë elementet bazë të një shteti ligjor dhe funksional. Zhgënjimi është i madh. Krimi i organizuar politik dhe ekonomik e dështoi tërësisht shtetin e Kosovës.



(Vota: 12 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora