Faleminderit
Gjekë Gjonlekaj: Profesor Mhill (Michael) Marku
E hene, 05.10.2015, 06:04 PM
 PROFESOR MHILL (MICHAEL)
MARKU
PROFESOR MHILL (MICHAEL)
MARKU
(1919-1966)
Kur dita më ditë pritej dalja në dritë e nji libri të Prof. Michael Markut, ai vdiq papritmas në Monterey, Californi, ku ishte drejtor i shkollës shqipe n’Institutin e gjuhve t’Ushtrisë Amerikane. Vdekja e shpejtë e tij la në pikllim jo vetëm familjen farefisin e miqët e shumët, por edhe ata që ndyerin e njifshin nga shkrimet e tija aq të bukura.
Michaeli, megjithse larg vendlindjes ishte në kulmin e duhun në shërbim t’atdheut dhe të shqiptarve, tue nderue malet bujare t’Shalës që i dhanë jetë, Dukagjinin fole Shqiptarizmi dhe mbarë shqiptarët, sepse nder shtyllat e shtypit të lira në mërgim, artikujt e tij ishin të pandërpremë, plot shije letrare, me baza shkencore, konstruktiv, larg partinash, thjeshte dhe vetëm shqiptar në dobi të Kombit, pse i thjeshte dhe vetëm shqiptar ishte vetë Michaeli. Po kështu, shkruante ndër gazeta e revista të huaja sidomos n’anglisht tue synue me ndricue e sqarue të huajët mbi Shqipni e të drejta të Shqiptarve.
Michael Marku leu në Shalë në luftën e parë botnore, kur Serbët në ikje e sipër prej ushtrive Austro-hungareze shkelën dhunisht nëpër malet tona, tue djegë e shktarrue, tue grabitë e masakrue popullin. Po me ket kohë vritet burrnisht tue luftue edhe baba i Michaelit me dy vllazën, tue e lanë atë foshnje dy muajsh. Me kujdesin e famullitarit, Michaeli në moshën e bukur fort të rritëshme hyni në shkollë në konviktin “Malet tona” në Shkodër, ku kreu filloren e gjimnazin shtetnuer, tue u shque gjithmonë i pari i klasës, i pari në sport, i pari në guxim, i pari në nderë e karakter,shembull në sjellje , fisnik në punë e në veprime, burr i matun nder gjykime, gja që provon mos përkulja e tij para të rijve komunista r’asaj kohe, që dhanë e mueren m’ e bindë të hynte në celulat e tyne, por jo vetem që nuk mujten me e mashtrue, por u qëndroi burrnisht me arsye e grusht, tue u mundue me i ndricue se ishin në rrugë të gabueme, mbasi për Michaelin komunizmi ishte qysh atëherë pansllavizëm rreziku i kombit shqiptar, gja që tashma e pamë të gjithë. As demagogjia fashiste nuk e futi Michael Markun në kurthë . Burgimi i tij në Liceun shtetnuer në Shkodër me 1940 provon qartë se ndjenjat e të ndyerit ishin me popullin e synimet e përpjekjet për nji indipendencë të plotë, liri e demokraci të vërtetë për cka Shqipnia kishte aq nevojë.
Studimet iniversitare i kreu n’Europë, kurse në Californi muer diplomën—Master Degree n’arte e histori.
Në fund e ndjejme për detyrë të theksojmë se veprimtaria kulturore kombetare e shumllojshme e Profesor Michael Markut, ishte shëmbull për të gjithë shqiptarët e mërgimit. Me vdekjen e tij mergimi shqiptar humbë nji shtyllë të fortë, nji personalitet të dalluem në dobi të pergjithshme kombtare. Qoftë i përjetshem kujtimi i Tij.
G&S Farmington, Mich.5/6/1966
NGA REDAKSIA E DIELLI-T
Profesor Marku lindi në Shalë të Dukagjinit me 27 Shtator 1919, i bir i Mark Markut dhe i Drande Mirashi. Shkollën fillore e bëri në Shkodër 1926-31 dhe pastaj studjoi në Liceun Shtetëror të këtij qyteti prej 1931-1938 dhe vjetin e fundit e bëri në Tiranë me 1939.Me 1939-43 studjoi në Farnesina të Romës, Itali, dhe u diplomua rishtasi me 1964 në San Jose State College, Californi, me titull MA in History
Profesor Marku mësoi për pesë vjetë në shkolla Italiane (1946-1950) dhe pastaj emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qe professor dhe pastaj Chairman në DLI të Monterey, Calif. Përvec artikujvet të shumtë shqip dhe anglisht,
Profesor Marku është author i THE RED PIONEER.
SHENIM: Javën e kaluar dërguam për ribotim shkrimin anglisht për Dedë Gjo’Lulin të Michael Markut, i cili shihet qartë se e kishte amerikanizuar emërin e tij të vërtetë shqiptar. Për t’ia adaptuar emërin e tij natyrës shqiptare menduam se emëri Mikel ishte shumë afër emërit Michael, por një ditë më vonë gjetëm se emëri i tij i vertetë kishte qënë Mhill Marku e jo Mikel Marku. Kerkojmë falje për këtë. Të gjitha shkrimet e tij në gazetën “Dielli”janë botuar me emërin Michael Marku. Përzierja e emërave të huaj me emëra shqiptar shumë herë shkakton huti. Disa lexues kërkuan të dijnë më shumë për jetën dhe veprimtarinë e ketij shqiptaro-amerikani dhe për t’ua plotësuar deshirën gjetëm këto shënime që ishin botuar në gazetën “Dielli” në qershor të vitit 1966,menjëherë pas vdekjes së tij.
(Gjekë Gjonlekaj)

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










